Muzikologu dhe studiuesi i apasionuar
i historisë së muzikës shqiptare…
In memoriam të Tonin Zadesë…
nga Robert Prennushi
Me 4 janar 2011, në moshën 85-vjeçare, u shue muzikologu dhe studiuesi i apasionuem i historisë së muzikës shqiptare, Tonin Zadeja.
Tonin Zadeja, lindi në Shkodër me 11 maj 1926, në nji familje me tradita patriotike e kulturore. Edukimin bazë muzikor Tonin Zadeja e mori pranë Shoqnisë Antoniane të Etenve Françeskanë të qytetit të Shkodrës ku, nën drejtimin e kompozitorit të shquem At Martin Gjoka, u edukuen edhe shumë të rij të tjerë të talentuem si P. Jakova, Ç. Zadeja, T. Daija, Z. Gruda, Gj. Kujxhia, N. Shllaku e mjaft muzikantë të tjerë. Kreu në vitin 1969, me korespondencë, Institutin e Lartë të Arteve, në degën e Teorisë së Muzikës. I pajisun me nji kulturë të gjanë humanitare dhe muzikore, gjithnji modest e puntor i palodhun, Tonin Zadeja shoqnoi për gati 50 vite zhvillimin e muzikës në Shkodër me pjesëmarrjen e tij direkte e shpesh herë edhe si drejtues, posaçrisht i grupeve korale. Mësues muzike, por edhe studiues e muzikolog, Tonin Zadeja ishte edhe nji pikë referimi jo vetëm për nxanësit, por edhe për kolegët që e kishin gjithnji të gatshëm me marrë nga ai nji gjykim të pjekun, nji këshillë miqsore apo nji vlerësim objektiv e profesional. Duke e njohtë personalisht ate dhe curriculum-in e tij aq të pasun (vepra të botueme dhe aktivitete gjatë 50 viteve), të vjen e natyrshme pyetja pse emri i tij ishte relativisht jo shumë i njohun për publikun e gjanë në shkallë kombtare, por jo për njerëzit e kulturës e të artit!? E them kët sepse katër vite ma parë kisha përgatitë nji shkrim për Tonin Zadejën, në 80 vjetorin e lindjes së tij, por gazeta që dërgova artikullin, më tha që për figura të njifarë rangu nuk parashikonin shkrime “për së gjalli”(!).
Vetëm pak ditë ma vonë do dilte nga shtypi vepra ma e randësishme studimore e T. Zadejës, botue nën kujdesin e vetë Kryetares së Kuvendit të Shqipnisë, Znj. Jozefina Topalli, si pjesë e korpusit “Documentation and Communication Center for Regional Music”. Miku im i mirë nuk pyeti kurrë për fatin e artikullit, por vazhdonte të shkruente e të botonte, bile ma shumë se asnjiherë tjetër.
Gjej rast të arsyetoj (ma shumë për ta ndihmue edhe redaktorin që refuzoi shkrimin) pse nuk “njihej” aq sa duhej Tonin Zadeja në shkallë kombtare, ose ma mirë të themi nga “paria”. Po filloj ndoshta nga shkaku ma i parandsishëm: asht fjala për nji farë “hije” që i bante vëllai i tij, kompozitori i shquar Çesk Zadeja, sepse nuk ishte e lehtë “me rà në sy”, kur kishe nji vëlla kaq të njohun… Por s’ishte kjo arsyeja. Natyra e matun dhe e përmbajtun e Toninit, e ma shumë “e kaluemja” e tij me ndonji vit burgim, pa asnji shkak, nuk “punonin” në favor të tij. Por edhe temat e studimeve të tija, që përfshinin figura e periudha “jo aktuale” (për at kohë), sëbashku me faktin që jetonte në Shkodër e jo në kryeqytet, influencuen për ato çka thamë ma nalt. Por vepra e tij flet vetë…. Kushtet në të cilat punoi T. Zadeja, ishin me të vërtetë të veçanta. Ai punoi si mësues muzike me normë të plotë, pra të gjitha veprat e tija janë shkrue pa marrë asnji muej leje nga Lidhja e Shkrimtarëve, por… marrë nga koha e lirë. Por T. Zadeja pati fatin të kishte për bashkëshorte Albina Vila, vajzen e mësuesit të mirënjohun në mbarë Kosovën e në Shkodër, Kel Vila, që e kuptonte pasionin e Toninit dhe e kursej me sa mundi në punët e problemet që ka çdo familje. Por edhe fusha ku ai e kishte drejtue vëmendjen e hulumtimet në studimet e tija, ishte e veçantë dhe nuk gëzonte “popullaritet”.
