back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 17 Dhjetor, 2024

Muharrem Bajraktari, shembull i rezistencës kundër fashizmit dhe komunizmit* nga Sejdi Peka

Gazeta

Muharrem Bajraktari (1894-1989)
Muharrem Bajraktari (1894-1989)

Muharrem Bajraktari,

shembull i rezistencës kundër fashizmit dhe komunizmit*

nga Sejdi Peka

Me 26 Gusht të vitit 1946, në kulmin e terrorit komunist në Shqipëri dhe sidomos në atë verilindore, një grup nacionalistësh që kishin mbetur gjallë nga ndjekja e forcave ushtarake dhe të sigurimit komunist, u grupuan në vendin e quajtur Lera e Sorrave në Gjallicën e Lumës. Sipas një vendimi që më parë ishte marrë në fshatin Zahrisht të Hasit, duke parë se tani më nuk mbetej asnjë shpresë për ndërhyrjen e forcave Anglo-Amerikane për rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri, u vendos largimi nga Shqipëria, jo për të ruajtur kokën si shkruan Mit’hat Frashëri po “për të vazhduar luftën kundër komunizmit për një Shqipëri etnike demokratike përëndimore”. Në mbledhjen e Zahrishtit te Hasit, morën pjesë dy çetat nacionaliste që vepronin në Lumë, Has dhe Rrafshin e Dukagjinit në Kosovë. Dy komandantët e çetave ishin Muharrem Bajraktari një prinjës ushtarak mjaft i zoti, i diplomuar në Akademinë ushtarake të Vjenës, ish komandant i përgjithshëm i xhandarmërisë në kohën e Zogut dhe Uk Sadiku nga Gjergjeviku i Pejës, ish prefekt i Rahovecit, njëri nga udhëheqsit ushtarak më të dalluar të Lidhjes së Dytë të Prizërenit, djali i Sadik Ramës i udhëheqsit legjendë të kryengritjes së rrafshit të Dukagjinit. Por me këmbnguljen e komandantit të çetës kosovare Uk Sadiku, nisja u shty me qellim që nacionalistët e mbetur nepër male sidomos në Kosovë dhe në malet e Tropojës të njoftoheshin për nisjen. Për këtë arsye Uk Sadiku me çetën e tij do të ktheheshin në Kosovë për të grupuar njerëzit që kishin mbetur dhe përfundimisht do të takoheshin në Gjallicën e Lumës në datën e caktuar. Itinerari i largimit nga Shqipëria u vendos që të bëhej nepërmjet Maqedonisë për në Greqi. Kjo për arsye të shmangies së konfrontimit në luftë me repartet ushtarake dhe të ndjekjes në Shqipëri, që të mos vrisnin vëllezrit e tyre që ishin rekrutuar me forcë në këto reparte, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Kjo tregon edhe një herë se sa atdhetarë ishin nacionalistët që luftonin për një Shqipëri të lirë demokratike. Për fat të keq, Uk Sadiku, u trathëtua nga një agjent i U.D.B. dhe në një ndeshje të pabarabartë me forcat Jugosllave për jetë a vdekje në afërsi të Rahovecit, trimi i Kosovës mbasi shfryu gjithë urrejtjen e hakmarrjes të dhjetra shokëve të vrarë mbi forcat serbo-malazeze, u plagos rëndë. Kriminelët serb e zunë të gjallë dhe e masakruan. Më kot e pritën në Gjallicën e Lumës në ditën e caktuar Ukën. Disa nga kosovarët erdhën në datën dhe orën e caktuar dhe çfarë në të vërtetë përbënin shumicën në grupin që do të nisej për në Greqi. Ata ishin 56 burra të sprovuar në luftë të pandërprerë kundër vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri dhe në Kosovë, patriotët më të dalluar nga familjet më të mira të Kosovës, Lumës dhe Hasit. Ndërmjet këtyre nacionalistëve ishte rreshtuar edhe një djalosh nga Tepelena i quajtur Mehmet Hamiti. Ja disa nga emrat. Nga Luma dhe Dibra ishin: Muharrem Bajraktari, Bajram Bajraktari, Esat Bajraktari, Prof, Miftar Spahija, Asllan Zeneli, Ramadan Cenaj, Neshat Bilali, Neshat Hamza, Liman Peposhi, Tahir Vata, Taf Lita, Adem Hyseni, Hashim Cena, Han Kotarja, Salih Doda, Ymer Doda. Nga grupi i kosovarve dhe hasjanve ishin: Sef Sadiku, Ahmet Haliti, Iljaz Peka, Taf Previzi, Miftar Maloki, Destan Berisha, Reshat Kajrakdiu, Raif Kajrakdiu, Sulejman Gjakova, Rrem Gjakova, Ejup Binaku, Gani Bokshi, Destan Berisha i Opojes, Daman Lila, Halil Lila, Islam Gjini, Isa Gjini, Sulejman Haxhija, Zejnel Bobi, etj. -Komandën e mori Kolonel Muharrem Bajraktari, ushtarak i sprovuar. Fama e tijë kishte marrë dhenë se atë nuk e zinte plumbi. Sa herë ishin përpjekur komunistët që ta asgjësonin në gracka dhe në prita të pabesa, por ai kishte mundur të shpëtonte dhe gjithnjë u bënte thirrje “ushtarve” që të largoheshin nga fushë e betejës. “Të dalin komandantët tuaj” thërriste Muharrem Bajraktari.
.
“Njeriu i rrugës së gjatë” (Ribotim)
“Njeriu i rrugës së gjatë” (Ribotim)

