back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nalt Madhnia e Tij – Kelmendi – (Vermoshi) – Udhëpërshkrim nga Albert Avduli

Gazeta

 

Lepusha - Vermosh
Lepusha – Vermosh

Nalt Madhnia e Tij – Kelmendi (Vermoshi)

Udhëpërshkrim nga Albert Avduli

 “Kelmendasit janë më inteligjentët e më të mirët”; Edith Durham, te “Brenga e Ballkanit”, faqe 438.
E gjitha nisi nga lajmi për kullën e Prek Calit… Interesimit të tim biri, Anteut, për bëmat e këtij burri të kombit, fillova t’i përgjigjem me dëshirë. E më tej, fillova t’i përshkruaj historinë dhe natyrën e kësaj treve. Me sa duket po flisja me aq pathos, sa 15 vjeçari im, me ndërpreu me një frazë ironike: A është fshat Vermoshi apo LartMadhëri?!?
Do ta njohësh nga afër premtova, fjalëbutë.
Mëngjësi i së shtunës së fund shtatorit na gjeti në makinë. Qielli është murrak kur dalim nga Tirana. Rruga drejt veriut, në mëngjes herët, përshkohet shpejt. Destinacioni, qartësisht përcaktuar: Kelmend.
Në orën 08:00, mbërrijmë në Han të Hotit. Tashmë, dielli shumë po ndrin, e mirë po ngroh. M’u kujtuan natyrshëm vargjet e famshme të eposit (ndryshuar ndajfolja mënyrore, nga pak, në mirë) porsa tabela e rrugës tregon Vermosh. Nis Malësia e Mbishkodrës me pllajat e buta të Hotit si shfaqje e parë.
Ja, shpati i parë. Në faqe të tij, qëndisur me gurë të bardhë, një kryq i madh, si dëshmi e besimit të patundur ne zot e në atdhe. Ky simbol gjigand, le përshtypjen sikur është krijuar nga njerëz me përmasa titanësh. Rruga sa vjen e gjarpëron në terren malor. Diku shfaqet ndonjë shkurrnajë, pak më larg një tufë delesh dhe kreshtat e alpeve si kurorë. Brigje është fshati në radhë dhe kullat ndër brinja e bregore janë ndërtuar. Fshati Stare, duket se ka ndezur zjarre. Tymi një oxhaku tymnon drejt qiellit si lajmëtar i ngadaltë.
Një tjetër tabelë, tregon drejtimin për në Razëm, Kastrat por… jo këtë herë. Rrapshi shtrihet në një rrafsh të gjerë e të lartë. Këtu, takojmë zyrtarisht vjeshtën. Dy drurë të lartë e të vetmuar, duken si dy vëllezër të plakur, por jo me thinja të bardha. Ngjyra e zjarrit ka pështjellë gjethet dhe i ka bërë kaq të bukur. Qafa e Klonit apo ballkoni… Këtu takon qiellin. E takon realisht. Një bukuri mistike. Ndal makinën dhe fëmijët (jo nga vitet), lëshojne pasthirrma habitore… Veç tash po shprehin kënaqësi për këtë udhëtim. Zgjimi herët mërzit këdo.
E di që kjo është doza e parë e gëzimit të tyre. Alpet, zhveshur nga bimësia, ngjyrë bronxi në mungesë të dëborës, nuk duken aq indiferentë ndaj vizitorëve. Telefonat, shndërruar në aparate fotografik, fiksojne imazhet njerëzore e natyrore. Këto male të thepisura më shumë se shkëmb mbartin ngjarje të mëdha të kombit. Në memecërinë e tyre ata përcjellin kumtin e lavdisë së burrave dhe grave të kësaj krahine vitale. Lugina e Tamarës duket poshtë e ne duhet të mbërrijmë aty ku nis historia. Zbresim malin nëpër rrugën që përshkon shpatin e tij të vrazhdë, por zbutur nga këndet e ëmbla dhe kthesat e shpeshta. E famshmja Urë e Tamarës si një zonjë fisnike që veç me praninë e saj uron “mirëseardhjen”. Jemi në Krahinën e Kelmendit.
Klementus e patën quajtur romakët dikur. Prokopi i Cezaresë, në shënimet e tij përmend kështjellën klementiane. Jam i sigurt që kështjella ka qenë reale si çdo kështjellë me blloqe guri e bedena. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë jetën në lashtësi, por edhe në kuptimin metaforik e real, Kelmendi jonë është një kala.
