back to top
6.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024

Nderim dhe mirnjohje për nji Mbret… nga Jozef Radi (fb)

Gazeta

Lazër Radi, Leka Zogu i I dhe Hazir Shala
Lazër Radi, Leka Zogu i I dhe Hazir Shala

Nderim dhe mirnjohje për nji Mbret…

nga Jozef Radi (fb)

Shqiptarët sot përcjellin Mbretin trashgimtar, Leka Zogun e I, i biri i Ahmet Zogut, nji figurë komplekse, për të cilin historiografia jonë ende s’ka gjetë as guximin qytetar dhe as arsyen e ftoftë me ia njoftë ndonji prej reformave të mëdha apo dhe atributeve shtetformuese…
Ende sot hezitohet me e respektue dhe vlerësue ashtu siç e meriton kjo figurë dhe kjo familje për rolin që luejti dhe qëndrimet që mbajti, për angazhimet dhe kontributet në nji nga kohnat ma të vështira tonat, e që na solli krahas nji prej mbretnive ma të reja të Europës, edhe emnin e nji shteti serioz, respekti ndaj të cilit ishte në rritje…
Sigurisht, sot asht ditë e dhimbshme lamtumire për familjen mbretnore dhe krejt mbretnorët. Mbasi në harkun e pak viteve oborri mbretnor shqiptar, humbi Nanën Mbretneshë: Geraldinën, Mbretneshën Suzanë dhe tash së fundi edhe Mbretin Leka i I… Nji trini kjo, që ka dëshmue dashni dhe devocion ndaj kombit dhe qytetarve të vet… E kjo s’duhet harrue asnjiherë…
Shteti i sotëm, në kapërcyell të nji shekulli histori, në nderim të kësaj familje, krejt personazheve historike të saj dhe kontributeve ende të pavlersueme, i ka ngritë në gjysështizë flamurët dhe e ka caktue 3 dhjetorin si – ditë zie… Asht ndër të paktat akte, që ky shtet ngrihet fuqishëm mbi vetvedin dhe mbi nji paragjykim të ngurtësuem, që ka rrënue kujtesën historike ndër breza të tanë në mospasjen e nji gjykimi objektiv të historisë dhe shumë personazheve të saj…
E kjo sot për fat ka ndodhë…!
Le të jetë emni i nderuem i Leka Zogut të I, nji frymë emancipimi në politikën shqiptare, nji frymë afrimi në kët shekull trazimesh e vuejtjesh, në kët shekull shtetformues plot luftna dhe trauma.
Çka i ka mungue shtetit shqiptar deri sot, besoj se s’duhet me i mungue qytetarit shqiptar nesër në vlerësimin e mbretit, mbretnisë dhe krejt historisë shqiptare. Ka ardhë koha me ia shlye kët detyrim Mbretit Zog, te trashgimtarët e tij… Sepse nji popull që di me i ruejtë dhe me i mbrojtë vlerat e veta, asht nji popull me të arthme… Përndryshë dëshmojmë që pak gja mësojmë prej pësimeve…
Nderimi i Leka Zogut të I, asht nderim i nji të vërtete historike, asht nderim që ne i bajmë kujtesës historike dhe vetes sonë…
I lehtë të qoftë dheu o Leka i Shqiptarëve!

***
Nji prej personave që unë ia pata bashkngjitë kët shkrim, shprehu mosaprovimin e tij të hapun ndaj mbretit dhe mbretnisë në shkrimit tim… Pa dashtë me e përmendë emnin ai mbështetej vetëm në disa gjykime vrasjesh të kundërshtarëve, për të cilat unë u detyrova me dhanë edhe shpjegimin e maposhtëm… Shpejt ai e hoqi shënimin e vet, por unë e gjej të arsyeshëm ta pasqyroj edhe kët shënimin tim të dytë, të cilin mund ta konsideroj pjesë e shkrimit të masipërm… jr

***

I nderuemi zoti…
ma s’pari Ju falenderoj për shënimin e lanë në kët shkrim, dhe së dyti detyrohem me u shty paksa në gjykimin e kandshikimeve tona për nji pjesë të historisë shqiptare, të cilat i gjej disi të largëta… Pra më lejo të sqaroj disa hollësi…
Nuk jam monarkist dhe as kam ndonji debolesë ndaj monarkive! Po di me thanë se Monarkitë kanë luejtë nji rol të randësishëm në historinë e botës! Gjykimi im mbi Monarkinë Shqiptare s’asht i grafulluem prej asnji lloj emocioni. E kundërta asht e vërteta. Kam lexue shumë dhe kam ndigjue po aq shumë prej atyne që e kanë shkrue, studiue dhe jetue në monarkinë shqiptare dhe asnjiherë s’e kam zvogëlue hapsinën e gjykimit të asaj periudhe pushteti, thjesht tek disa vrasje patriotësh!! Edhe pse Ju e citoni Fishtën kundra Zogut, kjo asht nji tregues i vlerave të Njenit dhe Tjetrit dhe jo e kundërta. Dihet që edhe Fishta ka qenë nji kundërshtar i hapët i Zogut, (dhe ky s’ka qenë nji mëkat i tij) bashkë me të edhe Noli, Curri, Prishtina, Valteri, Mulleti, Gurakuqi, Omari, Rustemi, Konica e plot të tjerë. Ju e dini fort mirë që ka edhe nji Revolucion, ka edhe disa atentate të kryeme jo si rezultat i ndonji konflikti personal, por si konflikt grupi dhe interesah politike, pra ka edhe nji reagim emocional me vrasje, burgosje, ku asht edhe hija e Zogut, po jo si mbret, nga nji tjetër pozitë. Sigurisht këto u përkasin ma shumë arkivave të historisë dhe studiuesve, por na përkasin edhe ne të tjerëve, për me i kuptue pak ma drejt realitetet e kohnave të ikuna me gjetë rrugë të reja komunikimesh, dhe mos me e lejue veten me qenë viktima të përjetshme të ngjarjeve të seleksionueme, siç ka ndodhë edhe në shënimin Tuaj. Simbas Jush, Zogu asht vetëm negativ dhe kriminel, kurse Tjerët janë vetëm pozitivë dhe heronj… Më vjen keq, pse unë jam fort larg kësaj mënyre të menduemi.
Kjo mënyre e leximit të historisë shqiptare dhe personazheve të saj duhet të marrë fund njiherë e mirë!!! Sepse qytetarët janë dhe duhet të mbeten gjithnji ma shumë patriotë se shtetarët e tyne…!! Prandaj të gjithë bashkë, duhet me i gjetë vetes pak më shumë patriotizëm se cilido shtetar, nëse e duam vërtet vendin dhe historinë tonë…
Të vërtetat e shtetarëve të mëdhenj shijohen si pikturat e mira, duhet me ndejtë gjithnji pak larg tyne për me e pa thellsinë, dhe sigurisht figura e Ahmet Zogut, sot ka largësinë e mjaftueshme për me i pà gjanat pak ma ndryshe, gja e cila tek Ju ende s’ka ndodhë…
Edhe vdekja e Mbretit që s’mbretënoi kurrë… në shkrimin tim kët kuptim kishte dhe ka…
Ju përshëndes dhe ju kërkoj ndjesë për kët zgjatje… të nevojshme!
Jozef Radi
3 dhjetor 2011

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.