back to top
8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Në Firence, me misionin e kunorës për Telinin – nga Lazër Radi

Gazeta

Lazer Radi - Rome 1937
Lazer Radi – Rome 1937

Në Firence, me misionin e kunorës për Telinin

nga Lazër Radi

Marrë nga libri në botim “Gjurma t’nji ditari të djegun”

Nga njiqind kampista shqiptarë, me datën 7 gusht, nga komanda e Kampit u caktuem njizet të shkonin në Firence me vendosë nji kunorë lulesh të freskëta, te varri i Gjeneral Telinit.
Ndër njizet të përzgjedhunit, fati e desh t’isha dhe unë njeni prej tyne.
S’mundem me e mshehë, se ishte gëzim i madh për mue dhe nji ngjarje që ma bani edhe ma të bukur vizitën në Itali. Po më jepej mundsia me pà edhe nji tjetër qytet të randsishëm të Italisë, Firencen e famshme, vendlindjen e Dantes së Madh.
Për Firencen më kishte folë me aq dashni Filip Ndocaj, kur isha në Pukë. Simbas përshkrimeve të tij e kisha krejt të qartë urbanistikën e qytetit dhe vendet ma të bukura të saj. Sigurisht kisha edhe njohuni për historinë e lavdishme të Firences, në shekullin e XV-të, kur pushtoi qytetin e Pizës, e Firence u ba edhe nji fuqi detare e kohës. Familja Mediçi, nji nga familjet ma të mëdha, ma të pasuna e ma të fuqishme të qytetit, kishte luejtë nji rol të randsishëm në jetën kulturore, politike dhe artistike, jo veç të qytetit po edhe të vendit.
Për pesë vjet, nga viti 1865, deri në 1870, Firence ishte ba edhe kryeqyteti i Italisë. Vetëm mbas atij viti, kryeqyteti kaloi në Romë.
Firence njifej në gjithë botën për shkollën e saj, ose ma mirë për shkollën e artit të saj – në pikturë e në skulpturë – i cila trajtohet edhe si: “Shkolla fiorentine”.
Pallatet e famshme të saj si Palaco Vekio, Palaco Pitti dhe Rikard mbeten sot e kësaj dite kryevepra të arkitekturës dhe stilit, pa harrue kishat si ajo e Santa Maria del Fiore, apo ajo e Santa Kroçes – ku veç stilit dhe bukurisë së tyne; fasadave që duken si të qëndisuna në gjergjef prej artistash me shije të holla; e ku mbrenda sallave të muzeve gjen piktura e skulptura të artistëve ma të mëdhenj, jo vetëm të Toskanës e Italisë po edhe botës.
Kështu u nis grupimi jonë për Firence, ku ndër tjera do të shifnim “Giardino dei Boboli” dhe Sheshin e Davidit të Mikelanxhelos, prej kah shihej si në pllambë të dorës, krejt magjia e Firences…
Me autobusë mbrritëm ma së pari në Romë.
Pa humbë kohë, mbasi treni i linjës për Firence ishte gati, bamë veç disa fotografi ashtu me ngut te Luani i Judës, e mandej morëm andrrën për Firence…
Në qytetin e Dantes, na priste nji grup i organizuem vajzash. Nji fat i madh e i bekuem për ne. Ato na prinin para, ne mbas tyne të inkuadruem në rresht me Flamurin shqiptar në ballë, ecnim nëpër rrugët e Firences.
Edhe aty, në çdo hap që hidhnim kishim ndjesinë se po shkelnim mbi histori të lavdishme. Mendoja se atyne rrugëve, shekuj ma parë, kishte ecë poeti i “Komedisë Hyjnore”, Dante Aligieri vetë, dhe kur kaluem te Ura e famshme e Argjendarëve mbi Arno, m’u duk sikur për nji çast aty te ndonji cep befas mund t’na shfaqej Dantja me at tunikën e tij të kuqe dhe Beatriçja që kalonte e lumtun dhe e shkujdesun, nën vëmendjen e gjindjes…
Poeti, i shigjetuem prej rrufesë së bukurisë së saj, sikur filloi me përtypë në mendje ato vargjet e famshme:
 
“Aq e hijshme dhe e njerëzishme ngjan
grueja e ime kur gjint ajo përshëndet,
sa dhe gjuha tuj u dridhun pa folun mbet
dhe sytë për me shikjue guxim s’po kanë.”
 
