back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mixha Rexhë… rrëfim nga Ilir Seci

Gazeta

Mixha Rexhe Kanxhi
Mixha Rexhe Kanxhi

Mixha Rexhë…

rrëfim nga Ilir Seci

…Në fmininë teme, Mixha Rexhë asht kanë njeri má interesant…
Rexhë Kanxhi i Kanxh Metës, mashkull i shpisë së Ukë Kolës, si asht njoftë shpia jonë në Malsi të Gjakovës. Njisoj e mbaj mend, qysh se u pata bá me mbajtë mend e deri sa e pashë për të mbramen herë, para se Mixha me shkue në përtejmen jetë, si thanke vetë sa herë…
Mixha asht kanë çoban tanë jetën e vet, çoban dhensh, gjithmonë e jetë qysh se fëmi… Mbasi hyni Partia, hyni si me kanë pushtuese, kanë pasë thanë në Malsi, për ardhjen e komunistave… ndrruen sendet, duelen kooperativat dhe Mixha u pat ba çoban i nji tube dhensh të kooperativës. Edhe pse ishin dhentë e kooperatives ai prap ish i knaqun pse nuk mund e imagjinonte jetën e vet pa kanë çoban! Jeta pa tubën e dhenve s’kish kuptim për Mixhën! Tuba e dhenve ishte liria e tij! Me at tubë të dhenve ai delte çdo verë me verue në Bjeshkët ku kishte dalë tanë jetën e vet, qysh se kish le… Si thanke vetë: “Prej se leva e rashë në postagji të delmes!”
…Mixha ndjekte kullotën me dhentë e kooperativës, si ishte má mirë për tubën, dimnin e kalonte te Ura e Bujane, pranverës nëpër livadhet e Mollës së Kuqe, Arvejes, Grisë, Tuçepit, Rosujes, Bllatës, Dojane e përpjetë në Markaj, Llozhen, Velisht, Fushë të Malgjokës, Livadhe e deri në Bishevë… Verës ngjitej në Bjeshkë të Nemuna, Lug të Kaut, Lug të Thive, Droçë te Markaje e Droçë të Margjekajve. Në gjysë të shtatorit dirgjej rrethit të Bjeshkës, mbi Markaj… Deri sa binte bora e parë…
Mixha ishte nji burrë shtatnaltë, i hollë e i ndrejtë si gdheni i bjeshkës, me kapuç të bardhë, musteqe pandël si burrat e vaktit. Kur isha fmi i vogël, tanaherat kur na kallzojshin legjendat e Eposit të Kreshnikëve, unë Mujën e paraftyrojsha si Mixhën Rexhë… Më dukej sikur Mixha vinte prej Eposit të Kreshnikëve… Kapuçin e bardhë, (plisin) e Malsorit se hjekte kurrë prej kreje, mbështjellun me nji shall… Kish at të ecunën karakteristike të malsorve, e ecun që doket má shume si kcim se sa e ecun. Malsorët gjithmonë kanë pasë ecë majë gishtave… Hapa skofnjarë, të shpejtë, të shkathet si të drenit të Bjeshkës… Ecte shumë shpejt e s’kishte burrë që mund e ndjekte në hap! As má vonë kur u plak shumë, na má të ritë s’mund e ndjekshim në hapin e tij… Sidomos kur delshim në Bjeshke. Kur merrte drumin e Bjeshkës, Mixhës, sikur i delshin flatrat! Me at hapin e tij karakteristik, që ja dallojshim edhe kur binte borë se ja njifshim fërkemat,(gjurmët), që kishte lanë në rrehnën, (shtegun) e borës me at të ecunën e malësorit të vaktit… Mixha ishte njeri fjalëpak, i përmbajtun, shumë i përzemërt, i gjindshëm dhe i respektueshëm… Ishte i prajshëm si njeri, fliste pak, më shumë matuni… Shpesh kah fliste, i shoqnonte fjalët me do gjeste me duer, do gjeste që me kujtojshin duert e skulptorëve kur latojnë mermerin. Vetëm se në vend të mermerit Mixha latonte fjalët… Kishte nji të shprehun të figurshëm, me pak fjalë e shumë nënkuptime, si asht kanë e foluna e traditës: “Mixhë ditë me shi sot!?”
“Ani Mixho s’ka dert! Shiun e mbledhin prrockat, bora na mbet këtu!”
…Mixha Rexhë asht ngjitë në bjeshkë përvjet deri sa ka mujtë me ecë. Edhe kur u plak fort prap ngjitej me kambë të veta dhe s’kish burrë që e bante me hypë në kalë. Na si fmije i thanshim: “Jena lodhë Mixhë! A pushojmë pak!?”
“Shazoten ju send kujt si vyeni! – na e kthente – Gja kujt si vyeni ju se jeni fmia e racioneve! Me racion jeni rritë e gjjthshka me racion e keni!”

