back to top
5.5 C
Tirana
E mërkurë, 25 Dhjetor, 2024

Murat Basha (1900-1945): “Po vdes për Liri, dhe për çeshtjen tonë të madhe…” – nga Astrit Kola

Gazeta

Murat Basha (1900-1945)
Murat Basha (1900-1945)

Murat Basha (1900-1945)

“Po vdes për Liri, dhe për çeshtjen tonë të madhe…”

Shkrim i përgatitur nga Astrit Kola

Më vjen keq që nuk i kam fotot
e eshtrave dhe prangave të cilat
nuk ia kishin heqë edhe mbasi e pushkatuen….
O Zot! – Murat Basha – nipi
Murat Hysen Basha u lind në vitin 1900, në fshatin Plan i Bardhë i rrethit të Matit, në një familje me tradita patriotike dhe mjaft të njohur në atë krahinë. Bashkëshortja e Muratit, Sadetja, ishte stërmbesë nga familja e famshme e Frashërllinjëve të Përmetit, pasi nëna e saj, Havaja ishte nga dera e Abdyl Frashërit. Po kështu edhe familja e Murat Bashës kishte një lidhje miqësore e shpirtërore të hershme me familjen Zogolli nga Burgajeti i Matit. Gjyshi i Muratit, Veli Basha, gjithë jetën kishte mbetur besnik i Xhelal Pashë Zogollit, madje edhe kur e ndoqi pas me bindje të plotë në luftërat kundër turqve, pas krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Pas institucionalizimit të Lidhjes, me vendim unanim të kryesisë së saj, Xhelal Pashë Zogolli u emërua zëvendëskomandant i Përgjithshëm i Ushtrisë së Lidhjes dhe, në krye të kësaj ushtrie, së bashku me Iljaz Pashë Dibrën (Çokun) dhe Ali Pashë Gucinë, organizuan vullnetarët shqiptarë në mbrojtje të trojeve etnike nga sulmet e herëpashershme të fqinjëve që kërkonin ta copëtonin atë. Në ato detyra që iu ngarkoi Lidhja, Xhelal Pashë Zogolli kishte në krahun e tij të djathtë, Veli Bashën, i cili asnjëherë nuk iu nda atij. Pas vdekjes së Xhelal Pashës, familja Basha, Veliu dhe Hyseni i ri (babai i Muratit), u vunë në shërbim të Xhemal Pashë Zogollit, deri në fund të jetës. Ishte pikërisht kjo lidhje brezash, ajo që kushtëzoi vazhdimësinë e miqësisë midis këtyre familjeve, çka u vijua edhe në lidhjen e ngushtë midis Ahmet Zogut dhe Murat Hysen Bashës, që në hapat e parë të luftës dhe përpjekjeve të përbashkëta në dobi të çështjes kombëtare dhe konsolidimin e shtetit të ri shqiptar. Në vitin 1904, familja e Murat Bashës shpërngulet nga Klosi dhe vjen në Tiranë, ku Murati vazhdon fillimisht shkollën Mejtepe në Medresenë e asaj kohe. Mbas mbarimit të saj dhe shkollës së mesme, Murati emërohet si sekretar i Komunës së Lukanit në rrethin e Dibrës, dhe një vit më vonë, më 1919, ai emërohet kryetar i asaj komune. Po në atë vit, Murati mori pjesë në rezistencën e vullnetarëve dibranë për mbrojtjen e tërësisë territoriale shqiptare nga sulmet e herëpashershme të shovinistëve serbë.
.
Koço Kotta dhe shtetarë në audiencë të mbreti Zogu i I
Koço Kotta dhe shtetarë në audiencë të mbreti Zogu i I

