back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Musine Kokalari (10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983) Biografi nga Arjeta Kokalari – 100 Vjetori i Lindjes

Gazeta

Musine Kokalari (1917-1983)
Musine Kokalari (1917-1983)

Musine Kokalari (10 shkurt 1917 – 13 gusht 1983)

Biografi për Musinenë nga Arjeta Kokalari

100 Vjetori i Lindjes

(mbështetur në vetë shkrimet dhe dorëshkrimet të saj)

 
Në 10 shkurt të vitit 1917, plot 100 vjet më parë Familja e Reshat Kokalarit do të gëzohej me ardhjen në jetë të fëmijës së katërt Musinesë, e vetmja vajzë pas tre vëllezërve më të rritur. Musineja lindi në Adana të Turqisë, ku familja jetonte në atë kohë, pasi i ati i Musinesë punonte si Gjykatës.
Si i ati, ashtu edhe vëllezërit më të rritur ishin veprimtarë aktive për çështjet patriotike. Reshati ishte një nga firmëtarët e ndarjes së fesë myslimane shqiptare nga ajo turke dhe krijimin e autoqefalisë myslimane Shqiptare, ndërsa dy vëllezërit e mëdhenj të Musinesë, Muntazi dhe Vesimi hapën të parën shkollë shqipe në Turqi, për t’u mësuar fëmijëve të komunitetit shqiptar gjuhën shqipe. Në këtë mjedis patriotik dhe arsimdashës lindi Musineja. Ja si e përshkruan Musineja familjen në shënimet e saj: “Edukata time është ajo e shkollës së Rilindjes. Gjithë kolektivi arsimor e ka kryer me nder këtë detyrë në kohën tonë, në kohën që u bë unifikimi i shkollave, sidoqë mungonin tekstet etj. Unë nuk kam njohur varfërinë, nuk kam njohur pasurinë. Ne në familjen tonë të gjithë kemi qënë me shkollë, 3 vellezër dhe unë katër. Të gjithë kemi punuar dhe kemi kërkuar si e si të përhapim kulturë. Ambienti im familjar ka qenë shumë i thjeshtë dhe i kufizuar në marrdhëniet orientuse të kohës, në lidhjet farefisnore e tarafe…
Çertifikata e lindjes e Musine Kokalarit
Çertifikata e lindjes e Musine Kokalarit
…Nuk kam njohur konflikte shoqërore. Kam njohur burgje ne familjen time. Më 1924, vëllezërit e mi shkuan bashkë me të tjerët, pavarësisht se u thyen. Ishin profesorë të dy. Muntazi, i madhi ishte kryetar i shoqatës Bashkimi në Gjirokastër. Organizator i foot-bollit. Ai pikturonte mirë. Ishte portretist (diletant). Vëllai i dytë vizatonte mirë dhe ai. Merreshin të dy me pirografi dhe kopshtari. Hamiti, më i vogli ishte kryetar i grupit te mandolinistëve, një nga lojtarët më të mirë të tenisit. Ai meresh me akuarel. I binte mirë kitarës. Vetë mësoi fizarmonikën. Në Tiranë dhepianon. Babai im ishte avokat. Gjyshi im myfti, bëri çmos që të dy djemtë të ishin me shkollë.
Dhe xhaxhai im i drejtësisë ishte. Djali i tij Salimi, mësues, gjer në Paris shkoi me familjen për të vazhduar akoma më shumë.”
Klasa e Musinesë me mësuesen Urani Rumbo - viti 1926
Klasa e Musinesë me mësuesen Urani Rumbo – viti 1926
Në vitin 1921, kur Musineja ishte 4 vjeç, familja Kokalari u kthye në Gjirokastër, në qytetin e origjinës. Këtu Musineja ndjek shkollën fillore, duke marrë mësimet e para nga pionieret e emancipimit të femrës në shoqërinë shqiptare, mësueset Urani Rumbo e Sevasti Dako.
Reshati punonte si avokat dhe këshilltar juridik. Ai mori mori pjesë në hartimin e legjislacionit juridik. Dy vëllezërit e saj të mëdhenj punonin si mësues dhe me hapjen e Liceut Francez u bënë pjesë e të parit staf pedagogjik të tij.
 
