back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Musa Qesexhi – Epika Legjendare Shqiptare

Gazeta

Epika Legjendare
Epika Legjendare

Musa Qesexhi

Epika Legjendare Shqiptare

Aman Zot ty t’kofshim falë!
Kur m’ish kanë aj Musa Qesexhi, 
n’hysmet Mretit Musa kish hi. 
Dymbdhetë vjet n’hysmet i ka ndejë,
5 as po i del me ngranë, as me pi,
as po i del me u veshë, as me u mathë! 
E n’mejhanë Musa ni ditë ka shkue, 
shokve t’vet n’mejhane u ka thanë: 
“N’hysmet Mretit vetë i kam hi,
10 dymbdhetë vjet në ta i kam ba,
as po m’del me ngranë, as me pi,
as po m’del me u veshë, as me u mathë. 
Kur t’e fali zoti vern e bardhë,
prej hysmetit Mretit due me dalë,
15 n’Luk t’Preljepes kullat due me i ngrehë, 
katarosh tha, kullat due me i ba.”
Shok’t e vet at Musën e kanë qeshë,
po fjal’n e vet Musa s’e harron!
Kur e fali zoti vern e bardhë,
20 ish njomë toka me gjeth e me barë,
prej hysmetit Mretit na i ka dalë,
n’Luk t’Preljepes kullat m’i ka nreqë, 
Katarosh, tha, kullat na i ka ba, 
karshillëk të madh Mretit i ka ngrehë,
25 mejdanxhit, Mretit të gjithë ja ka pre! 
Qat’herë letrën Mretit ja ka çue:
“Në mejdan, Mret, ti ke me m’dalë, 
ndo me m’lshue gjysën e mretnisë.” 
Ka marrë Mreti letrën po e këndon,
30 gjithë me lot letrën po e loton. 
Çika e vet Mretit te i ka thanë:
“Mjaft shum letrat, babë i ke kndue, 
kurr s’t’kam pa, babë, tuj lotue;
Ti shka kie letrën si e loton?”
35 “Un ç’faj kam, mori çikë – i ka thanë – 
e kam pasë at Musen Qesexhi,
dymbdhetë vjet n’hysmet e kam mbajtë, 
prej hysmetit mue Musa m’ka dalë; 
n’Luk t’Preljepes kullat i ka nisë,
40 katarosh kullat i ka ba, karshillëk, 
Musa më ka ngrehë,
mejdanxhit të tanë m’i ka pre;
un nu’ mundem mejdan për me i dalë, 
as nuk kam n’mejdan ka me i qitë.”
45 Ka qitë çika Mretit i ka thanë: 
“Mejdanxhinë Musës ja gjej vetë. 
Tash nanë vjet n’burk si e ke zanun, 
i thonë për emën Krajleviqe Marku, 
ti prej burgut Markun me e nxjerrë,
50 n’mejdan Musës aj ka me i dalë.” 
Fjal’n e çik’s Mreti ma nigon,
n’derë të burgut Mreti kishte shkue. 
“Zot, ku je, Kraleviqe Marku?” 
“Qetu jam, por s’kam pse me kanë;
55 tash nanë vjet n’burg si më ke xanë, 
tash nanë vjet pa la, pa ndërrue,
tash nanë vjet kam ndejë pa rrue, 
m’kanë ra flokët, tha, deri në shokë 
e m’kanë ra qerostë në sy.”
60 Qat’herë qiti Mreti e i ka thanë:
“Un prej burgut po due me t’hjekë, 
n’mujsh me ma prè Musen Qesexhi.” 
Bes’n e zotit aj ja ka dhanë:
“Ndo me shpatë Musën ta kam prè,
65 ndo n’ket burg po t’vi opet.” 
Qat’herë derën Mreti ja ka çelë
e n’pazar Krajli kishte ra. 
N’berberhane Krajli te ka votë 
edhe kryet sa mirë e ka rrue,
70 mirë ish la e sa mirë ish ndrrue 
e tu mjeshtri Krali ka shkue:
“Ni shpatë të mirë, thotë, me ma mbarue.” 
Sa t’mirë shpatën e kish mbarue!
Kur n’dorë Krajli ma ka marrë,
75 betë në zotin Krajli i ka ba:
“Shpatë ma t’mirë, thotë, kurr a ke mbarue?” 
Be në zotin mjeshtri i ka bamë:
“Shpatë ma t’mirë kurr’ nuk kam mbarue,
jashta shpatën e Musë Qesexhisë,
80 si m’i ka pru treqin okë çelik,
un gjashtë dit n’zjarm i kam mbajtë, 
tridhetë oksh ma s’mbrami ka dalë 
e me shpatë kulles m’i ka ra.
-Be në Zotin mjeshtrì, m’i ka ba –
85 përmjet kullën me ta ma ka dà
e dy pllamë në dru ma ka ngulë!” 
Qat’herë trema Krajlit i ka hi,
për bjeshkë rrugën e ka marrë, 
po i del kundra Musës Qesexhi.
90 Musa kundër ishte kanë.
“Kush je n’bjeshkë si rrugën ma ka xanë?”
Krajli n’bjeshkë po i pisket.
Sa shpejt Musa ishte ardhë,
të dy në gjoga trimat ishin kanë,
95 shpatë për shpatë trimat i kanë sjellun, 
katër copash shpatat m’i kanë ba,
fyt për fyt aty ishin kapë,
tre sahat t’kapun kishin ndejë
e për fundi Musa ma ka vu.
100 Ka nisë fryma Krajlit me ju sosë,
ka nisë shpirti Krajlit për me i dalë. 
Zoti e vraftë at Krajlin, ça ka ba?
Ka qitë Musës e i kanë thanë: 
“T’kishje, Musë, mue për me m’falë,
105 probatin un kishje për me t’xanë.” 
Qatherë Musa duert ja liron.
Po ç’ka bani Krajleviqe Marku? 
Në besë trimin aj e kish prè 
Edhe shpirti Musës i kishte dalë!
110 E te Mreti Krajli kishte vojtë,
për Musën Mretit po na i kallxon. 
Sa fort Mreti ishte gëzue!
Zoti e vraftë at Krajleviqe Markun, 
n’bes’n e vet njerìn qysh me e prè?!

.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.