Murgeshat
nga Lukë Luka
Emni murgeshë thirret prej gjuhës latine “soror”, në italisht “sorella”, kthy në shqip: “motër”!
Murgesha asht nji gru (vajzë), e cila nuk ka mendu për martesë dhe i asht përkushtue jetës kolektive në nji kuvend. Ata (murgeshat), janë të lidhuna me nji kongretacion (urdhën fetar i kishës katolike), me emna të ndryshëm.
Në Shkodër kanë kenë tri kuvende murgeshash, që përfaqësonin urdhnat fetare te salesianët (shkolla e Qelës në Serreq), stigmatinët (në Gjuhadol) dhe servitet (italiane, afër jezuitëve).
(Këto u mbyllën prej shtetit komunist dhe murgeshat u shpërndanë)
Në fundin e vitit 1990, kur u shkëputëm prej prangave të diktaturës, u dukën edhe murgeshat e para të hueja si italiane, spanjolle, braziliane, arabe etj.
Në Shkodër u rihapën kuvendet e murgeshave stigmatine dhe salesiane.
Ma vonë erdhën edhe murgeshat e Nanë Terezes “Missionari della Carita”.
Në përgjithësi, në çdo kohë, murgeshat kanë punue, krahas punës fetare, edhe për mësimin dhe edukimin e fëmijëve (mësim gjuhësh të hueja, kryesisht italisht, punëdore etj.) Këto kanë punue e ndihmue edhe nëpër spitale për të lehtësue sadopak vuejtjet që u sillnin sëmundjet fatkeqëve!
Nji lloj tjetër murgeshe ishin edhe ato që thirreshin “murgesha shpije”. Këtu banin pjesë ato vajza, të cilat për arsye të ndryshme si për të ndihmue prindët e moshuem apo të sëmunë, ose sepse kishin pësu dështim në dashuni, etj., vendosin të mos martohen e të rrinë në shpi!
Populli me i qesëndisë këtyne u ka nxjerrë nji bejte (me të padrejtë): –
“Prej marrije, prej sherrije, te ka lanë zoti murgeshe shpije!!” (se në Shkodër po e pate ta heqin e po s’e pate ta venë!)
Për me fitue titullin murgeshë, vajza e re kalonte në disa etapa: përgatitje shpirtnore, metodike e mësimore.
Familjet e mëdha shkodrane, e kishin për krenari të kishin nji murgeshë kuvendi. Familjet Koliqi, Ceka, Manovi, Gurakuqi, Kraja, Çoba, Bazhdari, Shllaku, Saraçi, etj. kur vajza e tyne u shugurue murgeshë, banë gosta të mëdha si për nji darsëm me të ftuem, farefis e ilaka, shokë e miq!
Në foton e nxjerrë prej arkivit të familjes Xhuxha e vitit 1910, (fotografue për fb. nga Gj. Gj.) asht dasma e vajzës ba murgeshë kuvendi: Tereza Xhuxha Gjinaj, në momentin e daljes prej shpisë. Simbas rregullit të Kuvendit, ajo ndërron emnin tuej u quejtë motër Gjyzela Gjinaj Xhuxha.
Marrë nga Lukë Luka, 1 shtator 2024