Musineja 3-vjeçare me vëllain Hamiti
Musineja 3-vjeçare me vëllain Hamiti
Por pas ngjarjeve politike të vitit 1924, Revolucionit të Qershorit dhe pas përmbysjes së tij të dy vëllezërit e Musinesë u pushuan nga puna, madje Vesimi si pjesmarrës në Organizatën e fshehtë të Vlorës (Organizatë e Bashkimit Kombëtar 1931-1932, që kishte për qëllim vendosjen e Republikës) u burgos në “7 Penxheret” si mbështetës të Fan Nolit. Kjo ishte arsyeja që prej vitit 1930, familja filloi të zhvendosej sërish, kësaj here drejt Tiranës. Në kujtimet e saj Musineja tregon se ishte shumë e trishtuar. Ajo kishte filluar të merrte mësime pianoje më një mësuese gjermane që ishte shumë e rreptë me nxënëset e saj, por trishtimi për vëllezërit e kishte dëshpëruar dhe ligështuar kaq shumë Musinenë e vogël sa vetëm qante dhe nuk mundej t’i vazhdonte më leksionet. “Frau” e rreptë e kuptoi gjendjen e saj dhe nuk i bërtiste më, por përkundrazi e trajtonte me dhembshuri. Ja si e përshkruan këtë moment Musineja në shënimet e saj: “Më 1932 kur vëllai tim ra ne burg, unë ndjeva një melankoli te madhe, kur veja e shihja midis shokëve të njohur. Dhe atëherë pjanua për mua u bë nje torturë. Nuk mundesha te përqëndrohesha dhe heshtja. Më vinte ndër mend kalaja në Gjirokastër, kur veja dhe shikoja te mbydhur brenda te dy vëllezerit, me dy shokë të tjerë. Më ngjethej mishtë në korridorët e ftohta kur kaloja. Kur dilja jashtë, dridhesha nga një mundim i brendshëm. Dhe nuk mund të gëzohesha…
Ky shqetësim më pushtonte dhe në vitin 1932, nuk mund të luaja pjano. Pasioni tim u kthye në stërmundim dhe në një mbydhje ne veten time. Frau Gertruda, një gjermane, u alarmua. Ajo kishte zakon që nxënëset që s’i bënin mirë ushtrimet i qëllonte me një shkop të hollë dhe bërtitte.

