back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nana me lapidar të padukshëm – tregim nga Irena Balca – bazue n’kujtimet e Laura Keçit

Gazeta

Nji nanë midis borës...
Nji nanë midis borës…

Nana me lapidar të padukshëm

tregim nga Irena Balca

Bazue në kujtimet e Laura Keçit

Dimën 1983. Qafshtamë, Krujë. Male, bor e vorfni shum. Edhe nji nanë! E internueme prej se kje e bukur, prej se kje e çlirë. Liria àsht fuqia e njerit, bukuria e tij. Pat çil gabim, si lulja e parakohshme nën shkamb, e pa dijtun për ngricën e ardhshme. O ti lule n’borë t’malit, shndritun rreze prej gazit tand!
Qafshtam, n’gegnish thohet: – Kjash – t’am. Ose ndoshta àsht ken ndonji gryk’ malit n’formen e qafës së shtambës? Gjithsesi, tue pas parasýsh historin e maposhtme, m’vjen me besue variantin e parë, pra, Kjash-t’am! Si shqiptar na e dijm’ çka dikur ka dasht me than e namuna: – Të dektë nana!
………………………………..
Ajo tash s'njef kthim...
Ajo tash s’njef kthim…
Nata ul me t’shpejtë siparin e errët. Ditët e shkurta mehèn tuj bà mâ të thellë vetminë e nji nane pa fëmijë. E mësueme tashmâ, ajo mbyll dyert e dritoret qe errësojnë edhe mâ terrin prej se drrasa jan’ gozhdue n’to. Dritat jan’ shkëputë prej stuhinash. Ajo pret n’terr; jo njerinë, nuk del njeri malesh n’ksi netësh. Ndoshta ndonji ujk që larg ul’rin ka m’u afrue. Mbas deret àsht nji shkop – hu.
Mblidhet rreth zjarmit që tashmâ àsht n’grahmat e fundit e ven vesh. E ka harrue ujèn që deri para pak orëve e mundonte keqas e pa shpresë.
Bor’ e madhe n’male e përreth asaj ndërtese me drrasa e trungje që përcjell mâ s’mirit stuhin’ prej jashtë. Jashtë e mbrendë asht ‘pajeta’. Jashtë e mbrendë àsht jeta – flet me vedi nana e kruspullosun n’mbloje t’vorfna. Nuk ven vesh mâ. Mendon. Dishron. Andrron. E dikur gjumi e mund.
Me nadjen hungurimat e ujqve s’ndihen mâ. Freskija e nji dite të re përshkon rrejshëm mendjen e saj. Ajo tashmâ s’e din se qysh kur stomaku i saj àsht bosh.
Nji e gërsitun diku e ban me dijtë se duhet m’u çue e se dikush po e kërkon. I vjen ndëmend si n’andërr të mirë, se dikush mund t’ishte n’der’ me i thanë se mâ n’fund, do t’mujte me pâ t’birin, foshnjen. Ajo andërr me sý çelun e ban me u turrë n’der, tue harrue me u marrë mendsh prej ujèt. Malsori n’der s’po din me e kuptue at bukuri që shndritte e rrezatonte diell. Ai e din krejt mir’ se ajo s’ka pasë çka me hangër tash sa ditë; ai e din krejt mir’ se ajo do të kishte dek ujèt e s’do ta kishte ndrru nji kashat buk’ me kurgja t’vetën.
Nana e sheh me sý t’lagësht e t’shndritshëm që kristalizojnë bukuri. “Kam me takue tem bir!” – i thotë malsorit fisnik. – Eh, moj bijë – gjegji ai me trishtim, tue dijtë se kurgja nuk mujte me ndodhë n’ato male, mikpritse t’borës. Kthen shpindën e, tuj tund kryet si n’mendim, largohet nëpër t’njajtat gjurmë në t’cilat kishte ardhë. Ai ia kishte falë vedin borës e acarit tue shpresue se ato nuk do ta tradhëtojshin. Nana kapërdin bukë kollomoçit ende t’ngrime. Ajo andërr – zgjandërr e zgjueme me krismat e derës e mbyt të tanën. Biri! Sa shumë herë kishte kërkue me e pà, sa pak, me u ç’mallë me erën e foshnjës që mbante erën e saj.
Kushedi pse andrra e ujà e rrejtën at nadje. Tash që ka diçka në stomak, fillon e mendon ndryshe. Han’ me t’shpejt edhe at pak çka i ka mbetë, në fakt as e din se çka àsht tue futë n’goj. E ka vendosë. Asaj tashmâ i duhet fuqi. Pret natën me ardhë, me shend e frikë, si kurrë mâ parë. Pritja i ban ndodhitë e largëta. E nata vjen!
