back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 26 Dhjetor, 2024

Ndrron jetë nji nga gratë fisnike të vuajtjeve – Xhemile Cane

Gazeta

Xhemile Cane (1921-2015)
Xhemile Cane (1921-2015)

Ndrron jetë nji nga gratë fisnike të vuajtjeve…

Xhemile Cane (20 prill 1921 – 20 prill 2015)

Xhemile Cane, u largua me hapa të ngadaltë prej kësaj bote, në të njëjtën dite që i kishte ardhur asaj, me 20 prill të 94 viteve të shkuara. Nji grua, e cila ka vuajtur përtej fjalës vuajtje; nji nënë nga ato që jetojnë veç në epikën e legjendave shqiptare; nga ato gra që gëzimet, i kanë pasur me thërrime dhe vuajtjet me thes; nga ato stoiket që kurrë s’u qanë për fatin e tyre të mbrapshtë nën regjime kriminale, por në heshtje e me krenarinë e gruas shqiptare, e pranuan pa iu nënshtruar së Keqes dhe e tërhoqën qerren e dhimbjeve pafund në të përpjetën e jetës së tyre.
Xhemile Cane, ndryshe e thirrur nga gjithë të afërmit: Dedeja, u shua qetësisht në spitalin St. Joseph’s Hospital, në Toronto – Kanada, mbrëmjen e 20 prillit në orën 6 e 30 minuta në moshën 94 vjeçare, në prani të fëmijve, familjarëve dhe nipave e mbesave të saj, të cilët u kujdesën për të, deri në çastet e fundit… Së bashku me të u largua edhe nji ndër të fundmet zonja fisnike, nji prej atyre grave e nënave që e shkruan me dhimbje dhe sakrifica të pashembullta çdo ditë të jetës, duke mbetur shtyllë jo vetëm e jetës së saj po edhe e shumë jetëve që u vërtitën rreth saj…
I lehtë të qoftë dheu Dede!

Xhemile Cane me te bijat Xhiko dhe Lule
Xhemile Cane me te bijat Xhiko dhe Lule

***
Në fëmijërinë e hershme, shpesh e kam gjetur veten duke luajtur te nji kasolle e vogël prej balte, përballë nji barake pupuliti që hyhej nga dritarja!! Shoku im i fëminisë, Vasfiu na mblidhte gjithë ne shokëve të lagjes luanim aty. Shumë “pse” të miat kanë lindur pikërisht aty te ajo kasolle prej balte. Vasfiu ishte djali i vetëm dhe fëmija i fundit i Dedesë! Nëna e tij, edhe pse nuk ishte e vjetër, ishte e gjithnji e veshur me të zeza… dhe burri i saj as ishte i vdekur, e as në burg nuk ishte!!! Motrat e Vasit, e mbanin me aq kujdes, sa ai edhe pse ishte më i vogli, fjala e tij ishte si ligj!! Ato kujdeseshin aq shumë për të, sa unë s’arrija ta kuptoja. Apo pse kishte Nënën dhe dy motrat, dhe nuk kishte baba?! Jo baba ai kishte, por nuk e kishte… dhe filli im këputej!!
Si ishte e mundur që shoku im, Vasi kishte baba, po nuk e kishte babanë!!!
Edhe Nëna e tij Dedeja, që rropatesh gjithë kohës me mundim në arat pafund, kishte edhe s’kishte burrë, edhe motrat e tij të mëdha Xhikoja dhe Lulja, që ishin në moshën e rinisë, diçka dinin për babanë po kurrë s’flisnin për babanë…!! Kjo habi e imja e pasjes dhe mospasjes Baba, mosardhja e tij kurrë te familja, dhe tmerri për të folur për të, mbeti nji nga habitë më të mëdha të jetës sime, kuptimi apo shpjegimi i së cilës sot, nuk e justifikon atë çka ndodhte brenda asaj familje të thjeshtë, e që vetë shpirti i asaj gruaje e di përmasën e vërtetë të kësaj tragjedie.
Aty ne kampin e Savrës ishin shumë gra si Dedeja, unë kam numruar 63 të tilla, të hedhura përjetësisht e kriminalisht midis Baltës së Madhe, pa asnji faj. Dedeja ishte njera prej këtyre Grave dhe Nënave fisnike për të cilat kam shkruar e do të vazhdoj të shkruaj, sepse mendoj se ato janë shpirti i qëndresës dhe pavdeksisë së nji kombi: sepse ato vërtetë ato ishin femra plot dritë, por i detyruan të jetojnë të mjera si kallogre; vërtet ato u lindën gra, por i detyruan të jetojnë si burra; vërtet ato ishin nëna të devotshme, por i detyruan të bëjnë edhe detyrat e baballarëve të munguar; vërtet ato vinin nga dyer fisnike të këtij vendi, por i detyruan të jetonin më keq se jevgjit… E këtij fati barbar ato i vunë përballë dinjitetin dhe forcën e karakterit të tyre.
Dhe Dedeja ishte njera prej tyre!

