back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Monologu i Albert Kamys nga Anton Pashku

Gazeta

Albert Kamy (1913-1960)
Albert Kamy (1913-1960)

Monologu i Albert Kamys

nga Anton Pashku

Albert Kamy: “I hueji”, roman, botoi SGB “Rilindja”

Ja çfarë shkruante shkrimtari Anton Pashku,
në kohën kur sa kishte mbushur 25 vjet
dhe kishte botuar librin e parë të tregimeve,
për nobelistin Albert Kamy
dhe romanin e tij të famshëm “I huaji”,
i cili mbeti njëri ndër romanët themelorë të shekullit XX
dhe tërë modernitetit letrar europian.
.
Shkrimtari Anton Pashku (1938-1995)
Shkrimtari Anton Pashku (1938-1995)

***

Vepra “I hueji” asht nji monolog i njeriut t’Alber Kamys, rrëfim i shkurtë, por i prekshëm i ndjenjave të botës së mbrendshme të zotni Mersos magjik, i cili deri në fund mbetet i pakuptueshëm, për mos me thanë edhe krejt enigmatik për të tjerët, për njerzit që e rrethojnë, sepse ndërmjet realitetit dhe asaj bote të tij, që ai e ka ndërtue dhe e ushqen në vetvete e ndan nji hap që nuk shkon tue zvoglue, por gjithnji tue smadhue distancën. E sa ma e madhe bahet ajo distancë, aq ma tepër Mersoja e ndien vendin të huej n’at rreth, aq ma shum edhe rrethi largohet prej tij, e kjo gja nga ana e vet shkakton edhe krijimin e nji bashke reje që nuk lejon të kundrohen motivet e vrasjes në mënyrë të qartë, sepse ajo ato i mbështjell dhe nuk len me u pa ato në dritën dhe në madhsin e tyne të vërtetë, me hy mbrenda në to dhe kështu mandej me gjetë dhe me kuptue arsyenat.
.
I Huaji Roman nga Albert Kamy
I Huaji Roman nga Albert Kamy
E vetmja gja që asht e qartë dhe e dukshme për të dy palët, si për Merson ashtu edhe për trupin gjykues dhe tjerët, asht vrasja e nji Arabi prej dorës së zotni Mersos në piskun e vapës, vrasje e bame në zallin e nji plazhe t’Algjerit që përvlohej prej flakës së rrezeve të diellit. Mirëpo, kjo vrasje nuk asht ba me ndonji paramendim, sepse Mersoja nuk ka pasë kurrfarë shkaku për ta vra at Arap. Ajo asht vrasje e bame padashtas, krejtsisht pahiri dhe në nji çast kur zotni Mersoja ka qenë i trulluem prej vapës, prej flakës së diellit. Vapa, shkëlqimi i thikës në dritë, t’asaj thike që ka nxjerrë Arapi, mandej tehu i saj i gjatë dhe i shkëlqyeshëm, që i mbërrinte deri në ballë, djersa e grumbullueme në vetulla, që i derdhej mbi qepalla si mbulesë djerse dhe krype, të gjitha këto Mersos ia kanë verbue syt. N’at çast ai ka ndie vetëm rrezet e diellit mbi ballë dhe vizllimën që përhapej prej thikës drejtue kah ai. Në të vërtetë n’at çast çdo gja ka fillue me vezullue para syve të tij, atij i asht dukë se ka fillue të hapet qielli me gjithë hapsinën e vet për të lëshue tanë shiun e zjarrt, kështuqë tanë qenja e tij asht përmbledhë dhe ka shtrëngue revolen në dorë, të cilën ky pak ma parë ia ka marrë Rejmonit, i cili ka dashtë me e vra Arapin, por të cilit Mersoja i ka thanë të kapet me te si burrë. Pra, Mersoja rastësisht e ka lirue ngaskeqen dhe mbas krismës, që ka qenë i ftoftë dhe shurdhues, kupton se ka prishë “drejpeshimin e ditës, qetsin e jashtëzakonshme të plazhës, në të cilën