back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Montale, Quasimodo, Ungaretti, “Perfectum Trinum” – sjellë në shqip nga Zef Zorba

Gazeta

Montale, Quasimodo, Ungaretti - “Perfectum Trinum” - Përktheu Zef Zorba
Montale, Quasimodo, Ungaretti – “Perfectum Trinum” – Përktheu Zef Zorba

Botohet “Perfectum trinum”, libri me përkthime i Zef Zorbës

nga Bepin Kolvataj

Ditët e heshtjes dhe qëndrimi i gjatë në sirtar mbaruan.
Poezi të përzgjedhura si Montale, Quasimodo, Ungaretti, “Perfectum Trinum”, të shqipëruara e me parathënie të poetit të ndjerë Zef Zorba, panë dritën e botimit në 99 vjetorin e tij të lindjes.
Një libër që sjell përmes 100 poezive, 3 poetët e mëdhenj italianë të shekullit të 20-të.
E veçanta e librit është se krah poezisë së shqipëruar, qëndron edhe origjinalja në gjuhën italiane.
Ana Shkreli: “Këto tre poetë shërbyen edhe si etër poetikë të vetë poetit Zorba gjatë jetës së tij, i ndriçuan rrugëtimin poetik.”
Jeta e poetit kaloi përmes tallazeve të mëdha, prandaj ky mision i vajzave të tij, për t’u dhënë dritën e botimit shumë dorëshkrimeve, e veprave që ai la pas, na sjellin më shumë dimension për këtë figurë.
Elena Zorba: “Sot është një prej ditëve të tij të mbushura me dritë të bardhë.”
Në hollin e teatrit në bashkëpunim me fototekën “Marubi” u ekspozuan edhe disa fotografi të poetit, regjisorit e përkthyesit shkodran, i cili mbetet përfaqësues kyç i modernizmit.
http://www.oranews.tv
.
Zef Zorba dhe Mikel Koliqi
Zef Zorba dhe Mikel Koliqi

