back to top
6.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Dhjetor, 2024

Ndjekja dhe burgosja e Maks Velos – nga Kastriot Dervishi

Gazeta

Maks Velo (1935-2020)
Maks Velo (1935-2020)

Ndjekja dhe burgosja e Maks Velos

nga Kastriot Dervishi

Sot u nda nga jeta inxhinier Maks Velo, ish i dënuar politik nga regjimi komunist. Në përkujtim të tij, një përmbledhje e shkurtër e jetës dhe persekutimit, nxjerrë nga dosjet formulare dhe hetimore-gjyqësore. Maks Velo u lind më 31.8.1935 në Paris. Arsimin 7-vjeçar dhe dy klasë të mesme i mbaroi në Korçë. Në vitin 1950, familja e tij vendoset në Tiranë. Më 1957 mbaroi Institutin Politeknik të Tiranës, dega inxhinieri ndërtimi. Fillon punë për pak kohë në Institutin e Shkencave. Pastaj punon me hope në komunalen e Durrësit dhe ndërmarrjen e gjelbërimit në Tiranë. Më pas inxhinier ndërtimi në Komitetin Ekzekutiv të Rrethit Tiranë për të përfunduar inxhinier arkitekt në kooperativën e bashkuar Ndroq (qarkulluar si “lidhje” e Fadil Paçramit) për punimet e ujësjellësit të atyshëm. Në vitin 1973, kishte qenë i ndjekur nga Sigurimi, por dosja ishte mbyllur dhe asgjësuar, pasi nuk ishin provuar të dhënat. Maksi ushtronte pikturën në kohën e lirë të tij.
-Më 3.2.1975 punëtori operativ Ropi Postoli, me miratim të shefit të Seksionit të 5-të në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, Ndjekja dhe burgosja e Maks Velos – nga Kastriot Dervishivendosi marrjen në përpunim paraprak të Maks Velos, sepse ishte i “apasionuar pas artit borgjezo-revizionist-abstraksionit e surrealist”, “i dhënë pas modës”, etj. Nga të dhënat e agjentit “Energjiku” dilte se ishte shprehur për zëvendësimin e udhëheqjes së vendit. Në mars 1975, ai suvejohet, duke u shënuar objekti “Stilografi”.
.
Maks Velo para se të arrestohej
Maks Velo para se të arrestohej
-Më 4.8.1975 ngrihet në përpunim aktiv 2A, sërish me firmat e dy operativëve të sipërthënë dhe me miratimin e zëvendësdrejtorit Kadri Gojashi. Në drejtim të Maksit u drejtua bashkëpunëtori “Plani”, i cili vinte nga radhët e piktorëve. Në fillim të vitit 1976, hyn në lidhje bashkëpunëtori “Semani”, i cili sjell raporte mbi bisedat me Maksin, i cili vazhdonte të punonte në Ndroq. Operativi Ropi Postoli, me miratimin e zëvendësdrejtorit të Punëve të Brendshme të Tiranës, Filat Milaj, përgatit një vijë sjelljeje për “Semanin”, me qëllime provokimi.
-Më 10.7.1976 me propozim të operativit Ropi Postoli dhe miratim të drejtorit Nusret Dautaj, vendoset demaskimi i Maks Velos. Thuhej se ai implikohej nga i dënuari Edison Gjergo dhe gjatë procesit të rekrutimit të agjentit “Energjiku”, etj. Demaskimi do të bëhej nëpërmjet Komitetit të PPSH-së së Rajonit nr. 4 Tiranë para kolektivit të kooperativës së Ndroqit. Ky demaskim u realizua dy ditë më pas. Në përfundim, kooperativistët vendosën që Velo të mos punonte më inxhinier, por të shkonte punëtor në sektorin e Pezës të kooperativës së bashkuar të Ndroqit. Pas kësaj u vendos të ulej në kategorinë 2B e të kihej në vëmendje nga operativi Aleksandër Thana, për t’i kaluar më pas Besnik Shehut. Një vit më pas, përpunimi rifillon nga operativi Piro Katro dhe agjentin “Semani”.
-Më 23.7.1977, me propozim të operativit Besnik Shehu, shefit të Seksionit të 5-të Piro Katro dhe me miratim të drejtorit të Drejtorisë së Punëve të Brendshme Tiranë, Nusret Dautaj u miratua plani i masave për ndjekjeje në 2A.
Maks Velo u arrestua më 14.10.1978. Gjashtë ditë më vonë, DPB Tiranë përpiloi planin hetimor-agjenturial operativ për të. Hetimi synonte zhvillimin e një hetuesie intensive për t’i kërkuar se kur kishte filluar të pikturonte në kundërshtim me normat e realizmit socialist, si dhe me sa persona kish zhvilluar agjitacion e propagandë.
Me vendimin nr.141, datë 17.4.1979 Gjykata e Rrethit Tiranë, e deklaroi fajtor në bazë të nenit 55 të Kodit Penal dhe e dënoi me 10 vjet burgim dhe me konfiskimin e pikturave, punimeve në dru e metal, si dhe revistat e huaja. U la në fuqi me vendimin nr.139, datë 10.5.1979 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë. Midis të tjerash, në vendim thuhej: “U vërtetua se i pandehuri Maks Velo, nën ndikimin e rrymave të huaja reaksionare në art si ekspresionizmi, posekspresionizmi, formalizmi, kubizmi, frojdizmi, etj, rryma këto të përfaqësuara nga Gogen, Modilian, Brek, Pikaso, Freud, etj, ka bërë punime në pikturë, vizatime, bakër, etj, të cilat përshkrohen tërësisht nga këto rryma, duke iu kundërvënë kështu metodës së realizmit socialist.
.
Maks Velo i burgosur në Kampin e Spaçit
Maks Velo i burgosur në Kampin e Spaçit
Punimet e bëra nga i pandehuri… janë të shkëputura nga jeta, nga problemet që e preokupojnë vendin tonë, nga heroizmi e fryma luftarake, optimizmi dhe vrulli revolucionar i masave tona punonjëse për ndërtimin e socializmit në vendin tonë, në kundërshtim me ideologjinë marksiste-leniniste e mësimet e partisë dhe të shokut Enver, në kundërshtim me metodën tonë të artit të realizmit socialist, me karakterin kombëtar dhe frymën popullore, me partishmërinë proletare dhe karakterin klasor si tipar themelor i artit tonë revolucionar”.
Maks Velo u lirua nga Reparti nr. 303 Spaç më 13.1.1986. Ai u ndoq nga Sigurimi edhe pas daljes nga burgu.
.
Marre nga https://55neës.al/dossier/item/245051-ndjekja-dhe-burgosja-e-mak-velos, 7 maj 2020

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.