back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Mos vdis të lutem, jo sot të paktën! Copëza kujtimesh nga fëmijëria – Ervina Toptani

Gazeta

Ervina Toptani
Ervina Toptani

Mos vdis të lutem, jo sot të paktën!

Copëza kujtimesh nga fëmijëria – Ervina Toptani

…Isha 4 vjeç kur përjetova tmerrin e parë, për faj të atyre që nuk i njihja atëherë e nuk e kuptoja arsyen e vërtetë të asaj që ndodhte e që përjetonim të gjithë.
Unë kam lindur në fund të vitit ’81 dhe kam dëgjuar shpesh që të lindurit e kësaj periudhe quheshin rëndom “brezi i tollonit”. Mbaj mend shumë nga fëmijëria sepse kam qenë fëmijë kurioz në përgjithësi dhe që nuk e di përse më interesonin shumë fenomenet që shihja apo doja të shpjegoja qartë për mendjen time të vogël çfarë ishte ajo që përjetoja e që ndjeja në momente të veçanta. Përse ndjeja dhimbje edhe kur dhimbjen nuk e kaloja unë personalisht, përse qaja shpesh me dënesë kur nuk kisha uri, por kur shoqja ime e ngushtë ishte shpesh e uritur e unë nuk kisha mundësi ta ndihmoja gjithnjë. Përse nuk më dhimbte aq shumë plaga në gjurin tim (që i kisha gjithnjë copë e njëra plagë zinte tjetrën ende pa m’u shëruar) sesa plaga në gjurin e shokut tim më të mirë që ishte shumë i dobët fizikisht e gjithnjë i bardhë në fytyrë, por që nuk qante kurrë kur vritej.
…Mami hyri në shtëpi. Ishte kaq e zbehtë në fytyrë, një ngjyrë limoni kur është ende i papjekur, një e verdhë në jeshil. I dridheshin duart e për të hequr këpucët iu desh një copë herë e mirë duke u mbajtur për muri sa në fund ra pa ndjenja në tokë. Ende nuk kishte folur asnjë fjalë. Unë isha vetëm momentalisht në shtëpi dhe skena që pashë më llahtarisi. Unë nuk e njihja vdekjen ende. Kisha dëgjuar për të, por nuk e dija si ndodhte dhe e mendoja në fantazinë time si një ngjarje me puntata, si tip telenovele por që atëherë nuk e njihja termin në fjalë.
Thërrita fillimisht: “Mam” – me zë të ulët, por ajo nuk u përgjigj, pastaj thërrita më fort por asnjë përgjigje sërish. Pastaj duke qarë nga frika e nga pamundësia për të kuptuar çfarë duhet të bëja iu ngjita asaj mbi trup aq sa lotët e mi i lagnin fytyrën që tani kishte marrë një ngjyrë të bardhë në të verdhë të lehtë. Ishte aq e bukur, ngjante si ato kukullat e porcelanit mami im atë moment, vetëm sytë e bukur nuk i dukeshin. Ato sytë larushë me pikëla jeshile e të kaftë të kadifenjtë nuk shkëlqenin më, ishin të mbyllur.
“Mam, të lutem mos vdis! Unë as nuk e di përse duhet të vdesësh ti! Ti nuk mund të vdesësh kur unë jam vetëm e babi ende nuk ka ardhur!” – përsërisja këto fjalë pa pushim por ajo nuk zgjohej.
Atëherë e kuptova se nuk mund të bëja asgjë tjetër. Hapa derën nxitimthi, renda me vrap të marrë, me lotë që rridhnin furishëm e që më kishin zënë plotësisht shikimin. Sigurisht, u rrëzova në vrapin e marrë sepse nuk shihja ku vrapoja dhe u hap një goxha gropë në mes të gjurit ku ishte futur një gur në madhësinë e një gjysëm veze. E hoqa gurin, fshija gjakun me dorë e po me ato duar fshija lotët nga fytyra që të mund të shihja ku hidhja këmbët.
Arrita përpara derës së teta Valit (një komshije e jona që për mua ishte si tezet e mia). I rashë derës me aq forcë sa ajo e hapi e trembur dhe kur pa fytyrën time të larë në gjak e vragat që lotët kishin krijuar si rrëke mbi të, duart e gjurin të kuq flakë e ngashërimin që s’po më linte të flisja, u tmerrua.
“Ina, çfarë ka ndodhur, bir? Pse je bërë kështu?”
