
Nderim jetës dhe veprës madhështore të prof. Sami Repishtit
nga Hysen S. Dizdari
(me rastin e ndarjes nga jeta me 27 nëntor 2024)
Prof. Sami Rrepishti ka thënë:
“Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: Shqipëri më jep nder me jep emnin shqiptar!”
“Respekti për jetën dhe dinjitetin e çdo personi asht në krye të listës së detyrimeve tona në jetë.”
Unë kam patur fatin e veçantë, të prezantohem me Prof. Sami Rrepishti, në vitin 2018, me rastin botimit të librit tim: “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913-2017”, kur një kopje të librit e ja dërgova me postë në ShBA.
Prof. Samiut, i cili mbasi e mori librin tim e lexoi më dërgojë urime të veçanta për botimin e tij. Nga ky moment, kami patur korrespondencë të vazhdueshme në rrugë elektronike. Nga komunikimet me Prof. Sami Rrepishtin, unë ruaj kujtimet më të mira, si një nga intelektualët më të mëdhej të Kombit Shqiptar. Nga korrespendenca me Prof. Sami Rrepishtin ruaj dy nga kujtimet më brilante të tij.
1.Në vitin 2019, më konfirmojë më email se ai, do t’i dhurojë Biblotekën e tij personale: “Lidhjes Shkrimtarve Shqiptare-Amerikane” në ShBA.
2.Po në vitin 2019, ai më konfimoi me email, se arkivin tim personal kam vendosë t’ja dhurojë: Muzeut Historik të qytetit të lindjes tij, Shkodrës.
Kam besim se amaneti i tij do ta respektojnë me korrektësi nga pasardhësit e tij, dhe arkivi i tij personal t’i kthehet, Shqipërisë dhe konkretisht Muzeut të qytetit të Shkodrës.
Profesor Sami Repishti ishte shembull i intelektualit të rrallë i atdhetarit vetmitar, i cili vuri gjithçka, pasurinë, familjen, jetën e tij në shërbim të atdheut e Kombit Shqiptar.
Duke vlersuar kontributin madhor për Shqipërinë Prof. Peter R. Prifti, autor dhe historian ka theksuar: “Për mendimin tim, Prof. Sami Repishti qëndron në krye të intelektualeve të diasporës shqiptaro-amerikane. Ai është pasardhës i denjë i Rilindasve, sepse ka zbatuar me besnikëri idealet e tyre të larta…”
Po e vazhdoi këtë shkrim me një thënie të Prof. Nderuar Sami Repishti, gjatë një interviste dhënë ish Kryeredaktorit të Gazetës “Dielli”, z. Dalip Greca ku ai theksoi: “Atdheu nuk më ka asnji faj. Edhe sot unë them: “Shqipëri më jep nder me jep emnin shqiptar”! Dallimi në mes të tri diktaturave asht vetëm nga ngjyra. Të tria kanë nji objektiv: shtypjen e individit, heqjen e lirive personale, dhe forcimin e konformitetit të shoqnisë, ku çdo qytetar asht vetëm nji “objekt” që i shërben “partisë” dhe asgja ma shumë. Unë kam përjetue të tri diktaturat dhe me humbje të mëdha: babai ka qenë viktimë e fashizmit italian; kushërini i parë u ekzekutue nga nazistët gjermanë; nana, vëllau e motra u internuen në Berat dhe në Tepelenë. Unë, student 21 vjeçar, jam torturue randë, kam vuejtë dhjetë vjet në burg dhe jam arratisë me rrezikun e jetës…”
Profesor Sami Repishti lindi në qytetin e Shkodres më datën 6 prill 1925 në një familje me tradita të mëdha atdhetare e patriotike, dy prindët e tij ishin, Hafiz Ibrahimi dhe Hava Bushati.
Ndoqi mësimet në shkollën fillore “Oso Kuka”, pastaj përfundoi me rezultate të larta gjimnazin e Shkodrës. Në vitin 1942, pasi kishte përfunduar maturën, me konkurs fitoi një burse nga Ministria Arsimit për të vazhduar shkollën e Lartë në Fakultetin e Historisë të Firences, Itali.