Kështu ndodh kur shkel ndër qytete andrrash, po m’u desht me e shkundë pak vedin, se diku në mesrrugë na priste autobusi. Hypëm dhe u nisëm drejt vorrezave. Kur mbrritëm, në hymje na priste nji kunorë e madhe lulesh të freskëta. Si zakonisht, ishim të caktuem unë dhe Zef Bumçi, që ashtu si te Monumenti i Ushtarit të Panjoftun në Romë, edhe aty me çue kunorën e nderimit te vorri i gjeneral Telinit. Mbi nji shirit të kuq në italisht qe shkrue: “Gjeneral Telinit – nga studentat shqiptarë!”
E ndërsa ecnim në heshtje me kunorë ndër duer, para na printe nji djalosh i ri, vendas, i cili qe caktue me na shoqërue. Ai na ndali te nji vorr solemn, punue i gjithi në mermer të bardhë. E kuptuem se ishte vorri i Gjeneralit të famshëm, vra në mbrojtje të kufijve të Shqipnisë. Fillimisht, ndalëm në nji minutë heshtje në nderim të veprës së tij, mandej vendosëm kunorën me lulet e freskëta, dhe sërish me qëndrim solemn, u larguem në heshtje duke e përshëndetë në mënyrën tonë, me dorën e djathtë të tendosun para gjoksit. Mbasi mbaroi ceremonia u shpërndamë në vorrezat e qytetit me pà vorret monumetale.
Për to ndoshta flas ma vonë, mbasi m’duhet me shpjegue veprën e gjeneral Telinit. Kush ishte ai, ç’ka kishte bà dhe pse u vra në kufinin shqiptar të jugut?
.
Studente shqiptare ne Firence - Gusht 1937 - Lazer Radi, i dyti majtas, ulur
Studente shqiptare ne Firence – Gusht 1937 –
Lazer Radi, i dyti majtas, ulur

