back to top
13.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ndahet nga jeta Fatos Baxhaku ndër pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90.

Gazeta

Fatos Baxhaku (1964-2019)
Fatos Baxhaku (1964-2019)

Ndahet nga jeta Fatos Baxhaku

ndër pionierët e shtypit të pavarur të fillimviteve ’90.

Autori i njohur i reportazheve të shkruara dhe televizive, studiues i historisë, një penë e mprehtë kritike e tranzicionit shqiptar.
Baxhaku ka lindur ne Tiranë me 9 janar 1964. Shkollimin e parë e kreu në shkollat asokohe 8-vjeçare, Emin Duraku dhe ” 20 Vjetori”, (sot Dora D’Istria). Shkollimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Ismail Qemali”. Përgjat viteve 1982-1986, studioi në Unversitetin e Tiranës në fakultetin e Histori-Filologjisë ku u diplomua në histori. Që nga 1986 e deri në 1992, punoi ne Institutin e Historisë së Akademisë së Shkencave. Nga 1993 e deri në 1998, ishte bashkëthemelues, kryeredaktor dhe gazetar i “Gazetës Shqiptare”. Në periudhën 1998-1999 ishte kryeredaktor i parë i lajmeve në televizionin “Klan”. Në 1999-2000 ishte kryeredaktor i revisës së përjavshme “XXL”. Nga 2001 deri në 2005, ishte kryeredaktor dhe gazetar në televizionin “Vizion Plus”. Në 2006-20015, ishte kryeredaktor dhe gazetar në të përditshëm “Shqip”. Aktualisht (2015) është gazetar në profesion të lirë.
Fatos Baxhaku është autor ose bashkautor i serialeve me reportazhe “Tunel” (Vizion Plus), “Rrugëtim” (Top Channel), “Shtëpia e Vjetër” (Digitalb) si edhe i shumë dokumentarëve televizive.
Ka qenë disa herë pedagog i jashtëm i gazetarisë në universitetet e Elbasanit dhe Tiranës.
Ka qenë anëtar i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
Bashkëpunëtor në shumë projekte trainimi me Soros, USAID, Instituti Shqiptar i Medias, OSBE.
.
Gazetari Fatos Baxhaku
Gazetari Fatos Baxhaku

Opinione të miqve për gazetarin Fatos Baxhaku

Ardian Ndreca

Paska ndërrue jetë Fatos Baxhaku, nji zotni i përkorë dhe i tërhequn në nji vend ku tutkunë partinash e megallomanë rrjetesh sociale i bien potershëm daulles nadje deri mbramje me suksesin e siguruem të zhurmës marramendëse që shkaktojnë.
Fatosi ishte i veçantë, e gdhendte fjalën e gadi i pavetëdijshëm përçonte mendimin e tij të thellë. Më sillen ndër mend faqe të paharrueshme të tijat për
Shkodrën, për besëtytnitë e sotme, për historinë tonë, për fate grash austriake në Shqipni… para nji viti ia kujtova se në BKSH mungonte vepra e tij me bashkëautor Karl Kaser, buzëqeshi i distancuem dhe me nonchalance!
Iku pa u ndie, i rrallë dhe plot vlera, nji prej të paktëve njerëz që kam çmue atje.
.

Njeriu i mirë Tos Baxhaku - (roland tasho foto)
Njeriu i mirë Tos Baxhaku – (roland tasho foto)