Në librin e Lazër Radit “Njeriu i rrugës së gjatë” sipas kujtimeve të njerit nga protogonistët e kësaj odiseje z. Taf Previzi, shkruan për atë ditë që po niseshin për në Greqi: “S’kaloj shumë, e sikur dikush t’i kishte pasur në dorë çelsat e stuhisë, nisi një shi me zhegerdi, i cili e ka ngulitur në kujtesen time atë ditë. Më dukej se gjithçka ishte kthyer kundër nesh, sikur gjithçka kërkonte largimin tonë. Ashtu, të krrusur nën shi, me pushkët të ngjeshura pas trupit, po merrnim rrugën drejt të panjohurës, në atë udhtim që i kapërcente kufijtë e aventurës, shpresonim tek liria, shpresonim se një ditë së shpejti do të ktheheshim në Shqipëri. Në një fjalim shumë të shkurtë Muharrem Bajraktari na tha: “Ne sot po largohemi nga Atdheu i jonë, jo se mbaroi lufta. Lufta për ne nuk ka për të mbarue deri sa mos të çlirohet Shqipnija nga sllavo-bolshevikët, deri sa Kosova e jonë të vazhdojë të mbetet në robni. Tashti, kudo që të gjendemi do të luftojmë deri në pikën e fundit të gjakut tonë!” Duke përshkruar rrugën e vështirë nepër Maqedoni përmes pritave të ushtrisë jugosllave autori shkruan per njerën nga betejat me forcat jugosllave: “Pas nesh ushtonin shpatet, dridhej toka, gjëmonin e uturonin maqinat dhe tanket, i gjithë divizioni maqedonas ishte vënë në lëvizje për kapjen tonë. Flakët dhe gjëmimet na ndiqnin kudo. Ishim të detyruar ta sulmonim rrethimin, ta çanim atë ose të mbeteshim të vdekur, sepse edhe po të dorëzoheshim më e pakta që mundet të na bënin ishte vdekja. Gjithkush, e merr me mend se çfarë zjarri u ndez. Neve na kish mbetur vetëm vdekja në duar e s’dinim ç’të bënim me të. Edhe forcat serbo-maqedone ishin betuar se do të na kapnin të gjallë e do të na ripnin lëkurët. Në një atmosferë të tillë nuk është e vështirë të kuptohet se aty është bërë një luftë në ekstrem të kufijve të jetës dhe vdekjes, një luftë që mendja njerëzore nganjëherë nuk arrin ta imagjinojë. Aty u krijua një ferr i vërtetë. Arriti puna që të kapeshim trup me trup e fyt me fyt me armikun. Në këtë përleshje për të çarë atë rrethim u vranë shumë nga shokët tanë dhe mjaft ishin të plagosur. Tashmë kishim zënë një pozicion të mrekullueshëm dominues. Ushtria sllave u vendos në një lëndinë, ne e kontrollonim terrenin si në pëllëmbë të dorës. Duke shpalosur gjithë tërbimin tonë për vrasjen e shokëve tanë, aty u bë një kasaphanë e vërtetë mbi ushtrinë sllave. Një nga përplasjet më të përgjakshme, ku ne siguruam epërsi të plotë. Por ne ishim shumë të dëshpruar, kishim humbur shokët tanë më trima…” Dhe po aty: “Nga vështërsitë e shumta të kohës, terreni i thyer dhe përleshjet me batalionet e ndjekjes, nuk ishim në gjendje të bënim më tepër se 4-5 km. në natë. Kështu vazhduam për dhjetë ditë me rradhë deri sa më së fundi arritëm në afërsi të kufirit grek. Ushtria maqedonase nuk la armë e mjet pa përdorur kundër nesh, tanket, deri tek armët e rënda si topi dhe mortaja…”

