back to top
5.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Nderi i shpëtuar i një dasme nga Izota Haruni

Gazeta

Martesë në kontraluce
Martesë në kontraluce

Nderi i shpëtuar i një dasme

tregim nga Izota Haruni

Ajo ishte më e vogla e katër fëmijëve.
S’e kishte lënë asnjëherë të ftohej prehëri i babit, aq ishte e lidhur me të e aq sekrete kishin bashkë.
Fshehurazi nga ne, të mëdhenjtë, ajo shkonte tek xhepi i babit dhe gjente shpesh aty karamele po edhe nga ata kulaçët pesëlekësh, besoj ju kujtohen, u thoshin edhe ingranazhe…
Dhe ishte aq e bukur… dhe ishte aq e lumtur!
Sytë e saj të zinj… si dy ullinj tejet të arrirë xixëllonin bukur.
Dhe babi krenohej me të… -Po të pa ajo… të rrëzon nga fiku! – thoshte.
Nuk e merrja vesh pse nga fiku dhe jo nga plepi, po s’ka gjë thoja, fiku është më i ulët… rreziku më i vogël.
Edhe mua më bëhej qejfi… e kisha më shumë së motër… e kisha rritur vetë,
dhe sa më shumë rritej aq më e bukur bëhej.
Unë kisha gjithnji frikë nga bukuria, pse në fshat bukuria është e frikshme. Po bukuria ishte dhuratë e zotit… dëshirohej, po as blihej e as shitej gjëkundi; as nuk mund të vidhje as mund ta merrje borxh bukuri.
Bukuria, mbetej krenari e çdo femre… po edhe e meshkujve… pse jo!
Sa herë shihnim vjedhurazi çuna të bukur, e sa shumë djem e kaluan natën zgjuar, vetëm për takime pak çastesh. Po të shkuara e të harruara…
Ne ishim tre motra që na quanin të bukura, po për mua ajo e vogla ishte më e bukura e të trijave!
Dhe fati desh që ajo të fejohej e para, ndoshta pikërisht pse ishte dobësia ime…
Babai nuk desh dhe: “Po nuk falet bajrami i vogël para të madhit!” – ngulte këmbë ai.
Ehhh o babë, – i thoja – Mos prit për mua, se unë nuk martohem!
Unë isha te njëzetepesat… “dhe nuk më mbushej as mendja, as më ndalej syri gjëkundi!” -Kështu justifikohej mami sa herë e pyesnin të afërmit kur binte fjala për mua.
Për fejesën time, ndoshta kujtohem një herë tjetër të shkruaj, po sot do shkoj drejt e te martesa e motrës së vogël: Bukuroshes sime!
Po afrohej dita dhe kishin filluar pregatitjet… Atmosferë e gëzuar, radio në kup të qiellit… ethe dasme, dhe na dukej sikue e gjithë bota vërtitej rreth asaj më së voglës sonë, sigurisht mua të parës…
-Mos dil në diell moj shejtankë se do nxihesh… i tërhiqte vazhdimisht vëmendjen mami. -Mos prek gjë me dorë se të thyhen thonjtë… – vazhdonte ajo (eh ata të shkretë thonj duhej dy muaj të rriteshin pak, sa e lehtë tani… tani të rriten edhe brenda ditës!!)
Mbas shumë pune u hap edhe vendi im i preferuar… sheshi i kërcimit dhe i ahengut, që mezi e prisja.
Dhe jo vetëm unë po gjithë mosha jonë, mbasi ishte dasmat ishin e vetmja mënyrë dëfrimi që kishim. Rreth atij vendi vendoseshin stolat, ca dërrasa që si këmbë kishin ca tulla, po edhe kaq na mjaftonte… kënaqeshim me aq pak.
Dasmat bëheshin në oborret e shtëpive dhe jo në restorante… mbasi qyteti kishte vetëm dy restorante… po edhe ata të bekuar restorante nuk ishin për ne.
Eh, sa shumë gjëra nuk ishin për ne…
Enët e guzhinës merreshin me qera… edhe ne ashtu bëmë. Edhe guzhinjeri me qera merrej. Edhe ne me qira e morëm guzhinjerin… A ju kujtohet Luti. Lut guzhinjeri i thonim.
Dhe pregatitjet vazhdonin… dhe Luti fërshëllente, e dukej sikur gjithçka po ecte fjollë.
Dasma jonë ishte të shtunën në darkë, se ne nxirrnim gocë, të djelën e kishte dhëndri.
Të enjten në darkë ne ia filluam ahengut! E njëjta gjë edhe të premten.
Një martohet… Njiqind shkallohen! – thoshte gjyshja ime, po shyqyr i erdhi radha edhe shtëpisë sonë më së fundi të gëzonte…
Nuk kishim parë një ditë të bardhë… Shyqyr… Shyqyr bënte gjyshja, ndërkohë që gjysma e të ftuarve kishin një javë që na kishin ardhur.
Kohë të bukura… ku hahej bukë me sallatë domatesh dhe içik djathë… kohë të paharruara rinie.
Në shpinë time ishte hareja dhe gëzimi i parë… Nuk mund ta harroj lodhjen e mamit… po gjithmonë e qeshur… priste e përcillte gjithë botën… jepte urdhëra… vraponte gjithë kohës, dhe kërkonte ta kishte çdo gjë nën kontroll.
Kjo ishte edhe krushqia e parë e jona… pastaj ajo e kishte të sërës së saj… dhe dhëndrin e donte shumë.
Po shkonte çdo gjë për bukuri – siç thonë andej nga anët tona.
Gjyshet, të dyja të ulura afër njëra tjetrës diskutonin parreshtur.
Të nesërmen… ishte dita e madhe!
Motra ime qe veshur nuse dhe vajzat e lagjes i këndonin edhe ndonjë këngë për ta ngacmuar.
O zot sa e bukur që ishte e vogla ime…