Persekutimi i familjes Repishti filloje në vitin 1943, ku në fshatin e tyre të origjinës Repisht të Malësis Madhe të krahinës të Shkodres, autoritetet fashiste e arrestojnë të atin atdhetarin Hafiz Ibrahimi, për shkak se kishte strehuar nipin e tij, i cili kishte ide komuniste dhe pasi e torturojnë rëndë i ati i tij vdes nga torturat e autoriteteve fashiste me datën 29 shtator 1943.
Por persekutimet ndaj familjes atdhetare Repishti nuk kanë të ndalur. Kështu në muajin maj të 1946, mori pjesë në varrimit e Arqipeshkvit Imzot Gaspër Thaçi dhe vetëm pak muaj me vonë me datën 22 tetor 1946, e arrestojnë forcat e sigurimit të shtetit komunist dhe e akuzojnë për “Agjitacion e propagandë kundër shtetit”.
Mbasi e mbajnë 14 muaj në hetuesi e dënojnë me 15 vjet burg.
Mbasi vuajti 10 vite burg nëpër burgjet e sistemit komunist, ai në vitin 1956 lirohet nga burgu dhe pas burgu detyrohet të punojë si puntor krahu në kanalizimin e tokave të Qendrës Zooteknike të Shkodrës.
Ja konkluzioni i tij i thelluar si i mbijetoi me rezistencën e tij burgjve komuniste, në intervistën dhënë Gazetës, “Dielli”, ish kryeredaktori, Dalip Greca ai thekson: “Rezistenca e bashkëvuejtësve ka qenë elementi themelor i guximit tonë me rezistue si ata, mos me u turpënue, mos me u dorëzue, me shpresue në ditë ma të mira edhe në netët ma të vështira të jetës së zezë nën torturë. Bashkëvuejtësit e mi: ata janë herojtë e mi, ata meritojnë falënderimin tim, sepse ata më mbushën me shpresë dhe me guxim tue ndjekë shembullin e tyne në moshën 21 vjeçare…”
Me datën 22 gusht 1959, arratiset në Jugosllavi ku si emigrant politik izolohet; pastaj përfundon në kampin e refugjatëve të Gerovës, Kroaci, nga i cili më datën 1 shtator 1961, arratiset dhe vendoset në Trieste, Itali, në kampin e refugjatëve San Sabba, ku fitoi të drejtën e azilit politik. Pasi qëndëroi 6 muaj në kampet e Capua-s dhe Latina-s, pranë Napolit dhe Romës, më datën 9 prill 1962, emigroi për në ShBA.
Në 25 vjetorit e shoqatës Atdhetare “Vatrës”, takon edhe ideologun e revolucionit Qershorit të vitit 1924, mikun e babait tij, poetin e madh atdhetarin Fan S. Noli.
Në vitin 1968, merr nënshtetësinë amerikane dhe pastaj vazhdoi studimet në Universitetin Amerikan, ku në vitin 1977 përfundoi Doktoraturën në Departamentit e Frëngjishtës në City University of New York.
Përgjat 25 viteve ka kryer detyra të rëndësishme duke filluar nga detyra e pedagogut në kollegjet amerikane, pastaj qenë kryetar i Departamentit të Gjuhëve të Huaja, për shkollat e qytetit Malverne, New York, koordinator i programit për studime të avancuara, Lice-University, Adelphy, Garden City, NY, 1976-1991, dhe po aty pedagog i jashtëm.