Bari me dele....
Bari me dele….

I kish tmerr racionet… Kurrë s’e harroj nji kuvend të Mixhes me nji tjetër çoban plak të katundit tonë, Elez Isufin, (Secin), e Kodrës së Markaje… Asht me u habitë, por si fmijë i vogël kisha shumë dëshirë me i ndigjue kuvendet e pleqve! At ditë vjeshte Mixha edhe Elezi u takuen bashkë te Kthesa e Llorave, ku bán me hy në Shpat të Shkallës, u ungjën dhe nisën e po kuvendojnë:
“Bre burrë mozomakeq për vakt që asht ardhë! A ka gja má marre se me pa malsorin ka ble tamël me racion more!?” – i thanke Mixha,
“Ani kur thonë: 200 gram për frymë!” …Shazoten more burrë në at vakt po rrafsh dy kusia 18 kilëshe jau qitsha qenve të mi që më ruejshin dhentë, pshesh me tamël dhensh, po të dy sharovave! Lene burrë se má gazep s’ka!” – ja aprovonte Elezi… Interesant se të dy nuk mund i kqyrshin me sy gjanat plastike…
“U prish dyjeja qysh se erdh vakti i kallçukit e plasmasit, Burrë… Kauçuk llastyket (opangat) që mbathen, kauçuk sahanat me hangër gjellën, kauçuk gota me pi ujin, kallçuk gjithkah!” – ankohej Mixha… -” Po Plasmasi?! – i thanke Elezi, – “Aiiiih bre, plastmas mbloja e shpisë, plastmas edhe shtroja e tervesës,(sofrës)… Edhe teshat veshë po thonë janë kauçuki! Burrat tash veshen me pantoll teritali, me kmisha najloni e golf sejloni!…” Elezi për veti s’mund e shihte me sy plastmasin… Në Markaj ishte ba proverbial emni “Lasngorth” si e quente Elez Isufi plastmasin!…
“Stani i çobanit mblohet me lugje druni!” – thanke tane idhnim Elezi, – e s’ban me u mblue me plastmas!”
“Po bre gjithkund plastmas e kauçuk… Tash ka mbetë me u ba edhe burrnia kauçuki! Mozomakeq! – thanke Mixha, – Ka asht hi kauçuku gjithkund janë ba edhe gjindja si me kanë prej kauçuku! U ka hi kauçuku ne shpirt!”
Binte heshtje… të dy kqyrshin ka tubët e veta, Elezi të dhive e Mixha Rexhë të dhenve, faleshin me shëndet me njani tjetrin e mësyjshin shpatin, njani përpjetë, tjetri për tërthuer… Mue ka i ndiejsha në at kuvend me dukeshin të dy si ata pleqtë prijësa të fiseve indiane të Amerikës që i kisha pa nëpër filma, pleqtë që ankoheshin se koha e re po shkatrronte gjithshka…
Njiherë ishim te Ara e Kolkurtit, edhe e dhezëm nji zjerm me pjekë kshtajë… Mixha gati sikur të ish ka flet me veti nisi e po flet: “Po a e shihni bre sa të ambla janë kshtajtë kur i pjek njeri n’zjerm bungi!? Ku ka ma mirë se sendi që piqet ndrejt në prush!? E sot shazotën gjellën e bajnë me presion! Mozomakeq! Asht ardhe vakti i presionit! A hy presioni n’tana anët Mixho! Sot edhe pasuleve u bahet presion! Nuk e lanë pasulen me u zie ma n’prush si në at vakt po u bajnë presion edhe atyne! Me i zie shpejt!!! Hahahah! Pasulja që nuk zihet në vegsh nuk asht pasule me e hangër gjindja! Duhet vndue vegshi me pasule me u zie ne nadje sa të shplohet votra e zjermit e deri në pramje kur të mblidhen robtë tu Kulla! Me prush të nadjes, se në Malsi tonë, n’at vakt zjermi i votrës nuk asht lanë me u shkimë kurrë! Natën e kanë mblue prushin me hi e ne nadje e kanë shplue. Gjithmonë e jetë! Pasulja në vegsh u ziejke ngeshëm në prushin e bungit gjithë ditën e lume e si dalke shoqja kund Mixho! E zieme n’anë të votrës má! – dhe merrte frymë thellë e fshante – Eh sot gatuejnë me furnela! Mo bre!”
