Ndoc Selimi – Njeriu i qiejve, ngjitet në qiell!
nga Jozef Radi
Lajmi i largimit nga jeta, në mënyrë krejt të beftë i Ndoc Selimit më trishtoi fort. Ishim miq virtualë prej vitesh! Sivjet u bëmë edhe miq realë, e për fat i kaluam ca orë të këndshme në Tiranë me Ndocin dhe Leon Lekën, në shkurt të këtij viti.
Me Ndoc Selimin, mndër vite kemi shkëmbyer jo vetëm mendime e njohje, po edhe kemi bashkëpunuar seriozisht, ai konsiderohet nga autorët më të rregullt, dhe ka së paku rreth 20 shkrime të paraqitura në faqen Radiandradi.com.
Humbja e tij sot, në moshën 72 vjeçare, kur pak kohë më parë kishte vendosur të jetonte në atdhe, mbas një periudhe të gjatë emigrimi, e që kishte aq shumë projekte për të realizuar në fushën e historisë dhe kulturës… Me dhimbje e them, se na u largua një njeri i përkushtuar kulturës, në mënyrë të veçantë asaj të Komanit, prej edhe nga ishte Ndoci, ky studiues rigoroz, ky shkrimtar e poet, po edhe një prind i përsosur, një pilot me shpirt human, që fluturoi për vite e vite me radhë në shërbim të njerëzve në nevojë; ky hulumtues i vëmendshëm i vlerave historike, që nuk rreshti se grumbulluari e së dokumentuari gjithçka që rroknin interesat e tij të shumta, për të lartuar kulturën dhe lashtësinë e vendit të vet…
Ndoc Selimi ishte njeri erudit e këmbëngulës, krenari e fisit Selimajve, mbarë veriut, dhe vendit të vet!
Ja si do të shprehej sot, miku i tij, Leon Lekaj, ditën e lamtumirës:
“Ike, Ndoc Selimi! Ike shpejt! Thonë që miqësia në moshë të madhe nuk asht e lehtë, po ti ishe aq gojamël, ishe aq fisnik e aq burrnor, sa që askush s’mund të kalonte indiferent para asaj mirësie. Kishe ende shumë për të thanë, për poezinë, për historinë, por ma shumë për vendlindjen tande, Komanin, të cilën e doje aq fort.
U prehsh në paqen e Zotit, miku im i shtrenjtë!”
Le të shpresojmë se për gjithë punën dhe veprën e Ndoc Selimit do të jetë dikush që do ta mbledhë e do të kujdeset për të, mbasi ai kishte shumë projekte për të realizuar, dhe ndjej dhimbje, që nuk patëm një takim të dytë ku unë i pata premtuar disa vepra të mia…
Të qoftë i lehtë dheu, Ndoc Selimi!
.
.
22 gusht 2020