Mundi i mbrritjes s’Ungarettit në shqip
parathanie e librit “Jeta e nji Njeriu” nga Jozef Radi
Ungaretti n’madhëti të vet asht nji kështjellë dyfish e vshtirë, s’pari me u pushtue prej lexuesit të zakonshëm, e mandej edhe prej ndonji përkthyesi, sado i pazakonshëm t’jetë ai. Mandej, kur e mendoj se kahera jam përpjekë me ba diçka ma tepër, me e tejkalue lexuesin e admiruesin e me percjellë n’nji gjuhë tjetër, e kam ndje se ky asht problemi yt, e s’asht i paktë, kur synon kryneçsisht me e mbrritë! Bash kjo dëshirë e ndezun, m’ka kshillue nji avitje me drojë e të pakngapakshme, çka përban edhe angazhimin ma t’madh e ma t’hershëm të jetës, po edhe nji rropatjen emocionuese temen.
Ungaretti asht për nji përpjekje e shtrime në mjaft vite. Shpesh e kam lexue veprën e tij, me e asimilue nga pak e me dredhi të shumta: kam kambngulë përmes nji dashnie të madhe, e jam përpjekë me i mbetë i përkushtuem. Kam tash e njizet vjet që jap e marr me të, me ia mbrritë ksaj ditë. Mundem me thanë se n’kët marrdhanie me veprën e Ungarettit m’ka ndodhë ajo përthithja e kadaltë, e njiherit ai pasunim shpirtnor e letrar po edhe tendosja e nji vullneti jo fort lehtë, prandej kam dishrue që letrat shqipe ta kishin sa ma të plotë kët korife të vargut e të mendimit poetik, kët urë që afron brigje, mendje e shpirtna.
Ky libër, jo veç ka vigjilue n’shijet e mia, po edhe m’ka diktue; herë me thjeshtsinë vet, herë me sublimitetin artistik, herë me potencimin e frazës, po ma së shumti përmes delikatesës së mendimit e thellsisë së mesazhit artistik, jo gjithnji i përtypshëm.
Ungaretti, ose Unga, siç thirrej n’konfidence prej miqve të vet, asht konsiderue babà i hermetizmit italian, po edhe ma gjanë. E vërteta simbas meje, në kët rropatje thuej njizet vjeçare prej Sizifi mbi veprën e jetën e tij, asht paksa ma ndryshe. Unë mendoj, se Ungaretti asht ma pak hermetik se asht shpallë, bile kisha me e quejtë sintetik, pse ai t’i ban të prekshme objektet, njerëzit, luftën, natyrën, gruen, fëmijën e dhimbën… Ai asht aq toksor sa të bahet pjesë e së përditshmes, pjesë edhe e jetës tande, pjesë e mënyrës së të menduemit… Ai të bahet familjar në misterin e tij, e misterioz në sinqeritetin e tij poetik.
Sigurisht, mundem me thanë se pa e njoftë mirë jetën e Ungas, s’mundesh as me e lexue e as me e kuptue poezinë e tij.
.
Poezinë e parë të Ungarettit duhet ta kem tentue me e sjellë në shqip, diku rreth vjetit 2002… Mandej, tue besue se poezitë e tij ishin të pakta n’fjalë e konsiderova punë të lehtë, po sa ma shumë e lexoja, aq ma i vshtirë më bahej ai, e tevona kuptova se poezia e tij duhej ma s’pari m’u përthithë sëbashku me jetën e tij, e duhej me ia grrye shkambin me lugë, për me mbrritë te shpirti i tij, për nji përkthim sa ma të denjë e mos me ta vërvitë kush librin ftyrës.
Kah fundi i 2004, mbasi ia kisha përkthye nji pjesë të veprës: “Jeta e nji Njeriu” m’u desht me u ndalë pak. Edhe n’titull pata nji ndërdyshje n’cilësim “Jeta e nji Burri” a “Jeta e nji Njeriu”. Mbas nji arsyetimi pak të gjatë vendosa se ma e drejta do t’ishte “Jeta e nji Njeriu”, pse besoja se Njeriu e përfshin edhe burrin, e jo e anasjellta.
