back to top
-0.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri – Vepër e Nilo Borgias – Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII.

Gazeta

Nilo Borgia - (1870-1942)
Nilo Borgia – (1870-1942)
Nilo Borxhia, o At Nili Borshia (Hora e Arbëreshëvet 1.03.1870 – Grotaferratë 3.03.1942),
dijetar arbëresh e murg basilian i ritit bizantin, bibliofil, filolog,
shkrimtar e teolog shqiptar në diasporë, i cili u largua shumë shkrime
për kulturën shqiptare-bizantine në Itali. Misionar në Shqiperi, veçanërisht në jug,
në qytetin e Himarës, themeluar asamblenë e murgjit arbëreshë i ritit lindor n’Atdhe.
Në vitin 1921 ai themeloi Institutin fetar e “bijat e Shën Makrinës”, duke pasur si qëllim të saj
shkollimin dhe arsimimin e vajzave të reja të kolonive shqiptare në Itali.
Dorëshkrimi i Gramatikës e parë e shqipes, që i përket vitit 1710,
ruhet në Bibliotekën e Manastirit të Grotaferratës, afër Romës.
Informacionin e parë për këtë gramatikë e pati dhënë studiuesi arbëresh Nilo Borxhia,
83 vjet më parë, duke botuar në revistën “Diturija”(1927, nr.12) të Lumo Skëndos
një shkrim me titull “Një gramatik’ e voglë e gjuhës shqipe, më 1710″.
Autori njofton se dorëshkrimi hyri në këtë bibliotekë në vitin 1923.
.
Nilo Borgia - Murgjit Bazilianë të Italisë në Shqipëri
Nilo Borgia – Murgjit Bazilianë të Italisë në Shqipëri

Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri – Vepër e Nilo Borgias

Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII.

