back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

“N’drras te vekut kush po kjan…” Ilir Seci

Gazeta

Valle malsie
Valle malsie

***

Ku shkrim i Ilir Secit, përcolli 14 shkurtin shqiptar, përmes interpretimit të nji ballade mjaft të njoftun e të këndueme në shumë breza në Veriun Shqiptar… Nji balladë ku i këndohet aq dhimbshëm dhe aq thellë dashnisë, deri në kufijtë e së pabesueshmes, me nji bukuri vargjesh nga ma të rralla që njef folklori…
Vërtet, në jetën tonë të sotme po hyjnë edhe festa të reja, ashtu të spërkatuna me dritë marramendëse dhe pak përdhunshëm… por s’asht keq me i hedh nji sy edhe traditës sonë që i ka rezitue me aq dinjitet kohnave, siç asht fjala për kët sjellje interpretative të Ilir Secit që meriton shumë falenderime për kët shikim pak ma ndryshe të 14 shkurtit të dashnisë së suvenireve dhe dhuratave… j.r.

Ilir Seci
Ilir Seci

“N’drras te vekut kush po kjan…” Ilir Seci

14 shkurt 2014

Motivi i dashurisë në një perlë folklorike malësore…

Etnografet kanë theksuar se kënget folklorike kanë qenë shumë të rëndësishme në mënyrën e jetesës së kulturave njerëzore. Studimet e këtyre këngëve na ndihmojnë për të parë rëndësinë e muzikës folklorike në traditat, ritualet, ceremonitë fetare dhe vazhdimsinë e jetës së këtyre kulturave. Këto këngë në dukje spontane, që emërtohen në të gjithë kulturat si “këngë popullore” përbëjnë nënshtresën nga erdhi edhe muzika e kultivuar.
Sot këngëtarë shumë të njohur shkruajnë dhe këndojnë atë që e kanë quajtur zakonisht këngë popullore, sepse forma dhe mendimi kanë ngjashmëri me ato nënshtresa që vijnë nga thellësitë e shekujve. Tekstet e këngëve popullore tradicionale kanë mbërritur deri në kohët moderne pikërisht sepse përçojnë karakteristikat universale te artit, temat e përjetshme që kanë shoqëruar dhe shoqërojnë njerzimin, dashuria, jeta dhe vuajtja. Tipar themelor i këngës popullore është përcjellja e ngjarjeve të vërteta për dëgjues që e përjetojnë një ngjarje që ndodh në kohën e tyre duke bërë që secili individ të identifikohet menjëherë me mesazhet që ka përçuar kënga. Ndoshta ky identifikim personal e ka bërë këngën popullore të çdo vendi me rëndësi jetike. Këngët folklorike kanë larmi të pamasë temash nga këngët e trimërisë, kurbetit, dashurisë dhe secila nga këto tema të trajtuara, ka karakteristikat e veta që i dallon… të gjithë këto tema të marra sëbashku dëshmojnë universin e pamatë të pasurisë shpirtërore të popullit që i krijoi!
Ndër temat që janë trajtuar në këngët folklorike tema e Dashurisë është ndoshta edhe më e përkora në lirikat folklorike të Shqipërisë së Veriut. Duke pasur parasysh kushtet shoqërore në të cilat këto këngë u ngjizen rapsodi e ka ngritur deri në perfeksion mënyrën e të shprehurit që të thotë sa më shumë e të mos keqkuptohet! Ti këndohet Vashës që i pëlqen artistit, vajzës që e ka shituar me bukurinë e saj sot është e lehtë, por paramendoni kohën kur mbahej pushka krahut kur për një shikim të pakontrolluar bëhej gjëma!? Ishte një censurë e pashpallur dhe artisti duhej të ishte shumë i kujdesshëm e të ndërthurte tekste me shumë nënkuptime që askush tjetër pos vajzës së cilës i drejtohej kënga ta merrte vesh mesazhin!? Nga ana tjetër autori të ishte gjithmonë i mbrojtur e të mos dilte hapur! Nga kjo lloj “censure” çdo varg kishte nëntekste shumë kuptimplotë, ngjeshur me mesazhe e kode komunikimi të cilat ishin aq të arrira sa u mbijetuan shekujve e mbrrinë deri në kohën tonë. Ka mundësi që edhe artistë nëpër shekuj i ripunuan edhe i lëmuan më shumë duke i përsosur deri në perla…
Një nga modelet më të arrira folklorike që vështirë se mund të gjenden në Folklor është kënga shumë e njohur që këndohet në Malësitë e Veriut, por edhe më gjerë në viset shqiptare, është fjala për këngën: ”N’drras të vekut”…

