back to top
4.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Monologu i një martese të zakontë – poezi nga Enkeleda Ristani

Gazeta

Enkeleda Ristani - Zogjtë e njohin poezishten... Sirmione, 2018
Enkeleda Ristani – Zogjtë e njohin poezishten… Sirmione, 2018

Pak fjalё pёr poezinё dhe Ristankёn

Nuk asht poezia fatkeqe pse s’lexohet sa duhet, janё fatkeqё njerzit moskuptues dhe kohnat pёrballё saj, qё ende s’e kanё marrё vesh se ajo asht arti i arteve nё t’pasosun.
Poezia qysh nё gjenezё ka lindё elitare dhe si e tillё asht e pavdekshme, fatkeqsia asht e elitave t’vetemnueme pa marrё kurrfar pasaporte prej poezisё…
Ja vetёm kaq kisha…
Kurse pёr poezinё e nji poeteje si Enkeleda Ristani, qё ndoshta pakkujt i bien nё sy, kam ma shumё me thanё, pse asht ndёr ma tё mirat e poezisё shqipe (nё mos ma e mira e saj).
E meqe ndёr ne (jo vetёm), ma e mira e tё mirave shkon hupё dhe e pavume re, pse asht ma e mira e tё kёqijave qё zen bashin e sofrёs sё pёrshesheve poetike… aq sa shpesh herё e ndjejmё vedin nё faj pёr çka shkruejmё kur vehemi pёrballё shumё prej poezive tё saj…
Ristani asht poete e rrallё, pse ajo çka shkruen s’asht ilustrim i vetvedit po grryemja dhe rrёnimi i saj, ajo shpesh m’asht dukё si ato ujnat e nёndheshme qё shfaqen ma sё shumti si kroje o burime dhe vetёm kur ke pi a je freskue mirё, e kupton se nё mos qoftё eliksir asht nji pije qё deh, e n’at dehje duhet me pasё shpirt tё mprehun dashnie deri nё çmenduni pёrndryshe: shko e lahu oqeanesh!
Koha si nocion pёrkohshmёnie i tё jetuemit, mundet me e pёrjashtue Ristanin prej elitave poetike qё s’janё gjёkund, po koha si nocion amshimi i pakohsisё ka me e ruejtё me kujdes balsamin e vargjeve tё saj, njashtu si majat e maleve i ruejnё prej syve tonё do lule tё rralla endemike…
jozef radi, 4 qershor 2018
.
Poetja Enkeleda Ristani
Poetja Enkeleda Ristani

Monologu i një martese të zakontë

poezi nga Enkeleda Ristani

…pastaj, ai bëhet i përhershëm
gjithmon aty
çdo gërvëlimë frymëmarrje bëhet e padurueshme
nuk dihet me sa i bukur është
sepse kjo nuk ka më rëndësi
asnjë nuk e njeh sa ty, si ty
tiparet flenë në dikurin e epërm
si epikë e maleve te bojatisura në mjegull
çudi sesi të tjerët thonë se është djalë i pashëm
ai të merr frymën
nuk të sheh më kurrë në sy kur flet
hesht kur ti i çan dërrasat gjithmon me të njëjtin intensitet
(zot i madh! si nuk u lodh)
mendon me vete
çfarë mendon?! ai s’mendon kurrë
ose dhe nëse mendon e bën larg që këtu
jashtë prej këtu
s’e gëzon më kurrë shiu
kërkon të shkojmë në plazh të gjithë bashkë
(sa më pak kohë pranë meje)
mund ta zëri edhe gjumi me pretekstin se është lodhur në punë
kurse unë kam në kokë skenën kur ai zgjat krahun
dhe nuk më gjen në shtrat
kam marrë një gotë dhe pi me hurba të vogla pas perdes
sytë i kam me lot
kokën me mendime të mbrapshta…
më shkoi skena dëm
ai vazhdon të flejë me të njejtin buton që e vuri në gjumë
sapo vuri kokën në jastëk
është i lodhur
unë jo
shtëpia është e lodhshme
edhe kjo dhomë
edhe ky shtrat
shkoi gjatë përgjithmoni që pata menduar
pastaj unë duhet të jem një shtrigë bythçarëse
që kontrolloj secilën nga mimikat e tij të ndryshuara
të gjitha premtimet e tij të shkuara i mbaj një dorë para zjarrit
vetëm kur t’i flakë do të çlirohem
por akoma s’jam gati
ai duhet të paguaj gënjeshtrat e bukura që ndërtova për martesën
për pritjen time tek dera kur të vinte nga puna
për shtëpinë e pastër e të ngrohtë
parajsën që do ta gëzonte sa të shkelte në të
rrotullimin në krahët e tij të trupit tim të brishtë
ai që ha i uritur
unë që e shoh e ngazëllyer
sytë e tij që më shohin me dashuri midis dy lugëve të shijshme
pastaj fëmijët
krahët e tyre të vegjël
fjalët e tyre të përgjysma që na shkrijnë lumturie
ah, ky zjarr që s’do të digjet sonte
u mbyta në gjumin e tij me gërrhima të hirta
t’ia lëviz kokën me dhimbsurinë e nënës
mos e vret kjo gërrhimë
atë s’duhet ta vrasë asgjë
zjarr i mallkuar
vetëm sytë e largët më kanë mbetur tek ai
nuk më duket më i bukur
nuk paskam më frikë se mos ma merr njeri
(apo kam ende?)
ai hesht edhe në gjumë njësoj si të ishte zgjuar
ç’të bëj tani?
pas kaq shumë kohësh
nuk di më as të sillem si grua me jetë të ndryshme nga kjo
më paska lidhur bukur
duhet t’ia heq fjongon vetes
në një moment pa mendje duhet të ndodhë
ndryshe do të më kujtohet fytyra e tij e bukur
fjalët e tij të dikurshme
premtimet
këto premtimet që mbaj në duar mbi zjarrin që po fiket
 
ranë në zjarr
e u dogjën në hi…
 
Jozef Radi
Do të kisha vënë nji zemër të madhe… Sikur të merrje sado pak edhe nga e vërteta e një burri dhe jo krejt të vërtetën e shpirtit të nji gruaje… Poezia është madhështore për të justifikuar atë keqtrajtim që po e deformon gradualisht e si pa u ndjerë gjysmën tjetër të mollës duke e shëndrruar në nji kalbësirë. Po ta dikutonim poezinë përballë… duhet të kishim një eskortë policie afër, jo për ta përplasur atë që ti e ke shkruar aq bukur… po për të pranuar edhe ca thërrime nga pjesa tjetër e problemit…
 
Enkeleda Ristani
Unë e pranoj përgjysmën e faktit (nëse quhet fakt afërvërtetsia e një poezie, sepse në fund poezia nuk mund të jetë racionale), por nuk doja të merrja përsipër krahun tjetër, thjesht i lejova vetes gjysmëterrin tim. Nga ana tjetër, kam shkruar edhe poezi ku e kam bërë këtë.
Shiko Joze, institucioni është i njejtë, vuajtjet brenda tij janë të ndryshme.
Unë një grimë prej tyre kam shkruajtur.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.