back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ne ende festojmë mjerimin tonë…* këndvështrim nga Thoma Note

Gazeta

Thoma Kristo Note
Thoma Kristo Note

Ne ende festojmë mjerimin tonë…*

këndvështrim nga Thoma Note

Mbreti i Spanjës, Huan Karlos, sapo u kurorëzua,
 vendosi kurora lulesh mbi varret e të dyja kampeve,
si atyre fashiste edhe atyre republikane, duke thënë fjalët lapidare:
“Kanë luftuar të dyja palët për Spanjën,
e kanë dashur të dyja njësoj, por secila në mënyrën e vet”.

Në këtë muaj festash, nuk di pse, më vjen ndërmend mësuesi ynë i frëngjishtes dhe gjeografisë, Niko Bello, një nga intelektualët e paktë të Liceut Francez të Korçës, i cili vazhdonte të ushtronte profesionin e tij dhe ne, nxënësit e tij, çuditeshim se si nuk kishte përfunduar në burg. Përbënte çudi rasti i tij, sepse gjatë orës së mësimit na fliste pa rezerva për përparësitë që kishte ligji i konkurrencës dhe të mirat e tij për shoqërinë dhe Dega e Brendshme nuk merrte asnjë masë (ishte periudha kur edhe ato pak shërbime private komunale që ekzistonin, u ndaluan nga shteti). Do të duhej të kalonin vite, për të kuptuar se pylli i kallamave të realizmit socialist nuk na lejonte të shihnim se pranë nesh ndërkohë ekzistonin pemë vigane të mendimit e letërsisë, si Mitrush Kuteli e Lasgush Poradeci, Isuf Vrioni e Skënder Luarasi, Vedat Kokona e Robert Shvarc e shumë e shumë të tjerë, të cilët punonin pa u ndjerë që të mos shuhej fara e inteligjencës mbi këtë tokë.
Ishte e natyrshme që inteligjenca e para Luftës së Dytë Botërore shqiptare, e cila kishte studiuar në Perëndim, të lidhej shpirtërisht me të e të luftonte për krijimin e një shoqërie të ngjashme në vendin tonë. Nga ana tjetër, inteligjenca e sankylotëve (brekëgrisurve), të cilët nuk kishin asnjë grosh në xhep, nuk mund të mos dashurohej me atë sistem që i çonte nëpër kampe pushimi, pa paguar asnjë qindarkë, e ku njohën për herë të parë dashurinë e pakushtëzuar, krejt të ndryshme nga dashuria skllavëruese e shoqërisë tradicionale shqiptare…
E kuptuat (o kokëtrashë)!?

Konferenca e Yaltes 1945 - Churchill - Roosevelt - Stalin
Konferenca e Yaltes 1945 – Churchill – Roosevelt – Stalin