“N’drras të vekut kush po kjan…?” popullore

“N’drras të vekut o kush po kjan-e
Kjane syzeza o për Jaran’
Dushk e bar o në mal po i than
Nuk po e len verën me dalë

S’po e len verën me dal sivjet
Për q’at Djal o që i ka vdekë
Për q’at Djal o Djalo të ri-e
A e din Nanë në vorr ku e kan shti-e

N’vorre të reja ner ni Bli-e
A m’jep izë oj Nan t’shkoj e t’rri-e
Shkoj syzeza i ra përmi
çou shkodran o djal i ri

Ku e ke besën që ma ke dhanë
M’thojshe jam o trim azgan
Gjylja e topit s’mund me m’zan
Plumbi i pushkës shenj s’më ban

Kur ta ndiej thojshe zanin tand
Edhe i dekun n’vorr me kanë
Menjiher’ çiko çohna n’kambë
Dhe at drrasë i gjuej menjanë.

Që në vargun e parë kemi një nëntekst shumë domethënës që na shpalon dramaticitetin e Këngës, gjendja në të cilën është thurur kënga… vasha është duke vajtuar “N’drrasë të vekut”… Veku është Avlëmendi, Tezgjahu, pra vajza është duke përfunduar pajën e nusërisë… Në traditën malësore dihet që kur vajza ulej në Vek, (Tezgjah, Avlemend) i kishte ditët e ndara dhe do shkonte te burri! Te kjo këngë vajza është duke vajtuar ndërsa po përgatit Pajën…?!
Pret të shkojë te Burri dhe “…Kjan syzeza per Jaran!” …është vaji i një vashe për të dashurin që i ka vdekur… Ndoshta Jarani, (I dashuri) ka vdekur pikërisht për të?! Sepse në at kohë kur është marrë vesh lidhja e fshehur me një djalë ka kërcitë pushka! Ky hamendësim e bën edhe më intrigues tekstin e këngës… sepse më poshtë vajza i kërkon “Izë”, (Leje) nënës së vet që të shkojë deri te varri i djalit të ri të vdekur në lule të moshës… Figuracioni që e përshkruan dhimbjen e vajzës është brilant: ”Kjan syzeza o për jaran/ Dushk e bar o në mal po i than/ Nuk po e len verën me dalë!”
…Aq e madhe është dhimbja e zemrës së saj sa as Vera nuk guxon të dalë atë vit! Një asocim brilant me zemrën e thyer, të cilën e prêt zymtësia e një martese kundër dëshirës! …çdo varg i kësaj kënge është në vetvete brilant…Më tej Vajza e pyet Nanën e vet se “ku e ka varrin Djali i Ri”, “A e din nanë në vorr ku e kanë shti/” dhe Nana ja kthen: “N’Vorrë të reja nën nji Bli” …Pra djali i ri është varrosur te Varret e Reja një asocim me moshën e tij të këputur në mes! Tjetër nëntekst që thekson moshën e tij është edhe vargu “N’vorre të reja nën nji Bli”, druri i Blirit, siç dihet lulëzon në Bjeshkë menjiherë sa shkrin bora, pra kemi një metaforë të shpërthimit të jetës! Por meqë Vasha me vajin e saj “Nuk po e len Verën me dalë” atëhere Blini ka vendosë ta ruaj varrin e djalit të ri… vazhdimi është prekës, vajza bie mbi varrin e të dashurit edhe i kujton premtimin e dhënë se si ai i kishte premtuar se: “Gjylja e topit s’mund me m’zanë/ Plumbi i pushkës shenjë s’më ban” …Në vargun ku thuhet “çohu shkodran o djalë i ri” duhet të ndalemi e të kujtojmë se në viset shqiptare, në Malësi e Kosovë emri “Shkodran” ka qenë kthyer në cilësor, pra me tipare mbiemri mbasi Shkodra kishte shumë zë mbas trimërive të Dasho Shkrelit, Oso Kukës apo Kupe Danes dhe malësoret uronin në at kohë: “U rrit’të e u baftë shkodran!”
