back to top
6.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Narcisismi individual dhe kolektiv – nga Klodi Stralla

Gazeta

Eko dhe Narcizi - John William Waterhouse
Eko dhe Narcizi – John William Waterhouse

Narcisismi individual dhe kolektiv

Të njohim të metat tona

nga Klodi Stralla

Ndër të metat tona, që historikisht na kanë penguar të bëjmë përpara, ka qenë dhe mbetet “të pëlqyerit e vetes” që, kur është me tepri, quhet – Narcisisëm.
Sipas legjendës të lashtësisë, Narcisi ish një bukurosh që refuzoi dashurinë e nimfës Eko, prej të cilit ai vdiq zemërplasur. Nemesis, perëndia që ndëshkonte, e dënoi duke e bërë të dashurohet me imazhin e vet në ujin e liqenit. Duke admiruar vetveten, ai ra në ujë dhe u mbyt.
Kuptimi i legjendës e bën të qartë sesi kjo lloj “dashurie për vetveten”, kur është me tepri, kthehet në një fatkeqësi, që në rrethana ekstreme i çon në vetshkatërim si individët ashtu edhe kombet që e mbartin atë.
Narcisisti dallohet lehtë: kur thotë ndonjë banalitet ndihet sikur ka thënë diçka me rëndësi; zakonisht nuk dëgjon ç’ka thonë të tjerët; është shumë i ndjeshëm ndaj çdo lloj kritike dhe reagon me inat ndaj tyre; nëse është fëmijë shkolle i duket vetja më i bukuri, më i dituri dhe më i shkathti mes tjerëve; nëse është prind, beson se fëmijët e tij janë më të mirë se të tjerët; nëse është drejtues shteti beson se çdo gjë e mirë vendit i ka ardhur prej tij dhe merakoset sinqerisht për fatet e vendit pas largimit të tij në botën tjetër.
.
Narcizisti
Narcizisti
Ai është zakonisht tip i mbyllur, shumë pak bashkëpunues me të tjerët. Ai priret të trasformojë botën për rreth duke t’ia përshtatur dëshirave të tij, për t’i detyruar të tjerët të pranojnë idetë dhe iluzionet e tij personale dhe kjo, duhet pranuar, kërkon talent e cilësi, të cilat personi normal nuk i ka. Sa më i fortë narcisismi, aq më pak personi narcisisist pranon dështimet e tij; për dështimet e tij ka prirje të fajësojë të tjerët.
Narcisismi është një dukuri universale tek fëmijët e porsalindur. Në këtë fazë fëmija nuk ka mardhënie me botën e jashtme (sipas terminologjisë froidiane “libidoja” e tij nuk i ka projektuar ende gjërat jashtë). Bota e jashtme nuk ekziston për fëmijën; ai nuk bën dot dallimin midis “unit” dhe “jo unit”. Realiteti i vetëm për fëmijën është vetvetja, trupi i tij, ndjenjat e tij fizike.
Me kalimin e viteve fëmija forcohet fizikisht, bashkëvepron me botën e jashtme, përplaset me të dhe shpesh edhe dështon në arritjen e synimeve dhe dëshirave të tij. Kjo i krijon atij ndjesi dhe përvojë që jashtë tij ka një realitet tjetër, të ndryshëm nga i tij, me të cilin i duhet të përballet dhe të fitojë. Kështu lind njohja e vetvetes, vetëdija apo si i thonë ndryshe – ndërgjegja.
Tek njeriu i rritur narcisist, kjo fazë e kalimit nga puberteti drejt adoleshencës, nuk ka ndjekur rrugën normale të evoluimit, është deformuar rrugës, për shkaqe nga më të ndryshmet, që nuk janë objekt i këtij shkrimi. Në një farë kuptimi narcisisti është një lloj i sëmuri social “sui generis”.
Njeriu gjithmonë ka jetuar në grup, me njerëz të tjerë. Ky grup mund të jetë racor, etnik, fetar apo partiak. Që grupi të egzistojë dhe përparojë ka nevojë që antarët e tij të besojnë realisht në superioritetin e vlerave të grupit të tyre ndaj grupeve të tjerë. Por nëse kjo dashuri për grupin tejkalohet dhe shoqërohet me urrejtjen ndaj grupeve të tjera, këtu kemi të bëjmë me atë që quhet Narcisismi kolektiv, i cili, kur ka qenë virulent, ka shkaktuar jo pak luftra të përgjakshme gjatë historisë.