Inteligjenca e klasës sunduese të asaj periudhe, që i “kishte pirë gjakun popullit” ishte e lidhur me Perëndimin dhe kryesisht me vendet ku kishte studiuar (Austri, Gjermani, Francë, Itali e Angli). Brekëgrisurit, po dihet, kishin vetëm një atdhe: mustaqet dhe llullën e Stalinit (ajo e Çurçillit nuk ua mbushte syrin!).
E çuditshme, por tepër interesante është aleanca e monarkisë britanike me vendin që zhduku fizikisht krejt dinastinë perandorake të Romanovëve në Rusi. Ishte e çuditshme, sepse nuk ishte e natyrshme dhe interesante, sepse joshi në krahun e vet gjithë energjitë e lira. Dhe nuk ishin pak këto energji të lira në krejt Europën. Të gjithë ambiciozët pa shtëpi e katandi, të gjithë studentët e dështuar gjetën po atë hapësirë të virgjër që gjetën në vendin tonë studentët e kurseve gjashtëmujore, të “Vitrinave” dhe “Kristaleve” në prag të ndërrimit të shekujve.
Rezultatin e shihni vetë, nuk ka nevojë t’ua tregoj unë. Edhe pas shtatëdhjetë vjetësh festojmë ditën e “çlirimit”, e cila rivalizon “denjësisht” me Ditën e Pavarësisë, ndërkohë që aleatët e dikurshëm (Rusi-Angli) i gërmushen njëri-tjetrit, të gatshëm për të filluar një luftë të re botërore, e cila do të ishte shkatërrimtare për gjithë njerëzimin.
Jam plotësisht i vetëdijshëm se është absurde, madje ndonjëherë e rrezikshme, të përballesh në fushën e ideve me njerëz, që në thelb të botëkuptimit të vet kanë dhunën dhe plumbin si formën më të koncentruar të saj; (këtë na tregon përvoja e shtresës së intelektualëve të paraluftës, pjesa më e madhe e së cilës ndonëse nuk u angazhua politikisht si para edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, e pagoi shumë shtrenjtë dëshirën për të kontribuar në rimëkëmbjen e vendit tonë). Botëkuptimin e tyre ata e quajnë materialist dhe në këtë materializëm përfshijnë edhe paranë, megjithëse paraja është përqendrim ideor i vlerave materiale. Megjithatë, deri këtu ata janë krejtësisht të sinqertë. Hipokrizia e tyre fillon kur ata ftojnë masat e mëdha të njerëzve të grumbullohen rreth tyre, me parullën “liri, barazi, vëllazërim” dhe pasi marrin pushtetin, që i çon drejt parasë, të parën gjë që bëjnë është eliminimi i gjithë atyre që i ndihmuan për të marrë pushtetin. Të gjitha format që përdorin, ata i quajnë taktika dhe strategji, ku synimi përfundimtar është gjithmonë pushteti-paraja.
Kontradikta thelbësore në këtë ballafaqim, mendoj, qëndron në faktin se, ndërsa të etiketuarit “idealistë” përdorin vetëm fjalë dhe argumente, materialistët përdorin pseudo-argumentet dhe dhunën. Si xhonglerë të fjalës dhe demagogjisë, ata kapen pas një dege, e cila u duket e shëndoshë, duke e shndërruar atë në “qendër të gjithësisë”.
Kjo “qendër gjithësie” në stadin e tanishëm të materialistëve shqiptarë është fakti që Lëvizja Nacionalçlirimtare shqiptare u rreshtua në krahun e aleatëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Për materialistët tanë nuk ka rëndësi se ku shkon bota; për ta e rëndësishme është të jenë kaluar, gjë që do të thotë të kenë pushtet në këtë skaj të vogël të globit, që nuk përfaqëson veçse një grimcë të materializmit të tyre.
Por, le të kthehemi pak prapa në kohë e të mundohemi ta shohim historinë me sytë e atyre që e bënë atë, pa u mburrur me numrin e të vrarëve…
Materialistët tanë, që kanë shtatëdhjetë vite hiperbolizimi të Luftës Nacionalçlirimtare, bëjnë sikur harrojnë se lufta ndaj okupatorit italian filloi që ditën e parë të pushtimit, më 7 prill 1939, domethënë dy vite e gjysmë para se të krijohej partia e tyre zulmëmadhe dhe tri vite e ca para se ata të mblidheshin në Pezë e të krijoheshin çetat e para partizane. Jo pa domethënie është edhe fakti që kjo parti u krijua vetëm pesë muaj pas prishjes së Paktit Ribentrop-Molotov, me sulmin e Gjermanisë naziste ndaj Rusisë. Po aq domethënës është fakti që Shtabi i Përgjithshëm i kësaj ushtrie “çlirimtare” u krijua pesë muaj pas fitores së betejës së Stalingradit nga ana e rusëve dhe vetëm dy muaj para se të kapitullonte Italia fashiste, kur deri në përfundim të luftës nuk mbeteshin veçse një vit e katër muaj, kohë gjatë së cilës Partia Komuniste Shqiptare, e drejtuar nga emisarët jugosllavë Miladin Popoviç dhe Dushan Mugosha (në klandestinitet), u fuqizua dhe mori pushtetin.