N’revistën ma t’zàshme letrare t’asaj kohe, “Ars”, botova nji faqe kushtue Ungarettit, në rubrikën që e mbuloja prej nji vjeti “Qiell i Përtejmë”, ku krahas 7-8 përkthimeve, vuna nji biografi t’përmbledhun të tij, po edhe nji vështrim estetik mbi autorin.
Mbas këtij botimi, i dhashë edhe nji hov asaj pune aq të dashtun, derisa u ndjeva i futun n’nji zonë vshtirë që m’lodhi e m’çoroditi, sa ia ndala hovin vedit!
“Me ia dalë në krye veprës së Ungarettit”, – mendova me gjetë kohna ma t’përshtatshme, nji vetje ma t’përkushtueme, nji siguri ma të thekshme… për me ia dalë n’krye asaj pune që m’kishte grabitë njaq kohë, e sa isha sa i knaqun njaq edhe i paknaqun isha prej saj.
Kah fillimi i vjetit 2006, e kisha braktisë, po jo harrue Ungarettin. Kthehesha herë mbas here, e n’mos e krehja, e zbukuroja, do karfica të vogla ia vndoja, po me ia dalë në krye… kurrsesi!!
***
Erdh vjeti 2020, me 50 vjetorin e vdekjes së Ungas.
Kjo datë m’ktheu edhe njiherë te puna e lanë mbasdore. Bana nji bilanc të mundsive me pamundsitë me e sjellë si vepër të plotë dhe besova se ende s’ishte e mundun. Për fat të keq temin, e t’mirë për Ungan, bash n’njat kohë, jeta e mbarë botës u fut n’nji pandemi botnore, të pandodhun kurrë ma parë.
Njashtu si jeta edhe bota n’rini të Ungarettit ishte futë n’nji luftë të madhe e ku befas midis lufte, qe shfaqë s’pari edhe poezia e tij…
Tash nji Pandemi Botnore ma damçure se nji luftë, na kishte mbyllë ndër transhetë e qyteteve, e unë i thashë vedit se rast ma t’mirë m’u marrë me ardhjen n’shqip t’Ungarettit, s’ka!
Për katër muej rresht jam marrë përditë, (jo ma pak se 4-5 orë), me autorin e “Alegrisë” e “Ditarit të Plakut” derisa ma s’fundi ia dola me e krye veprën e tij të jetës, edhe n’gjuhë shqipe!!
Tash besoj, se mbas këtij mundi t’pafundmë e këtij përkushtimi shpirtnor e fizik, gëzoj të drejtën e konfidencës me e quejtë edhe un si miqtë e tij autorin: Unga!
Dorën e parë t’kësaj pune e kam pasë në standart. Tue mendue se Ungaretti asht sa hermetik aq edhe sintetik, besova se n’shqip do t’ishte ma e goditun m’u sjellë në gegnisht… E njashtu ndodhi!
E vërteta asht, se Ungaretti asht nji kështjellë që pushtohet me zemër, e besoj të kem hipotekue ma t’mirën pjesë të vedit n’realizimin sa ma të dinjitetshëm të këtij përkushtimi. Besoj se deri-diku ia kam qillue… e në mos, besoj të kem kohë me e rijetue e me riparue n’botimet e radhshme, që njashtu si Unga, që pa pritesë e ka përsosë vedin poetikisht, edhe unë me i shkue mbas…
Kur i lexoja përkthimet e mia (kaq shumë herë i kam lexue) ma së shumti knaqem me masë, pse jam i bindun, se më kohë kam me i ildisë; po deri njat herë, edhe ju edhe unë, duhet m’iu gëzue ktij mundimi: Ardhjes së plotë në shqip…
Mandej, Zoti e baftë mirë e mbarë…
Tash Ungaretti asht Jueji… unë veç përvuejtës n’mirbesim të tij, kam me mbetë!
jozef radi, korrik 2020
.
..