Martesë dhe fushë...
Martesë dhe fushë…

Gjitha nuset janë të bukura… por ajo bënte ziliqare edhe hënën… shkoja dhe puthja me plot dashuri dhe mall, dhe më dukej sikur më merrte malli edhe pa dalë nga dera, për të voglën e shpisë.
Simbas fërshëllimës Luti ishte në rregul, po babai e porosiste Lutin të bënte kujdes… dhe t’i mbushte mirë pjatat me mish të shtunën…
-E kam merak vetë… – pëgjigjej Luti… – Këtë dasëm s’ka për ta harruar asnjëri… – krenohej Luti – Ja do ta shohësh!!
Dhe babi i rrahu shpatullat dhe doli të merrte mishin e porositur të dasmës.
Asokohe nuk kishte kush frigoriferë dhe mishi merrej i porsatherur.
Nëpër tavolina po bëheshin pregatitjet e fundit. Dukej se punët e dasmës në dorë i kishte marrë ndonjë fatinë dhe çdo gjë bëhej si me shkop magjik.
Të lodhur, ishim ulur pak ta merrnim veten, sepse shkop magjik nuk ekzistonte, kur te porta shoh babin që po kthehej i ngrysur dhe i mërzitur… E pamundur! Ai qe plakur brenda një ore, dhe duart i mbante të varura te gjunjët… Lumturia dhe gëzimi që vezullonte ato ditë në fytyrën e tij ishin shuar… ngjyra i kishte ikur… Vetëm një herë e kisha parë babin ashtu! Ditën kur i vdiq i vëllai.
Nuk foli asnji fjalë… dhe ne të gjithë u shtangëm!
-Kush ka vdekur o ba?! Ça ka ndodhur… Po ça ke o ba, po fol o ba! I them me të butë, po mjaft e shqetësuar.
-Nuk… më dhanë mmmishh… Nuk je anëtar kooperative… më thanë!!
-Uuuu korba unë!!! – ja priti me britëm mami – Edhe kjo na u desh! Po tani si i bëhet… Po ku ta përplasim kokën… ça të bëjmë?! Si do t’u dalim para njerëzve
Sot, që e kujtoj më vjen të qesh… do ta quanin dasëm vegjetariane… dhe ndoshta do ishte e vlerësuar… Po jo atëhere… Atëhere bëheshe gazi i botës.
Dhe ajo dite aq e gëzuar, befas qe kthyer në ankth.
-Po tani ku të mbytemi?! – ia nisi me të qarë mami
Babi nuk fliste fare. Ashtu i pamundur dhe me kokën ulur si fëmijë i zënë në faj kishte mbledhur shpatullat dhe asnji fjalë. Si sot e sjell ndër mend gjendjen e tij.
Isha strukur mes shpatullave të tij dhe me grushtat shtërnguar, evitoja çdo përplasje të shikimeve.
Atij i vinte zor nga miqtë e ftuar… Ndjehesh i turpëruar se nuk i kish dalë dot zot dasmës së vajzës tij. Po pse t’i mbetej turpi atij… le t’u mbetej atyre që e kishin detyruar një baba të qante në dasmën e vajzës… Poooo, turpi le t’u ngelej atyre që e luftonin atë prind jo ballë për ballë, po në emër të detyrës..
Turpin le ta mbanin ata që ishin turpi.
Po pse nuk na donin… çfarë u kishim bërë ne… pse kërkonin me çdo kusht të na shkatërronin, e mos të gëzonim asnjë festë… Pse?!?
Ne as ishim shpallur “armiq të popullit” as kriminela ishim. Vërtet, nuk ishim anëtarë partie, po as kundërshtarë të tyre s’ishim.
