Nana Shqiptare, Martire e Kombit
Taqja, nana e Logorecve (1890-1953)
nga Pjetër Logoreci
Nana Taqe, ishte bijë e familjes elitare t’Jak Toskës. Prej martesës me Pjetër Logorecin, ajo pat 7 djelm (Antonin, Zefin, Gjergjin, Franon, Rrokun, Gasprin e Filipin) e 2 vajza (Angjen e Vitoren). Falë kulturës qytetare e traditave t’familjes t’saj e t’burrit, fmijët u rritën e u edukuen me qytetari e atdhedashtuni.
Fatkeqësitë i filluen nanës Taqe, mbas ardhjes s’komunistëve n’pushtet.
Filipin 23 vjeçar, t’sëmunë randë, ja arrestuen me akuzen “antikomunist e nacionalist” dhe e dënuen pa gjyq, 7 vjet. Ai vdiq mbas 3 vjetsh, n’spitalin e burgut, me dy krahët e nji kambë t’kputun nga torturat.
Zefi u arratis, mbasi kje n’listë me u pushkatue nga komunistët, po edhe Antonin nuk e pa ma.
Familjen e nxorrën prej shpijet, i konfiskuen pasuninë, i larguen prej pune. Vështirsitë ekonomike e sociale shkatrruen familjen e shndetin e t’gjithëve, e spitali u ba si shpija tyne. Filipin, Rrokun e Vitoren, prej mos ushqyemjes, i preku tuberkulozi. I vetmi ngushllim për nanën e 9 fëmijve ishte kur ulej me ndigjue, nën zà, Radio Londrën/ BBC-në, e shmallej me zanin e t’birit, Antonit.
“Naten e mirë e bashi”, përfundonte djali emisionin n’shqip ndërsa nana, tuj fshi lotët, puthte radion prej mallit. Mbas ktij kalvari t’pashoq me vuejtje, Taqja mbylli sytë n’moshë t’re, mbasi përjetoj dhe vdekjen makabre t’birit, Filipit, t’masakruem n’burgun e Shkodrës.
Marrë nga Muri i FB Pjetër Logoreci, 23 shkurt 2024