back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Mitologji dhe bukuri femërore tek Fishta – nga Emi Krosi

Gazeta

At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)
At Gjergj Fishta (arkivi Marubi)

Mitologji dhe bukuri femërore tek Fishta

nga Emi Krosi

Të jesh femër, në çdo kohë është jo gjithmonë bekim ose mallkim. Nëse do të “besonim” thënien e Xhakomo Kazanova se: “Femrat e bukura janë krijuar për meshkujt që nuk kanë imagjinatë, ndërsa femrat e mençura për meshkujt e pafat”, tregon se femrat kanë një dimension kaq të madh për jetën, zhvillimin por sidomos për frymëzimim. Që nga fillesa biblike Eva, femrat kanë trashëguar dy gene: a) hijeshinë, b) amësinë. Apologjitë e milionave poetëvë, shkrimtarëve, piktorëve, kineastëve, nuk mund të mos t’i qasen një Helene, një Kleopatre, një Lolite, apo një Ema Bovari. E âmël vjen âmzâ fishtjane, kur Fishta, ka lartuar me virtyte aq fisnike femrën shqiptare, saqë, i vesh asaj shëmbëlltyrën e Virgjëreshës Mari, si barasvlerë me Shtojzavallet, Zanat, Orët etj., (në aglutinim “shtojua-zot-vallen”, shtojzorreshtat, “shtojua-zot-rrjeshta”, “ato të lumet”), jo vetëm një përmasë letraro-artistike (përkundër hijeshisë shqiptare), me bukuri mitologjike Zanash, që Çabej figurën e Zanës e lidh me Dianën romake, “kjo Diana kemi të bëjmë me një “interpretatio latina” të hyjnive epikore (vendase) pararomake”, apo edhe tek shpjegimi i Meyere-it, “tek emri ilir Thana… mund që të ruhet një shkallë e vjetër e shqipes Zana”, modeli fishtian, që “përmbysi” imazhin e femrës së nëpërkëmbur, skllave, në trajtën “Grueja asht shakull për me bajtë”, (K. 5, nyje 29, “Kanuni i Lek Dukagjinit”),” përmbysja “magjike” e imazhit femëror sjellë nga Fishta, jo vetëm larton, por fisnikëron femrën shqitare me tipare burrërore, si trimërinë, besën, fjalën dhe fenë.
a.Tringa:
Modeli i vajzës së bukur në fushën krahasimtare në letërsinë shqipe (huazim nga Cikli i Kreshnikëve, krahasuar me Tanushën e bukur tek kënga “Martesa e Halilit”).
 
Ardhun shtatit si breshana,/ Sýnin hýll, ballin si hana,
Dishka njethë si molla m’rrêm,/ Si ajo lulja shpërthye m’gêm:
Qi ke dalë m’ká ashtû te dera,/ Sikur bân me çilë prendvera;
Sikur bân dielli me dalë/ Nëpër aha, brej e halë:
Kaq gjâ t’mirë Zoti e ká falë! (K. 22, “Tringa”, V. 341-349), Fishta.
 
Por fati i saj, ishte si fati i motrës së Gjergj Elez Alisë, (motra pa emër), që bëri çdo gjë për vëllanë e saj derisa vdes në fushën e betejës, por Tringa kishte kohë që i shërbente vëllait të saj të plagosur derisa, erdhi armiku. Bukuria, bujaria dhe dlirësia e Tringës, qëndron në mos më lart se Beatriçja e Dantes, apo Helena e Trojës, fundja pleqtë trojanë e “pohuan”: A ia vlen të luftosh për këtë bukuri, nuk është vetëm beteja për femrën e bukur, por edhe beteja e njeriut me vetë fatin e tij.
 