.
Prek Cali dhe familja e tij
Prek Cali dhe familja e tij
Tamara gumëzhin nga vizitorët. Qendra e fshatit sistemuar në mënyrë shplodhëse. Një mini shatërvan në mes të sheshit me pllaka. Vëmendjen e tërheq më së pari memoriali i luftëtarëve patriotë. Emra të gdhendur në mermer të dhjetra luftëtarëve dëshmorë. I pari emër dhe portreti i Atij, emër madhit e vepërshquarit, Prek Cali. Vijojnë poshtë heroit emblematik emrat e atyre që pati në krahë në ditë baruti e zjarri. Prek Cali ishte dhe mbetet Kapedani Kolos i shqiptarëve. Duke nisur nga marsi i vitit 1911, së bashku me Ded Gjon Luli e Uk Turku, sulmojnë kazermat turke në Rapshë. Më 1913, me Mehmet Shpendin e Sokol Begun, për gati tre muaj në beteja të përditëshme kundër malazezëve, në ruajtje të tërësisë teritoriale. Fundi i vitit 1944, e gjen përballë forcave bolshevike, që ai dhe bashkëluftëtarët e tij i identifikonin po aq të rrezikshëm dhe dembërës sa sllavët. Dimensionet e figurës së Tij reflektojnë aq madhështi jo vetëm sepse çeshtja ishte historike, por edhe për faktin se bashkëluftëtarët dhe krahinorët e tij ishin po aq viganë në mbështetjen që i dhanë. E pra, në Tamarë, takon një kreshnik, jo nga eposi, por nga realiteti. Bijë e kësaj toke është edhe e famshmja Nora e Kelmendit. Shenjt Nora do ta quaja për emrin që ka lënë kjo bijë fisnike e gjakut arbëror. Nik Loka, tjetër kelmendas i shquar si një nga komandantët e forcave të Lidhjes së Prizrenit. Ç’të shkruaj, ç’emër të përmend…? Në këtë krahinë, çdo fis ka emra rrethuar me aureolën e lavdisë. Kjo është dhe arësyeja që Kelmendi ka dekoraten “Nderi i Kombit”
.
Kelmend... Leqet e Hotit
Kelmend… Leqet e Hotit
Kreshtat e maleve, lumi vogël i Cemit të Selcës që përshkon luginën, buzëqeshja e vendasve, e bëjnë shplodhësë, tepër shplodhëse, pushimin e kafes. Kullat e fshatit, diku të vjetra e krejt në traditë, diku të reja, por duke ruajtur arkitekturën e vjetër, diku shndërruar në vila, të krijojnë një ndjenjë sa miqësore aq imponuese. Fëmijët bëjnë foto pa fund dhe pohojnë: sa mirë që erdhëm. Flamuj kombëtarë, por edhe amerikanë vërej të vendosur jo vetëm në qendër të njësisë administrative, por edhe mbi çati e në gërxhe shkëmbinjsh. Të rinj shoh pak, shumë pak.
Vazhdojmë udhëtimin nëpër fshatin Selcë. Fshati ndërtuar në një shpat të bukur e mbresëlënës. Një copë parajsë në tokë duket harmonia e fshatit me natyrën. Një tabelë tregon adresën e bujtinës më të afërt dhe vendqëndrimi për kamping. Duke u ngjitur, detyrohemi të hapim paksa rrugën. Përballë po na vjen një tufë e vogël lopësh dhe bariu i lodhur i shtrëngon që të ecin sa më shpejt. Ne lodhjen dhe varfërinë e dëshmuar nga veshja e ecja, nuk harron t’na përshëndesë. Pikërisht në Selcë, në gërmime rastësore, janë zbuluar rrënoja antike dhe një thesar monedhash ilire.
Tashmë, Vermoshi nuk është shumë larg. Rruga është sa më taban aq edhe panoramike. Jemi në brez pyllnajash që sa ka nisur të ndjejnë vjeshtën dhe po veshin uniformë kamuflazhi. Ku shoh një dru me gjethe ende të gjelbra, tjetri është zverdhur e dikush nga drurët ka vetëm trungun e degët gri, në varësi nga specia apo familja që i përkasin. Metamorfoza e natyrës dhe diversiteti i florës dhe faunës është një tjetër pasuri në këto shpate, alpe e lugina të Kelmendit. Vetëm njerëzit nuk kanë ndryshuar në këto anë. Po aq tradicional, besëtar e patriot si të parët e tyre. Ndanë rrugës një tabele tregon vendndodhjen e hotel “Alpin”. Tabelë më vogël orienton se tjetër destinacion është Maja e Trojanit.