…Vazhdimi i këngës dhe mbyllja e saj artistikisht përcjellin një mesazh shumë optimist… djali edhe pse i vdekur është gati të ngrihet kur ta dëgjojë zërin e saj: “Kur ta ndiej thojshe zanin tand/ Edhe i dekun n’vorr me kanë/ Menjiher’ çiko çohna n’kambë/ Dhe at drrasë i gjuej menjanë!” …Pikërisht për këtë tipar kënga edhe pse përcjell një mesazh shumë të dhimbshëm, tragjik në fakt, nuk është Elegji!Në gjithë rezonancën e saj kjo këngë asnjiherë nuk përçon dëshpërim që mund të ishte i kuptueshëm nga dhembja e madhe! Sepse ka brenda mesazhin e Pamundësisë! Te gjithë ne e njohim atë ndjenjë… atë regëtime zemre për atë që kemi dashur në fshehtësi e që ndoshta edhe nuk ja thamë kurrë… por që na ngrohu e na ngazëlleu! Dashuria kur është e pamundur është edhe më përvluese! Prandej edhe vaji i vajzës që shkon te varri i të dashurit të vdekur nuk kthehet në Elegji, sepse e tillë është jeta, të gjithë e kemi në zemër nga një varr të tillë dashurie të pamundur, ndoshta një regetimë, një shpresëz, një iluzion pak rëndësi ka kjo…
Ndërsa për atmosferën muzikore të këngës ajo është një mrekulli më vete …melodia që në fillimet e veta të jep përshtypjen e tringëllimës së heshtur të lotit që bie mbi Vek,(tezgjah), mbytur nga krakërrima e përplasjes së Vekut, (tezgjahut) …është vaji i heshtur i zemrës që mbytet nga krakërrima e tezgjahut të jetës, vrazhdësisë së saj! Duket sikur ato lotë bien si nota muzikore drejt e në pentagramet e shpirtit! …Atmosfera muzikore, ajo që studiuesit e muzikës e quajnë “Shtimung muzikor”,(Stimmung), gjatë gjithë këngës është atmosferë optimiste, nuk bie në zvargie zëri dhe vajtim dëshpërues, karakteristikë për këngët orientale, rapsodi duket ka pasë në mendje tringëllimat e krojeve, tringëllimet e lotëve të akullnajave që shkriheshin në Bjeshkë! Ai ka marrë për model gurgullimën e krojeve të Malssisë, melodinë e parajstë të rrjedhave të Valbonës, të Cemit apo lumit të Shalës… Kjo këngë shpesh është kënduar dhe përcjellë vetëm nga melodia e fletës… në Malësi ka pasë rapsodë që e krijonin melodinë vetëm me një gjethe të njomë ahu, dëshmi kjo e një sinkretizmi të plotë me natyrën… Vetëm imazhi i një djali të ri duke i rënë fletës,(gjethes) në një rudinë bjeshke teksa shoqëron zërin engjëllor të një bareshe të re që këndon përmallshëm: “N’drrasë të vekut…” mjafton për t’u kredhur në një botë ëndërrimesh, botë prej së cilës askush nuk do dëshironte të dilte ndonjëherë…
Marrë nga muri i fb 14 shkurt 2014

 

 

 

Related Images:

More articles

1 Koment

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.