Musine Kokalari viti 1937
Musine Kokalari viti 1937
Me mua, pas gjendjes së dëshpëruar time ajo ndjente keqardhje.Kur gaboja, i binte anës së pjanos. Sa pa lot bërtitte. Pastaj më mirrte me të mira: “Ma petite pourgoi?” dhe vazhdonte me frëngjishten, duke pjetur se ç’më mundonte. Unë dridhesha, më mbusheshin sytë me lotë. Dhe heshtja. Mundohesha ta kuptoja pse njerëzit duhet të punojnë, të përpiqen fshehtas. Pse të futen në burg, se duan një gjë të drejtë.
Kjo gjendje e ndërpreu hovin e parë dhe shpresen e madhe qe kishte frau Gertruda që të më bënte një pjaniste të madhe.
Dhe mua më pëlqente vizatimi. Në ekspozitat vjetore te shkollës paraqitesha me pamje të trishtuara të natyrës, me kënde te vetmuar, punuar me karbon. Ngjyra e zezë më mbërthente dhe s’më lëshonte.”
Dëftesa e përfundimit të Institutit “Nana Mbretneshë” Musine Kokalari viti 1937
Dëftesa e përfundimit të Institutit
“Nana Mbretneshë” Musine Kokalari viti 1937
Pas shpërnguljes në Tiranë, i ati vazhdoi profesionin e avokatit, Muntazi hapi një studio noteriale dhe më vonë shtypshkronjën “Mesagjeritë Shqiptare”, Vesimi hapi librarinë “Venus” në qendër të Tiranës, ku mblidheshin gjithë intelektualët e kohës, Musineja vazhdoi të shkollohej në Institutin Femëror “Nana Mbretneshë”, të cilin e mbaroi në vitin 1937, e gatshme për të vazhduar studimet universitare.
Po në vitin 1937, Musineja regjistrohet dhe fillon studimet në Universitetin “La Sapienza” të Romës. Ja si e përshkruan vetë Musineja këtë çast të rëndësishëm të jetës së saj: “Në qershor të vitit 1937, përfundova në Tiranë studimet në shkollën e mesme, dhe fillova atëhere të mendoj intensivisht për muaj e muaj për një ëndërr të madhe, e re për ne vajzat shqiptare, Universitetin. Shumë shpesh here kisha dëgjuar të flitej për jetën Universitare, si një jetë e lehtë, e këndshme, plot ëndrra. Mungesa në vendin tonë e kësaj shkalle të lartë studimi, na shtyu ne vajzat shqiptare jashtë dhe natyrisht në Itali, të kërkojmë mënyrën për të arritur synimet tona…”
Musineja lindi në Turqi dhe tradicionalisht familjarët e saj duke filluar nga gjyshi, i ati vëllezërit qenë shkolluar aty, por tërheqja e saj “natyrale” qe nga Perëndimi, aspiratat e saj ashtu si të brezit të ri që do edukohej në Shqipëri ishin për të sjellë në vendin e tyre kulturën Perëndimore. Për këtë Musineja iu përkushtua studimit thellësisht duke kaluar shumë kohë në bibliotekë, por edhe duke studiuar sjelljen dhe ndërtimin e shoqërisë dhe komunitetit në vendin ku studjonte, duke bërë njëkohësisht krahasimin me vendin e saj, duke vlerësuar mënyrat e përparuara të vendit të ri, por gjithashtu duke vlerësuar gjithshka të mire në jetën tradicionale dhe zakonore të vendit të saj. Shqipëria vinte nga një shoqëri patriarkale, ku gruaja s’guxonte as t’i fliste burrit me gojë, jo më të ngrinte zërin për të drejtat e saj. Musineja nga të parat u bë zëri i gruas së mbyllur brenda katër mureve, veçanërisht atyre gjirokastrite, me të cilat kaloi fëmijërinë që mesa duket ka qënë aq mbresëlënëse në zhvillimin e saj. Ishte nga të parat vajza që guxuan të shkruajnë në shtypin e kohës, duke përdorur pseudonimin “Muza”, pa e ditur që qysh në gjallje të saj ajo do të ishte një muzë frymëzuese për këdo që aspiron lirinë e mendimit dhe të fjalës, për këdo që aspiron një shoqëri të emancipuar.
Musine Kokalari - "Siç më thotë Nënua Plakë"
Musine Kokalari – “Siç më thotë Nënua Plakë

Në vitin 1939, Musine Kokalari boton librin “Siç më thotë nënua plakë”, që shënon në letërsinë shqiptare të shkruar të parin libër të botuar nga një grua. Ky libër tërhoqi vëmendjen e qarqeve intelektuale të kohës dhe u vlerësua shumë. Pati dhe nga ata që nuk e pritën mire, por Musineja i mirëpriti kritikat e tyre me shumë vëmendje dhe interes. Në letërkëmbimin me poetin e shquar Lasgush Poradeci, ajo shkruan: “Kjo gjë më gëzon shumë, sepse mendimet e kundërta hapin rrugën e kritikës që ka një vlerë të madhe… Njerëzit që nuk më pranojnë, i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mire, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives.”

Dëshmia e Doktoraturës nga Universiteti "La Sapienza"
Dëshmia e Doktoraturës nga Universiteti “La Sapienza”

Në vitin 1941, Musineja përfundoi Universitetin duke marrë titullin “Doktor” në letërsi. Ajo zgjodhi ta mbrojë këtë titull me një studim të zgjeruar për Naim Frashërin. Jo rastësisht ajo zgjodhi një nga rilindësit tanë të shquar për temën e doktorimit. Ja ç’shkruan në shënimet e saj: “…u laurova më Nëntor 1941, duke mbrojtur tezën në përgjithësi për jetën dhe veprën e Naim Frashërit, në katedrën e gjuhës shqipe që përfaqësohej nga arbëreshi Zef Skiroi dhe Namik Resuli. Ne jemi brezi i rritur dhe ushqyer me ndjenja, mendime të vëllezërve Frashëri. Ata të tre ishin për ne apostuj të shqiptarizmit, të lirisë, të barazisë, të demokracisë. Unë e kam njohur këtë ambient që në vogëli. Jam rritur me gjithshka që rritej, zhvillohej, kërkohej, ishte mbështetur në botkuptimin e thellë illuminist dhe në reformimin e parlamentarizmin që na ushqeu Sami Frashëri që në bankat e shkollës…”

