back to top
7.5 C
Tirana
E enjte, 21 Nëntor, 2024

Në çelje të procesit kanonik për Lumturimin e At Anton Harapit O.F.M. (1888-1946) – nga Kastriot Marku

Në çelje të procesit kanonik për Lumturimin e At Anton Harapit O.F.M. (1888-1946) - nga Kastriot Marku

Gazeta

At Anton Harapi (pikture Pjerin Sheldija)
At Anton Harapi (pikture Pjerin Sheldija)
Në çelje të procesit kanonik për Lumturimin
e At Anton Harapit O.F.M. (1888-1946),
nga Kastriot Marku

Me hapjen e procesit kanonik të lumturimit për At Anton Harapin O.F.M. (1888-1946), shënohet një hap i rëndësishëm në plotësimin e një dëshmie të fortë kalvari që përjetoi kleri katolik shqiptar gjatë regjimit gjakatar komunist (1945-1990). Njëkohësisht me këtë akt, mendoj të vonuar të vetë Kishës Katolike, e cila me sa shihet ra prè e dyshimit dhe e “frikës” paragjykuese të propagandës së ish-persekutorëve të saj, shkurajohen të gjithë ata që fërkuan duart kur ai u mënjanua pa arsye të arsyeshme, nga procesi i lumturimit në grupin prej 38 të Lumve të tjerë para disa vitesh. Natyrisht që ka kaluar do kohë bukur e mirë për mbledhjen e dëshmive të gjalla, por gjithsesi nuk është asnjëherë vonë, veçse duhet provuar dëshmitë e sjella. Po ashtu historiografia e tredhur komuniste shqiptare, merr me këtë rast edhe ajo një goditje vendore e ndërkombëtare njëkohësisht me rëndësi, sikurse e meriton.

At Anton Harapi (1888-1946) ishte një ndër personalitetet kryesorë të elitës intelektuale shqiptare në përgjithësi dhe të françeskanizmit shqiptar në veçanti në periudhën mes Dy Luftrave. Ai lindi më 5 janar 1888, në Shirokë afër Shkodrës, ku edhe u pagëzua me emrin Gaspër. Shkollën fillore e kreu në fshatin e lindjes, ndërsa gjimnazin në Kolegjin Françeskan në Shkodër. Studimet e larta i kreu në Salzburg dhe Tirol të Austrisë. U kthye si meshtar në atdhe, ku shërbeu në Grudë. Më vonë më 1933, u emërua drejtor i Kolegjit Françeskan dhe më pas drejtor i gjimnazit Illyricum ku dha lëndën e filozofisë. Më 1936 drejton të përkohshmen “Hylli i Dritës”, ndërsa në vitet 1941-1943 ishte Provincial i Françeskanëve të Shqipërisë. Ishte anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës dhe i Institutit Shqiptar të Studimeve deri në fund të vitit 1944. Në vitet 1939-1942, në revistën “Hylli i Dritës” botoi; Valë mbi valë, – Romë, 1995, Andrra e Pretashit, – Romë, 1959, Tiranë, 1995, Vlerë shpirtërore, – Shtypshkroja Françeskane, Shkodër, 1936, Tiranë, 1994, si dhe një numër të madh artikujsh, esesh dhe studimesh sociologjike, politike, psikologjike dhe letrare. U ekzekutua me vdekje më 14 shkurt të vitit 1946. Patër Antoni, duke ruajtur kindat e veladonit të vet që të mos i njolloseshin në baltën e territ të natës kur po e çonin para pushkatimit tha: “…Atje tek shkoj biri im, due të shkoj i panjollë, siç jam kenë tanë jetën” dhe e mbylli me fjalët: “Rrnoftë Shqipnia edhe pa mue!” Ma herët u kishte kujtuar pushkatarëve morracakë teksa betohej me pshtue kombin: “Edhe komunistavet due t’ua tham nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata shqiptarë, të cilët vërtet e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashmâ të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe veprën komuniste në Shqipnì. Kjo âsht vërtetë, e kjo don me thânë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bâjnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë për Shqipnì, e vetëm për Shqipnì. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare – sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë tue dishmue organizatorët komunista – mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rryme shqiptare: Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina dhe jo atdheu? Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qëllim, nuk i lânë vend dyshimit. More, me kobure në gjoks nuk bâhet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit. Gjithëmonë tue rrënue, nuk ndërtohet. Porse, mbas gjase, komunizmi sot ndër ne e ka lânë m’anash doktrinën dhe don të justifikohet me veprën politike atdhetare. Kjo për mue âsht nji kontrast. Nuk due të bjerri kohë tue polemizue me komuista, vetëm po thom se këtu në Shqipni palla në thes nuk hyn. Nuk kemi si t’andrrojmë me ngrehë Republikën e Platonit, kurse jemi ende në gjendjen primitive; nuk kemi sot si të kapërcejmë n’internacionalizëm, kurse ende nuk e kemi formue si duhet ndërgjegjen kombtare. E pse atyne u âsht mbushë mendja se luftën e fitojnë udhëheqësit e së tretës internacjonale, nuk âsht kjo nji arsye, që na qysh tash t’ia nxjerrim sytë shoqishoqit dhe të krijojmë hekatomba shqiptare.”
“Më rrenë mendja se nuk ka zog shqiptari që të mendojë se unë e mora këtë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me drashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja që më shtyni deri këtu. Edhe unë po u a vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: Manija e Shqipnisë, po, qe ajo që më vuni dilemën: a me anarkista për të bâ gjak, ase me hjekun dore prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha të bâj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtërnguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue këtë zyrë, ase të tregoj nji dobësi tue u largue. Vendova mâ mirë të bâj nji marri: ase – sikurse thonë ata shqiptarë që duen të ruhen të pastër – deshta të komprometohem.”
Patër Antoni thotë se e pranoj detyrën e vështirë në Regjencë (natyrisht me leje të eprorëve të vet të Provincës Françeskane në Shkodër dhe Kurisë Gjenerale të Urdhrit Françeskan në Romë në konsultim e dijeni edhe të Selisë së Shenjtë) se: “…pse nuk mujta ta shoh Shqipnin n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né shqiptarët anarkija âsht nji turp dhe nji delikt: po, turp âsht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babyloninë shqiptare, pa qenë të zotët t’ia gjejmë fijen lamshit; delikt âsht në këtë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundeve, humbjen e gjâsë dhe shkatrrimin e familjeve. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija”.