***

Meqë përcaktimi i kufijve të Shqipnisë ka qenë vazhdimisht mollë sherri midis fqinjëve tonë grykës, në veri me Serbinë dhe Malin e Zi e në jug me Greqinë; Fuqitë e Mëdha caktuen nji komision ndërkombëtar të kufijve, kryetar i të cilit u caktua Gjenerali italian Enrico Tellini. Ky Komision, mbasi e kishte krye pjesën ma të madhe të punës në përcaktimin e kufijve veriorë me Malin e Zi dhe kufijve verilindorë me Serbinë, me kërkesë të Qeverisë Shqiptare, në vitin 1922, kaloi në jug ku kishte marrë detyrën me zgjidhë konfliktet kufitare shqiptaro-greke në lidhje me 26 fshatra shqiptare që mbaheshin të pushtueme nga Greqia.
Përfaqësuesi grek i caktuem pranë Komisionit vuni kushte. Ai kërkonte që në përcaktimin e kufijve, komisioni duhej të kishte parasysh “Protokollin e Korfuzit” – të mbajtun në maj të vitit 1914.
Qeveria shqiptare dhe vetë Komisioni, i hodhën poshtë ato kërkesa të grekëve dhe e shfuqizuen Marrëveshjen e Korfuzit.
Përfaqësuesi grek në shenjë proteste u largue! Mirëpo Komisioni kërkoi nga Qeveria Greke me dërgue menjiherë nji përfaqësues të sajin pranë këtij Komisioni. Mos me humbë kohë, Komisioni shkoi në Dibër për t’u dhanë fund punimeve të veta në përcaktimin e kufijve lindorë.
Ndërkohë Greqia vazhdonte fushatën kundra vendit tonë, duke na paraqitë si turbullues e të rrezikshëm për paqen botnore! Në kët kohë, në kundërshtim me çdo rregull ndërkombëtar, Greqia po dëbonte me mija shqiptarë çamë drejt Turqisë, duke i paraqitë ata si popullsi turke… Në kët atmosferë të turbullt e anmiqsore të krijueme nga qeveria greke ndaj qeverisë shqiptare: nisi punimet në përcaktimin e kufijve jugorë të Shqipërisë me Greqinë, Komisioni ndërkombëtar me Gjeneral Telinin. Sipas vendimit të Komisionit, 14 nga 26 fshatrat që ishin pushtue nga grekët dhe mbaheshin prej tyne duheshin përfshi në territorin shqiptar!!
.
Monumenti i Gjeneral Tellinit - Tiranë
Monumenti i Gjeneral Tellinit – Tiranë
Ky vendim s’u pëlqeu aspak grekëve: kështuqë ata filluen nji fushatë të tërbueme, po kësaj here kundra Komisionit, e në mënyrë tё veçantë kundra kryetarit të tij, Gjeneralit Telini.
Më 27 gusht 1923, në kohën kur Komisioni po udhëtonte nga Janina drejt Gjinokastrës, ende në territor grek, makina në të cilën po udhëtonte Komisioni ndërkombëtar u sulmue nga banditët grekë, të cilët e vranë Gjeneral Telinin dhe tre anëtarë të tjerë të Komisionit, (edhe këta italianë) si dhe nji shqiptar që ishte shoqnues dhe përkthyes i tyne.
Ky qe nji krim i shëmtuet me qëllime edhe ma të poshtra! Duke ua ngjeshë shqiptarëve kët vrasje, grekët shpresonin se mund të krijohej në botë opinionin se shqiptarët ishin elementa “turbullues” dhe se ata ishin të gatshëm për çdo lloj krimi…! Duke krijue nji mendim i tillë, ata shpresonin me përfitue nga tokat shqiptare e në mënyrë të veçantë mos me i lirue ato fshatra rreth Korçës, të cilat Greqia i mbante të pushtueme ushtarakisht.
Hetimet e mavonshme vërtetuen se krimi qe krye prej grekëve, kështuqë pa fort dëshirë, u detyruen me marrë mbi vedi përgjegjësinë morale dhe materiale të atij krimi. Kurse Italia mori krejt damshpërblimin që kërkoi për kët akt terrorist.
Ky provokim grek i acaroi edhe ma tej marrdhaniet shqiptaro-greke. Greqia tërhoqi përfaqësuesin diplomatik nga Tirana dhe i shtoi raprezaljet kundër popullsisë shqiptare të Çamërisë.
.
Studente shqiptare ne Firence - Gusht 1937 - Lazer Radi, i katerti djathtas
Studente shqiptare ne Firence – Gusht 1937 –
Lazer Radi, i katerti djathtas

***

Ne, vendosëm nji kunorë lulesh të freskëta në shenjë mirënjoftje ndaj gjeneralit të madh fiorentin, i cili kishte derdhë gjakun te piramida ku përcaktohesh vija ndamëse midis Shqipnisë dhe Greqisë…
Ditë ma parë, isha ndalë për pak edhe te vorrezat e Romës në “Campo Verano”, që gjendeshin mbas qytetit Universitar. E ndërsa manifestoja habi për bukurinë e tyne, dikush nga shoqnuesit më tha se vorrezat ma të bukura në Itali gjinden në qytetit e Gjenovës, vendlindja e lundërtarit të famshëm Kristofor Kolombi…
E megjithatë bukuria s’ka fund. Ato vorreza ku ishim ndalë e po i vizitonim ishin vërtet të madhështore. Pothuej çdo vorr, edhe ai ma i thjeshti, ishte i veshun në mermer. Nji pjesë e madhe e tyne kishin skulptura artistike: si engjëj, shenjtorë, shpend, kryqe, personazhe mitologjikë e kulti, buste, etj. Shumë prej tyne ishin të punueme nga duer mjeshtrash të njoftun dhe ruenin vlera artistike të padiskutueshme.
Më bante shumë përshtypje ajo mirmbajtje, ajo përkujdesje ndaj vorreve, më habitën veprat e artit, po edhe lulet e freskëta që dukeshin gjithkund aty pari. Nji kult ky që i nderon ma së shumti ata që e bajnë kët gjà, se sa atyne që u bahet shërbimi. Kishte të vdekun që e kishin vorret qysh prej shekullit të XVII-të pra, afro 300 vjeçarë, çka më krijoj nji ndjenjë edhe ma të madhe respekti për ata njerëz që kujdeseshin për paraardhësit e tyne. Mundet që ndokush të ishte shue edhe si familje, kurse vorri ju qëndronte madhështor, si dëshmi e asaj së shkueme të largët! Ai u kish rezistue kohnave, e tash fliste njashtu n’heshtje.
Aty ndjeva për të parën herë, se vorrezat, ma mirë se gjithçka tjetër, dëshmojnë kulturën e nji populli, shpirtmadhësinë e tij dhe dëshirën për vazhdimësi ndër shekuj. Nji popull që respekton të vdekunit, që përkujdeset për ta, e sakrifikon që qyteti i të vdekurve të jetë sa ma i paqëm e i hijeshuem me lule, shatërvane e statuja – të detyron me e nderue dhe me e respektue.
Edhe pse ajo kohë e qëndrimit aty në vorreza qe e paktë, reflektimi i asaj dite u zhyt thellë në koshiencën time…
.
100 studente shqiptare Itali (15 korrik - 30 gusht 1937)
100 studente shqiptare Itali (15 korrik – 30 gusht 1937)

