Nata amerikane e SuperBowl XLIX…
nga Jozef Radi
Sonte asht Nata e SuperBowl-it amerikan…
asht ma shumë se nji ndeshje, asht ma shumë se nji sport, asht diçka në teh ku andrra dhe realiteti rrijnë bashkë, njashtu si horizonti… Asht ajo e veçanta që e ban Amerikën Amerikë… të pangjashme me askënd… e të pakrahasueshme me asgja… e veçantë si ajo e askush tjetër.
Asht nji mbramja, ku njeriu n’luftë t’egër sportive kërkon me i kallzue së pari vedit e mandej botës se kush asht e çka asht… e pra, krejt Amerika, shpirti i saj, sot në gjashtë e gjysë të kësaj së dille fillimshkurti, e ndal frymën, harron gjithçka, ndal krejt motorat e jetës dhe të biznesit dhe i mban ngulun sytë në ekranin e madh…
Ndoshta e krejt bota e kqyr me habi kët marri amerikane, që asht e tyne, veç e tyne edhe e askujt tjetër…
E asaj as i bahet vonë për botën hiç… sepse çdo gjest që bota ia kqyr dhe ia vlerëson si marri asaj, bahet knaqsia ma e madhe e saj, knaqsia e të qenit ndryshe prej tanë botës…
Tash edhe mue më duhet m’u bà pjesë e kësaj bote, e ksaj marrie, pra më duhet m’u mësue me qenë paksa ndryshe… dhe si kureshtar i lindun, prej kohnash jam mundue me e kuptue magjinë e kësaj nate amerikane, që s’shetit kërkund tjetër…
Jam përpjekë ma shumë me e ndje se me e kuptue; ma shumë me iu fut n’shpirtin e saj, se sa me kqyr rregullat apo disipilinën e egër të ksaj loje,
edhe ata që zbresin sonte në fushë, nën vezullimin e dritave marramendëse e munden m’u krahasue veç me gladiatorët e legjendave antike, sepse gjithçka e shfaqun në fushën e vijzueme, e tejkalon njerzoren…
Pikërisht ky tejkalim i njerzores prej ktyne njerzve: Asht Amerika, shpirti i saj…!
Në të vërtetë, te kjo natë kanë mbrritë veç pak prej atyne që kishin dashtë me qenë aty n’betejën e magjisë së ksaj nate amerikane…
Shumë prej atyne që i mbajnë ngulun sytë ndër ekrane kishin dashtë me uluritë për skuadrën e tyne të zemrës, por ja, rruga e mundimshme drejt fitores s’ka qenë e shkrueme për të tanë, e sigurisht nji ditë tjetër do të jetë edhe për ata…
Sonte Amerika asht e ndame dysh, s’ka indiferentë, edhe pse natyrshëm s’duhej të ndodhte kështu…
Sonte duhet me qenë pakushte o me Patriotat e New England-it o me Fajkojtë e Detit të Seatlle-s, edhe pse të deluzionuemit prej skuadrave të tyne të zemrës, tue përtypë “krahë pulash” mendojne ah sikur t’ishte ndryshe…!!
Por sonte në kët natë dimni (për ata që e kanë dimen), askush s’asht i deluzionuem, pse asht sport, asht spektakël, asht reklamë dhe sportiviteti në Amerikë asht ligj sa i shkruem aq edhe i pashkruem… po gjithsesi i lexuem qartë…
Sonte gjallë o dekun dikush duhet me fitue… Sonte dikush duhet me fitue se s’ban, po ma e randsishmja asht, se te tanë besojne se shpirti amerikan fiton prej kësaj nate…
…Ee të gjithë janë të bindun se Amerika asht ajo që fiton kët natë vezulluese, e askush tjetër…
Sonte asht nata e yjeve ma të paguem të këtij rruzulli… asht nata e krejt atyne që janë ngjitë me mundime e sakrifica të panumërta në piramidën ma të naltë të vëmendjes së Amerikës…
Sonte asht nata e reklamave ma të rralla që njef bota, ato që kanë me ju pri viteve që vijnë… e që kanë me e nisë jetën e tyne, prej kësaj nate arizonase…
Prej sonte mjaft fenomene të reja të botës e kanë nji piketë të ngulun fort edhe në kët natë magjike… Kët mos e harroni!!
Se kjo asht ajo e veçanta e Amerikës… N’nji natë ksisoji si e sotmja, ajo ndez motorrët e së nesërmes…
Po le të zbresim në terrenin e Arizonës, njaty ku përplasen dy skuadrat me emna të mëdhenj: Patriotët e Nju Englandit me quarterback Tom Brady-n dhe Seahawksat e Seatles me quarterback Russell Wilson…
Dihet se dyja skuadrat në tri kompeticionet e fundit kanë qenë nga dy herë finaliste… Pra asnji shaka s’rri në kambë…
Po kush mund të fitojë? – asht pyetja dhe dilema e madhe… agjensitë e basteve janë ato që munden me e dëshmue paret e hjedhuna…
Të dyja skuadrat janë mjaft t’ekilibrueme dhe se lumi i pareve të derdhuna asht pabesueshmërisht i madh, ndoshta Missisippi do dukej krejt i vogël, para atij lumi dollarësh e reklamave ku derdhen miliona n’emën të kësaj nate që ka m’u shkrue n’Legjendën Amerikane si e 49 finale e SuperBowlit…
Se kush do të jetë fituesi, sigurisht ka me e kallzue mesnata e sotme, dhe kur stadiumi Phoenix i Arizonës ka me vezullue prej dritave marramendëse… ku prej ditsh derdhen gjithfarë opinionesh ndër ekranet e krejt mediave amerikane… tue i ba debatet gjithnji e ma të ndezuna, e andrrat fituese, gjithnji e ma të përflakuna…
E pra, për së pari herë jam edhe vetë pjesë e kësaj fryme… pjesë e këtij American Dream-i, me at vogëlsinë e nji europiani që rreket me e kuptue kët botë të madhe ku asht futë, pa e lanë vedin me u turbullue, përtej asaj çka s’mundet…
.
Pensacola – Florida, 1 shkur 2015