Edhe pse nuk do të ishte e drejtë që sot të mohohet “a priori” zhvillimi që mori arti e kultura në vendin tonë mbas Luftës së Dytë, duhet vue re se në lidhje me kët ka pasë dhe ka edhe sot nostalgji e ekzagjerime. Harrohet se ne nuk ishim të vetmit që e banim këte gja. Ne, vërtetë po ecnim, por Europa, në të njajtën kohë… vraponte! Bile “haraçi” që pagoi, sidomos nji pjesë e njerzve të artit dhe të kulturës (që nuk i rrinin për shtat regjimit) qe shumë i madh e shpesh dhe i përgjakshëm.
“Kori” zyrtar pretendonte se gjithshka po fillonte nga e para, sidomos në sektorin e artit muzikor. Por kjo s’ishte aspak e vertetë! Lëvizja muzikore në Shkodër e në disa qytete të Shqipërisë ishte dëshmi e gjallë për kët. Por duhej matuni e pjekuni për të nxjerrë nga harresa e qëllimshme figurat e së kaluemes “pa i ra ndesh” opinionit zyrtar. T. Zadeja nuk i kishte “shpatullat e ngrofta” për të legalizue figura që ende “paria e re e vendit” s’kishte vendosë me iu dhanë të drejtën për t’u njohtë nga publiku i gjanë shqiptar.
Me ardhjen në fuqi të Hrushovit në B.S., u krijue iluzioni se mund të fitonin “të drejtën e qytetarisë” edhe Fishta, Konica, Prennushi, Zadeja, pra edhe muzikanti At Martin Gjoka e të tjerë. (Bile prof. V. Bala pati guximin qytetar, në Revistën “Ylli” t’i quente Nolin, Konicën e V. Prennushin si përkthyesit ma të mirë të periudhës që jetuen!).
Këtyre “hapjeve” të përkohëshme dhe flegmatike, Tonin Zadeja ju përgjigj me afirmimin “pak nga pak” dhe jo direkt të figurave që, po të trajtoheshin në vehte, mund t’i binin ndesh opinionit zyrtar. Kështu ai zgjodhi Vjetoren “Shkodra”, 1968, për të folë, për herë të parë – në artikullin “Bandat muzikore në qytetin e Shkodres” – ndër të tjerë edhe për françeskanin e madh, kompozitorin At Martin Gjoka, muzikantin ma të shquem profesionist të periudhës fill pas Pavarësisë. Ishte paradoksale, por mjerisht e vërtetë – e kjo ndodhi vetëm në Shqipni – që opera e sinfonia e parë shqiptare e At M. Gjokës që duhet të ishin objekt krenarie, – si ka ndodhë me çdo komb të kulturuem, që autorëve të tyne u kanë ngritë edhe monumente, – të fshiheshin edhe nga librat e historisë së muzikës. Në këte drejtim komunizmi në Shqipni, ia kaloi edhe Stalinit, i cili e “pranoi” Glinken si themeluesin e operas ruse, edhe pse vepra e tij “Ivan Suzanin” kishte, në origjinal, titullin “Nji jetë për Car-in”. Pra diktatura hoxhiane u shque ndaj asaj staliniane edhe në absurditet.