Pas përfundimit të studimeve, Musineja u kthye në Shqipëri për të kontribuar për vendin e saj.
Ajo botoi edhe dy libra të tjerë “Rreth vatrës” (1944) dhe “Sa u tunt jeta” (1945). Në të tre këta libra ka një këndvështrim të panjohur e munguar të shoqërisë shqiptare, atë me sytë e vajzave e grave, zëri i të cilave nuk ishte dëgjuar kurrë. Artistikisht këta libra janë shumë të pasur me ngjyrimin e të folmes popullore të jugut, të pasur me frazeologji, rituale, dhe përshkrim i detajuar i mënyrës së jetesës në familjet patriarkale, por dhe një paraqitje e dhimbshme e problemeve sociale që shoqëronin shoqërinë shqiptare të kohës. Një fotografim i mënyrës së jetesës, i bërë me shumë dashuri e here-herë me dhimbje, e here ishin një protestë e hapur ndaj padrejtësive shoqërore, varfërisë dhe problemeve sociale.
Gjithashtu ajo do të merrej me veprimtari politike duke themeluar në vitin 1943, Partinë Social Demokrate, me një program thellësisht demokratik, të cilin e publikoi gazetën “Zëri i Lirisë” në 1 shkurt 1944. Musineja me Partinë Social Demokrate mori pjesë gjithashtu në Bashkimin Demokrat Shqiptar, e para opozitë ndaj Partisë Komuniste e krijuar përpara zgjedhjeve të 2 dhjetorit 1945. Si pjesë e këtij grupimi Musineja do të hartonte një “Notë” të përbashkët drejtuar misioneve aleate në Shqipërinë e pasluftës së Dytë Botërore ku pasi bëhej një prezantim i gjendjes në vend, frikës që ekzistonte në popull, propagandës mashtruese dhe elementëve të dukshëm diktatorialë, kërkohej mbështetje për shtyrjen e zgjedhjeve për t’i krijuar mundësinë për pjesmarrje edhe grupimit opozitar. Të 75 firmëtarët e kësaj “Note”, mes të cilëve e vetmja grua Musine Kokalari, ishin të ndërgjegjshëm për rrezikun që u kanosej, po aq sa ishin të bindur se duhet të bënin diçka për të ndalur bishën komuniste. Por shqetësimi i Musinesë nuk qe për veten e saj: “Tani s’mendoj gjë tjetër veçse vëllanë e vetëm që më ka mbetur, ndryshe familja ime shuhet!”– do t’i thoshte Musineja pas nënshkrimit të Notës, Reis Hashos, pjestarit më të ri të Grupimit opozitar.
Musineja dhe i vëllai saj në Romë - 1940
Musineja dhe i vëllai saj në Romë – 1940

Lufta civile e maskuar pas Luftës Nacional Çlirimtare do ta godiste rëndë familjen e Musinesë. Ende pa u shpallur Tirana e çliruar, më 12 nëntor 1944, forcat “çlirimtare do të trokisnin në derën e Kokalarajve dhe dhunshëm do të merrnin dy vëllezërit e Musinesë, Muntazin dhe Vesimin. Së bashku me kushuririn e tyre Surja Kokalari dhe dhjetë të tjerë do të ekzekutoheshin pa gjyq. Trupat e tyre do të gjendeshin pas katër ditësh në bodrumet e hotelit Bristol. Të nesërmen arrestuan edhe Musinenë. Ja si i kujton Musineja këto ditë në shënimet e saj: “…Filloi lufta e Tiranës, dymbëdhjetë Nëntor m’i morën dy vëllezër e shumë të tjerë në lagje (për fat vëllai i tretë ishte i sëmurë me tifo), i vranë “ushtarakët çlirimtarë”. Më trembëdhjetë Nëntor më arrestuan. Më mbajtën në një shtëpi tek lagjia jonë. Ndaj të gdhirë kapërcyem tek Rruga e Fortuzit, ndënë gadishmërinë e tanksit gjerman. Na shpunë në rrugën “Bardhyl”. Na përplasën në bimsat e një shtëpie ku qenë shumë të burgosur të mbledhur andej-këndej. Më mori në pyetje Sulo Kozeli dhe Sotir Polena. Më thanë:

-Je social-demokrate?
-Po, – u thashë.
-Ke prurë përçarje? – me thanë.
-Bini një njeri që ta vërtetojë këtë, – i thashë unë.
-S’ke bërë luftë, – më thanë.
-S’na latë ju të bënim, – iu përgjigja.
-E ç’ke bërë?
-Jam marrë me shkrime. Kam botuar libër për fëmijë.
-Libër, – u përgjigj me injorancë Sulo Kozeli.
-Lufta është bërë dhe bëhet me pendë dhe me armë. Ti e bëre me armë, por me pendë s’je i zoti ta bësh.
Më dërguan prapë në birucë.
Erdhëm tek Rruga e Dibrës. Me liruan një herë, me kapën për herë të dytë, ku më vizitoi Beqir Balluku. Per 28 Nëntorin 1944, më liruan. Dy vrasje të pafajshme; në shtëpi më gjeti çlirimi dhe me pasigurinë e rrojtjes. Filloi tragjedia e individit demokrat, nën diktaturën e proletariatit.”
Musine Kokalari Para Gjyqit
Musine Kokalari Para Gjyqit

Në jetëshkrimin e saj një moment më kulmor do të ishte qëndrimi i saj në gjyqin e sajuar ku nëpërmjet inskenimeve, dhe dënimit të anëtarëve të grupimit të Bashkimit Demokrat, do të mbysnin përpjekjen e parë opozitare dhe do t’i mbyllnin rrugën çdo aspirate për një shoqëri të lirë dhe demokratike në Shqipëri.

Mjafton fotografia e saj në gjyq për ta kuptuar pse Musineja është një personazh i dallueshëm mes mijra viktimave të tjera të komunizmit. Arsyeja nuk është vetëm formimi i saj intelektual sipëror. Përgjigja e gjejmë tek kjo foto e realizuar gjatë gjyqit komunist, ku Musineja 28-vjeçare, me velin e zisë për vëllezërit e vrarë qëndron e në këmbë e qetë, e sigurtë, e bindur në pikpamjet e saj, megjithëse ishte e rrethuar nga urrejtja e njerëzve të eksituar prej propagandës komuniste, të cilët kishin mbushur brenda e jashtë sallën e gjyqit. Sa i pangjashëm ky vështrim trimëror me shumicën e atyre që me bindje, apo rastësisht u ndodhën në të njëjtat rrethana gjatë 50 viteve të diktaturës komuniste.
“Kështu u mbyll epoka e Rilindjes dhe tendenca demokratike nga pozita humaniste qe mbron popullin e thjeshtë, njeriun e punës për të shpëtuar nga skllavëria fizike dhe shpirtërore dhe dinjitetin njerëzor. Hyri dhuna dhe gjakderdhja për të shfarosur demokraten dhe gëzimi mizor për gjakderdhje, me forcë dhe mospërfillje!” – shkruan Musineja
Për shkak të veprimtarisë së saj politike Musineja do të dënohej nga regjimi diktatorial komunist me 20 vjet heqje lirie dhe internim e izolim deri në fund të jetës. Për veprën e saj nuk u fol kurrë për 50 vjet.
Ajo u detyrua të kalonte vitet e burgut, të internimit dhe izolimit e vetmuar. Disa here e bënte këtë, për të mos u dhënë material spiunëve, disa herë për t’u distancuar nga ordinerët dhe shpesh herë për t’i ruajtur nga raprezaljet njerëzit, të cilët i çmonte.
“…E takova rastësisht në Tiranë në fund të bulevardit të madh. Më tha se i kishte vdekur e ëma. Për këtë kishte marrë leje dhe po kthehej përsëri në Rrëshen. Ecëm disa hapa por ajo nuk më lejoi që ta shoqëroja deri tek stacioni i trenit.
-Njerëzit e ndershëm duhet t’i ruajmë, – më tha. Pikërisht për këtë ajo nuk donte të na shikonin duke biseduar.
-Nuk e shikon? Këtë lloj regjimi vetëm frika dhe terrori e mban. Njerëzit kanë frikë nga njeri-tjetri. Ja pra, këtë na bënë komunistët, na ndanë nga familja… Ajo iku duke më thënë me zë të lehtë: Demokracia do të triumfojë, por… nuk i dihet, le të shpresojmë shpejt…!” – Kështu shkruan në kujtimet e tij Reis Hasho.
 
