Në 100 Vjetorin e Dr. Lazër Radit,
rinisim një melodi të pakëndueme…
Këze – Kozeta Zylo
(Bardit të kulturës shqiptare
që u burgos dhe u internua familjarisht për 50 vjet)
Gladiatorë,/ Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë/
jo për fatin e keq të skllavit/ as për mallkimin e ndëshkimit/
veç për atë qëndrim të ulët/ të nënshtruem e lajkatar/
atje poshtë në fund të arenës:/ Ave Cesar/ Ave Cesar!
Dr. Lazër Radi
Deri më sot nuk kam pasur ndonjë mik me moshë 100 vjet dhe kaq të afërt sa Dr. Lazër Radi që pikërisht në këtë datë më 29 Janar, 2016, të shënojë 100 vjetorin e lindjes së Tij.
Është një memorje sa e bukur, po aq dhe ngjethëse në tërë kuptimin e fjalës, sepse kujton një shkrimtar të burgosur, internuar, përkthyes, publicist, gazetar, një burrë me plot elegancë dhe sqimë në të parë dhe të vepruar, një shqiptar që i peshonte fjala sa Kalaja e Prizrenit, nga e kishte origjinën.
Duke e kujtuar sot nga dritarja me xhamat e akullt që sjellë refleksion me bardhësi bore nga Nju Jorku më duket sikur jam në një botë të ëndërrt, mistike, të pakapshme që gati gati kam takuar një shenjtor, Hyjni ardhur nga një planet tjetër, nga një planet që e krijonin vetëm ky soj njerëzish të rrallë si Dr. Lazër Radi.
Nuk e di pse më duket e çuditshme, por edhe me shumë fat, që kam takuar një burrë gjigand që kishte jetuar Ferrin krijuar nga diktatura më e egër europiane, e cila e kishte burgosur dhe internuar për tërë jetën. Ai vinte nga ferri që dhe vetë Dantja mund të çmendej nëse takohej me Dr. Radin, dhe me siguri do të krijonte rrethin tjetër të Ferrit ndoshta të quajtur, rrethi i zi hoxhist…
Unë ishja një mësuese e thjeshtë në Tiranë plot ëndrra të fshehta dhe reale, një mësuese që më kishte sjellë fati në kryeqytet, sepse vija nga rrethi i një lloji tjetër skllavërimi si ai i fshatit, me një barrë dhimbje në shpinë që e kam akoma si gungë, punën e rëndë të nënës sime, etj…, njohja imtësisht me Tiranën dhe fshatin, dallimet esenciale midis, ndoshta të gjitha këto dhe shumë ëndrra imagjinare më bën që të mbështetja energjjikisht demokracinë me të gjitha mundësitë e mia dhe të familjes sime…
Si në ëndërr kisha takuar njeriun që ishte mbyllur në rrethin e ferrit komunist, njeriun me botë të jashtëzakonshme, njeriun plot kulturë qytetarie. Ishte një ditë e mjegullt tirane, një ditë nga ato që lulet ndezëse të saksive kishin dhe pak ngjyrë meiti të pemëve të mimozave të bulevardit që dukeshin si llambushka të verdha ndriçimi dhe që bënin dritë në verbërinë kryeqytetase…
Takimi me Dr. Radin pranë shtëpisë së tij me qira, nën hijen e një pjergulle me gjethe jeshile dhe disa pika me ngjyrë bakri midis, të krijonte përshtypjen se po takoje herë Sokratin dhe herë De Radën e mërguar, që tri shkronjat e para të mbiemrit si prej Perëndie i kanë të përbashkëta…
Ishte një takim i lidhur nëpërmjet Partisë Demokristiane të Shqipërisë, e cila ishte e treta pas demokratikes dhe republikanes dhe që ngelet plot kujtime sfiduese në radhën me të tjerat. Momentin e parë të prezantimit e kam shumë domethënës, por s’do të thotë se mund të jetë vendimtar për miqësi, por tek Dr. Radi ngeli vendimtar. Ai dukej si një shtegtar, si Krishti që zbriti në varr dhe pastaj erdhi ringjallja e tij. Ndonëse Dantja në Ferr kishte për udhërrëfyes Virgjilin, shqiptari Radi kishte për udhërrëfyes librin, diturinë që ja mbajtën shpirtin plot jetë dhe dritë.
Me këtë dritë si rreze dielli që vinin nga shpirti i një njeriu me botë të lirë sa vetë qielli, u ndriçua sadopakëz tuneli i errët dhe i pafund ku kishim rënë.
Ai vinte nga Savra e Lushnjës, në fund të viteve 90-të nga izolimi total që iu kishte bërë regjimi hoxhist, ai vinte midis nesh si një stinë pranvere që po shpërthente pas një dimri të egër dhe të gjatë…
Artikujt e shumtë publicistikë, përkthimet, librat që botoi, kujtimet historike dhe letrare si me Migjenin, “Misteret e një ministri”, “Rrëfim për Dinejt e Dibrës”, e shume të tjera janë një arkiv historik që koha do t’i përzgjedhë dhe do t’i vendosë në bibliotekën elitare.
