Ndalu për pak edhe ti… te Vorret e Rrmajit…
Refleksion nga Jozef Radi
Te Vorret e Rrmajit jeton nji pjesë e pavdekshme e jetës dhe kulturës shkodrane… e jo veç shkodrane po edhe mbarëshqiptare… Shkodra s’e ka mendue asnjiherë lavdinë si qëllim në vetvedi, ajo ka ardhë siç i vijnë lulet prendverës, dhe asht ba shpirt i qytetit, ajo s’e ka ruejtë asnjiherë lavdinë veç për vedi, por e ka derdhë gjithkah, si nji “shi të artë”, përndryshe s’do të ishte Shkodër… E teprova?! Jo, aspak! S’kam thanë asgja me tepri deri tash, bile jam i bindun se kam thanë pak… krejt pak. Dhe m’duhet me shtue se Lavdia e Amshueme e Shkodrës s’do të kishte asnji kuptim pa Vorret e Rrmajit…
Pse Vorret e Rrmajit?!
Sepse në fund të fundit deka asht caku i gjithkujt prej nesh, po deka në Vorret e Rrmajit ka tjetër shije, tjetër kuptim, tjetër vlerë, tjetër përmasë… pse në Rrmaj s’ka veç vorre dhe emna, s’ka veç qiparisa dhe lule, s’ka veç qirij e mermerima lutjesh, ka diçka hyjnore që sapo e ven kambën njaty e ndjen që t’futet mbrenda shpirtit dhe s’të shkulet ma… Dhe, O Zot, bjema ditën e dekës, kur t’ma kesh da hisen, po ma len nji qoshe vend diku njaty në Rrmaj…
Pse n’Vorret e Rrmajt, flen lavdia e këtij qyteti, që ende rrin pip në kambë dhe i ban dritë jo Shkodrës, por gjithkah mundet… Unë s’due me përmendë emna, se lavdia e seicilit prej atyne që mundem me përmendë asht krejt e vocërr ballë asaj lavdie të përbashkët të krejt atyne gjigandave që e kanë lanë jashtë n’ajrì at dritë madhnuese që quhet kulturë, gjuhë, fe, dashni, muzikë, pikturë, fotografi, trimni, poezi, humor, mirsjellje, delikatesë, guxim, qytetni e shumçka tjetër që Shkodra e ka pasë, e zoti ka me dashtë me e pasë gjithherë me bollëk ky qytet, e kurrë jo veç për vedi…
Te Vorret e Rrmajit u ndala kësaj për diçka tjetër…
Diku te nji vorr pashë të gdhendun mbi gur nji epitaf krejt i thjeshtë… Ishte edhe nji vit i largët… kohë, kur gjuha shqipe ishte ende n’shpërgejt e gjetjes së gërmave të veta, në përplitje të gjetjes s’atij kahu kah duhej të merrte… U ndala… I kqyra me hutim e dashni ato gërma të lëmyshkta, diku edhe të brejtuna kohe, po jo të palexueshme as të padeshifrueshme. Ndejta mbas tyne si ai fëmija i hutuem mbas loje, pse desha jo veç me u knaqë me ato gërma po edhe me e zhbirilue kuptimin e tyne sa ma saktë… Deshta me e zbërthye njat mesazh të gdhendun në gur, dhe me e ndje si nji relike që mbetet mbrenda meje…
I mblodha nji për nji ato gërma, si të ishin gërma arit… i qita me kujdes prej gurit dhe i vuna mbi letër, mandej m’u desht me e kqyr njat gjuhë shqipe të gdhendun në gur, pse veç e gdhendun në gur ajo kish mbetë e pavdekshme… Me nji frymë ia dhashë at kuptim që ndoshta m’u duk ma i drejti, po edhe në mos qoftë, pak gja mundet me qenë ma ndryshe… U ndjeva i lumtun… Kisha lexue shqipen e para njiqindenjizet viteve, at shqipe të para kongreseve… pse shqipja – mendova me vedi – ka lindë pa pasë nevojë kongresesh, që shumkush rreket me jua dhanë krejt lavdinë atyne… duke harrue at rrugë të pafund mundimi që ka bà, derisa ka mbrritë me u ngulë te ajo rrasë e heshtun gurit njaty në Rrmaj…
U ndala për pak te ajo rrasë guri aty te Vorret në Rrmaj dhe të mendova edhe ty…
Kur të kesh kohë, shko e ndalu edhe ti kajherë… asht magjike… asht krejt jeta… edhe ajo e gjithsecilit prej nesh që nji ditë ka me ngulë në gur… njashtu, n’do gërma të shtrembta t’shqipes së bukur, dhe t’atyne t’shpirtnave që ecin drejt amshimit…
DRIT I PAST SPIRTI
I KUSCS GION CURTIT
UDA A PREI KSAI JET. TE JTEN
E MATE ME 2 DIT PRIDIT
1896 JETOI NGHET
E PREKU 62 VJET
(Dritë i pastë shpirti
i kushës (kushërinit) Gjon Kurtit
u nda prej kësaj jete të enjten
e madhe me 2 ditë të prillit 1896
jetoj ngjet e preku 62 vjet) Leximi im
9 qershor 2014