“Hajde shpejt të lutem, mami ka vdekur! Dhe ka vdekur tani që unë jam vetëm. Pse vdesin mamat kur fëmijët janë vetëm? Ti nuk vdes kur Alba është vetëm në shtëpi.”
“Si ka vdekur mami? Çfarë po thua? Ku është mami tani?”
“Në shtëpi është, e shtrirë në korridor me fytyrën e bardhë e unë nuk e lëvizja dot nga vendi”.
Ajo e la derën hapur, më rrëmben mua në krahë duke u lyer me gjakun tim nëpër fustan, e vrapon për tek shtëpia jonë. Mamin e gjetëm në tokë siç e kisha lënë unë. E ngriti në krahë (teta Vali ishte grua e fuqishme, e gjatë, me duar të mëdhaja që qeshte kaq bukur e ishte plot poezi në të qenin e saj femër) dhe e vuri mbi krevat, i hoqi xhaketën mamit, çorapet e gjithçka të tepërt, mori ujë të ftohtë e filloi t’i lagë fytyrën e buzët. Ndërkohë më kërkoi mua të përgatisja një gotë ujë me sheqer shumë shpejt. Por unë mbeta… Ne nuk kishim sheqer dhe unë kisha disa ditë që e pija çajin pa sheqer dhe mami po ashtu. Duke mërmëritur i shkoj pranë dhe i them: “A të shkoj të marr te shpia jote një lugë sheqer apo as ti nuk ke?”
“Ik shpejt, – më tha, – merre gjithë pakon se në fund është”.
Kur u ktheva unë, punë 3-4 minutash, mami i kishte hapur sytë larushë. Më ra nga dora pakoja e sheqerit që nuk kishte më shumë se 2 lugë brenda e iu hodha mbi trup mamit duke qarë njësoj me ngashërim.
“Të lutem mam, mos vdis më! Nëse ti vdes prapë do të vdes dhe unë me ty, por vetëm se unë… nuk di si vdiset!”.
Teta Vali shpërtheu në të qeshura e më merr në krahë. Mami ashtu e bardhë ne fytyrë ende, vë buzën në gjysëm gaz.
“Më fal zemër, nuk e kuptova që do të më ndodhte. Të premtoj që nuk do të ndodhë më. Unë nuk do të vdes asnjëherë e do të jetoj përgjithmonë”.
U qetësova, mami im i mbante gjithnjë premtimet.
Pasi ajo filloi ta merrte veten nga pak e piu dhe gotën e ujit me sheqer, pashë vijën e hollë të gjakut në krahun e saj që ishte tharë tashmë. E kuptova që ishte rrëzuar dhe ajo si unë, por vrisja mendjen si mund të rrëzohesh e të vritesh pikërisht në atë vend?
…Unë ia pashë atë vijë gjaku mamit tim edhe për vite të tjera, çdo muaj, dhe ajo e kishte e pasur edhe përpara se të lindja unë. Quhej “buka që më rriti mua”, quhej filozofia e një vuajtje pa fjalë, e zgjedhur nga mami im si shumë heroina të tjera për të ushqyer fëmijët në pamundësi t’iu dilte rroga e vogël e punës me turne që bënin (edhe disa prej atyre që nuk ishin armiq si ne).
Unë jam rritur duke u ushqyer për vite me rradhë në kuptimin e parë të fjalës – me gjakun e nënës time. Dhe e kam parë më vonë përsëri herë të tjera të dergjej në shtratin e vdekjes e të luftonte dhëmb për dhëmb me të, me mua pranë si dëshmitare e vuajtjes së një gruaje që nuk hoqi dorë kurrë sido që vuante e që përpiqej fort. Por ajo e ka mbajtur gjithnjë premtimin për të mos më lënë vetëm, sido që vuan e që përpiqet ende sot.
U shkrua me lot kjo pjesë, nuk po jam në gjendje t’i jap një fund të denjë kujtimit të një 4 vjeçareje që dhe pak muaj bën 40, por që thellë brenda meje nuk ka ndryshuar shumë nga ai moment! Ka vend të shkruaj ndonjë fjali në këtë moment se çfarë ishte komunizmi, në fakt diktatura ç’njerëzore që ne përjetuam si popull?
(për ata që kanë lindur pas viteve ’90, është domosdoshmëri të njohin atë periudhë të zezë për të kuptuar e zgjedhur më qartë e më kthjellët si rrjedhim).
.
Marre nga muri i FB i Ervina Toptanit, 20 qershor 2021
.
 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.