Dy fjalë poeti për poetët Montale, Quasimodo, Ungaretti,

nga Zef Zorba

Paralelizimi i këtyre tre poetëve të mëdhenj mendoj se mund të pasqyrojë zhvillimin e poezisë në Itali gjatë këtij shekulli. Sintetizimi vetëm në këta të tre sigurisht as i errëson e as i mënjanon poetët e tjerë me peshë, siç janë Umberto Saba, Mario Luzi, V. Cardarelli, V. Sereni, P. P. Pasolini e dhjetra të tjerë që jehojnë fort me individualitetet e veta të shkëlqyeshme. Drejt zgjedhjes së këtij triptiku nuk më shtyu gjykimi i Akademisë së Suedisë, që nderon Quasimodon e Montalen me çmimin Nobel e që ka pas menduar të njëjtin çmim edhe për Ungarettin.
Për këtë përmbledhje më kanë shtyrë kryesisht të tjera konsiderata, e sidomos koha e veprimtarisë së tyre, që nis thuajse njëherit (1915-1922), si dhe përpjekja e tyre e përbashkët për ripërtëritjen e poezisë në këndvështrim modern.
Shqipëruesi i këtyre vargjeve ka pasur rast të njihej që para 50 vjetësh me krijimet e tyre të para, pra në një kohë kur kritika konservatore dhe ajo e regjimit më fort e denigronte sesa e përkrahte poezinë moderne në tërësi, në rast se nuk e injoronte krejt. Sulmet e para konservatore e reaksionare u drejtuan kundër Ungarettit, kryesisht për shkak të një prej botimeve të tij të para “Porti i Varrosur” në 1916. Thotë Ungaretti vetë: “Botimi i Sentimento del tempo (Ndjenja e kohës) sikundër botimi i pjesës së parë të Allegria (Gazmendi), po edhe Porto Sepolto (Port i Varrosur), janë pritur me kritika të çuditshme. Madje në të dyja rastet jam “nderuar” gjer me krijimin e revistave letrare thuajse vetëm e vetëm për të më luftuar.”
Jo shumë i ndryshëm ka qenë qëndrimi i kritikës ndaj Montales e Quasimodos, megjithqë më pak shpotitës, për shkak se fishekët po harxhoheshin të gjithë kundër Ungarettit duke pandehur se me “vrasjen” e këtij do të vritej “hermetizmi” i përqafuar nga të tre. Gjithashtu krijimet e para të Quasimodos e të Montales, ndonëse “hermetike” e “esencialiste”, dukej sikur nuk binin në kundërshtim të hapur me traditën.
Kjo antologji është e pamjaftueshme për pasqyrimin e veprës poetike të të treve apo për paralelizimin e tyre, pasi veç së vërtetës “traduttore-traditore”, edhe vetë metoda e antologjizmës është dashtë e pa dashtë vullnet i përzgjedhësit e njëfarë shkrandjeje e veprës totale të autorit. Nga fraksionarizimi ka rrezik që “poeti-njeri” të paraqitet me reflekse jo të qenësishme nga e gjithë prodhimtaria e tij. E mbara do të ishte të jepej shqipërimi i plotë i veprës poetike të çdonjërit. Po kujt ia mban? Mua jo. Megjithëse të tre cilësohen me titullin përmbledhës “poetë lirikë”, po të bazoheshim më fort në rrymën dhe formimin e secilit, do të quheshin vetëm “poetë”. Kjo pasi çdo libër i tyre ka një organicitet rigoroz. S’mund të veçohen pjesë pa cënuar integritetin e veprës, dramës, afreskut a simfonisë. Librat e tyre s’janë një përmbledhje e thjeshtë poezish, por një vepër e plotë në vështrimin e mirëfilltë aristotelian. Thotë Ungaretti për librin Allegria:
“Ky libër s’është veçse një ditar. Autori nuk ka ndonjë ambicje tjetër dhe beson se edhe poetët e mëdhenj s’kanë pasur pikësynim të ndryshëm, pos ë të linin një biografi të bukur të vetën”.
Prandaj edhe librat e tyre mbajnë që në titull këtë karakteristikë ditari.
Klasifikimi i veprave poetike të këtyre poetëve s’është i thjeshtë. Rruga e revolucionit artistik i ka çuar ata në zbulimin e metodës “hermetike” ose “esencialiste” të thelluar deri te fjala, rrokja, pauza.
.
Makina e shkrimit e Zef Zorbes
Makina e shkrimit e Zef Zorbes
Kritiku A. Gargiulo thotë: “Duket sikur fjalës i është kthyer virgjëria fillestare… Hyjnë në fuqi vlerat e ritmeve, pauzave e ndoshta më shumë vlerat fonike ‘evokuese’…”.
E tillë ka qenë aspirata e artit të ri, e “ésprit moderne”: me fuqizue shprehjen poetike duke e zhveshur nga superstrukturat që po e mbysnin; poezia si shprehje artistike e “homo sapiens” duhej çliruar prej mërtisjesh të verbalizmit të një rutine të pezmatuar. Burizanë të kësaj domosdoshmërie, që në shekullin e kaluar, u bënë Lamartine e De Vigny, Leopardi e Pascoli, Heine e Rilke, Shelley e Byron etj. Ai kushtrim u kap shpejt e kryekreje në Francë: Beaudelaire e Verlaine në poezi, Degas e Renoir në pikturë, Debussy e Strauss në muzikë. Në vazhdën e tyre vërshimi mori dhenë: Mallarmé e Rimbaud, Picasso, Stravinski e qindra të tjerë. U shfaqën rryma e shkolla të reja, Futurizëm e Kubizëm, Psikanalizë e Ekzistencializëm, muzikë xhaz e dodekafonike. U qëmtua çdo fushë me zhdrivillime marramendëse e ndonjëherë, medet, edhe me anarkizma të çmendura. U mobilizuan talente novatorë, artistë që hiqnin zor, por qëlloi që me rrymat e vrullshme u përzienë edhe mitomanë, snobë, intelektualoidë, qyrravecë. Për shkak të tyre në mjaft raste u vështirësua dallimi i gurëve vërtet të çmuar e sidomos iu hap goja konservatorëve, të cilët duke u mbështetur në të tilla shfaqje sporadike gjetën rastin të hidhnin helm mbi tërë artin modern. Koha dhe historia i fshinë këpurdhat që i mbinë modernizmit, duke i detyruar kritikët mallkues të reshtnin zërat e tyre përçmues.
Kështu u zhvillua e më vonë u fashit kritika ndaj hermetizmit.
Sot poetët e kësaj rryme kanë hyrë në tekstet shkollore, janë bërë objekt studimesh të thelluara dhe veprat e tyre botohen, ribotohen e përkthehen në gjuhë të ndryshme. Gjysmë shekulli më parë mjaft studiues shfaqnin dyshime rreth qëndrueshmërisë së poezisë moderne. Duke marrë shkak nga tipari dekadent i saj, nga parazitizmi që po i zhvillohej përreth e nga njëfarë rënieje të përkohshme që sollën zhgënjimet e Luftës së Parë, veçanërisht për Italinë, disa kritikë shpallën me solemnitet fundin e modernizmit në poezi. Paçka gjithë parashikimeve mortore të tyre, arti modern u estetizua, u konkretizua e u përhap gjerësisht. Këtë u detyruan ta pranojnë edhe kritikë me peshë, si Francesco Flora, i cili deklaroi: “Megjithatë poezia esenciale hermetike o si do të quhet i pëlqen lexuesit modern”.
Në mbrojtje të poezisë moderne u ngritën studiues e filozofë të ndryshëm. Benedeto Croce sintetizoi: “Për poezinë, zeroja ekziston”.
Kështu lulëzuan kalibra të rinj poetësh. Tani arti modern s’ishte më një zë në shkretëtirë, një mirazh, porse realitet sublim i pamohueshëm.
Eugenio Montale dhe mjegulla
Eugenio Montale dhe mjegulla

Eugenio Montale

Nga Ksenia II

1.
Vdekja nuk të përkiste.
 
Edhe qentë e tu kishin vdekur, edhe
doktori i të marrëve që e quanit xhai i falisur,
edhe nëna jote me ‘specialitetin’ e saj
të pilafit me bretkoca, sajdi e kuzhinës lombarde,
e edhe baba yt që ditën e natën s’m’i ndan sytë
prej asaj pikture të vogël në mur.
E megjithatë ty vdekja nuk të përket.
Në varrimet duhej që unë të veja
fshehur në një taksi, larg prej të tjerësh,
për të mënjanuar lotë e trazira. As jeta,
me panairet e saja të kotësive e të grykësive
nuk kish rëndësi për ty e aq më pak
kangrenat universale që i shndërrojnë
njerëzit në ujqër.
 
Tabula rasa gjithçka; të mos ishte
ajo pikë e pacënuar, për mua e pakuptueshme,
e tamam pika që të përkiste.
.
Marre nga https://palimpsest.al

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.