Musine Kokalari 100 Vjetori (1917 - 2017)
Musine Kokalari 100 Vjetori (1917 – 2017)

Ndërsa vetë Musineja duke analizuar degradimin që po i bënte diktatura shoqërisë shqiptare, në shënimet e saj do të shkruante: “Mendime të çastit më vinë në kokë sa herë që shoh veten, ose rri në odë dhe s’më lexohet. Shikoj me sytë e mendjes dhe peshoj gjithë sa ka ndodhur ne jeten time dhe rrotull meje.

Ky revolucion përmbysi çdo gjë qe kishim trashëguar nga e kaluara. Vazhdimisht është një luftë shoqërore me njerëz që një çikë ndahen, bien thyejnë hundët. Është një gjyq i pandërprerë që bëhet me të gjallët, me të afërmit, me të njohurit dhe me të vdekurit. Sa njerëz në rrugën e nisur e kanë ndihmuar në kuptimin e vërtetë zhvillimin shoqëror dhe sa prej tyre, ne emër të këtij zhvillimi e kanë penguar atë. Mardhënie të ndërlikuara. Në mendjen time kam menduar vazhdimisht se dobësia e shtresës demokratike që u gjend në kontradiktë të hapur me regjimin e sotmë duhet të kishte ruajtur solidaritetin në dinjitetin personal, duke i bërë ballë punës së krahut, duke punuar në kushte e duke jetuar në mënyre modeste. Dhe përse vallë duhet t’i shmangeshim kësaj rruge kur gjithçka që menduam e vepruam nuk e bëmë për ndonjë interes personal. Gjersa na e dhanë punën e krahut pse të trembeshim, duke humbur atë nevojë morale që duhet të na lehtësonte këto kthesa të rënda në jetën tonë? Duhet të mbanim lidhjet tona. S’kishim asgjë për të humbur më tepër dhe asgjë për të fituar. Pse u shkëputëm?
Një e vërtetë e hidhur! Sido që kemi qenë vërtet njerëz të mirë, mbaruam shumë keq. U shpartalluam dhe moralisht. Duke rënë në burg si shumica, në vend që t’u shmangeshim në heshtje, t’u linim udhë, shumica u kacafytën me informatorët. U dhamë shkas që duke na zënë në fyt, shumë prej nesh u kthyen vetë në informatorë, me premtimin se do të merrnin një vend të mirë në jetën e lirë.
Këta nuk janë më të mençur se ne. Vetëm u treguan aq të vendosur, aq të palodhur duke na mbajtur në burg, sa që persekutimi i pandërprerë dhe frika e kazmës varrosi solidaritetin demokratik. Kështu të përçarë na shtrydhën, na shtypën dhe harruam që ne i përkasim një të kaluare të ndritur demokratike 100 vjeçare.
Por, prapë këta, nga gjiri i tyre, megjithëse kanë kaluar 35 vjet pushtet, gjer më sot s’kam parë individualitet të formuar, veç ligësisë!
 
