Në 84 -vjetorin e Dritero Agollit
nga Thanas L. Gjika
Disa zotërinj bënë mirë që përkujtuan në disa gazeta në atdhe dhe në diasporë ditëlindjen e dy krijuesve të shquar të letërsisë shqipe, të cilët me 13 tetor 2015 kishin përvjetorin e lindjes së tyre, të Migjenit dhe Dritero Agollit.
Artikullshkruesit u njohin të dyve vlera të njejta, i konsiderojnë krijues shumë të talentuar, gjë që është pjesërisht e vërtetë. Nuk duhet të harrojmë se midis këtyre dy krijuesve ka dallime të mëdha.
Migjeni ishte një shkrimtar realist dhe opozitar ndaj regjimit në fuqi, një engjëll që tregonte plagët e popullit, kurse Dritero Agolli në vitet 1958-1992, ishte krijues që shkroi sipas normave të Realizmit Socialist, për të llustruar bëmat e partisë-shtet. Si i tillë ai, si shokët e tij, e shpërdoroi talentin e vet duke e vënë në shërbim të pushtetit diktatorial dhe të diktatorit. Natyrisht që gjatë këtyre viteve Agolli krijoi dhe disa vepra që do të mbeten, sidomos në lirikën shqipe, por nuk duhet të harrojmë se ai nuk e kreu detyrën e shkrimtarit misionar, nuk u përpoq të zbulonte tragjedinë e vërtetë të popullit tonë: transformimin e ish partizanëve nga trima që ishin gati të jepnin jetën për lirinë e demokracinë e popullit në shërbëtorë besnikë të diktaturës e diktatorit, pra në shtypës të popullit të tyre.
Fatkeqsia e këtij krijuesi vijoi edhe mbas shkërmoqjes së diktaturës mbas fjalimit kritik që ai mbajti në Kongresin e 10 të PPSh-së, kur kjo parti ndrroi emrin në PS. Ai nuk doli si deputet i pavarur, por vijoi të ishte deputet i partisë PS, bijës së PPSh-së. Dritero Agolli – si njeri e si krijues që nga viti 1992, nuk kishte nevojë të mbetej anëtar i një partie politike, sepse detyrimet ndaj partise do ta pengonin, si edhe e penguan, evoluimin e tij botëkuptimor. Ai vijoi të mbulonte dhe t’i arsyetonte shumë gabime e krime të PPSh-së, të shante Gjergj Fishtën, si dhe shumë demokratë aktuale. Ai u bë një mbrojtës i shumë gabimeve të PS-së dhe luajti për vite me radhë rolin e një luftëtari të kësaj partie. Të tilla veprime nuk e nderojnë Driteroin dhe e largojnë shumë prej vlerave të Migjenit dhe të krijuesve misionarë si Visar Zhiti me shokë.
Natyrisht që me rastin e 84-vjetorit edhe unë i uroj shëndet e suksese në krijimtari, e sidomos një evoluim të mëtejshëm në botkuptimin e tij.
Unë besoj se me përvojën që ka fituar nga jeta, veprimtaria shoqërore dhe krijimtaria e gjatë do të arrijë, sepse nuk është kurrë vonë, që të shprehet me përbuzje ndaj lajkave e lavdërimeve të tepruara që shkruajnë për të disa kalemxhinj partiakë të droguar prej propagandës komuniste e socialiste, të cilët e quajne “Patriark i Letrave Shqipe”, “Njeriu i Madh”, “Poet Vigan”, etj. Gjithashtu shpresoj se ai do ta dënojë atë pjesë të veprës së tij, e cila nuk i ka shërbyer ngritjes morale të popullit, por si “poet i oborrit” i ka shërbyer diktaturës dhe diktatorit për ta sunduar sa më lehtë popullin shqiptar.
Në vijim të këtij evoluimi ky krijues duhet të dënojë edhe gjithë ato shkrime letrare e publicistike që hartoi në vitet 1992-2012, si një propagandist i PS-së duke mbrojtur veprime që koha tregoi se ishin veprime të gabuara, në dëm të popullit shqiptar, e në zbatim të Katovicës shqiptare…