Misteriozi
Tregim nga Fadil L. Curri
Luftërat e fundit sikur më shumë hoqën shpirtëra njerëzish se jetët e tyre. Edhe në kryeqytetin tonë ishte e pranishme kjo dukuri lemeritëse. Njerëzit për njëri-tjetrin dukeshin hije pa fije, nuk dinin ku nisnin e ku mbaronin hapësirat e tyre. Hija e dikujt, që deri dje i frikësohej vetes, tash e panjohur edhe për veten ishte, e dyshimtë e frikëndjellëse. Kafenë e pinte dhe nuk e përjetonte shijen e saj, librin e lexonte dhe ëmbëlsinë e shkronjave nuk e kishte në sy e shpirt, poezinë te shumëkush e shihte si sapun për shpëlarjen e së djeshmes. Njerëzit që deri dje e shikonin frikshëm pse shkonte në faltore, sot ishin para tij dhe detyrohej të falej pas këmbëve që kishin lënë gjurmë të fëlliqta, në rreshtin e parë. Shumëçka në qytetin tonë të vjetër me dyshime të reja po ndodh, sa edhe vet si kronikan jetësor i tij nuk e kuptonte këtë dukuri.
Vitet e fundit pëshpëritej se janë shpërndarë disa misionarë që duan ta bindin popullin se shenjtëria është në bashkimin e mendjeve, kokave e tokave tona. Aq lezetshëm flisnin, aq ngadalë e me bindje, sa dëgjuesit e tyre, po t’u urdhëronte, vrik e vrik mund t’i merrnin thikat e pushkët e të hidheshin në luftë për vdekje ose liri. Thanë se edhe një bejtexhi ishte në mesin e misionarëve. Ai kishte qenë jashtë atdheut me decenie, gjoja se kishte ikur nga rreziku për jetë që i kanosjej nga satrapi dhe pushteti i tij. E, në të vërtetë, ky kishte qenë larg vëmendjes dhe që i kishte shërbyer satrapit nga kurbeti, i kishin informuar disa miq të shpirtit njerëzit e tyre në vendlindje: “Kujdes, bejtexhiu është njeri shumë misterioz dhe nga ai nuk mund të pritet fund i lumtur, sepse e ka stërvitur akademia satrapiane në mërgatë”. Dhe, ky e mori këtë këshillë shumë lehtë, sa bejtexhiun e shndërroi në personazh letrar me emrin Misteriozi.
Njeriu me emrin letrar Misterioz nisi të dukej gjithnjë e më shpesh nëpër kafenetë me shokë të zgjedhur, disi druajshëm e i pasigurt. Gjatë bisedave me ta si engjëllisht ishte i betuar të bënte mirë, bile dhe të tjerëve u jepte kurajë të mos u bëjnë keq as insekteve, të falin njerëzit në fajet që i bëjnë, sepse do të jenë të falur nga Perëndia në këtë botë e në të pastajmen e amshueshme. Në poezitë e tij, që ua lexonte miqve në rrethe të ngushta, pastaj edhe përbotshëm nëpër rrjete sociale, e që vazhdimisht i shtoheshin pëlqyesit e lëvduesit, shkruante për heroizmin e popullit nëpër histori, për bashkimin kombëtar, për padrejtësitë që i shin bërë këtij populli dhe vendit e që po ia bëkan edhe sot. Vërtet njerëzit nisën të dehen pas tij dhe në tavolina e nxirrnin të parin. Bardh Agu, që e kishte rrahur jeta me erërat e acarta, i merrte me rezervë fjalët e tij, sepse kishte pasur punë gjatë kohës së pushtetit satrapian me karaktere njerëzish kameleonë, si ky. Kur mori guxim një ditë të shfaqë dyshimin ndaj Misteriozit, iu vërsulën me egërsi, sa tërë jetën atdhetare gati ia zhbënë pse e kundërshtoi. “Nejse, nuk më keni kuptuar si duhet”, bëri pendesë Bardhi, disi i frikësuar nga kundërshtimi i miqve, veçanërisht me bashkëvuajtësit e tij jetësorë me decenie.