Gjatë internimit në Rrëshen Musineja ishte e detyruar të punonte në punët më të rënda në ndërtim. Puna më e zakonshme ishte përgatitja e llaçit me krahë. Por ajo që e bënte më shumë të vuante, nuk ishte pafuqia e saj për të realizuar normat, as mënyra kafshërore se si silleshin me të,
por kujdesi i paktë që i kushtohej punëtorit të krahut në përgjithësi, duke e lënë atë të pakulturuar, gjë që e linte gjithë shoqërinë në një prapambetje të thellë nga e cila vështirë se mund të dilej.
“Puna e krahut është e rëndë dhe në socializëm që thonë se është klasa punëtore në fuqi, ai mbetet gjithmonë në fund, qoftë si dituri, aq më pak si pagesë dhe aq më shumë në mbylljen e tij, Brenda katër mureve të ndërmarrjes.”
Qysh në fëmijëri tek Musineja do të lindte pasioni i etnografisë. Ajo do të grumbullonte dhe seleksiononte gjithshka që nga shprehjet që në të folmen e përditshme njerëzve u dukeshin si të zakonshme, e deri tek këngët e ritualet. Ky passion do bëhej pjesë e pandarë e saj. Kudo që të ndodhej do të kërkonte nga shoqet edhe atje në oborrin e burgut t’i flisnin për zakonet e zonës nga vinin, t’i tregonin për përrallat, ritualet, fjalët e urta… të cilat i regjistronte me kujdes herë në kujtesë, herë në fletoret e saj. Studimi në bibliotekë, Histori familjare, shënime mbi jetën e saj, ngjarjet që kishte përjetuar, pikpamjet e saj kritike dhe estetike do të mbushnin fletore të tëra me
dorëshkrime, një thesar që prêt për t’u zbuluar, një pasuri në trashëgiminë kulturore të kombit.
 
“Në vetminë e vetkërkuar”, e larguar nga të gjithë, Musinesë i bënin shoqëri mësuesit e saj rilindas, idealet e të cilëve i mbrojti me bindje në çdo çast të jetës.
“Në odën time të vogël, ballë meje kam vënë fotografinë e iluministit te shquar Sami, të poetit Naim, te patriotit Sotir Kolea, punonjësit të gjuhës shqipe dhe të lëvizjes kombëtare Jani Vreto, të arsimtarit Koto Hoxhi, mendimtarit Naum Veqilharxhi, të nderuarit De Rada dhe të urtit Aleksandër Xhuvani. Në vetminë time nuk jam vetëm. Jetoj me njerëz të nderuar, të ditur,
demokratë që kanë punuar për vendin, për mëmëdheun gjer sa mbydhën sytë. Unë jam nxënësja
e tyre…”
Musine Kokalari Fotomontazh punuar Laredina Karaj
Musine Kokalari Fotomontazh punuar Laredina Karaj

 

“…33 vjet me radhë, dallgët e revolucionit më goditën pa ndërprerje. Më ndajtën nga të gjithë.
Me izoluan.Nga gjiri i familjes më shkëputën përgjithmonë. Lidhjet u dobësuan. Më duket sikur s’kam qënë kurrë midis njerëzve. U ndava nga ambienti kulturor, duke jetuar me njerëz me fytyrë njeriu po më keq se kafsha…”
Kjo ishte jeta që ju ofrua Musine Kokalarit nga “Pushteti Popullor”. Por me gjithë sakrificat që iu
desh të përballonte, e brishta dhe madhështorja Musine, kurrë nuk bëri kompromis me pushtetin, por mbrojti deri në fund idealet dhe bindjet e saj demokratike: “Lëvizjen e fshehtë revolucionare nuk e kam kuptuar kurrë. Dhe sot që jam ndeshur me revolucionin në çdo aspekt të jetës sime, prapseprapë unë mbeta në luftën e hapët politike.”
Deri ditën kur shpirti i saj u largua nga trupi i lodhur për në qiell.
Në vitin 1993, Musine Kokalari do të nderohej me titullin “Dëshmor i demokracisë”, ndërsa në vitin 2008 është nderuar me titullin më të lartë “Nderi i Kombit”.
Por çdo çmim që mund t’i akordohet Musine Kokalarit është gjithmonë më pak se ajo çfarë Musineja i ka dhënë shoqërisë sonë me shembullin e saj.
Musineja do të mbetet gjithmonë frymëzuese në çdo këndvështrim të jetës, veprës dhe ideve të saj.
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.