.
Kolonel Muharrem Bajraktari
Kolonel Muharrem Bajraktari

Autori, duke përshkruar luftën e përgjakshme të këtyre nacionalistëve, nxjerr në pah të vertetën, se pa strategjinë ushtarake të Muharrem Bajraktarit ishte e pamundur të përballohej gjithë ajo fuqi sadiste sllave dhe nuk mundet të shpëtonte asnjë i gjallë. Në epilogun e këtij shkrimi mundet të konfirmoj se kaq të ashpra ishin këto beteja sa që nga 56 burra që u nisën në këtë odise të përgjakshëm për jetë a vdekje, kanë mbërritur të gjallë në Greqi vetëm 25 nga këta burra, edhe këta shumica e tyre ishin të plagosur. Duke çfletuar librin e Petrit Palushit “Muharrem Bajraktari në vitet 1945-1946”, autori nxjerr në pah të vërtetën se Muharrem Bajraktari ka qenë një patriot dhe atdhetar i pashoq në historinë tonë kombëtare. Ai asnjëherë dhe në asnjë rast nuk është vendosur në shërbim të armiqve të Shqipërisë. Vlen të përmendet rasti kur në kinema “Nacional” në Tiranë në Qeshor të vitit 1946, po zhvillohej gjyqi kundër 37 kundërshtarve të regjimit komunist, Musine Kokolari akuzohet për bashkëpunim me Muharrem Bajraktarin. Gjykatsi komunist e pyet: Pse nuk është kriminel lufte Bajraktari? – Jo, ai nuk është kriminel, – përgjigjet Musineja me vendosmëri – Muharrem Bajraktari, si patriot dhe luftëtar i madh, është rebeluar sa herë që ka menduar se interesat kombëtare po rrezikoheshin. Ai ju kundërvu edhe Zogut, megjithëse ishte në detyrën e komandantit të përgjithshëm të xhandarmërisë. Me pushtimin e Shqipërisë nga fashizmi, ai ka organizuar rezistencën e armatosur për çlirimin e Shqipërisë. Ai ka kërkuar përkrahjen dhe mbështetjen e Anglo-Amerikanve duke bashkëpunuar me emisionet aleate që vepronin në Shqipëri. Sa herë shtëpia e tij u bombardua nga fashistët në sulmet nga toka dhe ajri me aeroplan bombardues…” Në librin e Rexhinal Hibert, “Fitorja e hidhur”, ish emisari e misionit britanik në Shqipëri, shkruan se: “Muharrem Bajraktari, është zot i Lumës dhe kreu udhëheqës i Shqipërisë veri-lindore.” (Po aty faqe 144)

.
Fiqiri Dine, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema
Fiqiri Dine, Prenk Pervizi, Muharrem Bajraktari dhe Hysni Dema

