back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nana e Poetit… – nga Gjergj Jozef Kola – Requiem për Poetin Arshi Pipa

Gazeta

Dramë kushtue 100 vjetorit të Arshi PipësDramë kushtue 100 vjetorit të Arshi Pipës
Dramë kushtue 100 vjetorit të Arshi Pipës

Nana e Poetit

nga Gjergj Jozef Kola

Requiem për Poetin Arshi Pipa

Në Shkodër ndodh rradhë që bora e shkriftë dhe e butë prej shirokut me marrë nji natyrë krejt të panjoftun e të shkurtë që ka veti mos me njitë as në pullaze e as në kujtesën e njerëzve po shkon e harrohet menjiherë…Sikur t’mos ishin poetët me dëshmue për fenomenet e padukshme, të cilët në t’vërtetë mbajnë lidhë muret e jetës, kërkush s’do ishte kujtue ma për to.
Nji nadje herët, të pazakonshme, të vjetit 1983, flokët e mëdhej e të brishtë të borës nisën m’u shtrue kadalë mbi qytetin e rrethuem me lumej e legjenda…
Përgjat tanë natës kishin vlue telefonat kah “koka e oktapodit” të ministrisë së mbrendshme të diktaturës, me tentakulet e qytetit të Shkodrës, tue kërkue me ba të pamujtunën. E kishin poshtnue e përdhunue qytetin e legjendave e lumejve, porse tash dojshin me i shkue deri në fund, me ja prekë zemrën e me ja shndërrue borën, krijesën ma të brishtë të natyrës, “me e ba borën mos me njitë ma…”
Makinat e sigurimit komunist, ose siç njifej në qytet me emërtimin të saktë “sigurimi i zonës së parë operative” u ndalën para nji shpije të bardhë, mbi të cilën flokët e mëdhej e të brishtë të borës e kishin mbështjellë si n’nji melodi, tue e bà gati të padukshme.
.

