back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“Ndera” e madhe e Miladinit… – Poemë satirike nga Gjosho Vasia

Gazeta

Gjosho Vasija me të bijën
Gjosho Vasija me të bijën

“Ndera” e madhe e Miladinit…*

Poemë satirike nga Gjosho Vasia

Miladini shkjà Serbije,
rritë gjithë jetën “kalë ushtrie”,
tue ba punën veç “nën hije”,
gjysa dhelpën, gjysë hafije.
Kish nji krye ndà me kuadrate,
mbrenda tyne si ndër kate
ndrynte intrigat, ndrynte hilet,
k’tu trathtinë, atje zhumilet,
këtu thiken, atje vesin,
ndërsa djalli kish xanë mesin
që i rrinte kambturqisht,
tue lujtë sy e tue hjedhë bisht.
 
Nji ditë trimi kish ujdisë,
me i hypë kalit e m’u nisë
n’kryeqytetin e Shqipnisë
tek nji mik, diku n’atë vend,
sa me ndà me tè kuvend…
Por ma s’parit po mendon,
shumë mendon, mos po gabon,
çfarë peshqeshit meriton?
“Nuk besoj se i mjafton mikut
me’i çue sot nji pulë furrikut,
se me pula, gjela e pata,
biba e rosa e tjerë dhurata,
k’to për mikun janë të thata,
s’meriton kaq gjana t’vogla,
s’rrèhet miku me do gogla.
 
Sot dhurohen dele o viça,
o ndoj kosh me krapuliqa,
un kam pa në Podgoricë
dy harusha te ‘i rrugicë.
Çojnë der shqipe e fllanza mali
e po gjete ndoj lloj kali,
por t’ndoj rracë kund arabe,
ose ujq të tokës labe,
ato po, kan’ shumë vlersina
nga që janë dhe egërsina.”
 
-N’sa po e lodhte kokën trimi,
fap! e shkoi me ‘i herë mendimi
tè Stalini e tè Lenini
edhe muer vendim patjetër.
“Po i qoi k’tij mikut t’vjeter
nji piton të gjatë 8 metër..
 
Nji lloj gjarpni, falë miq’sisë,
kapë nder tundra t’Siberisë
fund e krye mveshë me pulla,
sjellë ma ka “shoqja” Janulla,
nga kolkozi sovjetik,
ky po, asht dhuratë për mik.
.
Tarrasi dhe Dushani
Tarrasi dhe Dushani
Shaloi kalin, mori vrapin,
der n’Tiranè s’e ndali hapin,
pa harrue patllaken n’brez,
as dhe gjarpnin mbrenda n’thes,
e me hundë t’skuqun si speci,
n’Tiranë mrrijti “pucaleci”…
 
Sa e pau Tarasi mikun
vuni n’zjarr me ‘i herë jebrikun,
po pijnë kafe e bisedojnë
shumë për gjarpën diskutojnë –
Erdhën shokët prej “strehimit”,
me “i puthë dorën” Miladinit,
u mbush dhoma cep e m’cep
s’ke madje ku t’hjedhish grep..
 
Dy nga “shokët” shtye nga “vesi”
që me dijtë çkà mbrenda thesi,
u afruen e futën sy..
Aman Zot seç kjenë mërthy
prej gjarpnushës, tip kulshedër,
asaj kafshës plot 8 metër,
se sa futen t’shkretin sy
në sekondë mbeten pa krye..
Ashtu cung, rànë mbi dysheme
si dy denga me tanteme..
 
