back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Muslimani shqiptar – Nji projekt paqet! poemë nga Gjergj Kola

Gazeta

Gjergj Kola
Gjergj Kola

Muslimani shqiptar – Nji projekt paqet! Gjergj Kola

(Fragment nga “Poema e Paqes”)

Muslimani shqiptar asht ajo fëminija e rritun bashkë
Me të cilën prindët tonë t’mbulem me çadrën e ateizmit
Mrekulloheshin kur festonim Bajramet dhe Pashkët
Me pak dromca jetet e shumë miqsi të sinqertë.

Muslimani shqiptar asht ai miku jem i rinisë
Me t’cilin ja numruem n’gojë diktaturës dhambët e prishun
Dhe sa herë ndër gurët e Shirokës mshehëm andrrat tona
Për me hikë matanë Taraboshit drejt lirisë si nji
Diell i përgjakun n’agim.

Muslimani shqiptar asht ai miku jem i shkollës
Me të cilin për ramazan rrijshim deri n’mesnatë vonë
Me pritë kangën fituese t´San Remos
Dhe shejtëve t’tjerë të panjoftun prej Hollywood-i…

Muslimani shqiptar martohet me t´kshtenë
Dhe së bashku  e zbukurojnë pemën e Krishtlindjes
Para vitit të ri, dhe fëmijve ju vejnë emna hebrejsh
Si Edi, Beni, Sara, Anila e plot emna tjerë pagan’sh triumfues.

Muslimani shqiptar asht ai hoxha i devotshëm
Qi racionin e darkës në natën e Spaçit e mshehte
Për brumin  osteve të meshtarit katolik kur këtij
Ja hjekshin djajtë e kuq për çdo natë pasionin hyjnor.

Muslimani shqiptar asht ai miku qi ndesha rastsisht
N’nji anije të prishun midis Adriatikut n’vitin ’91
Dhe ndamë bashkë cigaren dhe shishen e fundit të konjakut
Tuj prit vdekjen me sy hapët dhe gojë peshkaqenit…

Muslimani shqiptar asht ai artisti në Perëndim
Qi luen çdo fundjavë me violinë në kishë
Dhe në xhami shkon nji herë n’vjet për Bajram
Dhe mbetet mik paqësor me party-n e jetës së hareshme.

Muslimani shqiptar asht ajo dashnia e pashprehun
Për vajzën e dlirë qi numëronte bashkë me mu
Notat në pentagramin e mbushun me andrra
Dhe tingujt e hjedhun n’ajrin e ngimë më mistikë engjujsh….

Gjergj Kola

Related Images:

More articles

5 KOMENTET

  1. Gjergj,
    vërtet vargu tënd më mrekullon më rinon, më loton, më kujton, më forcon, më fisnikëron, më paqton, më lumturon e më bën me krahë, të fluturoj dhe t’i përqafoj në tërë anët e botës ku janë Shqiptarët myslimanë, katolikë e ortodoksë, duke ju lënë amanet atdheun ashtu si e deshën prej shumë vitesh të shkuara, myslimanët, katolikët e ortodoksët shqiptarë. Vetëm të bashkuar me njerin tjetrin do ta kemi për jetë të jetëve atdheun tonë, Shqipërinë.
    Gjergj, Zoti t’dhashtë shnet dhe frymëzim, në misionin tand, t’vyem, me i knua venit tand, qytetit tand, jetës t’shqiptarëve me penën tande t’ndritun, e mendimin tand të kthjellët, për ditë ma t’bukura e paqe shpirtnore në vllaznit e tu n’atdhe e kudo ku janë në botë. Amin…

    • I nderuar Luan!
      Dëshiroj t’ju përqafoj fort me rreshta fjalësh nga larg për fjalët e mira dhe sidomomos për mirëkuptimin për mesazhin tand se ne – Vetëm të bashkuar me njeri tjetrin do ta kemi përjetë të jetëve atdheun tonë, Shqipërinë. Mendoj se vetëm duke kallxuar shumëllojshëmrinë tonë gjejmë të përbashkëtat e bukura, ndërsa të mbyllim sytë përpara realitetit, vetëm sa na dobëson, na bën dëm shendetit të kombit tonë kaq të shumëvuajtur. Të flm edhe nji herë Luan, mik i nderuem i së bukurës, sidomos për sforcimin tënd në gegnishte dhe të uroj shëndet e mbarësi në jetë ty dhe të dashurve tuaj.
      Përzemërsisht: Gjergj Kola

  2. Flm Jozef Radi,
    koleg i nderuem i poezisë, mik i mirë, njeri i apasionuem i letrave shqipe e mandej… Unë mendoj se s’ka temë as motiv qi të mos preket e përfshihet prej fjales, ksaj dhurate hyjnore qi zotnojmë na njerzit…

  3. Gjergj Kola asht poet i nji sensibiliteti të veçantë…
    Ndoshta asht ku sensibilitet, kjo mënyrë e drejtpërdrejtë komunikimi dhe kjo gjetje mjaft e rafinueme shpirtnore që e bajnë verbin e tij poetik mjaft të afërt me lexuesin…
    Poezia e tij kësaj here prek nji prej anëve tejet delikate të bashkjetesës ndërshqiptare, atë midis njerzve me besime të ndryshme, dhe… hapsina e tij poetike merr nji përmasë mjaft domethanëse për t’arthmen tonë… j.r.

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.