Shta’n n’oborr e kryet te dera,/ Mollza e faqes krejt n’gjak lá!
Edhè dielli dheut i rá./ Gjallë por Tringa Shkjaut n’dorë s’rá! (Po aty, v. 798-882).
Deheroizmi i femrave në botën letrare, si Ana Karenina, apo Ema Bovari, apo “prostitutat” e Bodler-it, nuk ua “fsheh” feminizmin dhe femëroren, se vetë femrat janë fuqia e frymëzimit real të artit.
Gjergj Fishta - Mrizi i Zanave
Gjergj Fishta – Mrizi i Zanave
b. Jerina:
Në veprën “Jerina ase Mbretnesha e Luleve”, të Fishtës, (një punim për këtë, “Jerina ase mbretëresha e luleve” – një kryevepër poetike e Fishtës” nga A. N. Berisha), por në vështrimin tim modest, Jerina është një mbretëreshë që erëmon lule dhe bukuri, duke e krahasuar me Hyrinë/ Hyria (shembëllim i Shën Mërisë).
 
Paska synin rreze diellit./ Paska gojën lule prillit:
Paska ftyrën drandofillit:/ Paska dorën gjeth prej lilit,
(Jerina ase mbretëresha e luleve f.122),
 
një bukuri mbi bukuritë; një lule mbi lulet që dallon ndër gjithë shoqet e tjera. Kjo bukuri më cilësime, metafora, epitete të krijuara mjeshtërisht nga pena fishtiane, e quan Jerinën si trëndafili ose kryelulja e gjithë luleve. “Jerina vlerësohet si engjëll i zbritur në tokë. Fakti se Vasha njëson në vete bukurinë hyjnore, bukurinë e luleve dhe bukurinë njerëzore, lulet e lavdërojnë Hyjin që e krijoi atë dhe e bëri udhëheqëse të tyre dhe mbretëreshë të Shqipërisë”, A. N. Berisha.
 
Kqyrja synin porsi hyll!/ Kah e çil e kah e mbyllë,/ Si ajo hana nëpër pyllë, (po aty).
 
Zbritja në rrafshin e strukturës krahasimtare (tiparet fizike reale të femrave të Fishtës me bukuritë e Zanave), jo vetëm si stukturë kontekstuale, por edhe si perceptim bestytnor, duke e konkretizuar në forcën e vajzave me këto qenie të bukura, në dy rrfashe: a) trimëria (Tringa/ Zana), b) bukuri/ pâhi (Jerina/ Zana), ndërtimi simetrik mes krahasimit mes qenies mitike dhe vajzave shqiptare në rrafshet e cilësimit kontekstual:
Figura e Zanës, krahasimi në rrafshin e pahisë/ bukurisë, (Tringa/ Jerina):
Ardhun shtatit si breshana,/Sýnin hýll, ballin si hana, (Tringa)
Paska synin rreze diellit/ Paska gojën lule prillit/ Paska ftyrën drandofillit, (Jerina)
Figura e Zanës, në krahasim me trimërinë, (Tringa/ Silja)
Edhè dielli dheut i rá/ Gjallë por Tringa Shkjaut n’dorë s’i rá, (Tringa)
Silja: Po, shqyptare e bir shqyptari/ Fis e besë e fe t’parit/ Qi der m’sod kurr s’ka mohue!
Zana e madhe: kenke e kshtenë?/ Silja: po, katolike/ Silja: po ti kush je?/ Ora e Shqypnisë: unë jam Ora e Shqyptaris’/Silja: Po këto varza kush, thue, janë?/ Ora e Shqipnisë: Njana Orë e tjetra Zanë…/ Këto janë, moj, shtojzavallet:/ Njato t’Bukurat e Dheut, (“Shqiptarja e qytetnueme”).
Po të nisemi ne formëm horizontale, Tringa/ Jerina qëndrojnë në rrafshin e Helenës, Orestias, Beatriçes, Margaritës, por në formën vertikale nga lart-poshtë, Tringa e Fishtës, nuk krahasohet me Tringën e Mjedës, Malsoren që shet qymyr të Migjenit, apo Maria-Montin e Petro Markos.
Lartimi në mënyrë magjike, fizike me hiret e bukurisë së femrave shqiptare, Fishta është “mjeshtri” i gdhendjes së kësaj bukurie të përjetshme!
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.