back to top
10.5 C
Tirana
E martë, 26 Nëntor, 2024

Muharrem Bajraktari në rrëfimet e Taf Pervizit… nga Lazër Radi

Gazeta

Muharrem Bajraktari (1894-1989)
Muharrem Bajraktari (1894-1989)

Muharrem Bajraktari në rrëfimet e Taf Pervizit…

nga Lazër Radi

nga libri “Njeriu i rrugës së gjatë

Te “Lera e Sorrave”, Muharrem Bajraktari, me autoritetin e nji udhëheqësi na mbajti një fjalim fare të shkurtë që s’do ta harroj kurrë:
“Trima!
Ne sot po largohemi nga Atdheu jonë, jo se mbaroi lufta. Lufta për ne nuk ka për të mbaruar derisa të mos lirohet Shqipnia nga sllavo-bolshevikët, derisa Kosova jonë të vazhdojë të mbetet nën robni. Tash e tutje kudo që të gjindemi, ne do të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë…!”
Fjalët e kolonelit ishin një mesazh i qartë. I dëgjuam ashtu pip në këmbë me pushkët e ngjeshura mbas trupit.
S’kaloi shumë e sikur dikush t’i kish pasur në dorë çelsat e stuhisë, nisi një shi me zhegerdi, i cili e ka ngulitur në kujtesën time atë ditë. Më dukej sikur gjithçka ishte kthyer kundra nesh, sikur gjtihçka kërkonte veç largimin tonë. Ashtu, të kërrusur nën shi, morëm rrugën drejt së panjohurës e në atë udhëtim që i kapërcente kufijtë e aventurës shpresonim tek liria, shpresonim që një ditë të ktheheshim.
Nga afro njiqind vetë që po niseshim në drejtim të Greqisë, në ditën e caktuar erdhën shumë pak. E mira do të ishte t’i përmendja të gjithë, por e kam të pamundur. Megjithatë unë do të përpiqem të kujtoj gjithë sa mundem përgjat këtij rrëfimi. Në çdo hap që bënim para ndiqeshim, goditeshim, pakësoheshim.
Nga Dibra dhe Luma erdhën: Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari, Esat Bajraktari, Prof. Myftar Spahia, Asllan Zeneli, Ramadan Cenaj, Neshat Bilalli, Neshat Hamza, Liman Peposhi, Tahir Vata, Taf Lita, Adem Hyseni, Hashim Cena, Han Kotarja, Salih Doda, Ymer Doda.
Kanë qenë edhe mjaft të tjerë, të cilët për fat të keq nuk më kujtohen emrat, dhe u kërkoj ndjesë për kujtesën time tashmë të dobësuar.
Ndërsa nga grupi i kosovarëve ishin: Sef Sadiku, Ahmet Halili nga Kushnini, Myftar Maloki nga Planeja, Tafë Përvizi, Rashat Karjagdiu, Raif Karjagdiu, Sulejman Gjakova, Rrem Gjakova, Ejup Binaku i Gjakovës, Hon Kotarja, Gani Bokshi, Iljaz Peka prej Krume, Destan Berisha i Opojës, Ramiz Curri, Daman Lila, Halil Lila, Islam Gjini, Isa Gjini e shumë të tjerë.
Grupi i Rahovecit përbëhej nga 12 vetë, midis të cilëve ishin edhe: Sulejman Haxhija, tre vëllezër nga Podrimja, Zenel Bobi dhe Bobtë e Lubeniqit të Pejës si dhe disa të tjerë.
Rruga drejt Greqisë kalonte e gjitha nëpër territorin maqedon. U vendos që do të kalonim nëpër territorin e Dibrës së Madhe. Siç duket, brigadat maqedone kishin kohë që ishin parapregaditur për kalimin tonë, duke na ngritur ngado prita. Falë fatit tonë po edhe ndihmës së shqiptarëve të atyre zonave, një pjesë fare e vogël e jona arriti të kapërcente përtej asaj vdekje të sigurt.
.
Fiqiri Dine, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema
Fiqiri Dine, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema

Drejt Greqisë

Të gjithë sa ishim, e morëm bashkë rrugën drejt Greqisë.
U vendos që gjatë gjithë kohës do të udhëtonim vetëm natën. Për të na drejtuar nga do të shkonim nuk u zgjodh kush, mbasi disa nga djemtë e Lumës e njihnin mirë rrugën dhe drejtimin se nga duhej të shkonim. Mes tyre ishte edhe Hon Kotarja, që i njihte këto vende në gishta të dorës. Duke u futur në thellësi të tokës maqedone, vështirësitë po bëheshin edhe më të mëdha dhe orientimi gjithnjë e më i pakët. Fillimisht u detyruam të marrim me vete fshatarë vendas, e më pas morëm edhe një bari. Kështu që u bënë dy vetë të marrun si me detyrim, mbasi asnjëri prej tyre nuk donte të vinte vullnetarisht. Të dy ata që i kishin marrë si udhërrëfyesa ishin serbë.
Qysh në nisje kishim përcaktuar se drejtimi dhe synimi ynë i vetëm ishte Greqia.
Mbasi kaluam Kara Osmanin, bjeshkë e pyje që nuk kish të sosur, një natë, nga pakujdesia e njerit prej shokëve tanë na iku një prej serbëve udhërrëfyes. Ai kishte marrë me vete edhe 800 copë fishekë mitralozi. Kishte kaluar mesnata, kur u gjendëm mbi një rrafshinë të mbjellur me misër. Në atë kohë Hajredini, na njoftoi se njëri nga serbët ishte zhdukur. Natyrisht që u alarmuam të gjithë dhe vendosëm të marrim masa urgjente. Shqetësimi ishte i drejtë, sepse ishte e sigurt se ai menjëherë do të njoftonte forcat e ndjekjes dhe do të gjendeshim përballë të papriturave të rrezikëshme, kështu ose do të kapeshim të gjallë, ose do të asgjesoheshim të gjithë.
Kishte filluar të zbardhte dita.
U ngjitëm me të shpejtë në një shpat mali aty afër dhe caktuam disa roje që të kontrollonin terrenin dhe situatën. Shumë prej nesh ishin të lodhur e të rraskapitur nga udhëtimet e vazhdueshme natën, prandaj vendosëm të çlodheshim pak. Ashtu siç ishim u mbështetëm dhe na zu gjumi. Rojeve iu la detyrë që ta kontrollonin situatën. Nuk kaloi shumë kur vjen e më zgjon një shoku im, Zenel Bobi, e më thotë:
-Çou Tafë dhe eja të shohësh atje poshtë!
Mora dylbinë e nisa të vështroj andej nga më tregonte Zeneli. Ç’të shihja! E gjithë rrafshina ishte mbushur me ushtarë serbë. Shkjau i ikur kishte lajmëruar si për vendin, për numrin tonë dhe armët që dispononim. Pa kaluar ora, ushtrinë serbe e patëm në shpinë. Krisi pushka. Ditën e parë u bë një luftë e pandërprerë prej mëngjesit e deri sa u err. Ne e ruajtëm pozitën dominuese të terrenit, duke i shkaktuar armikut mjaft dëme. Për fatin tonë, nuk pësuam asnjë të vrarë. Sa ra nata, e vazhduam rrugën në drejt Greqisë.