Shpërthej britma e deri gazi,
por mbi t’gjithë u qesh Tarasi
kur s’ia pau kokën asnjenit,
t’premè si i prehet bishti qenit,
e me gaz që i dha shëmbtimi,
fillë u suell kah Miladini
edhe nisi falnderimi
për kët nderë, që s’kish të larë
“ndoshta e dèjë kjo për shqiptarë”-
 
Madje ndera e Miladinit
hyni n’gojën e Xhuglinit,
që dhe kjo nga an’e sajë
te ai thes po ka uzdajë,
se n’duhet, kjo dhe Tarasi,
kanë me prè krena si prasi
kush t’kërkojë që t’i gërsasi –
N’fund me puthje Miladinit
u mbush letra e Xhuglinit…
.
Tarasi midis Dushan Mugoshes dhe Miladin Popoviç
Tarasi midis Dushan Mugoshes dhe Miladin Popoviç
Shkuen vjetët dy e dy…
Taras Beu në zyrë mbërthy,
e tue pasë partinë mbi kry
nji ves-vese i kishte hy…
“Mos t’na mbesë gjarpni pa ngranë!?
Tash e parë duhet me ‘i dhanë.
Miladini na dha nderë,
na e pruni deri n’derë,
na me e lanë me ngordhë urije,
tue pasë k’tu kujdes partije?
 
U hodh para, shkoj mbi tryezë
filloj t’shkruej me ftyrë përmbyzë
t’parin emën mbi nji listë…
“Ky për mue asht shum’ i pistë,
ndërsa ky ka qenë fashist,
e ky tjetri oportunist.
Ky krye-madhi asht dembel
n’origjinë dhe pse gabel
thonë se veshet gagarel.
 
Këto të Kishës janë trathtarë,
k’tu asnjeni s’asht shqiptarë
por anmiq edhe me bisht
qysh se shkruejnë t’gjithë gegnisht”
Edhe fill me dy lloj vulash
mbarë i mblodh si zogj pulash
dhe me nxitjen e Xhuglinit,
fillë tek thesi i Miladinit…
 
Gjarpni hangri shumë zyrtarë,
sa shkollarë e mendimtarë,
e të gjithë sa kjenë tregtarë..
Zhduku miq e shokë sa pat,
zhduku prift e zhduku frat,
sa kushrijë e deri kunat,
dhe me ndihmën e Xhuglinit
hyjshin n’thes të Miladinit,
dhe ashtu të ndamë në copa,
sot askujt s’i dihet gropa..
 
Por nji ditë Tarasi vdiq…
Kishte mbetë pa shokë pa miq
me u vajtue e me u nderue
se kish lanë aq shumë anmiq
sa me rrena kje vorrue..
La nji popull lakuriq,
gjithkund plagë e vàj e gjak,
frigë e burg, urì çdo prak..
 
Edhe gjarpni ngordh’i ditë,
s’pat ushqim ma kush me ‘i qitë,
por për dreq e faqe t’zezë
në Shqipni ka lanë do vezë
që nuk dihet, me pak diellë
asht rrezik se çelin fillë..
Sepse sot Shqipnija mbarë
nuk ka vue asnji kandar
që m’u quejtë drejt’ si shqiptarë.
 
K’tu drejt’sija s’jeton fare
derisa shetit Xhuglini,
Araniti e Muhedini,
ai Xhevdeti apo Edvini
e me qinda tjerë gjaksorë,
që kanë prap diçka në dorë.
E që munden madje fill
me grabitë do rreze diell
edhe vezve me i hapë sytë
me sjellë prap farën e ndytë..
 
Prandej duhet pasë kujdes
mos jetoni me krye n’thes,
po të hyni thesi n’kry
ti jo veç nuk sheh me sy,
por der trunin ta ka ndry,
e po mbete me tru n’terr
barazohesh me nji derr,
e po pate vlerë sa ‘i shtazë
ma mirë zhduku prej dyrnjasë…
 
Gjosho Vasia,
mërgim, Itali, gusht 2010
 
*Binjakët e kuq – Sipas komunistëve, Enveri nuk ishte bashkëpuntor e kolaboracionst me Miladinin dhe Dushanin… por vllazën… E morët vesh….vllazën !
Marrë nga Revista Kuqezi, 132 fq. 20-21

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.