Nana i qindiste kryq dimnat –
Libër poetik i Rozafa Shpuzës
Poezia e Rozafës futet në shkollën e quajtur “letërsi qytetase”,
e cila, veçanërisht në Shkodër, njohu lulëzim në pjesën e parë të shekullit të kaluar
me Migjenin sa në poezi, aq në prozë, si dhe me prozën e Koliqit.
Zinxhiri i këputur i kësaj shkolle gjeti fillin sërishmi falë penës autentike të Rozafa Shpuzës.
Poezia e saj, e ngjyer tërësisht në sfondin e qytetit të Shkodrës,
iu thërret me të gjitha shqisat, ndjesive të ruajtura nën lëkurë jo vetëm të brezit të saj,
por ngërthen ato të të gjithë qytetarëve që si ajo e jetuan intensivisht Shkodrën
në çdo pulsim të saj. E ngjizur me një leksik sa të rrallë, aq edhe të pasur të së folmes qytetase,
vargjet e kësaj poezie gëlojnë nga identiteti unik i këtij qyteti;
përmbyten në bukuri rievokimesh të shtëpisë atësore, të lagjes,
të raporteve me veten e me të tjerët, me njëmijë ndjesi që ripërtërihen
sa herë e prek e po aq kur nuk e prek atë ajrì.
Sepse Shkodra vetëm mund të këndohet në vargje dashurore,
sepse ajo është frymë, jo thjesht qytet.
Diana Jup Kastrati
.
Testament
Pa asnji mëdyshje,
i la trashëgim shpirtit
vijat që gërdhishta me gozhdë mbi mur
sa herë mata shtatin n’prag përvjetorësh.
Paketën e gjysmueme t’duhanit, bashkë me çakmakun
që don fërkue disa herë derisa t’kallet.
Bllokun e poezive
që shkrova ndër autobuzat e çoroditun nga tallavaja e altoparlantëve
t’vumë kithtas me valvitjen e perdeve.
Inicialet e ish-të dashtunve
t’stivuem si teshat që s’u bjen ma rasti me u veshë.
Sirtarin e ndërresave
me dy-tri palë mbathje t’reja në qoshe
që i ruejta për takimet e pamujtuna.
Ato këpucët me gomë të trashë e lidhse t’bame ny
që mbatha në rrugtimet e mia t’pacake.
Tana netët pa gjumë
kur prita agun, cullak apo e pshtjellun me jorganin e pajës.
Fjalëkalimet virtuale t’sajume me emna e data
t’shenjueme trishtas ndër kalendarë t’kahershëm.
Shpirtit i la trashëgim edhe arkivën e portreteve
të gdhenduna ndër retina,
prejse s’mbërrita me i fiksue n’aparatin fotografik
t’varun si parku në derën e shpisë me luleborë.
.
Me u çtjerrë
Nana i qindiste kryq dimnat
mbi nji thes andrrash që tash frymon tërthor pragut,
atje në qytetin me tezgjahe shinash.
Lamshat me fije t’shkepuna prej xhupash t’vjetër,
që nana i çtirrte sipas kodesh ylberore
sillen si vërle e më kthejnë rishtaz te prologu.
Ndjej se fijet m’kryqëzojnë ndër direkë mëkatesh,
e unë shndërrohem në nji lamsh
që sillet si vërle ndër udhëkryqe të çorodituna.
Rrugët rreken me ma zhubrosë frymimin
e unë çtirrem, çtirrem
e prore çtirrem
me shpresë se filli ka me mbërrit deri te shtroja
me dimna të qindisun kryq.
.
Grueja fantazëm
Asnjeni prej fëmijëve t’lagjes
s’e dinte kuptimin e fjalës “prostitutë”.
As gjyshja s’e dinte…
E kërkuem m’kot edhe n’fjalorin
me shkronja t’preme si shkallë
n’kursin e italishtes
te shpija e zotni Ndocit…
Dinim veç se në Shkoder
endej me biçikletë nji grue fantazëm,
prejse asnjeni s’guxonte me e pa n’sy.
Hamendjet që s’ia rrëfyem as ditarëve
ia zunë vendin lojnave të fëminisë…
Nji ditë u shpërndamë nëpër botë
për me u takue prore
kur shpinat na ishin kërrusë paksa,
e s’u çuditëm aspak
kur ndjem’ mall për gruen fantazëm
që dikur pat’ qindisë fantazitë tona rrebele.
.
Mesditë maji
Im atë luen shah n’oborr
me sy t’picrruem rreshton ushtarë drunit
mbi kuadratet e njeshun solemnisht si paradë maji.
Aty ku pikon truma
lugu asht birue n’qasje t’synit t’ciklopit,
e gjyshja s’pranë tue m’porositë
se trumës duhet me i qitë sipër pak ujë
sa me shpërla ndryshkun.
Im atë luen shah n’oborr
në pamundësi me gjetë arsyen pse antena e radios
e lidhun për tandën me hardhi të krasituna
s’asht e zoja me kapë nji tjetër stacion,
përpos marshit solemn të paradës.
Jam veç 13
e sandalet e reja m’i shtërngojnë gishtat
teksa marshoj mbi kuadratet bardhezi.
Im atë luen shah n’oborr
me shpresë se radioja ka me këndue një tjetër himn
e unë kam me ngà zbathët n’nji fushë pa kuadrate.
.
Mullini i kafes
Përhanshëm nisa me numrue
rrotullimin e avashtë të boshtit
teksa grimconte dyzimin e kokrrave të kafes.
E mbaj mend si tash,
13 herë u soll ai bosht,
asnji herë ma shumë.
Mullini atë ditë bloi fatin tem
e kjo ishte hera e parë
që trillet e dhambëzueme përsosmënisht
u sollën për mue.
Fallxhorja pa 13 rrugë
13 dashni
13 lamtumira
asnji ma shumë
e unë atvjetë isha veç 13.
Tash e pi kafen te lokali bri Lanës,
ku ekspresi shfryn pa iu bindë kodeve të mullnjve
e unë s’di ma me numërue
edhe sa rrugë,
edhe sa dashni,
edhe sa lamtumira hamendësuen orakujt
ndër vijat e kryqëzueme të filxhanit tem.