back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 24 Dhjetor, 2024

Modeli i intelektualit dhe cubat sot në politikë… nga Ilir Demalia

Gazeta

Rexhep Krasniqi dhe Ilir Demalia, 1995
Rexhep Krasniqi dhe Ilir Demalia, 1995

Modeli i intelektualit dhe cubat sot në politikë…

nga Ilir Demalia

Nuk është rastësi sot, që klasa politike shqiptare, Parlamenti, e pse jo, edhe ajo që rëndom quhet, elita intelektuale, kulturore, sundohet dhe administrohet nga nivelet më të ulëta, më kriminale, si një bandë cubash e banditësh ordinerë. Dhe ashtu, në fakt, janë. Janë ngjitur këta në këtë majë plehu, sepse; shoqëria vetë i është nënshtruar këtyre banditëve, duke i shërbyer si pafuqi intelektuale e moralit të tyre të dobët. Duke u bërë partnerë më ta për përfitime konfortiteti dhe pasurie.
Duke i ngritur dhe i trumbetuar këta “Cuba”, trafikantë dhe injorantë funksionalë, që mund të funksionojmë “si vlera lirie dhe simbole kombëtare” vetëm në një vend si Shqipëria, ku modelet e iluminimit, kontributit kombëtar, modelet e zhvillimit arsimor e kulturor, diplomatik e shkencor, groposen nw bodrumet e harresës, duke ngritur në lartësi monumente cubash. E gjitha kjo më vinte këtë muaj në përvjetorin e largimit nga jeta të akademikut, mësuesit, intelektualit, njeriut të mendimit politik, elitarit kombëtar, dr. prof Rexhep Krasniqit, i cili mbrojti doktoratën e tij në Vjenë, me tezën “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”.
Për relator, kishte Prof. Dr. Carl Patsch, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës. Krasniqi ishte bashkëstudent dhe mik i ngushtë me Eqrem Çabej.
.
Rexhep Krasniqi - Melburn (Australia)
Rexhep Krasniqi, intelektuali që adhuronte Shqipërinë Etnike
Melburn (Australia)

Kush ishte Rexhep Krasniqi?

(28 shtator 1906 – 12 shkurt 1999)

1.Babai i Prof. Krasniqit ishte Musli Qerimi i Margegajve të Malësisë së Gjakovës; Nëna e tij nga Gjakova. Ai lindi në Gjakovë dhe mbeti jetim nga të dy prindërit, në moshën 8 vjeç. Bajram Curri (personalisht) e adaptoi si bir shpirti dhe e shoqëroi për herë të parë dhe e regjistroi në shkollë në Vjenë. I vëllai i Rexhepit – Imeri, bashkë me kushërinjtë e tij, të bijtë e Niman Sylës, ishin familje e njohur dhe mbështetës të Bajram Currit; Kulla e Maxhun Nimanit ishte jastëku kryesor i Bajram Currit në Malësi të Gjakovës. Ata kishin edhe relata të vjetra fisnore.
2.Që në moshë të re është marrë edhe me futboll, ka qenë një prej themeluesve të “Vllaznisë”, i njohur dhe admiruar edhe si futbollist, kanë shkruar gazetat gjerë e gjatë për këtë çështje.
3.Gjatë Luftës së Dytë Botërore ka qenë një prej organizuesve të qëndresës në Kosovë, natyrisht në anën nacionaliste. Ishte edhe nënkryetar i organizatës “Lidhja e II-të e Prizrenit”, themeluar në Prizren në vitin 1943. Nënkryetar i Parlamentit të asaj kohe në Tiranë, në qeverinë e Mehdi Frashërit. Ka dhënë kontributin e tij në atë kohë, plotësisht në heshtje dhe pa asnjë implikim politik të kohës; Qëndrimi i tij antikomunist ka qenë bindja e tij se mbështetja e Lëvizjes Nacional-çlirimtare nga ana e serbo-malazezëve do të ishte në dëm të Kosovës dhe të trojeve të tjera shqiptare, të bashkuara në atë kohë me shtetin politik shqiptar.
4.Është arratisur nga Kosova në fund të nëntorit 1944. Së bashku me Rexhep Mitrovicën, Xhafer Devën, Tahir Zajmin dhe Xhelal Mitrovicën kanë kaluar në Austri, në zonën e forcave amerikane. Nga Vjena kanë kaluar nëpër Romë dhe përfunduan në Damask të Sirisë. Plani i tij për të përfunduar në Australi, ku edhe emigron nga Siria në Australi pas një qëndrimi dhjetë muajsh në Damask. Aty, së bashku me Xhelal Mitrovicën, gazetar i njohur, kanë nxjerrë disa numra të shaptilografuar të gazetës “Bashkimi i Kombit”
Në Australi kanë botuar për tre vjet gazetën ”Vatra”.
5.Profesori ishte ai, që u dërgua nga ministri i Arsimit, Ernest Koliqi, për të hapur shkollat shqipe ne Kosovë; hapi gjimnazin e parë në Gjakovë e Prishtinë. Prof. Dr. Rexhep Krasniqi lindi në Gjakovë, më 1906. Në qytetin e lindjes mbaroi 4 vjet të shkollës fillore dhe dy vitet e fundit në Shkodër. Shkollën e mesme e kreu në “Theresianum” të Vjenës (Austri), e cila ishte dhe vazhdon të jetë një ndër shkollat më të njohura të Europës Qendrore. Me 1934, përfundon studimet universitare, duke mbrojtur doktoraturën me temën “Kongresi i Berlinit dhe Verilindja e Shqipnisë”.
.
Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj...
Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj…
Për relator, kishte Prof. Dr. Carl Patsch, kryetar i Institutit të Ballkanologjisë pranë Universitetit të Vjenës, albanolog dhe historian i mirënjohur. Pas përfundimit të studimeve të larta, Dr. Krasniqi kthehet në atdhe dhe fillon punën si profesor i historisë dhe gjeografisë në shkollën qytetare të Gjirokastrës, ku më vonë emërohet edhe si zëvendësdrejtor. Më 1939, ai emërohet drejtor i arsimit dhe më pas kryeinspektor pranë Ministrisë së Arsimit. Më 1941, është komisar i lartë i shkollave shqipe në Kosovë si dhe drejtor i Gjimnazit të Gjuhës Shqipe në Prishtinë.
Qëndroi për një kohë të shkurtër në Siri dhe prej andej emigroi në Melburn, Australi. Aty, nga fundi i vitit 1956, thirret prej Ministrisë së Jashtme amerikane, me marrë pjesë në riorganizimin e formimit të Komitetit “Shqipëria e Lirë” me qendër në Nju Jork dhe zgjidhet kryetar i Komitetit, të cilin e drejtoi për 35 vjet rresht, deri në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri. Dr. Krasniqi është autor i një numri të madh studimesh të botuara në shqip, anglisht dhe gjermanisht.
Dr. Rexhep Krasniqi ishte bashkëstudent dhe mik i Prof. Eqrem Çabej. Ai ishte një ndër studiuesit më të njohur të çështjes shqiptare si dhe çështjeve ballkanike në tërësi. Ai ka qenë lektor në shumë universitete të SHBA-së dhe Europës. Janë shumë të njohura konferencat e tij akademike në universitetet e ndryshme të Amerikës e të Europës si dhe shkrimet e botuara në shtypin prestigjioz amerikan dhe sidomos në organin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, gazetën “Shqiptari i Lirë”.
Prof. Dr. Rexhep Krasniqi vdiq më 12 shkurt 1999.
 .
http://www.panorama.com.al/modeli-i-intelektualit-dhe-cubat-sot-ne-politike/

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.