Njohja e Muratit me Ahmet Zogun më 1919

Sipas dëshmive të njerëzve të afërm të familjes Basha, gjatë atyre viteve, Murati u njoh me Ahmet Zogun që sapo ishte kthyer nga Vjena, dhe që nga ajo kohë ai mbeti një nga njerëzit më besnikë të tij. Me interesimin e Ahmet Zogut, në vitin 1919, Murati kreu një kurs 6-mujor në Tiranë për nënoficer xhandarmërie, ku në përfundim të tij mori dhe gradën e nëntogerit. Pas kësaj, ai u inkuadrua në armën e Xhandarmërisë Shqiptare dhe që nga ajo kohë ai qëndroi vazhdimisht pranë Ahmet Zogut, duke marrë pjesë në të gjitha luftimet e zhvilluara nga ushtria shqiptare kundër serbëve dhe disa rebelimeve apo kryengritjeve të ndryshme që ndodhën në Shqipëri nga fillimi i viteve ’20, dhe gjatë gjithë periudhës së Monarkisë. Në një nga këto rebelime të armatosura të ndodhura në Tiranë në vitin 1922, Murati u plagos në gju dhe me interesimin e Ahmet Zogut, ai u dërgua për t’u kuruar fillimisht në Itali dhe më pas në Austri. Gjatë asaj kohe që ishte për mjekime në Austri, Murati kreu edhe një kurs tjetër 18-mujor në armën e xhandarmërisë. Edhe pse mbeti sakat nga këmba e plagosur, Murati u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi të shërbente në armën e xhandarmërisë, ku vijoi detyrat e tij deri në qershorin e vitit 1924, kur forcat fanoliste kryen kryengritjen e armatosur dhe rrëzuan qeverinë e Shefqet Vërlacit. Në atë kohë, si një nga njerëzit më besnikë të ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogut, Murati e shoqëroi atë gjatë largimit të tij nga Shqipëria për në Jugosllavi dhe duke i qëndruar pranë gjatë gjashtë muajve të azilit politik në shtetin fqinj. Po kështu, ai u kthye në Shqipëri me Ahmet Zogun dhe besnikët e tjerë të tij në 24 dhjetorin e vitit 1924, duke qenë një nga ushtarakët më aktivë në atë që njihet si Triumfi i Legalitetit, e cila risolli Zogun në fuqi. Pas 24 dhjetorit të vitit 1924, Kryetari i Republikës, Ahmet Zogu, i ngarkoi Hysen Selmanit detyrën e vështirë të drejtimit të reformave në Forcat e Armatosura dhe Ushtrinë Kombëtare Shqiptare, sidomos në krijimin dhe modernizimin e Repartit Special të Gardës Kombëtare. Në këtë detyrë mjaft të rëndësishme dhe delikate, kolonel Hysen Selmani kishte në krah të tij major Murat Bashën, duke e pasur atë njeriun më besnik.
Me urdhër personal të Mbretit Zog, toger Murat Basha u emërua komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë, detyrë të cilën ai e kreu me devotshmëri duke qenë mjaft korrekt dhe shembull për ushtarakët që specializoheshin aty. Që nga ajo kohë e deri në prillin e vitit 1939, Murat Basha kreu edhe mjaft detyra të tjera ngarkuar personalisht nga Mbreti Zog, si ato për shtypjen e Kryengritjes së Fierit në 1935, apo atë të Delvinës në vitin 1938, të udhëhequr nga vëllezërit Toto. Për ato shërbime dhe merita të veçanta, (sidomos pas shtypjes së Kryengritjes së Delvinës), Mbreti Ahmet Zogu i akordoi Muratit gradën e majorit, si dhe disa dekorata e medalje të tjera për shërbime dhe merita të veçanta.
.
7 Prill 1939 - Pushtimi i Shqipërisë
7 Prill 1939 – Pushtimi i Shqipërisë

