back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ndonjëherë kam frikë… – poezi nga Ida Mengjesi

Gazeta

Peisazh me diell dhe det
Peisazh me diell dhe det

Ndonjëherë kam frikë…

poezi nga Ida Mengjesi

Ndonjëherë kam frikë…
t’i them të gjitha
siç do kish dashur era
t’u fliste gjetheve në degë
t’i mbante në gjoks
përpara se të binin…
 
të dua…
siç do kish dashur qielli
atë renë lozonjare
me tipare të buta prej fëmije
si një ëndërr të bukur
që do të flejë edhe pak
një melodi që luhet
nga një dorë e padukshme
që s’di të pushojë,
diku larg…
 
kam mësuar të flas pak,
të pres pak më gjatë
gurët të rrokullisen
të bien në shtratin e vet
se koha ikën për të treguar çfarë mbetet
dhe fjala përgjithmonë
ka hyrë në fjalor
si një gabim i pakryer.
 
Kam mësuar se dashuria
është një fjalë tepër e madhe
për t’u mbajtur nga supet e një gruaje
dhe hapësira midis saj dhe të tjerëve
mbushur është, me copëza dashurish të thyera
që ndonjëherë s’arrin t’i bësh dot bashkë
sado të duash
 
se jeta nuk është asgjë më shumë
se një grusht çastesh
të lehtë, si flutura
që shkundin krahët sa hap e mbyll sytë
e shndërrohen në pluhur…
 
kaq shumë
kaq shumë kam mësuar
sa më tremb çdo gjë sado e bukur
që s’është në vend të vet…
.
Marrë nga muri i FB i Ida Mengjesit, 14 janar 2021
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.