Mrì Dedja, ngjall të kaluemen e nji kohe të përjetueme tragjike
nga Idriz Lamaj
Mri Dedja e Merrnaçajve – Zoja e Hekurt me Shpirt Florini libër nga Jozef Radi
Zoja dhe zotni,
e ndije veten të nderuem që jam i ftuem nga familja Merrnaçaj dhe më jepet mundësia me përshëndetë këtu në prani tuej Jozef Radin, autorin e librit: “Mrì Dedja e Mernaçajve – Zoja e Hekurt me Shpirt Florini”, libër i cili promovohet në qendër të kishës tonë katolike. Promovohet në selinë e kësaj kishe, ku kujtesa ime lidhet edhe me nji dhuratë të çmueshme që ma ka dhanë Dom Zef Oroshi 52 vjet ma parë.
Dikur kam qenë bashkëpuntor i revistës “Jeta Katolike” dhe kam transmetue në “Zanin e Amerikës” intervista të ndryshme me Dom Zefìn. Ato lidhen me të kaluemen time, por le të kthehem tani te libri për të cilin jemi mbledhë këtu.*
Meqënëse folsit e tjerë do të flasin për këtë libër në hollësi, unë në këtë rast do të ndalem te një rrwfim i veçantë për mue i këtij libri, i cili më kthen në kujtesën e fëminisë sime.
Rrëfimi i Mrì Dedes së Merrnaçajve, të cilën e kemi këtu të pranishme dhe jemi shumë të nderuem me praninë e saj, në faqet e librit, 115-120: “Kolë Gjon Bajraktari, i arratisun n’Mal të Zi” më ktheu në kujtesën e fëminisë dhe më preku thellë shpirtnisht.
Isha nxanës në klasën e pestë të shkollës tetëvjeçare në Guci. Familja e jonë, familja e Shpend Halil Lamajt, si shumë familje të tjera të arratisuna prej Shqipnije, banonte në atë qytet të lashtë historik; e jetonim në nji vorfni të skajme.
Natyrisht, në atë kohë, unë s’e dija çka ishte vorfnija dhe çka ishin vuejtjet, por i mësova ma vonë, dhe kurrë nuk i harrova. Nuk i harrova dhe as mund t’i harroj as pamjet kreshnike të shumë malsorëve të arratisun prej Shqipnie, të cilët bashkë me babën tim, pinin kafe e duhan në dy-tre kafehanet e atij qyteti dhe hynin në shpijat e njani-tjetrit si me qenë vllazën.
Kujtesa e trishtueshme si fëmijë i asaj kohe më përcolli gjithë jetën, e sa herë ra fjala për Kolë Bajraktarin e Vuklit, më kujtohen pamja e tij kreshnike nga trupi, veshja e tij e fundit, krismat e revoles, gjama e vjetër e burrave malësorë, me thirrje të tmerrshme, me gërvishtje të fytyrës e me rrahje gjoksi te kufoma e tij.
Deri para pak ditësh, dersa lexova faqet e librit të Jozefít, s’e dija se Kolë Bajraktari, ishte axha e Mrìes, prandaj, kurrë nuk asht vonë ngushllimi:
“Mri Dedja, – Zoti të forcoftë për Axhën Kolë!”
Atë ditë që asht vra Kolë Bajraktari, kam qenë me babën tim në nji dyqan, e kur kemi ndigjue krismat e revoles. Largësia midis dyqanit e te dera e kafehanes, ku Kolë Bajraktari asht qëllue me revole mbas shpine. Baba dhe pronari i dyqanit kanë dalë me të shpejtë jashtë, dhe kur kanë mbrri, Kola veç kishte ndrrue jetë? Trupi i tij i gjatë, i veshun me nji pallto të mbërthyeme dhe nji republikë, që e mbante në krye e rame skaj tij… Si tash e kam parasysh, dhe si tash me tingllojnë fjalët e babës tem:
-Heu bre Kolë Bajraktari, heu bre Kolë, medet për ne si jemi gjallë.