Shënim nr. 1: Citimet e pjerrëta në thonjëza janë marrë nga “Fjalimi i Shkëlqesisë Patër Anton Harapi O.F.M. Anëtar i Këshillit të Naltë të Regjencës, mbajtun në rasen e betimit të vet përpara Parlamentit me 13.1.1944”, botuar në revistën Hylli i Dritës, Vjeti XX/1944, Nr. 1, (213), faqe 5-12.

Interesant për rastin e martirizimit të At Anton Harapit, me vlerën autentike të një dëshmie me rëndësi përmban deklarata e Prof. Gabriel Meksit (1894-1958), i cili në vitin 1946, kur po zhvillohej “Gjyqi i Regjencës”, ai i lëshoi një deklaratë avokatit mbrojtës, Dr. Spiro Stringa, duke marrë në mbrojtje ish-mikun e tij, Patër Anton Harapin O.F.M, i cili bashkë me regjentin tjetër, Lef Nosi dhe ish-kryeministrin, Maliq Bushati, ndodheshin në bankën e të akuzuaravë si “armiq të popullit”.
Profesor Gabriel Meksi (1894-1958) kishte mbaruar studimet në Greqi. Ai ka qenë një arsimtar, drejtues dhe inspektor i arsimit shqiptar, profesor në disa gjimnaze e kolegje me emër, duke filluar nga Janina e Preveza për të kaluar në Berat, Tiranë e Shkodër, ku ligjëroi me kompetencë e virtyt të lartë shkencor sidomos lëndën e Historisë së Shqipërisë, çka bëri që të kishte vend të sigurt në arsimin shqiptar edhe mbas hyrjes së regjimit komunist, madje për kompetencën e tij shkencore ai qe emëruar edhe anëtar i komisionit qendror për hartimin e tekstit të parë të Historisë së Shqipërisë vëllimi i parë i së cilës u botua në vitin 1959, vetëm një vit mbasi Prof. Meksi kishte ndërruar jetë e ku në parathënien e të cilit i është njohur ndihmesa e tij ku theksohet se: “Një kontribut të vlefshëm ka dhënë me materialet dhe vërejtjet e tij kritike edhe Gabriel Meksi”.
Deklarata e profesor Gabriel Meksit në gjyqin ndaj Patër Anton Harapit.

At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist
At Anton Harapi (1888-1946) Para gjyqit komunist