Mbas nesh ushtonin shpatet, dridhej toka, gjëmonin e uturinin makinat dhe tanket, i gjithë divizioni maqedonas ishte vënë në lëvizje për kapjen tonë. Flakët e gjëmimet na ndiqnin në të katër anët. Shkjau i arratisur prej nesh, e kish kuptuar se me ne ishte edhe Muharrem Bajraktari, emri dhe fama e të cilit kish marrë dhenë. Lëvizëm duke u përpjekur të humbnim gjurmë, por qemë të detyruar të ndalemi pasi me zbardhjen e dritës lëvizja bëhej gjithnjë e më e rrezikshme. U ndalëm në një log, po e pamë se nuk ishte i përshtashëm. Ushtritë jugosllave ishin shpërndarë kudo e po bënin kontroll të imtë, pëllëmbë për pëllëmbë, për të gjetur vendin ku ishim ndalur ne. Më së fundi u kuptua se na kishin zbuluar, dhe u pa se na kishin vendosur nën darën e një rrethimi të rreptë. S’kishte rrugë tjetër, aty do të luftohej për jetë a vdekje. Ishim të detyruar ta sulmonim rrethimin, ta çanim atë ose të mbeteshim të vdekur, sepse edhe po të dorëzoheshim më e pakta që mund të na bënin ishte vdekja.
Gjithkush, e merr me mend se çfarë zjarri u ndez në ato çaste. Neve na kish mbetur vetëm vdekja në duar e s’dinim ç’të bënim me të. Edhe forcat serbo-maqedonase ishin betuar se do të na kapnin të gjallë e do të na rripnin lëkurët. Në një atmosferë të tillë kuptohet se aty është bërë një luftë në ekstrem të kufijve të jetës dhe vdekjes, një luftë që mendja njerëzore nganjëherë nuk arrin ta imagjinojë. Aty u krijua një ferr i vërtetë. Arriti puna që të kapeshim trup për trup e fyt më fyt me armikun. Mbas shumë sakrificash të përgjakshme, arritëm ta çajmë rrethimin dhe të kapim një brinjë. Në këtë përleshje, për ta çarë atë rrethim të hekurt, mbetën të vrarë më shumë se dhjetë prej shokëve tanë si dhe mjaft të plagosur.
Tashmë kishim zënë një pozicion të mrekullueshëm dominues. Ushtria sllave u vendos në një lëndinë. Ne e kontrollonim terrenin si në pëllëmbë të dorës. Duke shpalosur gjithë tërbimin tonë për vrasjen e shokëve tanë, aty u bë një kasaphanë e vërtetë mbi ushtrinë sllave. Ai pozicion dominues, ku ne ishim të rrethuar, fillimisht u mësy nga ushtria e tyre, e cila ndodhej në rrafshinën poshtë nesh. Aty u bë një nga përplasjet më të përgjakëshme, ku ne sigurisht siguruam epërsi të plotë, edhe pse nga rradhët tona mbetën shumë të vrarë e të plagosur.
Për të mos rënë në sy dhe për t’i përballur më mirë sulmet e papritura të ushtrisë jugosllave, u ndamë në grupe të vogla, duke mos e humbur për asnjë çast kontaktin mes grupeve po edhe orientimin, që ishte arritja e kufirit grek.
Nga vështirësitë e shumta të kohës, nga terreni fort i thyer dhe nga përplasjet e shumta me batalionet e ndjekjes, nuk ishim në gjendje të bënim më shumë se 4-5 kilometra në natë. Kështu vazhduam për dhjetë ditë me radhë deri sa më në fund arritëm në afërsi të kufirit grek. Ushtria maqedone nuk la armë e mjet luftarak pa përdorë kundra nesh, deri edhe tek armët e rënda si topi dhe mortaja. Flakët e zjarrit i përfshinë të gjitha ato zona nga kalonim ne…
 