Prizreni ky vend qytetërimi i familjes dhe lindjes së tij, por mjerisht rënë nën kthetrat e krimineleve serbë, i detyruan prindërit e tij të largoheshin pranë nënës Shqipëri në Tiranë. Sa me nostalgji i kujtonte plaku i ditur mësimet e gjimnazit në Shkodër si dhe gjithë shoqërinë që kishte përjetuar me ta.
Pasi diplomohet në gjimnazin e Shkodrës merr bursë për të vazhduar për drejtësi në Romë. Kujtimet e një djaloshi simpatik për universitetin dhe miqësinë me studentët ishin tejet mbresëlënëse.
Nga kujtimet dhe takimet e shumta kisha se çfarë të mësoja nga Dr. Radi, por ajo që do të më befasonte më shumë ishte se nuk dëgjova apo të ndjeja njëherë urrejtje nëpërmjet rrëfimeve dhe komenteve të tij. Ai ishte njeri i ligjit, jo vetëm që luftonte për drejtësinë e ligjit kudo, por njëkohësisht kishte mbaruar në një nga vendet perëndimore për drejtësi, pavarësisht se diktatura nuk e la ta ushtrojë. Sigurisht që i dhimbte gjer në eshtër vuajtja, burgu, mungesa e lirisë, sidomos izolimi për fëmijët që ishin jeta dhe ëndrra e tij. Dhe ja se ç’shkruante në librin “Muret e Muzgut”: Vajto çastin e humbun,/ dhe fjalën e shterrun, vajto dritën e ndalun/ dhe nderin e shkelun, vajto lirinë e varun dhe dhe shpirtin e bjerrun/ dhe mbas shgrehjes në vaj/ eja/ shkundma dremitjen n’ përqafje, ta rrokim buzëqeshjen/…
Takim i parë letrar pas internimit me gjimnazistët e Tiranës
Një ditë si mësuese e letërsisë e ftova të vinte në Gjimnazin “50 Vjetori” pranë nxënësve të klasës sime kujdestare për një takim letrar. Ishte një takim impresionues një takim që zgjonte kërshërinë e nxënësve që ishin në moshën më të bukur të jetës së tyre. Dr.Lazër Radi u prit me duartrokitje nga klasa dhe për ta ishte hera e parë që bisedonin me një shkrimtar të dënuar politikisht. Biseda e tij e shtruar solli një kuvend të bukur letrar, solli në memorje dhe vitet e gjimnazit të tij në Shkodër, ëndrrat e tij të kahershme që s’u realizuan kurrë. Ai e filloi bisedën se ndihej i gëzuar që ndodhej midis të rinjve dhe ishte hera e parë që promovonte librin “Muret e Muzgut” pas daljes në Liri. Studentja e shkëlqyer Merita Gjeçi e cila dallohej në gjimnaz për njohuritë e saj të jashtëzakonshme tha se libri “Muret e Muzgut” do të ngelet për të gjithë ne një nga librat më të dashur dhe më të bukur dhe nëpërmjet tij do ju kujtojmë përgjithmonë. Ajo u shpreh metaforikisht se nuk do të keni më ngricë harrese sikundër dhe shkruani në libër si: “Atje pёrfund stinёve tё mia/ ku nuk shkel askush/ bie bora e harresёs…”
Gjithë akumulumin e tij me rremba gjaku kulture, brenda jetesës me pranga në duar, por me shpirt të lirë, ai i hodhi në letër të bardhë, ai hodhi botën e tij të lirë, atë botë që vetëm Hyu e ndjente si dhe nje cicërimë zogu që ndalonte në një kërcell peme që ishte vaji dhe gazi i tij siç do të kujtonte vazhdimisht në paralelizmin figurativ të bisedimeve.
Nxënësit duke e dëgjuar rrëfimin e tij me një elekuence të mahnitshme, e cila të kujtonte një nga baballarët e ndërtimit të shtetit amerikan Benjamin Franklin i cili ka thënë: “If you would not be forgotten as soon as you are dead, either write something worth reading or do things worth writing”, që do të thotë: “Nëse ju nuk doni të harroheni para se ju te vdisni, shkruani gjëra që ja vlejnë të lexohen, ose bëni gjëra që ja vlejnë të shkruhen…”.
Ai rrëfente për çka kishte përjetuar, rrëfente tmerret dhe vuajtjet e pafundme në burg nga xhelatët që njihnin vetëm gjuhën e kërbaçit. Rrëfente për qelitë e errta, të ftohta, të ngushta, të mykura ku rrinin të burgosurit dhe kujtoi: “E kush e merrte me mend se unë dikur miku i Migjenit do të vajtoja nën buzë kangën e të burgosunit të shkruar nga ai si: “Nëpër hekra të kryqzuem të dritares seme/ shof qiellën të coptueme në katërdhetë copë/ edhe shof diellin sa një pare serme/ aq larg asht qielli nga e emja gropë…”
Eh, sa dëshirë kishte të takohej me njerëzit, të bisedonte me ta dhe të shprehej lirshëm çfarë ndjente! Sot kur e kujtoj atë takim të paharrueshëm letrar me një njeri që vinte nga bota e burgosur më vjen keq që nuk kishim një aparat fotografik, më vjen keq që varfëria e tejskajshme ndihej kudo… por sidoqoftë ai ngeli i paharruar në memorjen e gjimnazistëve të mi.