isha i lumtun”. N’at zallë të nxehtë t’asaj plazhe t’Algjerit mbetet trupi i palëvizshëm i atij Arapi të vramë. Dhe ai trup tash asht në plan të parë për gjykatsit, të cilët Merson e akuzojnë se at vrasje e ka ba me paramendim. Ata nuk e marrin vrasjen si fatkeqsi, që ka ndodhë pahiri, si mundohet me bindë gjyqin Selesti, që thot: “Kjo asht për mue nji fatkeqsi. Të gjithë e dijmë se ç’do me thanë fatkeqsija”. Përveç fjalëve të këtij dëshmitari gjyqi nuk merr parasysh as fjalët e Rejmonit, i cili posa hyn me dëshmue thot menjiherë se Mersoja nuk asht fajtor dhe se ai në plazhë ka qëllue fare rastësisht. Gjyqin në të vërtetë e interesojnë faktet. E fakt asht vrasja, trupi i Arapit të vdekun. Gjyqin nuk e interesojnë momentet tjera, përveç atyne që shkojnë në favor të tezës së prokurorit, por edhe ato mirren njianshëm, pa hy në thelbin e shkaqeve, t’arsyeve, prej të cilave edhe kanë burue. Kishim me thanë se gjyqin e intereson vetëm akti i kryem, e jo edhe ato që njimend e ndriçojnë at akt, që kishin me sqarue se zotni Mersoja a e ka vra Arapin me paramendim apo jo. Akti i kryem këtu kundrohet pa depërtimin në botën e Mersos, pamvarsisht prej saj. Nuk ndiqet këtu rruga që kishte me sjellë përgjegjen në pyetjen në çfarë gjendje ka qenë Mersoja kur ka shti n’Arapin me revolen e Rejmonit. Pra, nuk mirret parasysh shkaku.
Sëkëndejmi rrjedh edhe mendimi i avokatit, që thot: “Qe pamja e këtij gjyqi. Çdo gja asht e vërtetë e prap kurrgja nuk asht e vërtetë”. Kjo vjen për shkak të ndryshimit që ekziston ndërmjet avokatit që mbron Merson dhe prokurorit që padit Merson. E kjo asht: “Avokati çonte dorën dhe mbronte fajtorin, porse me arsyetime. Prokurori zgjatte duert dhe zbulonte fajin, por pa arsyetime”. Për shkak të këtyne “arsyetimeve” të prokurorit mbetet e paprekshme bota e mbrendshme e Mersos tragjik të cilin nuk e kupton as trupi gjykues e as publiku në gjykatore. (Mersoja, edhe pse shpejt, tue i përzie ngapak fjalët, tue matë që mos të shpërthejë gazi” thot “se kjo ngjau për shkak të diellit”, megjithatë “gjykatoren e përfshiu gazi”). Në këso situate Mersoja e ndjen vedin të vetmuem, atë mandej gjyqi e shpall fajtor që e ka vra me paramendim Arapin dhe si të këtillë e dënon me giljotinë.
“I hueji” asht vepër interesante, gjatë leximit të së cilës hasim në shum pamje tërheqëse, të cilat janë thurë bukur. Të përvehtson fjalija e shkurtë, që asht plot me dinamikë. Çdo gja këtu asht e matun dhe sicili send asht i lidhun me tjetrin. Dialogjet janë shum të shkurta, por janë gjithashtu shum koncize dhe funksionale. Vepra zbulon të vërejtunit shum të zhvilluem që ka pasë Kamy, e kjo gja shifet edhe nëpërmjet të shum imtësive, me të cilat ai e ka endë kët prozë, ku ato vetëm shtojnë bukurin artistike të saj dhe e forcojnë edhe ma shum pamjen plastike të paraqitjes së ndiesive të vehtjeve të kësaj vepre.
Veprën “I hueji” e përkthyen prej frëngjishtes Ferid Perolli dhe Gani Luboteni.
Gazeta “Rilindja”, Prishtinë, 1962
Marrë nga muri i Shuaip Beqirit, 31 Mars 2017
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.