.
Narcizizmi Kolektiv
Narcizizmi Kolektiv
-Tek europianët e tre shekujve të fundit ishte ngulitur besimi se Raca e tyre e bardhë, ishte superiore ndaj racave të tjera. Për rrjedhojë ata i dhanë vetes të drejtën morale që t’i sundonin këto raca duke pretenduar se po i qytetëronin. Këtu e kishte themelet – kolonializmi.
-Po ashtu në shekullin që shkoi gjermanët kishin bindjen se Etnia e tyre dallohej nga të tjerat për forcën e disiplinës dhe kreativitetit dhe, me këtë besim, përligjën dy luftrat e mëdha botërore.
-Të tilla janë për historinë lufrat e medha Fetare: ato të kryqëzatave në shek. 12 dhe 13-të, midis kristianëve dhe muslimaneve, apo lufta tridhjetvjeçare në shek. 17-të midis katolikëve dhe protestanëve, ku në themel të tyre ishte besimi se Zoti i të parëve ishte më i mirë se Zoti i të dytëve, se të parët ishin besimtarë dhe të dytët të pabesë.
-Po kështu brenda një shteti Partia shihet si përfaqësuesja e vetme e interesave kombëtare dhe gjithë të tjerat, etiketohen si përçarëse dhe antikombëtare. Ky vision ka patur pasoja në histori në ato që quhen luftra civile.
Në të gjitha këto raste, kur dashuria për grupin tejkalon caqet e dashurisë dhe shihet si shenjë superioriteti ndaj tjetrit që urrehet, kemi të bëjme me shfaqje të narcisismit të grupit.
Por çdo gjë ka edhe të kundërtën e saj – antidotin: Narcizizmit racor iu kundërvu këndvështrimi humanist – qeniet njerëzore janë e njëjta specie – Homo Sapiens; Narcizizmit fetar iu kundërvu koncepti i Zotit; Ai është një, të ndryshme janë vetëm mënyrat e adhurimit të tij; Narcisismit etnik iu kundërvu koncepti i shoqërive multietnike, ku roli i qytetarit në shtet sanksionohet nga Kushtetuta dhe minoritetet gëzojnë lirinë e ushtrimit të kulturës të tyre; Narcizizmit partiak iu kundërvu pluralizmi politik, ku grupime individësh me bindje të ndryshme politike konkurojnë për rrotacionin e pushtetit.
Në një farë kuptimi, historia njerëzore është historia e përpjekjeve për të kapercyer narcizizmin individual dhe kolektiv të qenieve njerëzore, historia e përpjekjeve të parreshtura për të pastruar pengesat që kanë ndrydhur arsyen dhe mendimin kritik në shekuj: Gjinia njerëzore mund të shpëtojë nga vuajtja vetëm nëse zgjohet nga iluzionet e saj dhe bëhet e vetëdishme për realitetin – realitetin e shkatërimit të mjedisit, të pabarazive të theksuara ekonomike, të mundësive potenciale të shkatërimit të planetit nga armët e shkatërimit në masë, të konkurencës të egër ekonomike midis kombeve etj, etj.
Thirrja që bënte dikur Buda: “Nëse doni të shpëtoni nga vuajtja duhet të luftoni lakminë dhe kërkesa për “Rizgjim” të njeriut, nuk është gjë tjetër veçse thirrja për të kapërcyer narcisismin vetiak dhe kolektiv dhe për të ndërtuar një mardhënie të re me botën!”
Kriza e sotme botërore, që është një riciklim i krizës të viteve ’30 të shekullit që shkoi, është simptoma më evidente e forcës të Narcisismit individual dhe kolektiv tek shoqëritë e sotme më të civilizuara dhe kapërcimi i saj të orienton drejt nevojës për t’iu rikthyer mësimeve të lashta profetike për ta dominuar Narcisismin.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.