***

Kishim plot gjana me pa në Firence. Pa humbë kohë, hypën në autobus dhe zbritën në qendër të qytetit. Aty, pothuej pranë njeni-tjetrit, ishin Pallati “Vechio”, kisha e bukur me at fasadën filigranore, Shatërvani me Davidin, “Pieta” e Mikelanxhelos, ajo e vërteta, në kishës Santa Maria Novellas.
Prej aty shkuem te Ura e Vjetër, me dyqane argjendarie në dyja krahët. Edhe aty ishte zonë e artizanëve që pjesën ma të madhe të punëve i realizonin me dorë, njashtu si në Shqipni. Edhe pse punonin mjaft bukur, ama jo si në Prizrenin tim! Iu hodha nji sy disa “broshe-ve” të punueme prej tyne, po me thanë drejtën nuk më pëlqyen fort. I punonin rrallë, kurse në Prizren i punonin ngjeshun dhe bukur. Kur i pyeta për at lloj punimi, më thanë se e njifnin sigurisht, po kjo mënyra e tyne ishte ma e leverdisshme dhe sigurisht mjaft ekonomike!!
Suvenirët kryesorë në Firence ishin bustet e vegjël të Dantes dhe Beatriçes. Doemos e bleva edhe unë nji të tillë si dhe nji bllok fotografish me ngjyra të monumenteve ma të randsishme të kryeqendrës së Toskanës.
Prej andej kaluem te Kashinat e famshme, n’at Park të kultivuem që ishte bukuria dhe krenaria e Firences. Aty organizoheshin koncerte, banin shëtitje të rinjtë qe e gëzonin shlirshëm rininë e tyne, kurse të moshuemit vazhdonin ecejaket e tyne të përditshme mëngjeseve të freskëta e mbramjeve flladitëse.
Prej Kashinave u ngjitëm te kodra që zotnonte qytetin e Firences. Ishte nji lëndinë e hapët në qendër të së cilës naltohej monumenti i Davidit, rrethue me parmakë të bukur, me u mbështetë e me soditë me andje qytetin që duket si në pllambë të dorës.
Nuk asht e këshillueshme, me ikë prej Firences pa e vizitue njat kodër madhështore, ku edhe ne bamë mjaft fotografi kujtimesh.
Firencja na rrëshqiti si andërr e bukur, mos me na u shlye kurrë.
Prej aty shkuem në Fiesole, nji vend i bukur e piktoresk, që ka mbetë i pavdekësuem prej vargjeve të poetit të madh, Giovanni Pascoli.
Në çdo vend ku shkonim, ishim si në marrshim. Aq të shumta ishin vendet me u vizitue, dhe aq e pakët koha jonë. Në orën e përcaktueme t’asaj dite, na duhej me marrë trenin për Romë.
Vizitave tona të shumta iu shtue tash edhe nji varg emocionesh të paharrueme që do t’i mbanim mend për tanë jetën. N’nji kohë aq të shkurtë, merrnim me vedi edhe magjinë e nji tjetër qyteti…
E ndërsa ishim në trenin për Romë, vazhdonim me folë, më rrëfye e me kujtue, çka Firencja, n’nji ditë të vetme e kishte derdhë pa kursim, ndër shpirtnat tonë djalosharë.

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.