Shumë kohë para vitit 1967, Tonin Zadeja kishte në dorëshkrim studimin “At Martin Gjoka, figurë e shqueme e muzikës shqiptare (1890-1940)”. Por “revolucioni kultural alla kinezçe” në Shqipëri, e bani studiuesin ta fusë edhe ma thellë, në “një qoshe”, at vepër. Megjithë kët, edhe në këte përiudhë, në shumë artikuj si “Disa probleme të zhvillimit të muzikës instrumentale-sinfonike” (1969), “Lëvizja muzikore amatore dhe roli saj përparimtar e demokratik gjatë viteve 1878-1939”, (studim që fitoi dhe çmim në konkursin kombtar të kritikës) e në të tjerë shkrime, figura e atij perkursori të madh të muzikës shqiptare po shfaqej pak nga pak, në fillim pa epitetin “e rrezikshëm” At, por të pakten po merrte të drejten të përmendej. Po as që mund të bahej fjalë për ekzekutimin e veprave te tij! Ndërkaq T. Zadeja publikonte në revistën Nëndori një studim për muzikantin e kompozitorin e mirënjohur të kangës, Palok Kurtin (1980, Nr. 12) e shumë artikuj për kompozitorë të tjerë të traditës. Vetëm në vitin 1983 (Nëndori, Nr. 3), mundi me botue nji ekstrat të studimit që e kishte aq shumë për zemër, tue i vue me qëllim titullin e thatë: “Martin Gjoka” (1890-1940). Por studimi i plotë për Gjokën mundi të botohej vetëm në Revistën “Hylli i Dritës” Nr. 3-4, Viti 1995…
Tonin Zadeja, duke qenë mësues muzike, u shque edhe në lamin e botimeve muzikore me karakter pedagogjik. Vepra të tija – ndonjiherë edhe me bashkautorë si Sh. Mara, S. Kalemi, R. Prennushi, M. Bylo – janë tekstet mësimore: Mësimi i Këngës dhe i Muzikës për kl. V-VI dhe VII-VIII (tetë botime), Libri 3 i Solfezhit për Shkollat e Mesme të Muzikës, Metodika e Mësimit të Këngës dhe Muzikës dhe, me një grup autorësh, Historia e Muzikës Shqiptare, Vëll. I-rë (1983).
Tonin Zadeja njihej për seriozitetin e përkushtimin ndaj çdo detyre që i ngarkohej ose që merrte përsipër. Ndaj e quajmë me të vërtetë ndihmesë të vlefshme, në fushen divulgative të artit, dhjeta e dhjeta artikuj të tij për veprimtari muzikore kombtare, koncerte, si dhe bisedat jo të pakta radiofonike e televizive.
Mbas daljes në pension, e sidomos me frymën e re të krijueme mbas shembjes së diktaturës, veprimtaria studimore e Tonin Zadejës u shtue edhe ma shumë. I sillet punimeve të maparshme, ban ndonjë “pastrim” të nevojshëm (megjithëse për kët ai kishte qenë gjithnjë shumë i matun, edhe kur autocensura ishte e nevojshme); shton elemente të rij ose opinione që nuk mund t’i jepte në botimet e para dhe të gjithë këto materiale i riboton. Njizet vitet e fundit T. Zadeja botoi ma shumë se asnjiherë. Fushat e studimit të tij shkojnë nga analiza e veprave dhe figurave si “Prenkë Jakova, figurë e ndritur e artit muzikor shqiptar” (28 qershor 2002), “Tish Daija, një ndër themeluesit e muzikës profesioniste shqiptare” (Rev. Illyricum, Nr.12, Viti 2002), “In memoriam..” për majën ma të naltë të vokalit operistik shqiptar Lukë Kaçaj, “Muzikologu Gjon Kujxhia – me rastin e 60 vjetorit të vdekjes” (Revista “Phoenix” Nr. 1-6, Viti 2002) deri te studimet me karakter historik.
Në vitin 2000, në bashkëpunim me muzikantin Tonin Daija, boton vëllimin “250 Këngë Qytetare Shkodrane”, një kontribut shumë i vlefshëm për kulturën kombtare muzikore, duke pasë parasysh veçantitë e kësaj kange. Vepra u ribotue edhe në vitin 2003. Në vitin 2006, në Korpusin Musica Albanica (Studime dhe Dokumente II), shohin driten e botimit shkrimet ma të randësishme të Tonin Zadejes nën titullin “Jeta Kulturore e shkodres” (mesi i shek. XIX-mesi i shek. XX), ku gjejnë pasqyrim e studim të thelluem figurat ma të njohuna të kësaj treve në fushen e muzikës.
Qysh prej themelimit, Tonin Zadeja ishte Kryetar i Shoqatës: “Dashamirët e kangës shkodrane”. Mendimi që kompozitori, muzikologu e studiuesi Sokol Shupo po përpiqej me gjetë “mecenatë” që t’ja botonte veprën e tij të plotë, e bante të ndjehej shpesh mirë, sidomos në kta tri vjetet e fundit, që nga shkaku i sëmundjes, mundi të punojë fare pak.
Vlersimi që i asht ba këtij studiuesi të apasionuem të artit e kulturës me titullin e nderit “Mirënjohja e Qytetit”, nga Bashkia e Qytetit të Shkodrës, asht edhe kjo nji dëshmi e emnit të mirë që gëzon Tonin Zadeja dhe vepra e tij.
31 janar 2011 (gazeta 55)