I hutuem tue shikue ç’asht ba, më kujtohet kur, milicia na largoi nga vendi ku ndodhej trupit e tij i pajetë!
Në lagjen Rexhepagaj të Gusisë, shumë afër shtëpisë tonë, asht dërgue trupi i Kolë Bajraktarit dhe kanë fillue me shkue turma njerzish. Nëse nuk gabohem më duket se ka kenë në oborrin e shpisë së Mark Çunit.
Nuk më kujtohet, mbas sa kohe, o sa orësh, por edhe tashi, edhe sot e kam si kujtesë të gjallë, kur baba im më ka marrë përdore dhe në oborr të shtëpisë ku banonim, me krye ulun iu ka dhanë dorën baba jem Gjergj e Cul Pllumit të Shalës, Ndue Vojvodës, Gjelosh Çunit dhe Mirash Ndojës e disa të tjerëve që tash nuk më kujtohen emnat. Kanë ecë drejt oborrit të shpisë ku ishte vendosw kufoma e Kolë Bajraktarit. Gjamën, rrahjen e gjoksve me grushta, gërvishtjen e fytyrave dhe thirrjet e malsorëve tue shkue drejt kufomës së Kolë Gjon Bajraktarit, kurrë nuk i kam harrue:
O Kolë Bajraktari, mjerë na për ty e ti për ne,
O mjerë na për vedi, po shka na gjeti…!
Zoja dhe zotni,
vetëm shprehja me gërvishtje të vjetër ilire, e pamë me sytë e mi prej fëmije: “O mjerë na për ty e ti për ne, o mjerë na për vedi po shka na gjeti…!” asht nji shprehje e tmerrshme, për të cilën nji person i njoftun i letrave si Jozef Radi, mundet të shkruejë vëllime, se si asht përjetue nga të pranishmit vrasja e Kolë Bajraktarit.
Mrìa, në rrëfimin e vet i ban nji përshkrim të shkurtë dhe të saktë sikur të kishte jetue bashkë me axhën e vet në atë kohë. Me çudit shumë rrëfimi dhe saktësia e saj, sepse nuk asht kujtesa ime si fëmi për atë kohë, por kam ndigjue në detaje me qinda herë tue u bisedue vrasja e tij; Kam ndigjue prej babës, nanës, axhallarëve të mi edhe shumë malsorëve emigrantë të asaj periudhe, me të cilët kemi pasë lidhje të ngushta familjare.
Me fatin dhe jetën e emigrantëve nacionalistë në Jugosllavi janë luejtë skena të ndryshme bashkëpunimi midis UDB-s jugosllave dhe Sigurimit të regjimit komunist të Tiranës. Janë vra dhe zhdukë në mënyra të ndryshme sa e sa figura të njoftuna të emigrantëve nacionalistë në Jugosllavi. Çdo emigrant shqiptar në at vend, e ka dijtë se vrasja e Kolë Bajraktarit asht organizue nga UDB-a jugosllave dhe Sigurimi i regjimit të Tiranës. Të dhanat reale janë deformue, dëshmitarët kanë vdekë dhe realitetin e ka mbulue pluhuni i harresës. Emigrantët shqiptarë në Jugosllavi ishin të izoluem dhe e kishin të ndalueme çdo lloj komunikimi me emigracionin politik shqiptar në perëndim. Ata nuk mund të udhtonin nga nji Republikë jugosllave në tjetrën ose nga nji qytet në tjetrin pa lejen e ofícerëve të UDB-ës. Historia e tyne asht e dhimbshme dhe ndoshta kurrë nuk do të ndriçohet ashtu siç e meritojnë. Të gjitha shkrimet e deritanishme pa marrë parasysh, ndonji ma të veçueme. Këtë temë e kanë trajtue plotësisht simbas të dhanave dhe shkrimeve të agjenturave të Sigurimit të shtetit komunist shqiptar dhe të UDB-es jugosllave.