Prof. Sami Repishti e kishte ëndërr të shikonte Kosovën e lirë dhe kështu në muajn prill të vitit 2000, ai ralizon ëndrrën e tij të vjetër duke vizituar Kosovën e çliruar nga pushtuesit e huaj. Ja sa me durim e fisnikeri ai e shpjegon kush ka qënë dhe është edhe sot qëllimi i jetës tij. Në intervistën dhënë Gazetës “Dielli” ku thekson:
“Unë jam akoma i bindun sot, 72 vjet ma vonë, se mbrojtja e jetës, dhe dinjitetit të çdo qenie njerëzore ashtë detyra ma e naltë dhe misioni ma fisnik i çdonjenit nga ne, sot dhe nesër. Përsa kohë që ka burra, gra, fëmijë të pafajshëm që vuejnë për çdo arsye qoftë dhe në çfarë do mënyre qoftë, duhet të jetë detyra e çdonjenit nga ne me luftue këtë të keqe pa kompromis. Çdo spjegim, çdo justifikim me i ikë kësaj detyre të shenjtë nuk ka vlerë. Çdo gja tjetër ashtë e dorës së dytë. Respekti për jetën dhe dinjitetin e çdo personi ashtë në krye të listës së detyrimeve tona në jetë. Nji parim themelor i këtill na frymëzoi edhe në burgje e kampe pune të detyrueshme, dhe krijoi nji lëvizje solidariteti me ata që vuejshin ma shumë se na: me ndihmue, me përballue së bashku, me qetësue shpirtrat e trazuem, me ngushëllue ata që nuk ngushëlloheshin, e kështu me rradhë…!”
Prof. Sami Repishti është autor i më shumë se 100 studimeve e artikujve me tema shqiptare dhe të Drejtat e Njeriut. Tematika e tyre, përfshin kryesisht vuajtjet e shqiptarëve nën ish-Jugosllavi e çamët, të botuar në shtypin amerikan dhe shqiptar. Intelektuali erudit Prof. Repishti, ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë e Shqipërinë pranë Amnesty International në ShBA, për periudhën e viteve 1979-1982. Është i pari shqiptaro-amerikan, që ka dëshmuar para Kongresit Amerikan për Kosovën në prill të vitit 1965, dhe ka vijuar me dëshmi të shumta para komisioneve kongresiane e qendrave studimore amerikane, kryesisht për problemin kosovar. Ne vitin 1968, formoi organizatën “Rinia Shqiptare Kosovare në Botën e Lirë”. Në nëntor 1982, me Arshi Pipën organizuan Konferencën Ndërkombëtare për Kosovën me pjesëmarrjen e 14 profesorëve evropianë dhe amerikanë, duke i bërë edhe peticion Pjesëtarit të Parlamentit Evropian Otto von Habsburg. Punimet e Konferencës janë botuar në librin “Studies on Kosova” (C.U.P.1984). Në vitin 1978, shoqërinë “Kosova Relief Fund, USA, Inc.” për ndihmë financiare familjeve të persekutuara në Kosovë, fondacion të cilit i qëndroi në krye gjer më 2000. Për më se dhjetë vjet ka mbajtur rubrikën mbi Kosovën për gazetën Dielli. Në vitin 1986, kërkoi hapjen e Zyrës Amerikane në Prishtinë, që u realizua me sukses në vitin 1996, dhe atë kosovar në Washington, që u aprovua nga Presidenti i 46-të i ShBA-së Mr. William Jeferson Clinton (1993). Është bashkthemelues i Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane (1986) dhe drejtor ekzekutiv (1989-1992), bashkthemelues i American Friends of Albania e sekretar i saj (1992-1996), bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC 1996) dhe president i parë (1996-1998) – grupi i lobimit më me ndikim në Washington D.C. Të gjothë jeten e tij ai ja kushtoi, studime shqiptare dhe mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut.
Mirënjohje për sakrificat e tij sublime për Shqipërinë e Kombin shqiptar.
I përjetshën qoftë kujtimi i tij.

Disa nga veprat kryesore të tij:
· Libri – “Pika loti”, Tregime, botuar ne vitin 1997
· Libri – “Kosovë, prill 2000”, Bashkautor, botuar në vitin 2000
· Libri – “Nën hijen e Rozafës”, botuar, viti 2004
· Libri – “Dialektika e rendit dhe rebelimit tek A. Malraux”, Studim, viti 2011
· Libri – “Lotë – lavdi e lumni”, publicistikë, 2016
· Libri – “Nga andrrat rinore në botën e mashtrimit” – Publicistikë, Viti 2016
Tiranë me 06.12.2024