Kur brigada e 5 partizane sulmoi veriun e Shqipërisë në vjeshtën e vitit 1944, Muharrem Bajraktari i ofroj bashkpunim por E. Hoxha kishte dhënë urdhër që trimi i Lumës të vritej. Në urdhërin që i dërgon gjeneral Dali Ndreut në shtabin e divizionit të parë dhe që mban dt. 26.08.1944, kërkon që Muharrem Bajraktari të provokohet dhe të likuidohet. Muharrremi nuk mundi të pranonte që ushtria partizane të bënte raprezalje kundër popullit dhe të hynte në Kosovë për të ia dorëzuar Kosovën jugosllavëve. Për këtë arsye, Haxhi Lleshi, Liri Gega dhe Manush Myftiu e thërrasin në një darkë në fshatin Nangë gjoja për bisedime, por e nxjerrin në pritë. Trathëtia e tyre dështoi me turp. Në një ndeshje të vështirë Muharrem Bajraktari çan rrethimin duke deklaruar luftë pa kompromis kundër komunistëve “që ishin shitur tek sllavi”. Në pleniumin e 2 të K.Q. të P.K.SH, në fjalën e tij lidhur me problemin e M. Bajraktarit, Manush Myftiu do të deklaronte: “Kështu shkuam në Lumë. Ai (Muharremi), nuk na kundërshtoj, bile ai na priti shumë mirë. Ai mendonte se ne po shkonim në ndihmë të tij, pasi ai po luftonte me gjermanët. Ne kërkonim të gjenim një pretekst dhe e shtynim atë që të na luftonte. Kur forcat tona shkuan në frontin ku ai luftonte, i hoqi forcat në një sektor tjetër për të na e lëshuar neve. Kështu edhe provokacioni ynë shkoj kot. Duke parë që forcat e tij ishin të pakta, për ne u bë e domosdoshme që ta rrethonim dhe ta likujdonim. Mospërfillja jonë bëri që aksioni ynë të dështonte me humbje shum të rënda: 28 partizan të vrarë, 30 të plagosur, përveç humbjes së punëtorve kosovarë, të cilët në mosdije u pritën nga forcat e M. Bajraktarit, 22 të vrarë të tjerë dhe shumë të plagosur. Por humbja më e madhe ishte politike. Ne e goditëm kur ai kishte ardhur të na jepte dorën për sukseset që kishim pasur në luftë. (M. Bajraktari në vitet 1945-46. P. Palushi, faqe 98). Dhe po aty: “Për punën e Muharrem Bajraktarit ne kemi qenë këshilluar edhe me udhëheqës jugosllavë në Kosmet. Mendimi i tij ishte se Muharremi ishte i rrezikshëm dhe duhej zhdukur…”

Muharrem Bajraktari në të gjithë veprimtarinë e tijë politike nuk ka pranuar të bëhej pjesë e ndonjë partie. “Partia ime është Shqipnija”– ka deklaruar gjithnjë.
.
Muharrem Bajraktari - Greqi 1948
Muharrem Bajraktari – Greqi 1948

Vitet në emigracion ishin përpjekje e vazhdueshme në luftë për çlirimin e Shqipërisë dhe të Kosovës nga regjimi komunist. Ai mbylli sytë në Bruksel në vitin 1989. Ai nuk arriti ta shihte Shqipërinë të lirë dhe demokratike, për të cilën kishte luftuar kaq shumë. Përcjellja mortore që ju bë nga qindra mijra shqiptarë në Europën perëndimore tregon respektin e madh të emigracinit politik shqiptar për këtë luftëtarë të papërkulur për Shqipërinë etnike demokratike. Për afro një gjysmë shekulli diktaturë, komunistët kanë hedhur baltë mbi figurën e Muharrem Bajraktarit, por kurrë nuk kan arritur të njollosin këtë patriot të madh. Populli i Lumës e ka simbolin e krenarisë dhe të lirisë, në qëndresën e tijë me dinjitet kundër regjimit komunist dhe diktaturës. Në Shqipërinë post komuniste janë shkruar shumë libra dhe monografi nga shkrimtarë dhe studiues por mbetet shume per te hulumtuar ne te gjith veprimtarine patriotike te Muharrem Bajrakarit në periudha të ndryshme në shërbim të kombit. Për meritat e jashtzakonshme, Presidenti Berisha e ka dekoruar me mirënjohje të lartë. Qarku i Kukësit e ka shpallur “Qytetar Nderi” të tij.

http://www.zemrashqiptare.net/news/01.10.2012
*ky shkrim u botua me rastin e 100 vjetorit të Pavarsisë Kombëtare.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.