Më vjen keq, por edhe tash, 30 vjet mbas ramjes së komunizmit në Shqipni dhe të shpartallimit të shtetit jugosllav, asnji studiues i joni nuk e ka gjurmue këtë çeshtje dhe nuk asht shkrue ndonji shkrim serioz lidhun me këtë çeshtje. Dokumentet ekzistojnë! Afër 10 mijë faqe të Dosjeve të Emigracionit Politik Shqiptar dhe mija faqe të akivit të Komitetit “Shqipëria e Lirë”, vite ma parë i janë dhurue Arkivit të Kosovës dhe Bibliotekës së Vatrës. Ato dokumente dhe shtypin e mërgatës politike shqiptare në botën e lirë, e ka mbulue pluhni i harresës.
Përfundimisht: Jozef Radi në këtë vepër të pashoqe, me rrëfime origjinale, e trajtueme me nji mjeshtrì të rrallë, me anë të rrëfimeve të jetës së Mrìes, të ban për vete që në momentin që fíllon leximin e librit. Në këtë libër Mrìja asht gjallë, ashtu siç e kemi sot pranë. Kam krijue përshtypjen se origjinaliteti i ksaj vepre, të trajtueme me mjeshtrì të rrallë, lidh jetën e autorit dhe të familjes së tij me nji lloj ngjajshmënie me jetën dhe vuejtjet familjare të Mrì Merrnaçajt.
Në këtë vepër duket qartë se Jozef Radi asht i ndjeshëm shpirtnisht, pa marrë parasysh përgaditjen e tij të gjithanshme në fushën e shkrimeve të tij të ndryshme dhe jetën e kushtueme, letërsisë, kulturës dhe traditës tonë shekullore. Me rrëfímet e shkrueme të Mrìsë, ngjall të kaluemen e nji kohe të përjetueme tragjike, dhe qendresës historike të asaj tragjedie i siguron jetën shekullore. Tragjinë historike e le të shkrueme në këtë vepër, dhe shkrimet e tilla të botueme nuk vdesin kurrë.
Dhimbja, krenaria, dinjiteti, besa, bujaria dhe qëndresa e Mrì Merrnaçajt janë jetë e gjallë. Jozef Radi vetëm me nji paragraf shkrimi, si rrallë kush tjetër, gdhend nji monument madhështor në faqet e fundit të kësaj vepre:
“…Mri Dedja e Mërnaçanjve, bija e Dedë Bajraktarit të Vuklit, ka mbetë nji grue e thjeshtë, nji malsore epike, nji nanë e sakrifikueme, nji besimtare e devotshme, nji heroinë që u përball me krejt të kqijat e jetës e s’mbet viktimë e tyne…” (fq. 391).
Sikur të mos ta kishe përjetësue këtë Zojë, me anë të rrëfimeve të saj, edhe kjo do të ishte nji heroinë e heshtun, e mbulueme me pluhnin e harresës, siç i kanë mbetë të harrueme nanat, gjyshet dhe stërgjyshet tona, ç’prej kohëve parahistorike të epikës tonë legjendare, e deri në këtë kohë që e quejmë moderne.
Jozef Radi, të lumtë pena!
Familja Merrnaçaj, falemnderit për ftesën dhe organizimin e këtij takimi emocionues!
Jetë sa ma të gjatë Mrì Dedjes së Merrnaçajve!
Ju falem nderit.
*PS. Ju kam sjellë si surprizë një libër të vogël uratësh, për t’iu tregue sot që jena të pranishëm, si dhe famullitarit, Dom Pjetër Popaj, në shenjë nderimi dhe respekti të thellë ndaj Monsinjor Dom Zef Oroshit, që ai me dorë të vet ma ka dhurue kët libër, 52 vjet ma parë, e me nji dedikim të veçantë.
Due ta theksoj këtu se kam qenë edhe bashkëpunëtor i hershëm i revistës fetaro-kulturore “Jeta katolike”