Rrethi i miqve i Misteriozit nisi të zgjerohej dhe ky dukej më botërisht, gati mori rolin e prijësit. Nisi të merret edhe me organizimin e rretheve të bejtexhinjve, që me bejtet e tyre të shfaq patriotizmin e njerëzinë para vegjëlisë popullore, të ndajë urti dëshmuese se ky ka qenë patriot e ky ka qenë tradhtar, të shpëlajë të ligët e të përbaltë atdhetarët e vërtetë. Njerëzia nisën të habiten me mendjet e bindjet e tyre, në përjetimet jetësore, të mos u besojnë vetes, të dyshojnë po në vete. I burgosuri i dikurshëm, Lum Shkreta, e pyeti bashkëvujatësin e tij, Dardan Humbi: “Si ka mundur të jetë ky atdhetar, kur ne të dyve na pati trilluar te kadiu, i cili vendosi të dergjemi me vite në burgje”? Dardani i rrudhi supet, si të thoshte se “më është mjegulluar mendja, më është bërë dhallë e turbullt, sa nuk jam as kos e as ujë”. Këtë bisedë e zhvilluan pas kthimit nga varrimi i mikut të tyre të idealit, kur Misteriozi e mbajti fjalimin vdekëtar, aq përshpirtshëm, sa shumëkujt që nuk e njihnin atë, ua nxori pa darë lotët, gati edhe sytë.
Ky njeri me emrin letrar Misterioz nuk u ndal me këtë, edhe pse nisën të pëshpëriteshin dyshimet rreth tij. Disi i dehur nga sukseset e arritura, përfoljet nuk i kishin rënë në vesh. Pasi shumë të merituarve ua hoqi patriotizmin dhe shumë mëkatebërësve ua veshi këtë, ia mësye krenarit së përvuajtjes, Bashkim Çamit. Dërdëllisi për gjoja tradhtitë e tij, bile gati e mbështeti për muri. Misteriozi kishte zënë miq edhe ndër atdhetarët torollakë, në elitën e akademikëve gjumashë, atë gjyqësore me peshore të prishur. Zinxhiri ishte i forte, rrethet e çelikta lidheshin njëri me tjetrin. Kur vërtet po rrezikohej kryeatdhetari, nga mërgata në faqet e internetit nisën të shfaqen fotografi të Misteriozit.
Njëra fotografi kishte faksimilin e bashkëpunimit me pushtetin e Satrapit, tjetra dëshmonte se kishte marrë më qafë njerëzit e mërgatës, kundërshtarë të regjimit satrapian. Fotografia e shtatë ishte më e kobshmja për të, e cila vërtetonte se atë e kishin dërguar njerëzit e klanit satrapian në mërgatë, që përpiqej të fshinte gjurmët e tyre jonjerëzore brenda e jashtë atdheut dhe të kthehej plotësisht në pushtet. Kur këtë ia kishin dërguar edhe në adresën e tij elektronike, përsëri me bejtet e shkrimet e tij nisi të shfajsohej, por më kot e kishte, sepse shumë që e kishin kuptuar “misionin” e tij, nisën t’i iknin e të mos i besonin dot. Tundjen e tyre ndaj kryeatdhetarit Bashkim, që e kishte mbjellë Misteriozi, e shkundën përfundimisht.
Kur e kuptoi Misteriozi se u bë e ditur në popull dyfytyrësia e tij, në fillim nisi të rrallojë takimet me miqtë, pastaj edhe të mos dale në çarshi, sa edhe të mos dukej më në sytë e njerëzve. Tashmë nisën të pyesim se ku gjendet ai. Në faqelibër e rubrikat shoqërore të Ndërrjetit nuk shkruante, as fotografi që i kishte qejf më nuk kishte. Kaluan disa muaj dhe i ranë pas të dinë për fatin e tij. Në shtëpinë ku rrinte ka javë që nuk ishte, rrëfyen fqinjtë e tij. Dëgjohej në popull se dergjej në një spital jashtë vendit, se paska bërë vetëvrasje, se përsëri ua kishte mbathur këmbëve për te klani që e kishte dërguar në atdhe, se e paskan vrarë ata të klanit nga frika mos u zbuloheshin gjurmët e tyre, gjithçka dëgjohej për të. Plaku kryeatdhetar, Shqiptar Mangu, u tha troç bashkëbiseduesve të tij: “Mos pyetni më për të, por ruanie veten nga misteriozët tjerë të mundshëm. Ai misterioz paska jetuar dhe si të atillë iu paska marrë jeta Misteriozit, ashtu si e ka merituar, mistershëm”.
29 maj 2016