Arshi Pipa student
Arshi Pipa student
Tue nuhatë si klyshat gjahun, ata e gjetën derën dhe e shemben ate me shtjelma prej thundrash hekuri. Afër zjermit, Nana Hatixhe sapo ishte zgjue e po ngrofte duert e ngrime prej mallit për fëmijtë, e dukej sikur po shkrihej me flakët e po bahej nji. Kur ju afruen krejt afër, oficierat shtangën nji çast para kësaj Nane, që i ngjante ma shumë legjendës së Rozafës, se sa nji njeriu të zakonshëm. Gjymtyrët e saja ishin të shkrime me zjermin, njashtu si ato të Rozafës me themelin e kështjellës.
Oficierat e zonës së parë operative e panë njeni-tjetrin n’sy si hijenat, e kapën krijesën me kambtë e amputueme që po ngrohej në zjermin e parë të nadjes dhe e hodhën në nji batanije ushtarake, e ndërsa e mbartnin, Shkodrës iu duk sikur e zhgulën trupin e Rozafës prej mureve të kalasë, dhe e përplasën ne karrocerinë e Zis-it kinez.
“Kush asht kjo Nanë që po e zvarrisin nëpër qytet?” – pyetën Zanat.
“Asht Nana Hatixhe Pipa – Jubica!” – iu gjegj Jehona.
“Po, çka paska ba nji Nanë n’kët moshë të pamoshë?!” – pyetën prep Zanat.
“Ka lindë poet!”
Qyteti i rrethuem prej legjendash dhe tre lumejsh u poshtënue deri n’palcë dhe askush s’e diti se kur do ta merrte vedin për nji kundrapërgjigje dinjitoze, o ndoshta kurrë mà!
“Pritni! A jeni bijë nanash?!”
Komunistat e zonës së parë operative ishin bijë nanash t’tjera, të ardhuna kah terri i Historisë, e flitshin gjuhën e shqiptarëve, porse ndër vena ju rrjedhte gjak stalinist…
Nana Hatixhe rregulloi degerminë e zezë mbi flokët e bardhe dhe fytyra e mbi 80 vjeçare, mori nji pamje fisnike, prej Rozafe. Tashma ajo ishte gati me kalue në stacionin e fundit të jetës së saj.
Kur dolën prej Shkodre, mbi qiell u përhap nji ngjyre e rradhë smeraldi dhe bora që deri at’here kishte kenë e shkriftë, nisi m’u ngri dhe nisi me rà lehtë, si tasierë e nji piano qiellore, si me dashtë me i dhanë zà dhimbjes s’nji nane, dhimbjes së nanës së poetit.
Sekretari i parë, si dhe kryetari i komitetit, në qytet, rrjedhshin nga familje të vjetra shkodrane, si thuhet “denbabaden, me traditë e m’the e t’thaç”, pinjojtë e tyne krenohen ende sot, porse Nanën e poetit, zojën shkodrane mbi 80 vjeçe, me flokë të bardhë e fisnikë, me degerminë e zezë të dhimbjes e lanë m’u dergjë n’karroceri, me kambët e amputueme; tue e bjerrë tanë burrninë gege para urdhnit të zonës së Parë operative.
Ajo grue e devotshme, Nana e Poetit, i sfidoi ateistat enveristë e me gjithë rrugën e gjatë dhe trupin që i kullote gjak prej plagve të hapuna, s’e qiti nji fjalë të keqe prej goje derisa mbrriti diku n’nji fshat, n’internim.
E falenderonte Zotin, që ja kishte prì mbarë djalit të saj, poetit në Perendim…
.
Arshi Pipa me të motrat
Arshi Pipa me të motrat
Zona e parë operative, në çmendinën e saj primitive kishte gjetë rastin me u hakmarrë ndaj Arshi Pipës, i cili bashkë me dy poetët e tjerë Ernest Koliqin e Martin Camaj ishin ba Ura që mbante lidhë shpirtin e kombit me botën perëndimore e që here mbas here e demaskonte diktaturën dhe krejt lakejtë e saj të Lidhjes së Shkrimtarëve Komunistë.
Në mbarë historinë e Lindjes, komuniste, Hatixhe Pipa – Jubica mbeti Nana ma e moshueme e nji poeti që u internue.
Në dimnin që vijoi, në prag të vjetit 1984, ajo hiku me borën e parë që nisi m’u ngrì, bashkë me trupin e saj, n’parajsën e zemrave njerzore.
Ajo dha frymën e fundit prej nane të vuejtun po ngadhnjyese në krahët e vajzës së saj të vogël, kësaj bije shkodrane të pashoqe n’përkushtimin për nanë të saj….
I nipi i saj, loçka e zemrës, Platori ja vizatoi rrezen e fundit në fytyrën e saj fisnike, si nji dëshmi prej “Motre Tone” të nji kohe martirësh.
Nji vjet ma vonë, ngordhi si pasojë e çmendisë e diabetit, kryet e zonës së parë operative, diktatori hoxha e shkoi në ferrin e kriminelave.
Dyzet vjet ma vonë, me 2020 në Shqipni vazhdojnë me sundue tre pinjoj postkomunistë të zonës së parë operative, prandaj për nanën e poetit të vramë nga dimni n’akullin e internimit, s’u kujtue askush, e as sot në 100 vjetorin e djalit të saj të parë e të vetëm: poetit të kombit shqiptar: Arshi Pipa…
Kjo dramë “Lotët e dallandysheve të pastreha” përban ndoshta nji përjashtim, si qiri i vetmuem amshimi, për Pipajt e papërsritshëm të Shkodrës dhe mbarë kombit shqiptar….
Kështu zona e parë operative edhe 40 vjet mbas vdekjes së nanës së poetit, vazhdon me ja vu thundrën në gjoks e me ja zhtypë zemrën, zemrës së kombit, Shkodrës, metropolit të gjenisë Arbnore-shqiptare, të gjenive të letrave, të muzikës, të pikturës e të bukurisë….
Kjo zonë e parë operative e pafytyrë dhe mosmirnjohëse, s’duhet me i prekë Poetët e Kombit, siç e ka pasë zakon në 45 vjetet e pushtetit të saj kriminal, e sidomos “trio-n perfekte” Koliqi-Camaj-Pipa, që mbeten ura lidhëse me tri kambë e diasporës shqiptare me kombin amë, sepse shqiptarët s’kanë asgja ma të shejtë e ma të shtrejtë se unitetin e kombit. Fundja sikur të mos ishte ky unitet, militantët e zonës së parë operative do ta kishin pasë fatin e keq të Çamërisë arbnore e do të ishin shkëmbye, “me ose pa dashje” me grekët e anadollit e në vend të pushimeve në vilat e tyne në detin Jon, do të kishin hapë kanalet në shkrepat e Azisë së vogël!
Mos i prekni poetët! I nderoni ata, se mbajnë lidhë kombin!
Requiemi jonë për Arshi Pipën dhe poetët e kombit ka prekë tashma amshimin dhe ai bjen nga qiella bashkë me borën e shkriftë si tastierat e nji pianoje që i takojnë të ardhmes fisnike, asaj europiane.
 
N’nji tokë buket
Të plasaritun nga etja për drejtësi
Qielli vajton pa u ndalë kurrë
Borë të ngrime.
 
Über ein Ackerland
Das aus dem Durst nach Gerechtigkeit
Ausgetrocknet ist, der Himmel ëeint
Ununterbrochen ëeißen Schnee.
.
Gjergj Jozef Kola
Vjene, Korrik 2020
.

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.