Ilir Demalia

Gazetar i orëve të para të frymës së lirisë dhe ëndrrës për një gazetari si pushtet i katërt, gazetar i zhgënjyer nga marrja në dorë e pseudo-gazetarisë nga provincialët e ardhur me yrysh e shërbestarët e rinj e të vjetër të regjimeve me gazetari shërbimesh e gjobash, duke u pasuruar njësoj si mafja politike dhe duke zaptuar dhe mbytur frymën e lirisë medias së lirë.
Pafuqinë Tij për të përmbysur këtë kënetë gazetarie dhe pushteti, apo pushtet-gazetarie ku të shkrirë në një janë kthyer në një gangrenë për Shqipërinë dhe shqiptarët, ti miku im Fatos Baxhaku e ngushëlloje në tavolinë më miqtë e tu me kafen dhe gastaren përpara, me buzqeshjen e pranuar të fatit të një brezi të humbur vlerash dhe principesh, qytetarie dhe mirësie.
Ti do të kujtohesh i dashur mik, për moralin e gazetarit dhe njeriut, qytetarit dhe mikut, si njeri që në këtë katrahurë e baltovine shoqërore morale antivlerash, ruajte vetveten me dinjitetin dhe modelin e gazetarit dhe qytetarit.
.
Fatos Baxhaku - Cadra e kuqe - histori fatesh
Fatos Baxhaku – Cadra e kuqe – histori fatesh

Artan Gjyzel Hasani

U prehsh ne paqe Tos Baxhaku!
Do të të mbaj në kujtesë si shokun, mikun, kolegun dhe njeriun e rrallë… Dertet e jetës dhe semundja nuk ta hoqën kurrë buzëqeshjen e mbushur me mirësi… Lamtumirë, o njeri i mirë! Ike kaq shpejt…? Ti gjithnjë thoje që do ikësh i ri dhe unë isha i vetmi në tavolinë që e miratoja në heshtje këtë!?
Shqipëria sot humbi njerin nga themeluesit më të spikatur të medias moderne shqiptare…
.

Faruk Myrtaj

Nuk ka mundësi pranimi, për kësi lloj lajmesh…
Jo se ne do duhej o do mund të bënim diçka që ta shmangnim këtë që ndodhi, madje as arsyet e Ikjes apo ato që ndihmuan atë pikën e rëndësisë nuk kanë…
Fatos Baxhaku binte në sy me buzëqeshjen e tij të pakursyer për tërë format e jetës përqark syrit të tij vëzhgues në mjedisin që gjithnjë merrte formë tjetër. Në të vërtetë, gjithnjë tironsit e kulluar i kanë kapërcyer me shpirt të bardhë e zemër të hapur “prurjet e vrullta” të politikës, prej Nëntorit të 1944-ës, e gjer ato të fillimviteve ’90.
I mëshoj këtij fenomeni se i tillë, prej tironsi të butë e tolerues mbeti ndjesia, por edhe qëndrimi publik i Fatos Baxhakut ndaj ndokujt prej aradhës së të ardhurve që shërbyen jo aq pastër në shtyp, në krah të njerës apo tjetrës palë politike…
Vetiu kam krijuar respekt për të, për njerzillëkun e Tij, për maturinë, Ndershmërinë e Tij profesionale, teksa këtë të fundit cilësi, Profesionalizmin ia kam vrejtur prej këndej ku e kam vërtitur veten, në mërgim:
Nuk i kemi aq të shumtë profesionistët dhe të ndershmit njëherësh si te Fatos Baxhaku, jo, nuk…
Edhe sikur këto, ndërshmëria dhe virtyti profesional, të kenë qënë ndër shkaqet që e nxituan ta merrnin prej kësaj jete, kam drojtje se ai nuk do pranonte t’i këmbente mes tyre me mbetjen në Bursën e Ditës së Shtypit e Medias Shqiptare…
Nëse ka ndonjë Odë për Gazetarët në parajsën e medituar gjithnjëshëm prej njeriut, Tos Baxhaku është atje…
Lamtumirë, Fatos Baxhaku…!
.

Erald Kapri

U prehsh në paqe Fatos Baxhaku!
U rrita me reportazhet e tij dhe u formova nga ai në Universitet. “Gazetar nuk bëhesh dot nëse nuk njeh historinë”- më thoshte. Një njeri i rrallë që do u mungojë të gjithëve. Lamtumirë
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.