Mue má shumë se vetë fjalët më trondiste dëshprimi i tij që kish diçka nga dëshprimi i Kreshnikëve kur morën Lajmin se asht shpikë pushka…
Mixha vazhdonte kuvendin dhe dilte prap te kauçuki…
“Mixhooo! Po a qitet darka e robve në pjata kauçuki bre!? Darka që s’u qitet robe të shpisë në sahana druni nuk asht darkë Mixho! A i ke pa me çfarë lugësh hanë gjindja sot!? Lugë alumini!? Luga në mos koftë druni s’asht luge me hangër njeri me tá! Po ujin me pi robtë ne darke! Uji që nuk qitet prej burie, (buljere) të bame me dru bungi drejt e në gotë të bame me dru ahi, nuk á ujë me e pi kush! Me pi ujë në tasa kauçuki! Aiiiih! Në mos u hangërt në enë druni e në mos u piftë në enë druni atëherë na send se má s’e kem njerin Mixho! – e fshante – A p’e sheh qysh kanë ndrrue gjindja krejt Mixho!? Shazoten janë ba kauçuk krejt! Se njeri ndrron kur nuk ha, nuk pi, nuk veshet e nuk mbathet si gjindja! E si gjindja duhet me hangër e me pi në enë druni, duhet me u veshë e me u mbathë me lesh të delmes! Qashtu, njerì bahet njerì! Se druni vjen prej Lisit që ka rranjët në Tokë, se leshi vjen prej delmes që kullot barin e livadheve e rudinave! Tana të lidhuna me tokën! Tokën që na rrit! Dheun ku kena me u kthye të tanë nji dite!”
Kishte edhe nji soj humori të natyrshëm që e kanë malsoret. Na fmia, merrshim kajherë radiot “Iliria” me veti dhe Mixha na thonte me e ndie çka thotë për motin. Kur jepej parashikimi i motit ne Radio-Tirana, na ja shtojshim zanin për me e ndie Mixha…
“Shërbimi meteorologjik bazuar ne studimin e agjenteve atmosferikë njofton se: – Po Shazoten po! Edhe në kupë të Qiellës janë ka gjajnë agjenta!”
Kujtimet ma të bukura me Mixhën Rexhë janë në Bjeshkën tonë… në Lug të Thive… Kurrë nuk pritonte me ardhë me ne të ritë e me na kallzue gjithshka për kohnat e maparshme kur ai kish dalë në Bjeshkë qysh se fmi, na kallzonte gjithshka…
Njiherë u ngjitëm në Maje të Hekurave, mbrritëm në Maje edhe u ulëm kah pushojmë… Mixha kqyri njiherë tanë kunorën e Bjeshkve të Nemuna dhe tha:
“Si kisha dashtë gja tjetër Zotit, veç me dekë si ka dekë gjyshi jem Metë Jaha!”
“Pse qysh ka dekë Metë Jaha o Mixhë?!” – e dveta unë…
“Qat vjet si shkoi në jetë të përtejme, Metë Jaha i ka pasë nandëdhetë e kusur vjet! Asht çue ne nadje, ka lshue tubën e dhenve i ka ngjitë në kullosë Lugjeve të Zeza edhe asht ungjë me hangër drekën skaj njaj shkambi rrazë Majës së Hekurave… Ka hape cakullin e bukës, ka hangër pak edhe ka dhanë shpirt qaty! Qaty e kena gjetë! Vetëm Zanat e Bjeshkve janë kanë aty me ta! As ka vuejtë kurrë në jete te vet, as ka pa doktor me sy në jetë të vet e i ka pa mbushë rrafsh nandëdhetë e tetë vjet! Lumi ai për veti! As kisha dashtë tjetër veç me dekë qashtu Mixho!”
Ndejtëm edhe pak në Maje të Hekurave e u dorgjëm pjetposhtë, fillimisht rrazë Majës te shkambi ku e kanë pase gjete te dekun stërgjyshin tem Metë Jaha e prej aty nëpër Lugje të Zeza mbrrime te stanet në Telën tonë…
qershor, 2016

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.