back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Nanat Shqiptare nuk kanë monument… nga Fritz Radovani

Gazeta

Kaliopi Dilo - Sheperi (1916-1991)
Kaliopi Dilo – Sheperi (1916-1991)

Nanat Shqiptare nuk kanë monument…

nga Fritz Radovani

Kaliopi Dilo – Sheperi

Në 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë…

Shpesh e përsëriste nji halla ime, Motër Gjyzepina Radovani, nji thanje, që ka shkrue At Konrrad Gjolaj: “As mos e mendoni se ka me mujtë kush me shkrue ndonjiherë se, shka kanë ba komunistët mbi Klerin Katolik dhe Atdhetarët Shqiptarë, edhe me i mbajtë mend të gjithë ka me u dashtë me u kthye Deti Adriatik në mereqep (bojë shkrimi), për me shkrue shka asht ba mbi Popullin Shqiptar. As mos u lodh me i mbajtë ndër mend… Ata që nuk i kanë provue ose pa me sy krimet e sigurimit, jo vetëm nuk kanë me i besue, por edhe me ua tregue, kanë me kërkue me i harrue shpejt…” Më duket se, po dalin fjalët e saja..!” (At K. Gjolaj O.F.M. “Çinarët”, faqe 106, viti 1996).
Nji tmerr i vërtetë me i mendue futat e zeza, velat si futa dhe degermijat e bardha që të shihte syni me vite të tana mbi kokat e grave dhe vajzave Shqiptare, tue fillue aty ku flitet e mendohet në gjuhën Shqipe, e deri ku ka pasë edhe vetem nji Nanë Shqiptare, që u ka dhanë kjoftë edhe nji ditë me pi qumësht prej gjiut vet foshnjeve në prêhën të Saj…
E pra, Ato Nana, ishin që i falnin Atdheut dritën e së ardhmës, shpresen e fitores dhe ua trashigonin me dashninë e pakufi Rinisë Shqiptare virtytin e Besës, Burrnisë e Bujarisë në Gjakun e tyne, tue ua mëkue me “bukë, djathë, e shka ka dhanë e falë i Madhi Zot!”
Ato Nana ishin dhe janë, që kanë provue ma shumë se kujtojmë né! Madje, ka edhe nga ata tradhëtarë që vazhdojnë me i dhunue Nanat Shqiptare me “yllin e kuq” në dorë…
Me “yllin sllavokomunist të Titos, Stalinit e Mao Ce Dunit… dhe tradhëtarit E. Hoxha!”
Po, ajo nuk asht “Nana Shqipni”! Nana Shqipni asht Ajo që u masakrue nga komunizmi dhe tradhëtarët e Atdheut, me “yllin e kuq” në ballë e në zemër… qysh prej vitit 1941…
Ato ishin Nanat Tona! Ato ishin Nana Shqipni!
Nanat Tona, ishin Ato Burrnesha që qëndruen mbi shkambijë atje naltë në Bjeshkët e Nêmuna dhe u varrosën dikund, ku sot, nuk ka asnjë shenjë as Dheu i zi kah Tepelena, bash Aty, ku thundra e tradhëtarit t’Atdheut vriste Motrat e Bijat e Tyne, si ndër Male e shpella, ku hasmi e bishat komuniste flinin bashkë tue u ushqye me Gjak Shqiptarësh…
Historia e Nanave Shqiptare asht shkrue prej kohës ma të vjetër dhe asht daltue në gurin e Trojeve tona, po edhe në drunin e kthyem në Gur… Atë dru nuk e kalbi as Toka!
Asht bash Ai dru që nuk la përjetsisht me u mbyllë Asnjë nga Ato Dyer që sot gjallojnë!
Asht bash Ai dru që nxjerrë xixa, e xixat sjellin Dritën e Shtëpisë, Gjakun e Rij Shqiptar!
Asht bash Ai dru që dora tradhëtare kërkoi me e vra natën për terr…
Asht bash Ai dru që rriti nji Mal ndër ma të naltit e Shqipnisë…
Asht bash Ai dru i Maleve të Sheperit të Zagorisë…
Asht Nana Jonë Shqiptare Kaliopi Dilo Sheperi…

Varret e familjes Dilo
Varret e familjes Dilo

Shikojeni mirë foton nalt! Shikojeni… Se sytë e Saj nuk mbyllen kurrma!
Ata sy, rrezatojnë Dritën e Pasosun, pikrisht, të Asaj Jete ku Ajo asht n’Amshim!
E duertë e Saja të lidhuna vazhdojnë me tregue dhimbjen e madhe prej së cilës, Ajo Nanë… me 25 Janar 1991, dha Shpirtin e Saj besnik në Familjen Dilo, nga masakrat e panjohuna barbare komuniste… I hodhën acid dhe e dogjën… e dhimbjet e plagës Nanën e mbyten, e mbytën barbarët… E pse? – Vetëm, pse ishte Burrneshë Shqiptare!
Ajo Nanë e Pavdekshme sot, më kujtoj mbi 500.000 Nana Shqiptare që djelmët e vajzat e Tyne, ua vranë, masakruen, torturuen, i rjepën dhe i dogjën persëgjalli, ua groposën dhe nuk i lanë asnjë shenjë varri të tyne… dhe nuk u ngopën… po masakruen, interrnuen dhe zhdukën edhe Ato Nana, që Trupat e Tyne u lanë me lotët që vazhdojnë me rrjedhë nga Sytë e Tyne plot dritë e shpresë… E dhimbje… si gjithë jetën e Tyne të Nderueme!

Nji përmendore modeste për nji Nënë të Madhe
Nji përmendore modeste për nji Nënë të Madhe

Nana Jonë e Ndjerë Kaliopi! Ju nuk keni Monument, sepse nuk mbajte kurrë ndër duer “yllin e kuq” të tradhëtarëve… Ndër duertë e Tua të bekueme Ju mbajtët edhe nji libër… Pikrisht, atë liber, ku shkruhet për Ty o Nana Jonë Kaliopi Dilo-Sheperi:

***
Kanë me kallzue se sa pjesë qiellit vrâni
Vdekja n’atë vorr. E atë botë i largët shtegtari
Të lehtë dhéun ka me t’urue, e t’paqta e t’buta
Shinat e boren: e, kur n’male t’veta
T’dredhojë ké stani, fëmijës ka me i kallzue
Shka ndjeu për ty. E fëmija e tij asobote
Emnin tand kanë per t’këndue, e vrrini e bjeshka
Gjithmonë i ri, tue njehë furitë e mnershme,
Ambël prej emnit tand kanë me jehue.
Me maje t’briskut kanë me shkrue mbi lisa
Me shkrola t’njohuna veç e prej barijve:
Kanë me u rritë lisat, përse sopata as rêja
S’e prekin landën, ku asht ravisë ai emën:
E tue’u rritë lisat kanë me u rritun shkrolat;
E kshtu ma t’kjarta mbas disa qindvjetëve
Nipat ma t’vonët kanë me i këndue, e emni
Sa t’bjerë dielli tokës ka me t’u këndue.
At Gjergj Fishta “Mrizi i Zanave”

Në shenjë Nderimi e respekti për Nanat Tona Shqiptare pa Monument!
Melbourne, Shkurt 2015

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.