7 prill 1939, lufton në Vorë e Prezë

Në 7 prillin e vitit 1939, kur Italia fashiste e Benito Musolinit kreu agresionin ushtarak duke pushtuar vendin tonë, major Murat Basha mori pjesë në rezistencën simbolike që iu bë pushtuesve italianë, duke drejtuar disa reparte të xhandarmërisë në zonën e fshatrave të Vorës dhe të Prezës. Pas kësaj, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, për të mos rënë në dorë të fashistëve italianë, të cilët e kishin futur në listat e ushtarakëve shqiptarë që do të burgoseshin apo internoheshin në Itali, pasi kishin kundërshtuar me armë pushtimin e Shqipërisë. Pasi doli në Jugosllavi, major Murat Basha u izolua bashkë me shumë patriotë të tjerë antifashistë, në kampin e ngritur nga qeveria serbe në rrethinat e Gostivarit. Në atë kamp ai qëndroi deri në vitin 1941 dhe në atë kohë, (pas pushtimit të Jugosllavisë nga Italia fashiste), bashkë me major Abaz Kupin u kthye në Shqipëri.
Në fundin e vitit 1942, ai u arrestua nga italianët në Dibër dhe u soll në Tiranë ku gjyqi ushtarak e dënoi me vdekje, me varje në litar. Por pas amnistisë së dhjetorit të vitit 1942, atij iu fal jeta dhe u internua familjarisht në Fier. Pas lirimit nga internimi, nën drejtimin e Abaz Kupit, major Murat Basha vuri në shërbim të gjitha aftësitë e tij për organizimin e forcave ushtarake zogiste të rezistencës, duke marrë pjesë dhe drejtuar disa luftime kundër italianëve. Këtë gjë ai e vazhdoi deri në kapitullimin e Italisë fashiste më 9 shtator të vitit 1943. Gjatë asaj kohe, major Murat Basha ishte një nga ideuesit dhe krijuesit e Partisë së Legalitetit, e cila u formua në nëntor të vitit 1943, në fshatin Zall-Herr të Tiranës. Duke qenë një nga njerëzit më të afërt dhe besnik të major Abaz Kupit, ai u përpoq dhe luftoi bashkë me të me qëllimin për t‘i dhënë vendit një forcë politike dhe ushtarake, e cila më pas do të përfaqësonte lëvizjen e rezistencës zogiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai formacion ushtarak i Legalistëve dhe rezistenca e tyre e armatosur u njohën edhe nga qeveria britanike, e cila dërgoi pranë tyre edhe disa misione ushtarake, si dhe ndihma të ndryshme në armatime, veshmbathje, ushqime dhe para.
.

Basha, një nga ushtarakët kryesorë të Legalitetit

Me krijimin e Partisë së Legalitetit, e cila në programin e saj do të kishte si alternativë modelin e qeverisjes së suksesshme dhe përvojën e drejtimit 15-vjeçar të shtetit shqiptar gjatë periudhës 1924-1939, Murat Basha u bë një nga udhëheqësit ushtarakë më të spikatur të saj. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në fillimin e shtatorit të vitit 1943, dhe fillimit të luftës civile nga ana e komunistëve të Enver Hoxhës, të cilët filluan goditjet me armë ndaj forcave nacionaliste zogisto-balliste, si një nga ushtarakët më besnikë të Mbretit Zog dhe ndër më të përgatiturit pranë shtabit të Abaz Kupit, major Murat Basha luajti një rol vendimtar në konsolidimin e strukturave ushtarake të “Legalitetit”. Kjo gjë u duk së tepërmi sidomos gjatë dimrit të vitit 1943-1944, dhe pranverës së vitit 1944, deri në fillimin e inkursionit të brigadave partizane komuniste në drejtim të Veriut, në gusht të vitit 1944. Në këtë periudhë, major Abaz Kupi i besoi major Murat Bashës drejtimin e forcave ushtarake të Legalitetit, (në atë kohë major Murat Basha u emërua shef i Shtabit të Forcave Ushtarake të Legalitetit, të përqendruar në fshatin Prezë të Tiranës), të cilat do të pengonin marshimin e brigadave partizane të Enver Hoxhës në malësitë e Tiranës dhe më pas drejt Veriut të Shqipërisë. Në këtë kuadër, në krye të forcave ushtarake të Legalitetit, major Murat Basha luftoi për mbrojtjen e familjeve legaliste dhe antikomuniste në grykën e Shpalit, duke rënë disa herë në përpjekje me forcat partizane, të cilat kryenin një terror të paparë mbi popullsinë civile të atyre fshatrave apo shtëpive që njiheshin si zogistë dhe ballistë. Pas luftimeve të përgjakshme në Shpal të malësisë së Tiranës, forcat zogiste të udhëhequra nga major Murat Basha, u tërhoqën në malësitë e Krujës dhe Matit, duke organizuar rezistencën kundër brigadave partizane të udhëhequra nga komunistët. Të cilët, ashtu sikundër kishin dëshmuar edhe në Jug, filluan reprezaljet dhe masakrat kundër forcave nacionaliste. Të tilla ishin ato të zhvilluara në krahinën e Martaneshit (kryesisht në fshatin Kurdari të Matit), në gushtin e vitit 1944, në të cilat, me urdhër të Mehmet Shehut e Shefqet Peçit u masakruan 47 civilë të pafajshëm, thjesht për të bërë terror e për të nënshtruar me lehtësi Veriun e Shqipërisë, ku forcat nacionaliste kishin një mbështetje të madhe. Në atë kohë, major Abaz Kupi dhe Murat Basha, u vunë në krye të luftimeve kundër forcave partizane në Mat dhe Malësitë e Krujës, duke i detyruar komunistët të tërhiqeshin disa herë nga inkursionet e tyre. Gjatë gjysmës së dytë të vitit 1943 dhe deri në nëntorin e vitit 1944, major Abaz Kupi dhe major Murat Basha, si dhe drejtues të tjerë të forcave legaliste, të këshilluar nga oficerët e misioneve britanike të atashuara pranë tyre, insistuan dhe bënë të gjitha përpjekjet që të evitoheshin gjakderdhja dhe lufta civile. Dhe për këtë gjë, ata u munduan të evitonin përpjekjet e armatosura me forcat partizane, të cilat kishin nisur mësymjen, jo ndaj forcave gjermane që tërhiqeshin në rrugët nacionale; Tiranë-Shkodër dhe Tiranë-Kukës, por ndaj forcave nacionaliste të Legalitetit, të cilat ishin përqendruar kryesisht në fshatrat e Tiranës, Krujës dhe Matit, ku kishin dhe mbështetjen kryesore të tyre.
.
Akil Murat Basha (1930-2013)
Akil Murat Basha (1930-2013)