Deklaratë
Unë i nënshkruemi Gabriel Th. Meksi, profesor pranë Liceut të Tiranës, përsa i përket të pandehunit Patër Anton Harapi, deklaroj si ma poshtë:
Patër Antonin e kam njoh qysh në Shkodër në vitin 1928-’30 kur kam shërbye në Gjimnazin e Shtetit të atjeshëm, dhe më shumë kur në korrik të vitit 1930, shkova në Shkodër si përfaqëuses i Ministrisë së Arsimit në provimet e maturës të Normales së Stigmatineve, ku Padër Antoni qe si profesor i Filozofisë dhe Historisë.
Po kështu më është dhënë rasti të shkoj në Shkodër në vitin 1943
, si përfaqësues i Ministrisë së Arsimit te matura e gjimnazit Françeskan, i cili në atë kohë ishte shtetëzue. Kam pasur gjatë gjithë kësaj kohe dhe këtu në Tiranë, bashkëfjalime të ndryshme dhe shkëmbime mejtimesh, nga të cilat më ka rezultuar Patër Anton Harapi, si patriot shqiptar me ndjenja antizogiste dhe anti-italjane, dhe gjithnjë theksoi nevojën se domosdoshme të bashkëpunimit të gjithë elementëve për mirëvajtjen e popullit shqiptar.
Kur Patër Antoni ka qenë miss i Regjencës, duke përfituar nga miqësia që më lidhte me të, më datën 5 shkurt 1944, të nesërmen e masakrës së tmerrshme, kam shkuar te Patër Antoni dhe i kam thënë: “Patër Anton, ç’janë këto që po bëhen?! Pas këtyre s’ke më vënd të qëndrosh aty”. Ay duke qenë i rënduem m’u përgjigj: “Ah mor Zotni Meksi, sikur të ikim edhe unë e Lefi, edhe koka tënde s’është e sigurt
!”.
Mbi kërkesën e tij e lëshoj këtë deklaratë
Tiranë, më 6 shkurt 1946
Deklaruesi
Prof. Gabriel Th. Meksi

Fjala e mbrojtjes e avokat Dr. Spiro Stringa në gjyqin ndaj Patër Anton Harapit

Zotrinj Gjyqtarë

Nuk asht bindja e jeme që Patër Anton Harapi ka qenë anti-italjan, por na e vërteton Z. Prof. Gabriel Meksi, nji nga arsimtarët me vlerë që din dhe peshon dishminë, dhe nuk mundet të supozohet se ay ka trumbetue çka dishronte Patër Anton Harapi. Z. Meksi thekson në mënyrë të kjartë në deklaratën e tij të paraqitun se: “Kam pasë gjatë kësaj kohe që prej vjetit 1928 e deri në vjetin 1944, bashk-fjalime të ndryshme dhe shkëmbim mejtimesh me Patër Anton Harapin, nga të cilat më ka rezultue si patriot shqiptar dhe me ndjenja anti-italjane, dhe gjithnji theksonte nevojën e domosdoshme të bashkimit të të gjithë elementave, për mirvajtjen e popullit Shqiptar”. Përsa theksova ma nalt, Zotrinj Gjyqtarë, rezulton edhe fakti ma i mirë se Patër Anton Harapi nuk ka ba ndonji herë politikë anti-shqiptare pro Italis, sepse italjanët këtë fakt do ta kishin spekulue me çdo mënyrë duke e trumbetue me anën e radios, me anën e shtypit për qëllimet e tyne, ashtu siç banë edhe për ngjarje të tjera që u interesonin.
Ja, më datën 13 Janar 1944, Patër Anton Harapi, gjindet si Antar i Regjencës, në krye të Shtetit. Nga pikpamja ligjore, veprimtaria e tij fillon që nga kjo datë, sepse simbas së Drejtës pozitive, asnji nëpunës nuk mund të fillojë nga kryemja e detyrës, para betimit. Në këtë kohë, operacioni i dimnit ishte mbarue po-thuej krejtësisht; pra duhet konsiderue se Patër Anton Harapi nuk asht përgjegjës për dhanien e urdhnit të maparshëm për operacionet.
Patër Anton Harapi, zotrinj Gjyqtarë, tmerrohet për datat fatale që u përmendën ma nalt, fakt ky që del nga deklarata që ka lëshue z. Profesor Gabriel Meksi, i cili midis të tjerave përmend: “Patër, ç’janë këto që thua, t’ikim edhe unë e Lefi, edhe koka t’ande s’asht e sigurt”. Hyri, pa dashje në nji pellg, Patër Anton Harapi, dhe vërtitet me dalë por s’asht e mundun. Kërkon, me sa asht e mundun, që degjenerimi mos të shtohet, që vuejtjet e cilitdo të pakësohen, që lëngimi të bahet ma i lehtë, të zbusi bishat e egra të Nazizmit, të cilët, t’etuem për gjak, s’dinin çka të banin dhe u vërsulnin në nji mënyrë shtazarake kundra popullit fisnik Shqiptar. Patër Anton Harapi, përpiqet me sa i shkon nga dora, me qenë i afërt pranë kujtdo; derdh lot të sinqertë, dhe nuk asht nji konvencionalizëm hipokrit, por asht tragjedia e madhe që zhvillohet në shpirtin e tij, kur shef gjendjen e mjerueshme të Shqipnis.”
Shënim nr. 2: Faksimilet e deklaratës së profesor Gabriel Meksit që mban datën 6 shkurt 1946, lëshuar avokatit të njohur, Dr. Spiro Stringa, për ta përdorur në “Gjyqin e Regjencës”, kur ai po mbronte klientin e tij, i ka ruajtuar dhe na i ka vënë në dispozicion familja e avokat, Dr. Spiro Stringës dhe më së pari e ka botuar gazetari Dashnor Kaloçi.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.