Ndodhi nga jeta që s’harrohen kurrë…
nga Mal Berisha
Mehmet Öz,
Doktori që më shpëtoi jetën 23 vjet më parë,
emërohet anëtar i kabinetit
të Presidentit Amerikan, Donald Trump
Në fillim të nëntorit të vitit 2001, teksa isha duke punuar për Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), papritmas u përballa me një sëmundje të fshehur, të cilën e paskësha bartur që nga fëmijëria, pa qenë në dijeni të saj.
Për një mrekulli të fatit, e zbulova krejt rastësisht këtë sëmundje dhe ajo u diagnostikua nga duart e kardiologut të shquar nga Kosova, Dr. Gani Bajraktari.
Ai më dha lajmin tronditës se vuaja nga një aneurizëm në zemër, e cila mund të shkaktonte vdekjen në çdo moment, qoftë edhe në duart e tij. Madje, edhe sikur të isha duke u futur në sallën e operacionit, nëse aorta do të çahej, vdekja nuk evitohej dot.
Këshilla e tij më urgjente ishte që të shkoja menjëherë në një klinikë të specializuar dhe t’i nënshtrohesha operacionit në zemër, pa vonesë.
Këshilla e dytë ishte të shmangia udhëtimin me aeroplan, pasi kjo mund të shkaktonte vdekje të menjëhershme për shkak të ndryshimit të presionit në ajër.
I “pabindur” siç jam, nuk iu përmbajta këshillave të mikut tim, Dr. Bajraktarit, dhe vendosa të udhëtoj menjëherë për në Stamboll, për një opinion të dytë.
Në klinikën e parë ku shkova, mora një përgjigje edhe më tronditëse. Dr. Leventi më përsëriti të njëjtën diagnozë që më kishte dhënë Dr. Ganiu, por shtoi se, sipas protokollit të mjekësisë turke, në raste të tilla pacienti nuk duhet lejuar të largohet nga klinika. Për më tepër, nëse pacienti refuzon trajtimin, mund të ndalet me forcë për të garantuar shpëtimin e jetës së tij.
“Mos fluturo me avion!” – Kjo ishte një këshillë ultimative!
Atë natë, u takova me miqtë e mi të mrekullueshëm, z. Hilmi Manço – i biri i Ahmet Bey Arnautit, dhe bashkëshorten e tij, gazetaren e njohur të Turkish Daily News, Yasemin Dobra Manço.
Kur iu tregova për situatën në të cilën gjendesha, ata u alarmuan përtej çdo imagjinate, dhe menjëherë u vunë në lëvizje për të më gjetur spitalin më të afërt dhe më të mirë që të shtrohesha. Kur e panë që unë nuk do të pranoja të operohesha në Stamboll, ata thirrën Kryekardio-kirurgun më të njohur të Turqisë dhe e pyetën:
“Në cilin spital të New Yorkut, duhet të shkojë miku ynë, që të jetë në duar të sigurta për një operacion të tillë në zemër?”
Përgjigja e profesorit ishte: “Columbia University Medical Center, Presbyterian Hospital, në duar të Dr. Mehmet ÖZ.”
Të nesërmën, mbas 12 orësh fluturim, zbrita në aeroportin JFK. Iu tregova djemve arsyen e udhëtimit tim, dhe i këshillova të më dërgonin menjëherë në atë spital.
Intervistën e parë e pata me Dr. Mehmet ÖZ. Ai më dha zgjidhjet e duhura dhe më kaloi menjëherë në sallën e operacionit, të cilën e ndoqi personalisht, duke treguar kujdesin dhe profesionalizmin e tij të jashtëzakonshëm, i njohur për këtë në tërë botën.
Në mëngjesin e datës 13 Nëntor 2001, pas 13 orësh ndërhyrjeje në zemrën time, e cila ishte nxjerrë jashtë trupit tim gjatë operacionit, ndjeva një zhurmë si zemerek sahati në gjoksin tim.
Pasi u zgjova nga narkoza, njeriu i parë që m’u shfaq dhe që po më kapte për faqesh ishte: Dr. Mehmet ÖZ, kardiologu më i famshëm i botës. Ai më buzëqeshi, më përshëndeti në gjuhën turke dhe pastaj në anglisht. Më tha se gjithçka kishte shkuar për mrekulli dhe se tani unë kisha një valvul platiniumi në vend të asaj që kisha, brenda mu në zemër.
Ato pesë ditë në spital dëgjova aq shumë të flitej për atë gjeni të mjekësisë, saqë më mbeti mendja tek ai për shumë vite e mote më pas.
Në vitin 2022, emri i tij u shfaq në ekranet e televizioneve amerikane si një kandidat për Senatin Amerikan. Ai konkuronte në shtetin e Pensilvanisë.
Në atë kohë, unë shkrova një artikull ku u kërkoja shqiptaro-amerikanëve të votonin për Dr. ÖZ, për shumë arsye, ndër të cilat edhe faktit që unë e kam jetën të shpëtuar prej tij.
Natyrisht, secili ka bindjet e veta, por nuk mund të mos merret parasysh që një figurë kaq e lartë e humanizmit botëror të mos konsiderohej prej nesh, shqiptarëve.
Dr. ÖZ nuk fitoi në ato zgjedhje. Ishte një zhgënjim i madh kur pashë se atë vend e fitoi kundërshtari i tij. Por jeta vazhdon. Dhe ja, mjeku që më shpëtoi jetën, mbrëmë është përzgjedhur nga Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, Donald Trump, anëtar i kabinetit të tij.
Ky njeri i madh do të jetë Ai që do të kujdeset për mirëqenien e 160 milionë amerikanëve.
Bota nuk qenka aq e madhe sa ç’e mendojmë ne.
Urime i dashur Dr. Mehmet ÖZ!