back to top
0.5 C
Tirana
E hënë, 25 Nëntor, 2024

Molieri – Pavdekёsia e Artistit me shpirt kritik – nga Klodi Stralla

Gazeta

Moliere (1622-1673) Pikture nga Nicolas Mignard
Moliere (1622-1673) Pikture nga Nicolas Mignard

Molieri – Pavdekёsia e Artistit me shpirt kritik

nga Klodi Stralla

Moliere, emri i vёrtetё Jean-Baptiste Poquelin (15 janar 1622 – 17 shkurt 1673) ishte mjeshtri i madh që e përdori teatrin si mjedis dhe satirën si mjet për të shprehur artistikisht mendimet e veta për shumë nga problemet kryesore të epokës kur jetoi – hipokrizinë klerikale dhe shoqërore, degjenerimin moral e shpirtëror, mburravecerinë, kopracinë, servilizmin, martesën borgjeze për interes dhe despotizmin prindëror, tendencën qesharake të borgjezisë që po lindte e fuqizohej për të imituar fisnikërinë në dekadencë.
-Nëse do të mësosh sesi e tjetërson njeriun paraja mund ta shohësh tek figura e Harpagonit në komedinë “Kopraci”. Molieri demaskon aty me forcë të madhe fuqinë shkatërruese të parasë dhe godet kopracinë, që ishte tipar karakteristik i borgjezisë në zhvillim. Ai e dënon atë si një ves të ulët me pasoja shumë negative. Harpagoni, koprac e fajdexhi, jeton në ethen e parave; ka humbur dinjitetin e ndjenjat prindërore dhe dashurinë e fëmijëve. Këta të fundit, jo vetëm që s’e duan më, por edhe e urrejnë. Harpagoni mbetet një nga figurat më negativë, antipatikë e qesharake njëkohësisht, që ka krijuar pena e Molierit.
Moliere - Bust nga Ramond
Moliere – Bust nga Ramond
-Nëse do të mësosh sesi sillet një person i ardhur nga mjedise rurale, që pasurohet befas dhe shpejt në mjediset urbane, mjafton të njihesh me Zhurdenin, njeri i trashë, vulgar e i paditur. Ai fillon të imitojë në veshje, në sjellje dhe banim aristokracinë e lartë, me të cilën përpiqet të bëjë edhe krushqi, por duke qenë i panatyrshëm bëhet qesharak. Këtë kategori sociale Molieri e ve në lojë tek komedia “Borgjezi fisnik”.
-Nëse do të kuptosh se pse një pakicë e urren hipokrizinë, padrejtësinë, veset që e ulin dhe poshtërojnë njerinë, këtë mund të ta tregojë Alcesti; ndërsa nëse do të njohësh ata, më të shumtit që, ndonse e shohin padrejtësinë, përdorin servilizmin për të arritur qëllimet, që përshtaten me mjedisin për përfitim vetjak, mjafton të njohësh Filentin, tek komedia tjetër – “Mizantropi”.
-Nëse do të mësosh sesi e kalojnë jetën Kleri në Francën e shek.17-të, ku ka një hendek të thellë midis predikimit në popull, mësimeve të Biblës dhe jetës të tyre reale, të shthurur, të korruptuar dhe hipokrite, këtë mund ta gjesh lehtë tek personazhi, kleriku Tartuf, në komedinë me të njëjtin emër – “Tartufi”!
-Nëse do të dish mbi jetёn parazitare dhe imorale të fisnikerisë të kohës, këtë ua mëson Molieri tek komedia tjetër e njohur “Don Zhuani”, ku tekstualisht thotë: “A mos vallë kujtoni ju që, vetëm sepse jini aristokratë dhe mbani parukë të bardha, kapele me pupla, rroba të qëndisura me ar dhe fjongo boje zjarri, kini më shumë mend se të tjerët dhe ju lejohet gjithçka, pasi s’ka njeri që të guxojë t’iu thotë të vërtetën?”
.
Statuja e Poetit dhe Komediantit Moliere ne Paris
Statuja e Poetit dhe Komediantit Moliere ne Paris
Të mos harojmë se këto vepra letrare u vunë në skenë dhe bënë të qeshë një shoqëri të tërë me aristokracinë feudale dhe borgjezinë që po lindte në Francën e shek.17-të. Duhej kurajo, sakrificë dhe guxim qytetar ta bëje këtë dhe Molieri e bëri detyrën e vet, ndonse i kish të gjitha mundësitë të ish një shkrimtar oborri dhe të shmangte ato pasoja që mori mbi vete për kurajon që tregoi. Dorëzoi konfortin e jetës tokësore në këmbim të pavdekësisë në shërbim të së vërtetës dhe artit.
Prandaj ende sot, pas afro 400 vjet, kujtohet në ditë përvjetorësh, mësohet në çdo orë letërsie dhe po ashtu komeditë e tij luhen ende në të gjitha teatrot e botës, sepse janë të vërteta, të bukura dhe përherë aktuale.
.
Marrё nga muri i Fb. i Klodi Strallёs, 15 Janar 2020

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.