Rinisim një melodi të pakëndueme…
Duke pritur me emocion vitin e 100-të të Dr. Lazër Radit ku Hëna me reflekset e magjishme blu shtrihet mbi dëborën e virgjër të ballkonit, para syve të mi ngrihet madhërishëm si një lis me abetaren në duar, binomi prizrenas. Skulptura e ndërtuar enkas për të në imagjinatën time ngrihet në zemër të botës në Parkun qendror në Manhattan siç kanë vendin dhe shumë të tjerë ndërmjet tyre dhe Robert Bërns, poeti kombëtar i Skocisë, ndonëse mjerisht duam shekuj t’i ngjasojmë Skocisë për të çmuar vlerat kombëtare dhe për t’i hedhur në kosh antivlerat.
Dhe në faqen e hapur të librit në skulpturë do të desha të shkruhej poezia e tij
“Ave Cesar” shkruar në internim në Savër të Lushnjes në vitin 1984. Dhe ja poezia e Tij: “Gladiatorë/ Gjamët e urrejtjes mbi ju i kam derdhë/ jo për fatin e keq të skllavit/ as për mallkimin e ndëshkimit/ veç për atë qëndrim të ulët/ të nënshtruem e lajkatar/ atje poshtë në fund të arenës:/ Ave Cesar/ Ave Cesar!
Dhe ecën imagjinata ime poetike për t’i nxjerrë nga qelitë e ftohta me gojë të ngrira qeveritarët e kulturës që kanë mbyllur zemrat e tyre me dryn të ndryshkur dhe heshtin… Eci dhe dëgjoj zërin e një juristi, studiuesi, eseisti, gazetari, përkthyesi që nuk meket kurrë. Edhe Ai ecën, ecën me libër nëpër Manhattan, dhe bëhet këngë lirie, hark vetëtime në botë…
Ti je bard i kulturës kombëtare, ku mund të kuvendohet burrërisht në odat e shtruara me qilimat me ngjyrat marramendëse, ti i le popullit tënd lehonë në shekullin e ri, djepin me shqiponjen e lirë dhe ne këndojmë këngët e pakëndueme këngët që t’i kemi borxh përjetësisht… Ti je prijetar që ndalon tehet e bardha të thikave mbi kokat e zogjve dhe ecën përpara me ballin që praron vetëm fllad lirie, edhe pse shtëllunga mjegulle të zeza ende fshihen pas plisit tënd të bardhë si bora e bjeshkëve. E në këtë fantazi me ëndrrat e tua mbush qiellin me yje zjarr. Në qerpik të yjeve zë rrënjë dhimbja që bëhet mal.
Në këtë 100 vjetor, fjalët shqip në librat e tu më bëhen jehonë që vijnë nga Bjeshkët e Nëmuna ndërsa ti si Pëllumb Paqeje fluturon për të takuar miqtë e besës dhe tund kujtesën mjerisht të ndërtuar mbi themele harrese… Në këtë përvjetor me fjalën e parë shqip që ju kujtoj, është poezia e shkruar nga ju me titull “Abetarja”, që është libri i shenjtë i shqiptarëve. Dhe ja disa vargje të saj: “Do më kujtohet deri në më të fundmen ditë/ oborri i shkollës fsheh në mangë të kishës/ e në mes tij një pishë/ bijë e mirë blerimi/”.
Në këtë 100 vjetor ndez një qiri në shenjë përshpirtjeje të perëndishme e lutem në shenjtërinë e fjalëve si para një shenjti dhe bëhem manushaqez naimjane e mpitë dhe e qetë.
Çdo shkronjë në librat e tu është frymë, është ajër, është metaforë e gjelbërt, si sytë e vashës që të kishin magjepsur në rininë studentore.
Ti qëndron si ciceron nëpër muzeume dhe rrëfen historinë sa tragjike dhe të bukur të kombit tënd. Ecën nga njeri pavion në tjetrin me një trok shekulli të pandalur dhe pas një pushimi zanor lëshon në qiell një tufë pulëbardhash për të ikurit si ty, për të ikurit prej Soji.
Petalet e shpirtit tënd puthin me mall që djeg zhur, gërmat e ndritura shqipe, dhe rinisin një këngë që s’do të mbarojë kurrë. Së bashku rinisim një melodi të pakëndueme, një melodi kujtese që çan gjokset e maleve hijerëndë.
29 Janar, 2016
Staten Island, New York