“Një vepër me vlera të jashtëzakonshme për historinë e Shqipërisë”, kështu është konsideruar nga albanologët libri më i ri për Himarën e shekujve XVI-XVIII, i sapohedhur në qarkullim nga shtëpia botuese “Naimi”. Me këtë rast, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, vepra e Nilo Borgia-s, që botohet në gjuhën shqipe nën titullin “Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri – Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII”, u promovua në sallën e Ministrisë së Kulturës, Tiranë, ku, përveç studiuesve vendas, ishin të pranishëm edhe albanologët e njohur nga Italia, prof. Francesco Altimari e Matteo Mandalà.
Personalitet i botës arbëreshe në vitet ’30 të shekullit të kaluar, autori përshkruhet kështu nga Eqrem Çabej: “Nilo Borgia e kaloi pothuajse gjithë jetën e tij në Grottaferrata afër Romës. Ishte një gjë prekëse të shihje këtë plak sa interesohej për gjuhën e të parëve dhe për studimin e saj gjer në ditët e fundit të jetës së tij. Me zell të madh gjurmonte nëpër arkiva dokumentet që i përkasin Shqipërisë dhe monumentet e vjetra gjuhësore. Gjatë një bisede aty nga viti 1940, ai i kumtoi shkruesit të këtyre rreshtave se kishte zbuluar në arkivat e Vatikanit një dokument gjuhësor shqip të vjetër, më të vjetër se ato që dihen gjer tani. Vdekja mjerisht e ndaloi atë të na jepte të dhëna më konkrete rreth kësaj çështjeje me rëndësi themelore për gjuhësinë shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë në lëmin e albanistikës”.
Matteo Mandalà, i cili ka shkruar parathënien e botimit të librit në gjuhën shqipe, veçon dy merita të kësaj vepre: “Figura, si murgjit Nilo Catalano, Filoteo Zassi, Basilio Matranga, Giuseppe Schirò morën pjesë aktivisht në lëvizjen kulturore të shek. XVIII. Njohja dhe studimi i kësaj lëvizje është e domosdoshme për të kuptuar zanafillën e romantizmit shqiptar, që deri më sot është përshkruar si një pemë madhështore pa rrënjë. Nga kjo pikëpamje, merita e parë e veprës së Nilo Borgia-s qëndron në faktin se ajo përshkruan një ndër periudhat më të dendura të kulturës mbarëshqiptare, e cila patjetër duhet thelluar e studiuar më tej, duke mbetur një imperativ për historiografinë e sotme shqiptare”.
Merita e dytë, sipas prof. Mandalà-it “ka të bëjë me kontributin e jashtëzakonshëm të njohurive që jepen nga burimet arkivore dhe dokumentet e shumta që botohen për të parën herë. Dokumentacioni i përpunuar nga misionarët dhe nga Nilo Borgia përbën një burim të rëndësishëm që i lejon historianët dhe studiuesit të rindërtojnë, edhe pse me rezervat që rrjedhin natyrshëm nga dëshmi të tilla, dinamikën e disa zhvillimeve në trevat jugore të Shqipërisë ku më shumë se gjetkë është ndjerë pesha e konflikteve etnike, sociale dhe fetare. Nëse Himara e shek. XVIII gëzon privilegjin të jetë përshkruar gjatë periudhës historike të tranzicionit të vështirë kulturor dhe fetar, kjo u detyrohet misionarëve bazilianë që punuan aty, por edhe historianit Nilo Borgia, i cili, disa shekuj më vonë, e ringjalli veprën e tyre të jashtëzakonshme”.
Prof. Francesco Altimari tha se, duke u nisur nga botimi i librit të Nilo Borgia-s, mund të thuhet pa asnjë dyshim se shekulli i XVIII nuk mund të konsiderohet më si “shekulli i heshtjes” për shqiptarët. Përkundrazi, me këtë vepër të botuar tashmë edhe në gjuhën shqipe, si edhe me disa vepra të tjera albanologjike të botuara së fundi për kontributin e arbëreshëve në Itali, dëshmohen rrënjët e rilindjes dhe formatimit të kombit shqiptar me identitet të përcaktuar.
Prof. Shaban Sinani nga Qendra e Studimeve Albanologjike, Tiranë, vlerëson: “Kemi të bëjmë me një botim të rrallë dhe të rëndësishëm në fushën albanologjike, ku dalin në dritë dokumente origjinale nga Arkivi i Vatikanit, të cilat dëshmojnë përpjekjet e vazhdueshme të misionarëve të krishterë e sidomos të atyre me origjinë shqiptare për të ruajtur lidhjet e Shqipërisë me botën perëndimore. Libri do t’u vijë në ndihmë studiuesve të historisë së Shqipërisë, albanologëve, studentëve dhe lexuesit në përgjithësi. Botimi i kësaj vepre të munguar plotëson një boshllëk të madh për sa i përket historisë së përkatësisë fetare të asaj krahine dhe ndihmesës që kanë dhënë priftërinjtë me origjinë shqiptare për të lidhur Shqipërinë me qytetërimin perëndimor në periudhën e errët të pushtimit otoman dhe të myslimanizmit të detyrueshëm të trojeve shqiptare”.
Nilo Borgia-s “I monaci basiliani d’Italia in Albania 1-2” (Shënime të historisë së misioneve apostolike në Shqipëri në shek. XVI-XVIII, botuar në Romë, vëll. I dhe II), ndërkohë vlerësoi profesionalizmin e përkthyeses së librit, Mimoza Hysa.
/rajonipress/
.
Manastiri i Grottafferrates
Manastiri i Grottafferrates
Skeda e librit: Autor: Nilo Borgia
Titulli: Murgjit bazilianë të Italisë në Shqipëri-Shënime mbi misionet në Himarë: shek. XVI-XVIII.
Përktheu prej origjinalit në gjuhën shqipe: Mimoza Hysa
Redaktor: Prof. Shaban Sinani
Recensues: Prof. Matteo Mandalà, Prof. Pëllumb Xhufi
.
marre nga https://rajonipress.com

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.