Arrestimi dhe pushkatimi i Murat Bashës më 1945

Në fundin e vitit 1944, kur fitorja e forcave partizane komuniste të Enver Hoxhës, ishte çështje ditësh, major Murat Basha nuk pranoi të largohej nga Shqipëria ashtu si shumë eksponentë të tjerë të Ballit dhe Legalitetit. Me bindje të plotë se nuk kishte kryer kurrfarë krimesh lufte, aq më tepër kundër popullit, major Murat Basha pranoi me dëshirë t’i nënshtrohej një gjykimi të drejtë, ndonëse nuk besonte se ajo gjë do të bëhej prej fitimtarëve të luftës.
Mbas arrestimit, major Murat Basha u transferua në Burgun e Tiranës, në pritje të gjykimit, bashkë me shumë eksponentë të tjerë nacionalistë. Një nga bashkëkohësit e Murat Bashës, veterani i njohur i forcave nacionaliste të “Ballit Kombëtar”, Xhemal Alimehmeti, në kujtimet e tij, ka përshkruar dhe ka folur edhe për major Bashën, kryesisht për periudhën që ata të dy ishin bashkë në burgun politik të Tiranës. Me një kthjelltësi dhe kujtesë të admirueshme, 85-vjeçari Xhemal Alimehmeti, tregon edhe detaje të çasteve të fundit të jetës së major Murat Bashës, kur ai ndodhej para pushkatimit bashkë me 12 antikomunistë të tjerë, në fund të qershorit të vitit 1945. Veterani ballist, Alimehmeti, në kujtimet e tij mban mend se, pas një gjyqi me akuza absurde e me procedurë të përshpejtuar, u pushkatuan 13 nacionalistë, të cilët ishin: major Murat Basha, Sure Ajazi, Xhelal Peza, Mersin Hasa, Hajredin Zogolli, Besim Pazari, Isuf Diva, Osman Taraku, Mustafa Vrapi (Fagu njëzetvjeçar).
Katër të tjerët ai nuk i mban mend, pasi ishin shumë të rinj dhe pothuajse të panjohur, por që ishin antikomunistë. Lidhur me këtë, midis të tjerash Xhemal Alimehmeti kujton: “Ditën e pushkatimit ata i lidhën dy nga dy me copa telash me gjemba dhe, pastaj, të gjithë bashkë me një tel të gjatë. Në krye të djemve printe major Murat Basha, i cili u jepte zemër të gjithëve. Në fund të rreshtit ishte lidhur i riu trim Mustafa Vrapi (Fagu). Ne, të burgosurit e tjerë, e kishim marrë vesh vendimin e gjyqit për pushkatimin e tyre dhe me zemër të thyer po prisnin çastin e fundit për t’u ndarë me ta. Kur i nxorën në fund të korridorit të gjatë të burgut, major Murat Basha thirri me zë të lartë: “Rroftë Shqipnija Etnike… Rroftë Mbreti…!”, dhe pastaj filloi i pari të këndojë himnin kombëtar. Pas tij filluan të këndojnë të gjithë të tjerët dhe pas tyre filloi të këndojë me zë të fuqishëm i gjithë burgu. Gardianët u tmerruan. Në dalje të derës së burgut, Fagut iu prenë gjunjët dhe ra, por atij menjëherë i futi krahun patrioti kosovar, Osman Taraku, i cili e ngriti me fuqi dhe i dha zemër që të mos jepej para gardianëve. Siç mësuam më vonë, shkaku i dobësisë së Fagut ishte nëna e tij, e cila sapo kish marrë vesh se ata ishin dënuar me pushkatim, mendoi t’i mallëngjejë xhelatët, që të mos ia vrisnin djalin e vetëm. Fagu, kur pa nënën që iu rrëzua te këmbët, u ligështua për një çast, por e kaloi dobësinë dhe eci i vendosur me shokët. Pas njëzet minutash, ne të burgosurit, me zemër të ngrirë dëgjuam bataretë e pushkëve të skuadrës së pushkatimit. Pas kësaj, toga e partizanëve-vrasës erdhi duke kënduar këngë partizane, me tekst dhe muzikë sllave, të huazuara nga Tito e Stalini e të mësuara nga Dushani, Miladini e Ivanovi. Kontrasti midis këngëve sllave dhe këngëve patriotike e himnit të flamurit, bënin edhe diferencën midis nesh dhe komunistëve.
Unë njihja një partizan, i cili dikur kish qenë me Ballin, me forcat e Kadri Cakranit. Këtë partizan e quanin Qemal, dhe unë e takova atë pas disa ditësh dhe e pyeta për qëndrimin e trimave para pushkatimit. Ai më tregoi se ata vdiqën si heronj. Murati nuk kishte pranuar t’ia lidhnin sytë dhe para se xhelatët të qëllonin, kishte thirrur me zë të lartë: Qëlloni qenër… Rroftë Mbreti Zog… Pastaj arrestuan djalin e Muratit, Akilin 17-vjeçar, që në atë kohë ishte gjimnazist. Bashkë me Akilin komunistët arrestuan edhe shokët e tij, gjimnazistët antikomunistë: Bujar Doko (përkthyesi i famshëm), Abdulla Berberi, Ismail Lleshi, Petrit Toto, Petrit Berisha, Parid Derani, Perlat Myftari, Adem Petrela, Bardhyl Dindi etj., gjithsej 12-13 vetë. Që nga ajo kohë e deri në fundin e viteve ‘80, Akili kaloi kalvarin e burgjeve tre herë, ndërsa familja u keqtrajtua. Ashtu siç kishte frikë dhe shpesh më thoshte në burg edhe Murati, i cili nuk pyeste fare për veten, por kishte merak për Akilin, të cilin e kishte pikë të dobët, ndaj i lutej Zotit që ta shpëtonte. Ai gjithashtu kishte merak për të gjithë familjen, të cilën e adhuronte”. Kështu e mbyll rrëfimin e tij, 85-vjeçari Xhemal Alimehmeti, duke u ngashëryer në lot teksa kujton ish-shokët e tij të burgut që u ekzekutuan nga regjimi komunist në qershorin e vitit 1945, duke u akuzuar si “armiq të popullit”. Në kujtesën e Xhemal Alimehmetit, të bashkëkohësve dhe të të gjithë nacionalistëve të tjerë, major Murat Basha ishte dhe mbeti atdhetari i madh, që luftoi pa u kursyer për Shqipërinë dhe për Mbretin.
.