Jemi futur në Vermosh. Fshati gëlon nga banorët e moshuar që shpejtojnë të grumbullojnë barin dhe mbledhin misrin, para se dëbora e parë t’ja behi. Në rrugë, ndanë një arë rrethuar me ristela, një zonjë pyesim për kullën e Prek Calit. Na orienton dhe na kujton se një copë rrugë nuk është fort e mirë.
Mbërrijmë dhe heshtja na zotëron. As fëmijët nuk flasin, as po bëjnë foto. Një gjendje dehje na pështjellë. Këto themele e këto gurë bëjnë histori. Se kështu nisin legjendat. Duke kaluar vite, dekada, alpe, lumenj, krahina të tjera e deri sa vjen në Mallakastrën time, mit është kthyer. Miti i luftëtarit të kombit e të lirisë.
Tek bar restorant “Natyra”, përndryshe “Qershia”, ndalim të prehemi. Një burrë eshtak, por gjithë gaz na uron mirëseardhjen. Vasel Mita është zotnia e tij. Bukë e kripë e zemër është formula magjike që Anteun e shkrin së qeshuri. Mbasi përshëndetemi e rehatohemi, teksa fëmijet po porositin ushqim, unë ulem në shoqërinë e të zotit të restorantit e të shtëpisë. Vaseli me ofron një gotë raki kumbulle të pjekur për merak. Një tjetër malësor na vjen e na bën shoqëri. Ai përshëndet edhe zonjën e shtëpisë, një grua zonjë, me veshje tradicionale që edhe rrudhat ja tregon të bukura sa lugina e Vermoshit të saj. A je lodhë oj sojnike? Sa bukur e tha! Sa muzikalitet përcjell kjo pyetje komplimentuese! e shkrihet ashpërsia e burrit të maleve thjesht nga togëfjaleshi “oj sojnike”.
.
Kulla e Prek Calit sot...
Kulla e Prek Calit sot…
Vasel Mita, me fare pak shkollë, ka botuar edhe një libër. “Rrugët e jetës” e ka titulluar dhe brenda rreshtave ka jetën e tij, por jo vetëm. Lexoj vargjet e thjeshta, por që shprehin thelbin e karakterit: “Kush i thotë vetes njeri, me parimet s’bënë tregëti”.
Nga Mallakastra jam, nga Corrushi – ju përgjigja pyetjes së tij. U krijua një pauzë, lëshoj një ofshamë të lehtë e artikuloj: Jemi vrarë me armiqtë e rracës, por jemi grirë dhe midis vedi, or mik”. Marr me mend çfarë tjetër donte të shtonte, por… Miku është si Zoti.
Me tregoj se dy djem ishin në Greqi e tjetri më me fat ishte në Amerikë. Kemi mbetë vetëm në, të moshuarit. Rrëfimin pasionant e vazhdoj me logun e burrave e miss bjeshkën, me bukuritë e Lepushës e jetën e vështirë në malësitë tona, por edhe në krahinat e qytetet e tjera të vendit. Tregonte bukur Vaseli e nuk mungonin në leksikun e tij as metaforat as terminologjia moderne. U çua një moment dhe shkoj tek tavolina ku familja ime po hante dreke. Ju shpjegova fëmijëve se kanë Wi-Fi – më tha – e të klikojnë nëse duan. U ndamë si miq të njohur prej vitesh.
Kthimi është më i shpejtë. Në Koplik na pret e na mban për një gotë verë miku jonë, Anton Koka. Edhe Antoni përfshihet në vorbullën e rrëfimit për heroizmin e malësorëve të Kelmendit, Shkrelit, Kastratit e Dukagjinit. Tregon me aq krenari sa në një çast mendova se harroi që na ka në tavolinë. Ka të drejtë gjithesesi. Ajo lavdi na krenon të gjithëve. Që ta mbyll këtë përshkrim të shkurtër: Kelmendi, Vermoshi, Tamara, Lepusha, Rapshi, Selca, janë me të vërtetë një kurorë e praruar në historinë tonë kombëtare. Vermoshi, po, NaltMadhnia e Tij, sikurse Anteu im e përcaktoj si një shprehje rastësore, por thelbësisht të vërtetë.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.