Shihja babin që humbiste nga çasti në çast në xhaketën e tij… Po si mund të përgjysmohej njeriu ashtu për një orë… Si mund të durohej një poshtërim i tillë… Si mund ta kapërdija atë kafshatë të helmët… Eh sa forcë i duhej shpirtit ta përballonte… ai shpirti i tij që u konsumua larg fëmijëve… pa e gëzuar edhe rritjen e asaj vajzës që sot po e martonte!
U ngrita brof!
Forca e një vullkani shpërtheu brenda meje… dhe kërkonte një shteg për të zbrazur gjithë zemërimin e grumbulluar si llavë e nxehtë që merr hov e shkatërron gjithçka që gjen përpara. Si bishë e plagosur u lëshova drejt atyre zyrave që kurrë më parë s’i kisha shkelur.
O sa dëshiroja të isha si ata përbindëshat e përrallave që villnin flakë.
Doja ta digjia gjithë botën, ta shkatërroja me themele.
Ishte nga ato çastet… kur ndjehesh i vdekur brenda… kur të kanë përdhunuar të drejtën për të jetuar me dinjitet, kur janë tallur me ty pa mëshirë, kur të kanë nëpërkëmbur me indiferentizëm e shpërfillje.
Por prap edhe njëherë koha tregoi që ishim të pamundur: Ata ishin vula dhe firma… Ata ishin guri dhe arra… ata ishin ATA. Ne ishim liliputët e Guliverit, dhe ata mund të luanin futboll me ne kur ju donte qejfi.
Me kë të flisja… kujt t’i drejtohesha. Truri me qe mpirë dhe nuk më funksiononte..
Pas pak më erdhi një flesh në mendje. Do shkoja të takoja zotin Bu… Po, po do t’i shkoja e t’i flisja me zemër në dorë. Ndoshta më ndihmonte… Edhe unë e kisha ndihmuar dikur… përveç se vëlla i një shoqes sime, e njihja edhe vetë. Në fund të fundit, te gjithë njiheshim në fshat!
Mezi e gjeta… Si gjithmonë ai nëpër stalla… -Po ti ça do këtu? – më pyeti dhe më hodhi dorën mbi shpatulla.
Nuk u përmbajta dot, vetëm ia shkrepa një të qari që as vetë s’e di nga më doli… dhe me ngashërim ja qava hallin si munda.
Ai vuri buzën në gaz… nxorri një bllok nga xhepi dhe shkruajt: “Të theret një viç… le ta zgjedhi vetë… dhe të marrë sa të dojë!”
Në atë çast m’u bë sikur bota ndrroi ngjyrë
Ishte ai, zoti Bu…, që ndryshoi ngjyrën e shpirtit tim.
Atij shpirti që po valonte, e që me një dozë të vogël uji të ftohtë e qetësoi. Mbas dy orësh isha rrugës për në shtëpi me dy kofshat e mëshqerrës që mbante emrin tim.
Sot, ndërsa po e shkruaj këtë ngjarje qesh me vete me emrin e asaj mëshqerrës fatkeqe që mbaja mbi shpatulla, për të qetësuar zemrat e atyre prindërve që s’u kishte qeshur buza njiherë.
Isha krenare që s’e kisha lejuar tim atë të bëhej anektoda e fshatit, e ndoshta edhe do t’i këndohej
Dasëm bën Ali Seferi… / dasëm lele-o dasëm lele-o
Dasëm bëri mish e nuk theri/ dasëm lele-o dasëm lele-o…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.