back to top
4.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Ne ishim komunistë… shokë të Enverit…

Gazeta

Tiranë 1965 - Kuadro të Ushtrisë dhe Shtetit
Tiranë 1965 – Kuadro të Ushtrisë dhe Shtetit

Ne ishim komunistë… Shokë të Enverit!

Tiranë, 1965…
Enver Hoxha, udhëheqës i Partisë
së bashku me kuadro të larta të Shtetit dhe të Ushtrisë.
Nga e majta: Sadik Bekteshi, Spiro Mojsiu, Kadri Hazbiu,
Beqir Balluku, Enver Hoxha, Mehmet Shehu,
Petrit Dume, Mihallaq Ziçishti, Aranit Çela…
Sa prej tyre shpëtuan gjallë, di kush?!?!

Studiesi Artan Lame, vite më parë, kët foto të vitit 1965, e ka lexuar si dokument historik… ku Udhëheqësi i Madh shfaqet solemn midis kuadrove të larta të Shtetit dhe të Ushtrisë… por që në më pak se 15 vite, ai u bëri “piazza pulita”, pra i çoi pothuaj të gjithë shokët e tij të luftës dhe të socializmit, njerzit më të betuar për besnikëri ndaj tij dhe Partisë… në satër!! Pra të gjithë keta patën të njëjtin fund: “Armiq të Betuar të Partisë dhe të Popullit!”…
Ishte nji kohë që prodhonte përditë armiq… dhe askush s’guxonte të mendonte se kush ishte armiku i vërtetë i popullit… j.r.

Ministri Vasil Kati ne gjyq si "Armik i Popullit"
Ministri Vasil Kati ne gjyq si “Armik i Popullit”

Gjeneral-Major Sadik Bekteshi, partizan, anëtar themelues i Komitetit Central të Partisë Komuniste, Drejtor Politik i Ushtrisë Popullore. Në fund, Armik i Betuar i Partisë dhe i Popullit. Në kohën e luftës ishte burgosur dhe internuar në Itali si i burgosur politik, fillimisht në Napoli dhe më pas në Ventotene. Vërtet i shpëtoi me një vit burgut fashist, por nuk ia hodhi dot burgut të Komandantit, ku qëndroi 20 vjet, për të vdekur të paktën i lirë në demokraci pak vite më parë.

Gjeneral-Major Spiro Mojsiu (1900-1980). Ushtarak karriere që në kohë të Zogut, pastaj të Italisë, dhe së fundi Partisë. Gjeneral, deputet, shef i shtatmadhorisë. Megjithëse i goditur nga pak, kohë pas kohe, arriti t‘ia hidhte Enver Hoxhës duke vdekur nga pleqëria vetëm një vit para zbulimit të komplotit të poliagjentit Mehmet Shehu, në të cilin Komandanti do t‘i kishte gjetur patjetër ndonjë rol sa për ta vënë pas murit.

Kadri Hazbiu (1922-1983) Partizan, Komandant Brigade, Gjeneral, Ministër i Brendshëm mbi 20 vjet, deputet, Ministër i Mbrojtjes dhe në fund Armik i Betuar i Partisë dhe i Popullit. U pushkatua pas njëmbëdhjetë muaj hetuesie si ajo që dinte të të bënte Komandanti.

Gjeneral-Kolonel Beqir Balluku (1917-1974) Partizan, Komandant Brigade, Komandant Divizioni, Gjeneral me tre yje (i vetmi që arriti këtë gradë), Kryetar i Shtatmadhorisë, deputet, 22 vjet Ministër i Mbrojtjes, Zëvendëskryeministër dhe, në fund, Armik i Betuar i Partisë dhe i Popullit. I pushkatuar.

Mehmet Shehu (1913-1981) Vullnetar në Luftën e Spanjës, partizan, Komandant Brigade, Gjeneral, Hero i Popullit, Deputet, Ministër i mbrojtjes dhe 27 vjet rresht Kryeministër (kryeministri më kohëgjatë i Shqipërisë). Në fund… Poliagjent dhe Armik i Betuar i Partisë dhe i Popullit. U vra a e vranë, s’u mor vesh asnjëherë. Mua më ka mbetur në mendje versioni i të birit Bashkim Shehu, i cili thotë “Mehmet Shehun e vetëvranë”.

Gjeneral-Lejtnant Petrit Dume Partizan, Komandant brigade, Komandant divizioni, Hero i Popullit, Deputet, me dy akademi sovjetike, Shef i Shtatmadhorisë mbi 10 vjet, në fund Armik i Betuar i Partisë dhe i Popullit, plus akuza “tradhëti e lartë kundër atdheut”. I pushkatuar me 1975.

Gjeneral-Major Mihallaq Ziçishti Partizan, Gjeneral, Zëvendësministër i Brendshëm. Në vitin 1982, vëllai i tij Llambi Ziçishti, Ministër i Shëndetësisë pushkatohet dhe natyrisht që ai përfundon në burg si vëlla i Armikut te Betuar te Partisë dhe Popullit.

Njëri pas tjetrit, të gjithë këta i dënoi Aranit Çela, i cili në cilësinë e Kryetarit të Gjykatës së Lartë, drejtoi gjyqet e tyre. E ku ta dinin ata të shkretë se pikërisht ai burri me veshje civile, që rri i ndrojtur në fund të rreshtit, do t‘i çonte të gjithë në plumb.

Dhe populli këndonte:

Ne ishim komunistë/ shokë të Enverit
Partia na kaliti/ besnikë në rrugë të nderit…
Në  të vërtetë  kjo këngë duhej kënduar ndryshe
Ne ishim komunistë/ shokë të Enverit
Partia na degdisi/ Armiq në rrugët e Ferrit…

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.