Një rast tragjik u bë shkak që të shpëtonim ne të tjerët. Njëri nga tre vëllezërit Podrimja, ishte i plagosur rëndë. Dy vëllezërit e tjerë e kishin marrë për krahësh dhe po përpiqeshin ta ngjisnin në mal. Ushtria e hetoi lëvizjen e tyre dhe duke menduar se me ta gjendej i gjithë grupi ynë, i përqëndroi në atë drejtim të gjitha forcat e veta dhe goditjen e zjarrit. Topa, mortaja e mitraloza u zbrazën me gjithë furinë e tyre, të përqëndruar në atë drejtim. I gjithë mali, e bashkë me të edhe tre vëllezërit Podrimja, u ndez nga flakët. Aty mbetën dëshmorë të tre vëllezërit nga Podrimja, duke na shkaktuar një dhimbje të thellë të gjithëve.
Ne e nderuam veprën e atyre djemve, të atyre tre heronjve që e ndezën flakë Maqedoninë, për t’ia lehtësuar kalimin grupit tonë dhe për të dalë në kufirin grek.
Aq e madhe qe poterja e artilerisë maqedone, aq shumë u përflakën pyjet e aq larg dëgjoheshin gjëmimet, sa u vu në alarm edhe ushtria greke, e cila për një çast dyshoi se mos ushtritë jugosllave po pregaditeshin të mësynin në territorin e saj…
Më së fundi po hynim në tokën greke. Shumë prej nesh ishin të plagosur, të uritur e rraskapitur nga ai udhëtim i gjatë dhe tragjik. Mbas shumë peripecish, ku vuajtja dhe vdekja ishin të dorës së parë, më së fundi menduam se e kishim lënë pas vdekjen…
Në Greqi, dolëm diku në afërsi të bjeshkëve të Manastirit. Pikërisht aty në kufi, kur ne mendonim se e keqja për ne kishte marrë fund, na mbeti edhe nji shok nga Luma, emri i të cilit sot mjerisht s’më kujtohet. Vdekja i kishte shtrirë kthetrat dhe nga çasti në çast ne e prisnim atë. Në këtë udhëtim të vështirë e tragjik më shumë se gjysma e shokëve kishin mbetur të vrarë, në ndeshjet e vazhdueshme me brigadat maqedone. Prej nesh mbetën të vrarë shumë prej shokëve tanë, ndër të cilët po përmend: Salih Dodën, Reshat Karjagdiun, Bajram Bajraktarin, Sef Sadikun, Ahmet Halilin, Gani Bokshin, tre vëllezërit nga Podrimja, e mjaft të tjerë që meritojnë të kujtohen për sakrificat e tyre në këtë rrugëtim heroik drejt vdekjes.
Në të hyrë të kufirit grek shumë prej nesh ishin të plagosur. Muharrem Bajraktari, edhe pse me dy plagë në trup nuk e jepte veten. Asllan Zeneli, ishte i plagosur rëndë. Po në këtë gjendje ishin edhe Liman Peposhi dhe Halil Lila. Të gjithë këta të plagosur, morën ndihmat e para mjekësore në Follorinë e më pas u dërguan urgjentisht në spitalin e Selanikut.
.

