
Miti i kohës në poezinë e Visar Zhitit
nga Dr. Yzedin Hima


Koha, si element ekzistencial shënon veprime, ngjarje, periudha të ekzistencës njerëzore: koha e dinozaurve, periudha kohore e bronxit, koha e pushtimit nazist, periudha kohore e diktaturës etj. Në tekstin e poezisë “Rrudhat e mençurisë”, poeti Visar Zhiti bën një pyetje retorike: “A ka kohëra/ që atdheu do vetëm të marrët?” Në fakt diktaturat dhe regjimet jo demokratike, sikurse kemi nënvizuar edhe më lart, e mbështesin sundimin e tyre jo te vlerat njerëzore, jo te virtytet, por te veset e tyre. Shqipëria, ndoshta mund të ketë qënë vendi emblematik për këtë dukuri. Uni poetik kërkon një kohë tjetër: “Dua një kohë/ dhe një atdhe/ që mençuritë e njerëzve/ t’i bëjë rrudha të tokës.” Ndihet në këto vargje reminishenca e thënies së njohur latine se kur punimi i tokës të ketë nderin e të shkruarit të poezive, atëherë ai vend përparon…