Madhnueshëm, guximshëm, frigueshëm, jo mendueshëm, nana niset për te i biri. Asht nata e errët e as derë e as dritore t’mbylluna me drrasa ka. Nata àsht natyrë, sikurse àsht nana. Nana n’malet e Kjash-t’amës. Nata àsht lirija e saj. Ka hjedhë hapat e para n’borë. Mandej i hjedh shpejt e mâ shpejt. Hapi i ngadalsohet – kjo àsht frika e saj. Teposhtë i duhet me shkue, e ajo vazhdon me shkelë n’borë t’pa shkelun. I duhet me u drejtue kah nji shteg që vendasit kishin ba për vedi. Ec e ec si n’prralla… Ma frikë i ka dritat se tèrrin e ujqit që ulurijnë unshëm. Dritat jan komuniste, ùja àsht e natyrshme. Nji gjysë nate nëpër natë. Shtegu mblue me borë. E përpjeta ma e madhe se e ecshme. Nana i jepet shtegut teposhtë. Ajo tash s’njef kthim. Dy kilometra shtegu teposhtë. Vrulli i teposhtës e merr me vedi. Kurrnji fat me u ndalë e me u mbushë me frym’.
Ajo beson se e tan bota àsht çuet, rètë dhe era, bora edhe ajo vetë. Ndërkohë nata flen n’mendjen e ndjeksve e spiujve – kërkush mundet me dalë jashtë, mendojnë, e flejnë e flejnë …
………………………
 Ec e ec si n'prralla...
Ec e ec si n’prralla…
Në nji apertament në Shkodër, diku në Parrucë, ka ardhë kaherë ora e gjumit. Nji gjyshe me nji nip flejnë.
Tak-tak mbas dere. Dy nanat përballen. “Çka ban ti k’tu?” -Sa me pa djalin, nanë.
Gjyshja e nipit asht pa fjalë. Don me i than së bijes – A e ke vendosë me vdekë, a e ke vendose me kenë? Asht hera e mbrame që un’ t’shof ty e ti tand bir!?!
Po tepër vonë ka shkue për k’to arsyetime. E bija asht aty n’derë! E rraskapitun, po me nji tis rrezellimi. E ama ia hap derën… dhe nana turret ku e din se àsht i biri. I shtrihet përbri gjumit të tij e aty qafohet paqtohet… ndër ato paqtime kur njerì as frymë s’don me marrë. Nji natë kur ajo vetë përzgjedh tèrrin – k’shtu do t’mundte me rimbushë mushknitë veç me aromën e t’birit. E nesërmja s’ka randësi mâ për té.
Biri u çue nadje. E përqafi t’amën n’shtrat, sikur ajo t’kishte kenë aty çdo zbardhje dite. Fërkon sytë me duert e vogla. Sillet n’krah tjetër, thue po don me fjetë prap. E rrethon t’birin me trupin e vet. Ndiesi hyjnore e përshkojnë. -A ke me hik prep, nanë?! -sikur e pyesin sytë e njomes!
Nana i kalon me të shpejt ato shpime n’gjoks të vet – M’duhet me shkue, – thot’ nën zà – porse jo, jo për g’jatë.
E zhgulet prej njomshtisë, tuj çue sytë nalt, ven shpresën n’qiell.
……………………….
Ndiesi hyjnore e përshkojnë...
Ndiesi hyjnore e përshkojnë…
Çudi e madhe e alarm ka mbërthye autoritetet në Krujë e n’Shkodër. Gjithkah e kishin kërkue, në borë e ndër malsorë t’msuem tashmâ me spiunue, ndër shofera e makina, që tue kenë se të rralla, ishte lehtë me i kontrollue. Askush dinte gjà për të bukurën e ikun, për at që guxoi, thue dashnija e rrezatimi i vet ta kishin bà t’padukëshme.
Në Degën e Mbrendshme n’Shkodër u qetësuen, kur morën vesht se ishte n’shpi t’vet. Tashmâ, pa dyshim pushteti i tyne ishte i plotfuqishëm – s’ka arratisje. Me turr u sulën sigurimsat si ujqnit ndër male. Me shpirt i ndjeu Nana, nëpër shkallë tue ardhë. E puthi t’birin n’ballë e i mori erë. Mbylli derën e jashtme mbas vedit e u ul teposht, shpejt sa mujti, me kenë sa ma larg t’birit. Drejt hienave.
Jo shumë mbasi e lidhen duersh e pa vedin në makinën rrethue me shumë burra me sý t’mbrapshtë. Nuk e ndjeu erën e tyne e teshave stërrc. Kishte fjetë at natë n’gjumin e t’birit, n’erën e tij!
Shumë shpejt e kupton se àsht n’dalje t’qytetit. Prej skapamentit të makinës shpërndahet nji tym i zi si nata që shkoi. Ai tym ia errësoi pamjen e nji lapidarit buz’ rruget.
Qyteti i lashte flen. Nji bijë kishte ardhë n’shpi! Nji nane kishte ardhë te i biri. Nji bijë kishte ikë e nji nanë kishte lanë foshnjen.
Qyteti flen n’gjumë të qashtër. Nanës gjithçka i flet me sytë e asaj foshnje që e la n’gjumë. Me zemër mendon – ka me e pa prap t’birin. E mandej truni e ngatrron. Kushedi kur…!
‘Kushedi kur’ asht dhimba e saj e pakufi.
Skapamenti vazhdon me qitë tym të zi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.