Kolonel Muharrem Bajraktari
Kolonel Muharrem Bajraktari

Muharrem Bajraktari

Që nga viti 1944, e deri në shtatorin e vitit 1946, Muharrem Bajraktari së bashku me luftëtarët e tij më të afërm, qëndroi e luftoi fillimisht në malësitë e Kukësit e më pas u shpërngul në Malin e Thatë, në Pogradec. Ishin ditë të vështira. Vazhdimisht me pushkë në dorë. Ndiqej gjithkah, po vazhdimisht i kishte çarë rrethimet me strategji dhe trimëri. Shpesh herë ballafaqohej drejtpërdrejt me forcat speciale të ndjekjes si p.sh. në Shënmëri, në Kalimash, në Buzëmadhe, në Bushtricë, në Kartë të Kolisit, në Kolesjan dhe në Ujmisht, ku iu vranë edhe dy djemtë e tij: Hamdiu dhe Ibrahimi, si dhe disa nga shokët më besnikë të luftës, Ymer Myftari e Dem Nura. Kur përsëri u gjend i rrethuar edhe në malet e Lemies, iu vranë edhe të tjerë shokë besnikë si, babë e bir Tohsun dhe Elmas Çejku. Në këto beteja iu vranë edhe dy luftëtarët më trima që bënin pjesë në eskortën e tij, e që jepnin jetën për të, Sefë Xheladini dhe Destan Rexhepi.
Tashmë ndodheshim mes një lufte të vërtetë civile, e cila nuk njihte të ndalur. Ajo po bënte kërdinë në të dy anët. U vranë mjaft vetë si prej nesh ashtu dhe prej forcave të ndjekjes, mes tyre edhe njerëz të pafajshëm që i kishin porositë të na zhduknin…
Muharrem Bajraktari ishte një emër shumë i dëgjuar në krejt zonën. Ai vazhdimisht kishte luftuar si një patriot i vërtetë. Nuk ishte pajtuar me pushtimin, përkundrazi kishte luftuar ashpër kundra pushtuesve, kishte bashkëpunuar me aleatët dhe me forcat partizane. Tradhëtia që i bënë forcat partizane mbasi erdhën në zonën e Kukësit, bëri që ai të mbante një qëndrim të prerë e të hapët kundër forcave komuniste që ishin të lidhura ngushtë me jugosllavët.
Për Muharremin kisha dëgjuar mjaft, por me të jam njohur në vitin 1946. Këtë njohje e konsideroj një fat të madh në jetën time, pse u njohëm në luftë, atje ku ishte breshëria më e madhe e plumbave, do të ishte dhe ai. Plumbat kurrë nuk gjetën guxim ta kapnin! Mbasi kaluam kufirin grek, ai ishte me dy plagë të rënda të në trup, por asnjëherë nuk u dëgjua të rënkonte, as të ankohej.
Por u njohëm më mirë bashkë, ndër kampet e Greqisë, ku as privacionet e as fyerjet dhe as vështërsitë e panumërta nuk mundën ta thyejnë dinjitetin e tij prej fisniku të lindur. Më pas, qëndruam edhe pesë vite të tjera së bashku në Romë, ku sjelljet e tija spikasnin gjithmonë si sjellje fisniku.
Këshillat e tija përherë të urta, përherë i afërt dhe i komunikueshëm, i gatshëm për çdo sakrificë. Ai e ndjente veten thellësisht të tradhëtuar, sepse ai kishte qenë ashtu si ne, në krahun e antifashizmit, dhe ideali ynë ishte shkelur në mënyrën më të paskrupullt. Vazhdimisht fliste për bashkimin si e vetmja zgjidhje që do të na ndihmonte të gjithë ne shqiptarët.
Partitë në mërgim janë përpjekur që t’ia humbnin vlerën, sepse ai vazhdimisht ishte kundra përçarjes së emigracionit në parti e shoqata të ndryshme e të shumta, të cilat ishin në dëm të bashkimit kombëtar.
Mendimi i tij ishte që shqiptarët e emigracionit të ishin të bashkuar në idenë e çlirimit kombëtar, e më pas, kur të vinte dita e kthimit në Atdhe, atëherë do të mund të rregullohej më ndryshe çdo gjë.
Muharremi ishte një luftëtar i madh. Asnjë tjetër nuk mundi t’i afrohej atij as për nga trimëria, as për nga guximi, as për nga kurajo e madhe që kishte, e aq më pak nga organizimi vendimet strategjike që ndërmerrte. E ndjej për detyrë t’i them këto, sepse patëm rastin të jetojmë e të ndajmë së bashku në ditët më të vështira të jetës sonë, duke luftuar si të çmendur jo vetëm kundra plumbave të komitëve maqedonas e kundra egërsisë prej bishe të sigurimsave të komunizmit shqiptar, por edhe kundra stuhive të kohës, kundra shiut dhe borës, nëpër një terren të thyer, të panjohur dhe ostil, kundra urisë dhe etjes.
Ai ishte luftëtar që dhimbjen më të madhe dinte të na e kthente në forcë, dhe nuk u ligështua as atëherë kur e pa të vëllanë e vdekur dhe as dy djemtë të vrarë, por na nxiste, na jepte zemër, dhe vazhdimisht na thoshte se “asnjë dhimbje nuk duhet ta na ndërpresë në rrugën e luftës sonë të drejtë. Çdo ndërprerje do të ishte në dobi të armikut. Do të kemi kohë kur t’i kujtojmë e ta nderojmë veprën e tyre. Tani të hapim sytë dhe ecim përpara në rrugën e fatit tonë…”
Marrë nga libri “Njeriu i rrugës së gjatë” (fq.63-72)

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.