Mjaft me metodat neokomuniste…!
Shënim nga Thanas L. Gjika
Duke lexuar shumë gazeta që botohen në Shqipëri dhe komentet që u shtohen shumë artikujve nuk ka si të mos mendojë njeriu se
shumë ish-komunistë e ish-sigurimsa dhe bij të tyre nuk duan të kuptojnë se gjatë kohës së diktaturës u kryen shumë krime të panevojshe që duhen dënuar. Ata nuk e kuptojnë se nuk është krim vetëm kur vritet padrejtësisht një njeri, por edhe kur njeriut i vritet liria, kur i merret prona që e ka vënë me punën e djersën e disa brezave, kur i mohohet e drejta dhe e vërteta. Kur njeriut i vritet liria, prona, e drejta dhe e vërteta, ai përjeton vdekjen shpirtërore që është e barabartë me vdekjen fizike.
Diktatura komuniste ua vrau shumicës së shqiptarëve liritë dhe të drejtat njerëzore (lirinë e besimit, lirinë e fjalës, lirinë e lëvizjes, lirinë e organizimit të partive politike, lirinë e tubimit, të grevës, etj). Me të tilla krime diktatura komuniste vrau moralin dhe shkatërroi sistemin e vlerave njerëzore në ndërgjegjen e shqiptarit. Prandaj “njeriu i ri i socializmit”, që përbën pjesën dërmuese të klasës së sotme politike, që sundon Shqipërinë me metoda neokomuniste, është një qenie pa moral, që nuk përpiqet për të dënuar krimin komunist, por lufton kryesisht për interesat e veta, interesa që janë të lidhura me klanin Hoxha që e krijoi.
Në një të ardhme të afërt të gjithë këta shqiptarë që nuk duan t’i njohin e t’i dënojnë krimet e komunizmit, do të ngjallin neveri tek pasardhësit e tyre, sepse Shqipëria do t’i bashkohet Europës dhe pasardhësit tanë do të kenë një mentalitet europiano-perëndimor, që është i kundërt me mentalitetin komunist e neokomunist…