
Na duhet urgjentisht “Moratoriumi i Partive politike”
për të ndalur “hemoragjinë” – shpërbërjen kombëtare!
refleksion fundviti nga Klodi Stralla
E ndoqa me vëmendje, por jo edhe me kureshtje (e dija se çfarë do të thoshte) Kryeministrin tonë, në konferencën e tij për shtyp me gazetarë (të përzgjedhur), për bilancin e këtij viti që po lemë pas. Mes të tjerash u mburr se Shqipëria është shumë afër pranimit të saj në BE në vitin 2027, falë reformave të sukseshme që qeveria e tij (lexo: ai vetë) ka bërë në çdo sektor të jetës të vendit. Duhet të jetosh në Shqipëri, për ta besuar ose jo një optimizëm të tillë. Por ndërsa për Kryeministrin (njëherazi edhe kryetar i PS-së) kjo është një rast i mirë për një reklamë elektorale në prag zgjedhjesh, për BE-në duhet të jetë një këmbanë alarmi se mendësia komuniste e të kaluarës, që të zezën e bën të bardhë (propaganda), nuk pajtohet me mendësinë europjane ku duam (nëse vërtet duam!) të bëjmë pjesë.
Shqipëria ka nevojë urgjente (nëse nuk dëshiron të shpërbëhet) për një “Moratorium”, për një nismë ligjore që të pezullojë, për një periudhë të caktuar kohe, një veprimtari që vlerësohet aktualisht si shumë e dëmshme për vendin dhe shoqërinë në tërësi, i ngjashëm me “Moratoriumin për gjuetinë”, me të cilin gjuetia (si veprimtari sportive) u pezullua për disa vite, me qëllim që të mbroheshin kafshët e pyllit nga asgjësimi total prej gjuetarëve të papërgjegjshëm. Për analogji, ky “Moratorium” do t’i mbrojë shqiptarët nga asgjësimi total nga “gjuhetarët” aktualë – lukunia e klasës politike ramiziste të pas viteve ’90-të.
Sipas meje, në ka një “Moratorium” që Shqipërisë i duhet imponuar urgjentisht, si kusht për pranimin e saj në BE, ky është “Moratoriumi mbi Partitë politike” ose e thënë më shkoqur, pezullimi (ngrirja) e pluralizmit politik, të paktën për 10 vjet. Ky do të ishte antidoti më i mirë ndaj kësaj rrokopuje të frikshme ku ka rrëshqitur vendi, sidomos në këto kohët e fundit. Ky “Moratorium” duhet shoqëruar edhe me rivendosjen urgjente në Kushtetutë të “dënimit me vdekje”, për një kategori shumë specifike veprash penale, me rrezikshmëri të lartë shoqërore, përfshi këtu edhe korrupsionin e funksionarëve të lartë shtetërorë, kur ai shfaqet në përmasa të mëdha dhe i shoqëruar me bashkëpunim me krimin e organizuar, vendas dhe ndërkombëtar.
Dikujt kjo mund t’i duket utopi dhe natyrshëm do të më pyesë: – Po si do të qeveriset vendi gjatë periudhës kur do të veprojë “Moratoriumi”? Ka shumë alternativa; unë po propozoj njërën prej tyre.
Bazuar në Kushtetutën aktuale, së pari, populli me “Referendum” (ka ligj për Referendumet) do të pyetet: E pranon ose jo një “Moratorium” të tillë dhe nëse vullneti i tij është pro, të procedohet në organizimin e zgjedhjes të një Presidenti të ri të Republikës (natyrisht me disa kandidatura dhe me kushte shumë strikte si: të mos qenit antar në asnjërën nga partitë e tranzicionit, të ketë stash pune në një profesion konkret, të paktën për dy dekada, sigurisht mbi një moshë të caktuar dhe me një personalitet të gjithpranuar, etj).
Ky person, i zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, me një mandat minimalisht 10 vjeçar (aq sa Moratoriumi) do të krijojë Qeverinë, me një kryeministër të emëruar prej tij, që do të jetë përgjegjëse para tij. Nuk është vendi këtu të parashtroj edhe teknikalitetet, se çfarë kriteresh do të përdoren për emërimet e titullarëve (ministrave), çfarë kompetenca do të kenë ata, por Qeveria do të funksionojë me “dekret-ligje” gjatë gjithë kohës të “Moratoriumit”. I gjithë ky proces duhet të monitorohet nga BE-ja, përmes një strukture “sui generis”, e ngjashme me KNK-në (Komisionin ndërkombëtar të kontrollit), që përdorën Fuqitë e Mëdha të kohës, kur vendosën para një shekulli krijimin e shtetit të ri shqiptar.
Jam i vetëdijshëm se kjo që rekomandoj ka pak gjasa të ndodhë realisht, sepse, ndryshe nga 1913-ta, kur Fuqitë e Mëdha ishin vërtet të interesuara për krijimin e një shteti shqiptar të qendrueshëm, këta të sotmit, jo vetëm nuk e kanë një interes të tillë, por përkundrazi ju duhemi kështu siç jemi – rrumpallhane!
Kush beson se Drejtësia e re, me Dumanë e Co, do ta kurojë Politikën aktuale, gabohet rëndë. Konflikti i stisur 35 vjeçar vetëm do të përkeqësohet, duke e kompromentuar edhe vetë Drejtësinë si drejtpeshuese e Pushteteve. Shenjat janë mëse të dukshme.
Gjatë kohës të Moratoriumit do të hartohet një Kushtetutë e re, do të pastrohet Shteti nga lidhjet me krimin, do të vendoset formaliteti në ekonomi (përfshi edhe Median) dhe Shkolla do të bëhet efikase. Shqipëria dhe Kosova do të integrohen ekonomikisht dhe kulturalisht. Pra, do të hidhen themelet e Shtetit modern shqiptar, për sfidat e shek. 21-të.
Vetëm pas kësaj do të rivendoset edhe Pluralizmi real dhe efektiv.
Marrë nga Muri i FB, Klodi Stralla, 30 dhjetor 2024