Mugosha - Hoxha - Popoviç PKSH
Mugosha +Hoxha + Popoviç = PKSH

Ishte e natyrshme që inteligjenca shqiptare, duke qenë e vetëdijshme për peshën e vogël që kishte Shqipëria në këtë luftë globale, të shihte me simpati krahun e boshtit që ishte fitimtar deri në vitin 1943, për më tepër kur ky bosht kishte bashkuar kombin shqiptar në një shtet të vetëm.
Në këtë shkrim nuk marrim përsipër të bëjmë historikun as të Luftës Nacionalçlirimtare e as të asaj vëllavrasëse, por do të ndalemi vetëm tek disa detaje të kësaj periudhe.
Dita e çlirimit të Shqipërisë është festuar zyrtarisht me një parakalim madhështor para hotel “Dajti” më 28 nëntor 1944, gjë që ekziston e dokumentuar edhe në kronikat dokumentare dhe në shtypin e kohës. Edhe në vitin 1945 dhe në vitin 1946, festa e çlirimit është festuar po më 28 nëntor. Pesha e kësaj date historike rritej më tepër, edhe sepse përkonte me 28 nëntorin e vitit 1912, kur u shpall pavarësia e Shqipërisë, por me sa duket, dikujt në Beograd kjo nuk i tingëllonte mirë, prandaj doli versioni se gjermani i fundit, i cili ishte strehuar brenda një mullari me bar, ishte larguar nga Shqipëria më 29 nëntor dhe që nga ajo ditë vendi ynë filloi të festojë si ditë çlirimi po atë ditë në të cilën e festonte edhe Federata Jugosllave. Insistimi deri në fanatizëm, për të ruajtur edhe sot e kësaj dite 29 nëntorin si ditë të çlirimit të vendit, tregon më së paku besnikërinë e bijve ndaj udhës së etërve të tyre.
Zhurmë e madhe u bë për dekorimin nga ana e Presidentit të Republikës të 67 viktimave balliste, të pushkatuara nga Mehmet Shehu në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore apo të 67 kolaboracionistëve, siç i cilësojnë, ata përfaqësuesit e fitimtarëve. Vetvetiu më vjen ndërmend një gjest tepër kuptimplotë i mbretit të Spanjës, Huan Karlos, i cili sapo u kurorëzua, vendosi kurora lulesh mbi varret e të dyja kampeve, si atyre fashiste edhe atyre republikane, duke thënë fjalët lapidare: “Kanë luftuar të dyja palët për Spanjën, e kanë dashur të dyja njësoj, por secila në mënyrën e vet”. Gjithsesi, nuk duhet harruar se mbreti i Spanjës arriti ta bëjë këtë gjest fisnik, sepse diktatori Franko nuk i la pa varre kundërshtarët e vet politikë, sikurse ndodhi në vendin tonë. Dhe po aq vetvetiu lindin disa pyetje: Pse ende pas shtatëdhjetë vitesh pala e humbur në vendin tonë vazhdon të konsiderohet kolaboracioniste? Kush është kolaboracionisti i vërtetë në historinë e Luftës së Dytë Botërore, ata që luftuan për një rend të demokracisë perëndimore, në të cilin Shqipëria do të integrohej me gjitha pjesët e shkëputura nga traktatet e padrejta ndërkombëtare, apo ata që u pajtuan me shkëputjen e dhunshme të më se gjysmës së trojeve shqiptare në frymën e internacionalizmit ndërkombëtar? Kush ishte pushtues, uzurpator dhe kolaboracionist i vërtetë, pushtuesit italianë apo gjermanë, të cilët u paguanin qira të rregullta pronarëve të shtëpive ku banonin, në vendin tonë edhe në kushtet e pushtimit, apo “partizanët tanë trima”, të cilët jo vetëm i nxorrën nga shtëpitë pronarët e tyre të ligjshëm, por të gjitha pasuritë materiale dhe bankare që kishte vendi ynë, ia falën Jugosllavisë?

Festa e Flamurit
Festa e Flamurit

Mund të konsiderohet Luftë Çlirimtare fitorja e asaj partie, e cila jo vetëm nuk i qëndroi besnike programit me të cilin tërhoqi popullin pas vetes, por e shpronësoi atë në atë shkallë sa fshatari ta blinte bukën dhe qumështin në qytet? Nuk dua t’u kujtoj këtu qytetarëve (të cilët ishin me fat!?) orën në të cilën duhet të ngriheshin për të zënë radhë për një litër qumësht, një kg mish ose një pulë, 200 gramë kafe në muaj (për çdo familje këto, jo për individ)… apo radhën e tepsive kur dilte gjizë… Po limonët, që mund t’i gjeje vetëm te hotel “Dajti”, po të kishe mik, i mban mend kush…? A ka ndonjë që mund të më tregojë se kush mund të blinte 5 kg mollë vetëm në datën 5 Maj…?
Dhe çuditërisht, po ata që “luftuan” për barazinë e të gjithëve, sot janë biznesmenët më të mëdhenj të vendit, që vazhdojnë të tundin flamurin e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Interesante apo ironi? Ende vazhdojmë të festojmë 29 Nëntorin si festën e çlirimit të Shqipërisë nga nazizmi. Parodi, sepse festojmë ndërrimin e një sistemi politik me një edhe më të egër se i pari. Çfarë lirie solli ai sistem që i hoqi njeriut të drejtën për të besuar në një Zot, i hoqi fshatarit të drejtën për të mbajtur tokë e bagëti, për të ushqyer familjen, që u fali një pjesë të trojeve kombëtare fqinjëve? Kujt i duhet një sovranitet që nuk u shërben njerëzve? Shkëmbinjve? Çfarë lirie festojmë ende ne? Ne ende festojmë mjerimin tonë, duke luajtur kungulleshkash…
Marrë nga http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/loje-kungulleshkash/
*p.s. titulli i gazetës në fjalë ishte “Lojë kungulleshkash…”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.