Dedeja, midis fëmijëve dhe mbesave
Dedeja, midis fëmijëve dhe mbesave

Mbas pune atë grua do ta gjeje, të ngarkuar me shkarpa, duke me barishte fushe. Të dielave, e kam parë me qindra herë duke mbledhur kamomil, lulëkuqe, grëm, rrënje çikoreje, për t’i shitur, që fëmijve të saj të mos u mungonte as lapsi e as fletorja, as këpuca e as veshja, as ngrohja e as buka, as gezimi dhe dasma… Për vite me rradhë Nënë Xhemilja, ose Dedeja, u mbulua me të zeza, dhe me nji shami të bardhë nape mbi krye endej fushave ashtu vetmitare, për t’i rritur e selitur tre fëmijët e saj: Xhikon, Lulen dhe Vasin!
Dhe fati i njeriut, është edhe çudia më e madhe e kësaj jete.
Nji tjetër Nënë, Liçe Kaloshja edhe ajo e paburrë dhe kampeve, kishte dy djem të pashëm e puntorë. Të dy këta djem një ditë i trokitën në derë të Nënë Xhemiles për dorën e vajzave të saj! Nji ditë të dy ata djem u martuan me ato dy vajzat, aq të urta, aq të sjellshme, e aq punëtore të saj. Dhe dasmat e tyre kishte gjithë mirësinë dhe gëzimin e dasmave në interrnim, veçse të katërve atyre që martoheshin u mungonte figura dhe prania e Babait… Dhe mungesa e figurës së babait sidomos për vajzat që dalin nga shtëpia ishte dhimbje e madhe, ashtu si dhimbje e madhe mbetesh edhe mungesa e shtyllës së shtëpisë, e burrit për ato dy gra fisnike dibrane: Liçe Kaloshja e Xhemile Cane…
Kjo e vërtetë s’duhet harruar kurrë! Sepse gra të tilla mjaft të nderohen e të kujtohen. Ato s’kanë nevojë për asnjë monument, monumentet u duhen atyre që vijnë mbas tyre, që të kenë çfarë të kujtojnë e të ndjehen krenarë për origjinën e tyre…
Sot, kjo grua që Zoti e ndihmoi te jete jetëgjatë, e të gëzojë dashurinë e fëmijve, të të afermve, të nipave e mbesave, te sternipave e stermbesave, dhe të jetë e rrethuar me përkujdesje deri në grahmen e fundit, mund të quhet edhe shpërblimi hyjnor i vuajtjes dhe sakrificave. Kjo grua, prej vuajtjes se madhe mbrriti te dashuria e madhe, dhe ata që e veshën me të zeza jeten e saj morën ndëshkimin dhe mallkimin e madh te historise, kurse kët grua Zoti e veshi me të bardha, me të bardhën e dashurisë dhe dritës, për gjitha sakrificat, vuajtjet, privimet, poshtërsitë, ndarjet e pafundme…
I përjetshëm kujtimi i këtyre Grave të sakrificave të heshtura!
I lehtë dheu Xhemile Canes…
Jozef Radi – 21 prill 2014

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.