back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Na ishim pak për nji mort aq të madh! – nga Lisandri Kola – In memoriam Robert Elsie

Gazeta

Robert Elsie (1950-2017)
Robert Elsie (1950-2017)

Na ishim pak për nji mort aq të madh!

nga Lisandri Kola

In memoriam Robert Elsie

Siç u ba e ditun qysh në fillim të këtij mueji, Robert Elsie e kishte nji amanet (testament). Testamenti ishte që me u vorrosë në truellin e mitologjisë shqiptare: në Theth. Në media të ndryshme u dha lajmi se nga qeveria shqiptare kishin nisë negociatat për pritjen e trupit të albanologut, si edhe nderimet përkatëse. Njikohësisht shtypi i huej (New York Times, The Washingon Post etj.) përcolli lajmin se shqiptarët do ta çonin në vend dëshirën e mbrame të Elsie-t. Dëshira e tij, përpos veprave, dëshmon për përkushtimin e devotshëm të këtij studiuesi për kulturën shqiptare deri në momentin e fundit të jetës së tij. Ndërkaq para se trupi i të ndjemit me u përcjellë për në Theth, i shoqnuem gjatë gjithë kohës nga z. Stephan Trierweiler, u banë homazhe në Bibliotekën Kombëtare, e ma pas në Bashkinë e Shkodrës. Por a u respektue deri në fund testamenti i Elsie-t nga autoritet tona institucionale?
Informohem se të mërkurën e datës 18 tetor, ora 14.oo, në Kishën e Thethit kishte me u pré studiuesi i ndertë. Mbas homazheve të bame nji ditë ma heret në Bibliotekën Kombëtare, mbërrij në Shkodër dhe bahem gati me u nisë për në destinacion, së bashku me miq e familjarë të mi. Udhëtimi sikurse dihet, mbas Qafës së Thores, asht jashtëzakonisht i vështirë. Mbërrijmë te Kisha në kohë. Trupi ende s’kishte ardhë. Gjej disa banorë të Thethit, me të cilët nisi me kuvendë. Po ashtu vizitoj Kishën, në të cilën u pat hapë shkolla shqipe (1917) nga Át Shjefën K. Gjeçovi, pat shërbye Át Daniel Gjeçaj e që u pat djegë në 1958, nga shteti enverist. Më ban përshtypje se në Kishë nuk kishte barí të Zotit. I pyes banorët, a dini gja a ka me ardhë meshtari i Kishës suej? Përgjigjen me mëdyshje. Shoh vorrin e gërmuem nga fisnikët thethianë, në rresht të parë të rrethimit, e që kanë ba nji katranzë (katërfaqesh) gurësh të thatë. Zgjidhje me eleminue ujin, që bjen mbi mikun e tyne që kishte hangër bukë e folë shqip me ta. Vijnë mbas do kohe trupi i Elsie-t, miqtë e tij të huej (bashkëpunëtorë njiherësh), z. Shaban Sinani, znj. Flutura Açka, z. Romeo Gurakuqi, znj. Elvira Lumi dhe disa të tjerë të pranishëm. Mediat – të pakta në numër: nji televizion kombëtar, nji lokal, njado korrespondentë të VOAL e të televizioneve të tjera. Së bashku me banorët u bamë kund 30-40 vetë. Titullarët e institucioneve shtetnore, ishin mjaftue veç me praninë e emnave të tyne në kunorat e luleve. Kemi nji president të Republikës që vetëm para do ditësh promovonte Synin e Kaltër në Theth, dhe që tash nuk asht i pranishëm në përcjelljen për në banesën e fundit të Elsie-t. Kryeministri s’do mend ka agjendë të ngjeshun. Po kështu s’janë të pranishëm as titullarët e Ministrisë së Kulturës e asaj të Jashtme, as kryetarja e Bashkisë Shkodër e asnji titullar e përfaqësues Institucionesh kulturore kombtare e as Departamentesh (veçan i Tiranës e i Shkodrës: qytete ku edhe u banë homazhet) të letërsisë, të gjuhësisë, shkencave historike, etnografike, as profesorë e po kështu as autorë shqiptarë që ai me përkushtim i kishte përkthye në anglisht.
.

Varri i Robert Elsiesë në Theth-Fushë
Varri i Robert Elsiesë në Theth-Fushë
Arkëmorti i Elsie-t bartet nga thethianët e të pranishmit dhe avitet pranë lterit modest të Kishës, mbasi nji vendalí merr çelësin e hapë derën. Janë ata banorë të cilët thonë në kor lutjen që Zoti me i dhanë atij “pushimin e pasosun” dhe që shpirtin e tij “me e shndritë drita e pambarueme”. Janë ata burra që mandej, i bien përqark Kishës së tyne dhe e vendojnë arkëmortin pranë gropës. Lahuta s’ra (edhe pse thuhej). Gjendeshim të gjithë të paorganizuem. S’kishte asnji rênd procedimi (rituali mortor). Tekembramja asht nji za thethiani që kërkon me e pá të vdekunin para se me e shtî në dhé, simbas kodeve të malsoreve. U ndaluen kamerat dhe shkrepjet. Diku, dikush e gjen nji thikë dhe e pret veshjen e argjendtë (konservuese e të ndjemit), me të cilën asht mbështjellë trupi në tesha kombtare. U pré mbështjellësja!… Kush mujti, e që ishte ngjitë, i pau qeleshen mbi krye Elsie-t. Kaq. Ai e kishte ba të veten… Me kostum tradicional, qeleshe, u vorrue në trojet e zanave dhe të miteve shqiptare: aty ku bahej gjama e burrave e aty ku pat këndue në lahutë të butë Gjergj Pllumi… pranë atyne njerëzve që i desh deri në fund.
Z. Trierweiler me lot përfaqe falënderoi nga ana e tij dhe e familjarëve të Elsie-t pritjen fisnike të atyne pak shqiptarëve. Por na ishim pak për nji mort aq të madh!
.
(‘Panorama’, 21 tetor 2017, f. 23)
[Vox clamantis (in deserto), 2018]
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.