Major Basha: “Dëshiroj që vorri të mos më hupi”

Letra e fundit e Muratit për bashkëshorten e familjes, një ditë para pushkatimit.
Pak orë para ekzekutimit, në mbrëmjen e datës 6 qershor të vitit 1945, teksa priste skuadrën e pushkatimit për ta marrë, major Murat Basha mundi që t’i shkruante një letër bashkëshortes së tij. Në atë copë letër të cilën familja e Murat Bashës e ka ruajtur si një nga gjërat më të rralla të saj, thuhet:
“Ah grue, moj e zeza grue! Tash shtatë vjet që zemra jote qet vetëm vaje, lot dhe vner, domethënë qysh prej 7 Prillit 1939, dhe ti moj e bekueme, me gjithë kalamajtë vuejte, u mundove, u burgose, u internove, u dogje dhe u përvëlove. Kështu ra që edhe ti e bane luftën tande. E përse? Për të fituar lirinë! Kurse sot, që pritshim për me shiju të drejtën, mundin, djersën dhe gjakun e derdhun, përkundrazi, paska qenë kadër për me u ba kurban i mundimeve tona e viktimë. Ani, ani Sato e dashun, prap mos u dëshpro, por, të lutem, si ngahera banu burrneshë e qëndro, se unë po bahem kurban i Lirisë së shenjtë. Tanë bota e din çeshtjen t’eme dhe e çmon fare mirë.
Porosi sa vijon:
1-Amanet kalamajtë, shumë, shumë, shumë kujdes për fatin dhe edukimin e djemve dhe me ju dhanë ndonji zanat.
2-Mbasi shpija asht e juaja, besoj se s’kanw me ja u nga, bani si të bani e Zoti ju ndihmoftë dhe kam besim se miqtë s’kanë me ju lëshue doret.
3-Dëshiroj që vorri të mos më hupi.
4-Teshat që kisha me vedi në burg, i tregon lista ngjitun. Rujini si kujtimin ma të shtrenjtë nga ana jeme.
5-Me Metin takojuni, se mund t’u bajë hall për ndihmë.
6-Këto letra ja u nepni të adresuemve.
7-Nuk më vjen keq se po vdes, se po vdes për Liri dhe për çeshtjen tonë të madhe. Po hallin tuej e të rrethit familjar e kam të madh, se e di se në ç’gjendje po ju lej, e nuk po mund ta përshkruej dëshprimin tem, po fuqimadhen Perendi paçi ndihmë.
Pra edhe njiherë po ju lutem e po u them të bani shumë gajret…
Po i nap fund, duke ju puth e përqafu gjithmonë.
Në zemrën tande – Murati
Edhe nji porosi: Vaje e gjamë mos me ba, vetëm gajret!
Burgu i Tiranës, 6 qershor 1945
.
Arben Shira - Pushkatimi
Arben Shira – Pushkatimi

Amaneti

Gjatë periudhës së komunizmit, u zhvarros e varros mbi pesë herë
Major Murat Basha, një nga njerëzit më besnik të Mbretit Zog, i cili i shërbeu atij me devotshmëri për 20 vjet me radhë, pas vdekjes, pati një fat tejet tragjik, si rrallë njeri tjetër në këtë botë. Kjo gjë lidhet me eshtrat e tij, të cilat gjatë periudhës së regjimit komunist të Enver Hoxhës, u zhvarrosën dhe u varrosën mbi pesë herë, duke iu ndërruar atyre vend sa herë që familja e tij, internohej nga një vendbanim në një tjetër, apo ato rrezikoheshin të zbuloheshin, dhe kështu humbte amaneti. I biri i tij, Akil Basha, i cili pas ekzekutimit të babait (Murat Bashës), në qershorin e vitit 1945, u arrestua dhe vuajti vite me radhë në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, u kujdes për eshtrat e të atit, duke mbajtur amanetin që ai i kishte lënë me shkrim, në letrën e fundit të datës 6 qershor 1945, nga Burgu i Tiranës, ku midis të tjerave i kërkonte familjes që varri i tij të mos humbte. Dhe atë gjë, Akil Basha dhe familja e tij e bënë realitet, duke i fshehur për herë të fundit eshtrat e tij në fshatin Klos të Matit. Ato eshtra të cilat ishin fshehur aty që nga viti 1972, u sollën dje në Tiranë nga nipi i tij, Murat Basha, dhe të afërm të tjerë të familjes, dhe sot paradite në orën 10 do të bëhet ceremonia e fundit e varrimit në parcelat e Shish-Tufinës. Pas kësaj, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar do të mbahet një sesion përkujtimor në kujtim të major Murat Bashës, ku pritet të flasin historianë, bashkëkohës të tij dhe njerëz të afërm të familjes Basha.
Janar 2008
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.